Faraonizimi i kohëve tona



"Me të vërtetë, faraoni ka ngritur kryet lart në tokë, e popullin e saj e ka grupëzuar dhe një grup prej tyre u shtyp, ashtu që djemt e tyre ua mbyt, e gratë e tyre ua lë të jetojnë. Vërtet ai ishte prej më shkatërrimtarëve. E Ne duam t'i lartësojmë ata që u shtypën në tokë, t'i bëjmë udhëheqës dhe t'i bëjmë trashëgues", (Kur'ani, 28:4-5).

Nuk është se më pëlqen të flas-shkruaj për politikën, por më duhet të flas për të vetëm për arsye se ajo merret me ne, ajo aq shumë merret me ne saqë është duke e dëshmuar pashpirtësinë e vet dhe erën e keqe, të padurueshme për njerëzimin. E mos dhëntë Zoti të flas për atë shqiptare, sepse jo vetëm që nuk ka një të tillë, por edhe ajo që (duket se) është - nuk është. Kohëve të fundit politika është bërë më joshësja edhe për intelektualët, por më e rrezikshmja për paqen dhe sigurinë e njerëzimit, edhe pse në vetë emrin e saj nuk e përmban "izmin", si disa dukuri që ajo "i lufton". Në fakt, momentalisht është politika ajo që i lufton drejtësinë dhe stabilitetin në botë, ajo ka dalë nga binarët e vet, ndërsa bota vlon nga të këqijat dhe rreziqet e mëdha të shkaktuara nga ajo. Politika është bërë "rastësi" e çuditshme për ata që fshihen pas këtij termi për te thënë për gjithçka që ndodh se është thjesht rasti. Por, nuk është rastësi dhe nuk ka rastësi! Kjo që ndodh ma përkujton kohën e faraonit, apo nëse mund ta quaj "faraonizmin".

Ç'është koha e faraonit? Jo shumë ndryshe nga ajo që jemi duke e përjetuar sot, nga vendimet "pa dashje" edhe nga planifikimet çnjerëzore në çdo sferë të veprimtarisë. Besoj se i keni dëgjuar interpretimet e hoxhallarëve tanë nëpër xhami të ndryshme dhe në kohë të ndryshme kur shpeshherë kanë folur për çështje të rëndësishme, ndër të cilat edhe pasqyrimi i kohës së faraonit. Faraoni, personifikim i sundimtarit më të lig, vetëm për arsye se kishte parë në ëndërr se do të vijë e Vërteta dhe ai do të mposhtej, në konsultim me "sihirbazët" (magjistarët), apo me gjuhën e sotme: këshilltarët, përpos këshillave që kërkon nga këta merr vendimin për t'i likuiduar foshnjat djem. (A nuk ndodh edhe sot e njëjta?!?).

Mirëpo, u dëshmua mrekullia e madhe e caktimit të Zotit, të cilin ai (faraoni) nuk pati mundësi ta mposhtë: jo vetëm që dështoi plani i faraonit dhe këshilltarëve të tij, por ai e mori në pallatin e vet dhe e rriti pejgamberin Musa a.s., i cili do ta mposhtte pikërisht atë. Musai a.s. është pejgamber i Teuratit, pejgamber i popullit të Israilit. Ky popull i vogël me një pejgamber shumë të fortë me të vërtetë e mposhti faraonin. Por, sprovat sa vinin e shtoheshin, vazhdonin dhe kështu me kalimin e kohës u harrua mësimi i Musait a.s., ndaj Zoti vendosi ta dërgonte një pejgamber tjetër, po nga mesi i Beni Israilëve, të cilin ata po ashtu e luftuan dhe e kundërshtuan dhe të bindur se e vranë, për çka Kur'ani thotë: "as e vranë e as e kryqëzuan, por Unë e kam ngritur atë në një lartësi".

Faktikisht, ky edhe ishte shkaku që mes këtyre dy feve qiellore, Judaizmit dhe Krishterimit, të ekzistojë armiqësia e përhershme. Dhe sërish u harrua mësimi i teksteve të shenjta: pra, mu ashtu siç ndodhi me Musain a.s., ndodhi edhe me Isain a.s. Zullumi dhe padrejtësia mbretëronin brenda këtyre shoqërive. E Zoti, Ai thotë se asnjëherë nuk ka lënë asnjë popull pa e udhëzuar. Ky udhëzim u bë me Pejgamberin Muhammed a.s., të cilin Allahu e dërgoi në Mekë, dhe kësaj radhe si vulë përfundimtare e formës pejgamberiane. Edhe këtë pejgamber e luftuan të vetët (arabët), ngase ishin të akuzuar me shirk, e shirku nuk ishte asgjë tjetër, përpos asaj që nënçmonte krijesën më të lartë nga krijesat e gjithësisë - insanin/njeriun. Dhe ç'ndodh sot: "muslimanët" luftojnë kundër muslimanëve, apo "islamizmi" kundër Islamit.

