Ngritja e duarve me rastin e leximit të duasë pas namazit
Es-Sujutiu në veprën Tedbir'ur-Ravi thotë: "Nga hadithet domethënia e të cilëve është mutevatir është hadithi për ngritjen e duarve me rastin e leximit të duasë. Nga Pejgamberi a.s. kemi rreth njëqind hadithe për ngritjen e duarve me rastin e leximit të duave të ndryshme. Unë i kam tubuar këto hadithe në një vepër, por këto hadithe janë për raste të ndryshme dhe në asnjë nga këto gjendje nuk ka pasur aq shumë hadithe që atë ta shpallim mutevatir por së bashku këto hadithe e bëjnë mutevatir ngritjen e duarve me rastin e leximit të duasë". [1]
Në bazë të kësaj, ne e konsiderojmë të lavdërueshme ngritjen e duarve me rastin e leximit të duasë pas namazit. Edhe pse shumica e haditheve në të cilat përmendet ngritja e duarve me rastin e leximit të duasë pas namazit është e dobët, kjo nuk është arsye që duart mos të ngrihen. Vetëm atëherë kur nga Pejgamberi a.s. kemi ndalesë shprehimore të ngritjes së duarve ne mund të themi se kjo është e ndaluar, por diç të tillë nuk kemi në urdhëresat e përgjithshme të Pejgamberit a.s..
Hadithet që shënojnë ngritjen e duarve me rastin e leximit të duasë pas namazit janë si vijon: Ibn Ebi Hatimi shënon nga Ebu Hurejre, i cili thotë: "Pejgamberi ende deri sa ishte i kthyer drejt kibles, i ka ngritur duart pas namazit, dhe ka lexuar duanë: "All-llahumme hal-lis'il-Velide'bn'el-Velid ve Ijash ibn Rebi'a ve Seleme ibn Hisham ..."". [2]
Hejthemi shënon: Nga Muhammed ibn Ebi Jahja transmetohet se ka thënë: "E kam parë Abdullah ibn Zubejrin, i cili e ka parë një njeri se si i ngrit duart dhe lexon dua kurse ende nuk e kishte përfunduar namazin. Kur e përfundoi namazin Abdullah ibn Zubejri e ftoi dhe i tha atij: "Pa dyshim Pejgamberi a.s. nuk i ka ngritur duart deri sa nuk e përfundonte namazin"". [3]
Nga Enesi r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Nuk ka njeri i cili pas namazit shtrinë duart e tij dhe lexon: "All-llahumme ilahi ve ilahi Ibrahime ve Is'haka ve Ja'kube ve ilahi Xhibrile ve Mikaile ve Israfile es'eluke en testexhibe da'veti fe inni mudtarrun ve ta'simuni fi dini fe inni mubtelijun ve tenaluni bi rahmetike fe inni mudhnibun ve tenfi annil-fakre fe inni mutemessikun" - e që Allahu ta kthejë atë me duar bosh". [4]
Siç kemi parë, disa dijetarë këto hadithe i konsiderojnë korrekte dhe disa të tjerë të dobëta. Mirëpo, veprimi i dijetarëve sipas tyre dhe pajtimi i këtyre haditheve me rregullat e përgjithshme me rastin e leximit të duasë dhe me adabet e duasë kanë bërë, që thuajse, tërë ulemaja islame është pajtuar se ky veprim është nga gjerat e lavdërueshme.
El-Mubarekfuri thotë: "Sipas mendimit tim ngritja e duarve me rastin e leximit të duasë pas namazit është e mirë". [5]
Er-Rehun El-Maliki thotë: "Erdhi në Utbijj se Maliku ka thënë: "E kam parë Amr ibn Abdullah ibn Zubejrin se i ngriti duart deri sa, duke qëndruar ulur pas namazit, e lexonte duanë, dhe me këtë rast i është thënë: A mos ka ndonjë problem me këtë që ti e vepron? Ai në këtë ka thënë: Nuk shoh në këtë problem"". [6]
Es-Suhejl El-Maliki thotë: "Maliku ka theksuar se Amiri e lexon duanë pas namazit dhe i ngre duart, në çka ka thënë: "Kjo është nga gjerat e bukura"". [7]
El-Hadremi Esh-Shafi'iu thotë: "Gjatë çdo duaje është e mirë të ngrihen duart dhe me to të fërkohet fytyra dhe është mirë të lexohen duatë e zgjedhura të Pejgamberit". [8]
Ibn Muflihu thotë: "Nga adabet e duasë është ngritja e duarve deri në nivel të kraharorit. Ebu Davudi shënon me sened sahih nga Malik ibn Beshari: "Kur ta lutni Allahun, luteni Atë me pjesët e brendshme e jo të jashtme të shuplakave ...". [9]
Autor: Sami XHEKO
_________________________
[1] - Tedrib'ur-Ravi, 2/280.
[2] - Tefsir, Ibn Ebi Hatim, 3/1048, Ibn Kethiri thotë në Tefsirin e tij (3/172): "Ky hadith ka mbështetje në Sahih".
[3] - Mehme'uz-Zevaid, Hejthemi, nr. 17345, 10/169, Mektebet'ul-Kudsi, 1994, dhe thotë: Taberanii e shënon dhe thotë se të gjithë transmetuesit janë besnikë, Mubarekfuri thotë në Tuhfet'ul-Ahvezi (2/171): "Sujuti në Feddul-Vi'a thotë: Transmetuesit e këtij hadithi janë sahihë".
[4] - Amel'ul-jevmi ve'l-lejleh, Ibn'us-Sunni, fq. 121.
[5] - Tuhfet'ul-Ahvezi, El-Mubarekfuri, 2/173, Dar'ul-Kutub'il-Ilmijje, Bejrut.
[6] - Hashijet'ur-Rehuni 'ala Zerkani, 1/409.
[7] - Revd'ul-Enfi, Es-Suhejli, 4/224.
[8] - Mukaddimet'ul-Hadramijja, Abdullah ibn Abdurrahman El-Hadremi, fq. 206.
[9] - El-Furu', Ibn Muflih, 1/401, Po kjo theksohet edhe në: Keshaf'ul-Kina' (1/367) dhe Dekaiku Ulin-Nuha (1/206).