Xhihadi kundra Mevludit
Këto ditë të muajit hënor të Rabi el-Aual, muaji i lindjes së Profetit Muhamed, paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi Të, raportohet se Shteti (anti) Islamik ka ndaluar festimin e ditëlindjes së Profetit, paqja qoftë mbi Të. Imamëve në zonat nën kontrollin e bandës së ISIS, ju tha që as të mos e përmendnin Mevludin në hutbet e së Premtes. 50 imamë janë detyruar të largohen nga xhamitë e tyre dhe janë vendosur në arrest shtëpie, pasi nuk ju bindën urdhërit të ISIS.
Një sulm tjetër ndaj Mevludit të shenjtë erdhi nga Myftiu i Arabisë Saudite dhe stërnipi i Muhamed Abdul Vehabit, sheh Abdul Aziz el-Sheh. Ai e cilësoi mevludin mëkat. Myftiu foli kundra Mevludit gjatë hutbes së të Premtes në një xhami të Rijadit. Myftiu nuk ka folur kurrë kundra - fjala vjen - festimit të festës kombëtare të Arabisë Saudite edhe pse ai dënon Mevludin bazuar në besimin se të vetmet festa të lejuara janë dy Bajramet.
Vlen të theksojmë se debati akademik mbi legjitimitetin e këtij kremtimi është i respektuar në pavarësi nga bindja e gjithësecilit. Ajo që është e dënueshme është përpjekja për të imponuar një qendrim të caktuar, duke përjashtuar legjitimitetin e tjetrit. Një pozicion i tillë përjashtues, është shkak i dëmtimit të vëllazërisë midis njerëzve. Për sa kohë që historikisht dijetarët e ummetit kanë diskutuar për këto probleme, kushdo që mundohet ta mbyllë këtë diskutim, nuk bën gjë tjetër vetëm se krijon trazira dhe radikalizëm midis njerëzve, gjëra këto që Profeti ynë i nderuar dhe feja që ai ka predikuar, i dënon rreptësisht.
Cilido qoftë qendrimi ynë, mevludi tashmë ka krijuar një traditë të gjerë, e cila është bërë pjesë e praktikave festive në shumë vende të botës dhe përpjekjet puritane për të luftuar këto praktika, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se sterilizojnë zbatimin e fesë kudo në botë duke zhdukur trashëgiminë, e duke e zhveshur besimin nga kultura ku feja zbatohet. Një përpjekje e tillë u implementua për dy dekada në Shqipëri dhe përfundimi është alienizimi i Islamit në realitetin e sotëm dhe largimi i shumë njerëzve nga lidhjet me këtë fe. Siç kemi skruar edhe më parë, kjo ditë, edhe tek ata që nuk e festojnë, përçon një mesazh dashurie, për të cilin kemi shumë nevojë në një kohë si kjo, te ngarkuar me probleme e vështirësi të shumta.
Përgatiti: e-zani