Në kohët e mëparshme, ose në kohët kur kanë jetuar pejgamberët e lartpërmendur, cila ishte zbrazëtia, dobësia, ose lufta? Ishte lufta kundër së vërtetës, fshehja e së vërtetës, ndryshimi dhe shtrembërimi i së vërtetës, padrejtësia në formë të drejtësisë, ndëshkimi i atyre që e respektonin të vërtetën, që e kishin frikë Zotin dhe që e ruanin rendin dhe qetësinë. Është kjo një karakteristikë që Kur'ani e formulon në formën më të mirë kur thotë: "Ata, nga beni Israilët, që e mohuan të vërtetën, u mallkuan prej gjuhës së Davudit dhe të Isait, të birit të Merjemes. ... Ata ishin që nuk ndalonin njëri-tjetrin nga e keqja që punonin ..." A nuk ndodh sot e njëjta gjë? Sot, ka teologë që mundohen ta shesin fenë, teologjinë vetëm për ekzistencën e vet, e sa profesione të tjera ka që i shohin të pavërtetat e megjithatë heshtin, jo vetëm që nuk i largojnë, ndalojnë apo kundërshtojnë, por shpeshherë edhe i përkrahin, i ndihmojnë. Këtë fotografi e kemi thuajse gjithandej. Kjo dukuri shkon aq larg, sa që ne jemi bërë më të aftë për ta mbrojtur padrejtësinë, kotësinë, shkatërrimin sesa atë që duhet, atë që nuk është e mallkuar.

Nëse në kohën e tashme i hedhim një shikim të shpejtë asaj hapësire ku kanë zbritur të gjithë këta pejgamberë, do ta shohim po të njëjtën gjë: armiqësi, luftë e përhershme me njëri-tjetrin, tradhti e madhe, padrejtësi dhe pabarazi ndërnjerëzore, martesore, keqpërdorimi i femrës e të tjera. Unë linda dhe do të vdes e për çdo ditë jam duke e parë këtë fotografi në atë hapësirë gjeografike. Por, ja një paradoks i madh, dhe atë plot mashtrim që sinqerisht jemi të detyruar ta pranojmë, ta përkrahim e madje edhe t'i ndihmojmë. Për çka bëhet fjalë? Për atë se për herë të parë i shoh këto vende të quajtura "botë muslimane" të bashkohen për ta luftuar "shtetin islam". Zullumi patjetër duhet luftuar, këtu nuk ka dyshim, por edhe nuk duhet harruar se ne akoma nuk e kemi të qartë se si erdhi deri te ajo që Islami të përballet me diçka që nuk e ka në vete dhe diçka që ai vetë nuk është. Kush ia dha të drejtën dikujt që ta krijojë sintagmën "terrorizëm islamik"? E vërteta është se muslimanët e sinqertë kanë droje dhe jetojnë në frikë nga sundimi politik dhe fuqitë e mëdha. Sot muslimanëve është duke iu bërë një padrejtësi shumë, shumë e madhe. Dëshmi për këtë është edhe "hilafeti" djallëzor i "islamizmit" që mund të konsiderohet si kulm i një trishtimi më të madh që në emër të "islamizmit" të luftohet "Islami".

Ta përsëris, pas gjithë kësaj, së fundmi u arrit edhe kjo marrëveshje paradoksale, por e rëndësishme. Edhe pse ka disa vite që luftohet kjo "djallëzi" në emër të Islamit, e që është në dëm të muslimanëve dhe të Islamit, nja 30 e ca shtete vendosën "të bashkohen" për ta luftuar këtë tmerr, për të cilin një përqindje e madhe jo vetëm e muslimanëve, por edhe e të tjerëve thonë se është sajuar nga vetë ata që janë përkrahësit më të mëdhenj të luftimit të tij.

Por, këtu vërejta një dobësi dhe një hipokrizi të madhe: ata nuk e morën "brenda" kësaj aleance edhe Izraelin. Kjo ngase luftimi i kësaj "djallëzie" është në interesin e përgjithshëm, apo jo?!? Arsyetimet e këtyre shteteve kur akuzojnë se Izraeli është në luftë me botën arabe janë të pavend. Jo, ai nuk është në luftë me ta, por ata janë në luftë me Izraelin. Pastaj, duhet pranuar se Izraeli është ndër shtetet më serioze në atë hapësirë gjeografike dhe ky seriozitet shtetëror i Izraelit është për t'u lakmuar: ai e mbron veten nga çdo gjë që e kërcënon, ai nuk bën politikë sipas tekeve të të tjerëve, por ka strategjinë e vet dhe e mbron tokën ku sundon. Që të mos keqkuptohem, kur flas për Izraelin, assesi nuk mendoj në atë se ai ka të drejtë t'i luftojë njerëzit e pafajshëm.

