Ramazani te shqiptarët
Për afro çerek shekulli feja tek ne u ndalua nga ligjet e kota dhe të pabaza të atij absurdi mbi tokë, që ngrinte krye mbi shpirtra të pafajshëm duke potencuar forcën e tij të "pamatë". Por ky përbindësh nuk e pati forcën e pretenduar për të shuar dritën e besimit në Zot në zemrat e myslimanëve shqiptarë, nuk pati forcën të ndalonte as ritet edhe pse praktikoheshin fshehurazi. Rënia e regjimit komunist dhe fillimi i lindjes dhe zhvillimit të demokracisë, solli menjëherë edhe ripërtëritjen e besimit dhe të ringritjes së institucioneve fetare. E tashmë që prej 22 vjetësh shqiptarët praktikojnë fenë e tyre si qytetarë të lirë të një vendi demokratik.
Qysh në vitin e parë të lejimit të praktikimit të besimit fetar dhe me afrimin e Ramazanit në vitin 1990, u konstatua ringjallja e traditës së hershme myslimane, tradita e bukur e Ramazanit. Tashmë myslimanët kishin mundësi të dilnin lirisht e të "bërtisnin" gjer në kupë të qiellit: Unë agjëroj ...! Askush nuk mund t'i ndalte, askush nuk mund t'i gjykonte apo t'i shihte me përçmim, tashmë ata kishin lirinë e shumëpritur prej vitesh. Disa shpreheshin për këtë muaj "na çeli sytë e zemrës së errësuar për gjysmë shekulli", disa të tjerë thonin "na përtërin imanin e zbehur prej vitesh".
Dalëngadalë filloi të ringjallet ajo traditë e bukur që ka qenë aq e përhapur ndër familjet tona; kurrë nuk mendohej që iftari të kalohej vetëm me familjen, sepse ishte nderim i veçantë që për Ramazan, kryefamiljari, ose pjesëtarë të tjerë të familjes, të ishin të ftuar për iftar tek komshinjtë, tek miqtë e farefisi, madje kaq rëndësi i jepej këtij zakoni, saqë burrat e rezervonin ditën që do të ishin të ftuar tek njëri-tjetri. [1]
Gjatë këtyre viteve, në shumë qytete tona, Komuniteti Mysliman, shoqata e njerëz bamirës shtrojnë iftare kolektive ose përgatisin pako me ushqime, me qëllim që të gjithë ta gëzojnë këtë muaj. Edhe nëpër fshatra vazhdon tradita e bukur e thirrjes dhe pritjes së mysafirëve për iftar gjatë gjithë muajit.
Në vazhdim të traditës, qysh në ditët e para të këtij muaji, myslimanët shkojnë pas teravive tek njëri-tjetri për vizitë. Pas namazit të teravisë bashkohen në grupe për të kaluar një pjesë të kohës, madje edhe për të qëndruar deri në kohën e syfyrit, duke biseduar çështje feje e morali, apo duke kënduar Kuran. Edhe dora e ndihmës shtrihej shumë në këtë muaj duke i ndihmuar me furnizim të ngratët, jetimët, të varfrit, skamnorët dhe ata pa përkrahje, duke mbretëruar ndjenja e mëshirës, mirësisë dhe dashurisë për njëri-tjetrin dhe për Krijuesin.
Nga e kaluara e deri në ditët e sotme, Ramazani ka shtuar një pasuri të veçantë në të gjitha shoqëritë islame. Tradita e Ramazanit manifestohet në forma të ndryshme nga qyteti në qytet. Përjetimi i këtyre ndryshimeve kanë bërë që kultura e Ramazanit të ndikojë në shumë fusha të jetës. Kuzhina e këtij muaji është e veçantë. Bukët speciale që gatuhen gjatë këtij muaji, gjellët e ndryshme, sofrat e stolisura të iftarit nga hurmat, ëmbëlsirat dhe sallatat e ndryshme, pastaj edhe thirrja nëpër iftare dhe zijafete është ëndërr e paharrueshme në zemrat e shqiptarëve. Kandilat në këtë muaj vazhdojnë të vezullojnë nëpër minaret e xhamive nga akshami e deri në sabah (agim). [2] Në të kaluarën në trojet shqiptare kërciste topi dhe binin daullet për t'i përkujtuar njerëzit se është koha e iftarit, ndërsa në kohën e syfyrit gjithashtu u bihej daulleve nëpër rrugët e qytetit dhe fshatrave.
Të moshuarit, ata të cilët kanë jetuar në tre sisteme të ndryshme qeverisëse, tregojnë se përgatitja e shtëpisë fillonte madje një muaj më herët, laheshin rrobat, hekurosej deri në gjënë më të vogël, fërkoheshin dërrasat e shtëpive, pastroheshin me përpikëri shtëpitë, qilarët kontrolloheshin edhe një herë në detaje, hapeshin raftet që ekzistonin në to për t'u radhitur ushqimet që përgatiteshin për iftar dhe syfyr, pazari kryhej herët, blihej me shumicë për gjithë muajin, gjërat e shqepura dhe gjithçka që kishte nevojë të qepej, qepej dhe rregullohej qysh më parë. Sofra po ashtu do të lahej veçanërisht për këtë muaj, por edhe shtrojat (shiltet), do të merreshin dhe do të pastroheshin, do të riparoheshin dhe nëse kishte nevojë do të ndërrohej pjesa e jashtme e tyre. [3]
Në muajin Ramazan fytyrat e njerëzve shndërroheshin në fytyra që vazhdimisht përuleshin në sexhde, ndërsa zemrat drejtoheshin me përmallim tek Allahu, duke larguar edhe grimcën më të vogël të urrejtjes, shpërfilljes, të së keqes. Edhe sot e kësaj dite, tradita e pritjes së Ramazanit ruhet me fanatizëm si në qytete ashtu edhe në fshatra. Edhe pse jemi në epokën e teknologjisë e materializmit të skajshëm, çdo ditë e më shumë shtohen të rinjtë të cilët praktikojnë ritet e fesë islame mes të cilave edhe agjërimin.
Autor: Ferit LIKA
_________________________
[1] - Ramazani ndër vite, tradita jonë, Selim Stafa.
[2] - Ramazani dhe jeta kulturore, Dr. Hatixhe Ahmeti.
[3] - Ramazani në traditën shqiptare, Dr. Hatixhe Ahmeti.