Kjo, për fat të keq, nuk shihet te këto shtetet e sipërpërmendura. Jo vetëm kaq, por disa prej tyre as që e dinë se duhet të modernizohen, të forcohen dhe të jenë të përgatitur për dukuri të llojit të ISHID-it e të ngjashme. Nëse ne mendojmë se Iraku, Libia, Libani, Siria, Jemeni dhe disa shtete të tjera të vogla janë vërtet shtete, atëherë diçka nuk është në rregull me të konceptuarit tonë për shtetin. Besoj se nuk është harruar lufta Irak-Iran dhe paradoksaliteti i numrit të madh të "shehidëve". Sa për shembull, në ç'mënyrë është studiuar dhe praktikuar Islami në shtetet "islame"? Islami i Iranit me plotëkuptimin e fjalës është "islamizuar", është "politizuar", me plot paradoksalitete ku është vënë në pikëpyetje liria e mendjes dhe e praktikimit të fesë. E ç'të flasim për mësimet në Libinë e Gaddafit dhe Irakun e Saddamit, apo në Egjiptin e Sisit, ata kanë shkuar aq larg saqë i kanë detyruar dijetarët të mos e interpretojnë Kuranin ashtu siç kërkon vet Kur'ani, duke filluar nga marrja totale e lirisë së njerëzve dhe ndalimi shkencës. Është bërë madje përpjekje të ndryshohen edhe datat historike të fesë. Po nëse në mënyrë serioze pak mundohemi ta kuptojmë këtë fotografi, ne do të ballafaqohemi me trishtimin e mendjes, sepse do të shohim zbrazëtira të mëdha në mësimet fetare, në praktikimin e fesë, në përligjjen e sekretit. Faktikisht, kësaj i thonë: fshehurazi bëj ç'të duash me fenë.

Me keqardhje e them se edhe nga studentë tanë që kanë studiuar nëpër këto vende, pa vetëdijen e tyre, besimtarët janë duke e përjetuar një traumë të madhe, një katrahurë brenda interpretimit të fesë, ne flasim aq shumë për fenë, saqë edhe feja është duke kërkuar shpëtim. Nëse në mënyrë serioze e vështrojmë gjendjen e muslimanëve tanë në mjedisin tonë, kjo gjendje është mu si ajo e botës arabe, domethënë mendësia e sipërpërmendur studentët tanë, e përmesd tyre dhe besimtarët tanë, më tepër i ka "arabizuar", "islamizuar" sesa që i ka bërë muslimanë me Islam. Shembujt janë të shumtë: vetëm shikoni se si ata e mbrojnë njëri-tjetrin, si futen me armë nëpër institucionet e fesë, si mburren se mbajnë armë me vete. Aq shumë frikë, padrejtësi u planifikua dhe u përdor për njeriun e drejtë besimtar, e në anën tjetër këta hoxhallarë të këtij lloji fare nuk qajnë dert se si duhen përgatitur njerëzit për ardhmërinë. Besoj se askush nuk e ka harruar se në kohët më të reja çfarë ndodhi në Bosnjë dhe në Kosovë. Për çdo incident që ndodh, akoma pa u dëshmuar menjëherë akuzohen muslimanët, menjëherë ndërmerren fushata të ndryshme politike. E pastaj paramendoni interpretimet e tyre nëpër xhami. Vaj halli i muslimanëve nga këta nëpunës fetarë.

Në fund, mbetet pyetja se sa, në çfarë mënyrash dhe me çfarë intensiteti do të zhvillohet "armiqësimi" i muslimanëve. A do të zhvillohet raporti i Perëndimit ndaj Islamit në mënyrën në të cilën gjatë Luftës së Ftohtë zhvillohej raporti i tij ndaj komunizmit, apo ashtu siç zhvillohej raporti i Perëndimit ndaj çifutëve midis dy luftërave botërore, apo ndaj muslimanëve në periudhën kolonialiste? Që të gjitha këto mënyra janë shkatërruese, të marra dhe vrastare, por e para është më pak e tmerrshme (ndaj edhe më pak e mundshme), ngase pas epokës së McCarthy-t u bënë përpjekje për vendosjen e mirëbesimit të ndërsjellë, madje edhe Kisha përpiqej të hynte në dialog me komunistët dhe ateistët. Mënyra e dytë jo vetëm që përfundoi në holokaust dhe në asistimin e heshtur të mbarë botës perëndimore në këtë krim të pashembullt, por edhe të gjithë çifutët i futi nën një emërues të përbashkët, mu siç bëri me të gjithë muslimanët pas sulmeve në Paris, apo edhe më larg se kjo pas 11 shtatorit. E pasoja e mënyrës së tretë është kjo valë e të mjerëve që po dynden drejt Evropës nga ato vende ku para disa dekadash po ky qytetërim evropian që sot ua mbyll dyert ua shteri pasuritë natyrore dhe njerëzore dhe ua la në trashëgim regjimet e sotme të stërvitur nga ata.

Pa marrë parasysh "faraonizmin" e kohëve tona dhe jetës plot frikë, padrejtësi e pasiguri, shpresa e njeriut duhet të mbështetet mbi mësimet e fesë, por larg "izmave" të ndryshme dhe ndikimeve të politikës dhe ndjekjes së verbër pa kulturë dhe pa qytetërim. E vetmja shpresë dhe i vetmi fenomen për shpëtimin e njerëzimit ka qenë dhe mbetet durimi dhe këshilla për të mirë. Besimtari nuk ka të drejtë t'i nënshtrohet të keqes, ai duhet doemos të jetojë si njeri, duke i pranuar diversitetet kulturore e fetare.



Autor: Ismail BARDHI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...