Therja e Kurbanit - Akt i dëgjueshmerisë dhe falënderim
Kurbani si detyrim fetar paraqet një akt shumëdimensional, por para së gjithash, tregon dashurinë tonë ndaj All-llahut, Furnizuesit të gjithëçkafit dhe falënderimin për mirësitë e dhuruara duke e shprehë gjithë këtë me dëgjueshmëri dhe nënshtrim të plotë ndaj Tij.
Pra, në këtë shkrim kemi për qëllim që pak a shumë të ndriçojmë aspektin e brendshëm të flijimit që përmban kurbani, e i cili duhet të depërtojë thellë në shpirtin e secilit besimtar dhe të lejë gjurmë në veprat e tij në njërën anë dhe në anën tjetër të shprehë (paraqet) momentin më të rëndësishëm në jetën e çdo besimtari.
Në këtë mënyrë, pra, secili besimtar duhet të përgatitet për një gjë të këtillë dhe të formojë një vetëdije të plotë shpirtërore për këtë urdhëresë të All-llahut xh.sh..
Nëse shikohet historikisht do të vërtetojmë dhe do të bindemi se prej kohërave më të vjetra njerëzit kanë bërë flijime të llojllojshme vetëm e vetëm për të zbutur hidhërimin e Perëndisë siç ishte rasti te egjiptianët e vjetër ose për t'iu dorëzuar, nënshtruar dhe për t'iu afruar All-llahut xh.sh. siç është rasti i dorëzimit të Ibrahimit a.s. All-llahut xh.sh. i cili edhe të birin e vet nuk e kurseu për ta flijuar. Flijimet e këtilla që vazhduan në traditën e besimit të pejgamberëve, zeniti i të cilëve ishte Islami, paraqitnin shkallën më të lartë të devotshmërisë dhe besimit të tyre. Islami gjithashtu përmban flijimin që duhet ta bëjë myslimani, por, ai i dha një kuptim tjetër duke e vendosur në një peshojë të etikës njerëzore, duke përdorur metodat më humane me qëllim të përgatitjes dhe të aktivizimit të njeriut për një angazhim dhe veprim më të gjallë për të dhënë kontributin e vet për të tjerët, respektivisht, për të mirën e bashkësisë islame, madje sipas nevojës të flijojë pasurinë e vet, fëmijët e vet, po edhe vetveten.
Në fjalën tonë të shkruar më shumë flasim për aspektin e jashtëm të kurbanit sesa për aspektin e brendshëm të tij, i cili luan rolin kryesor në shpirtin dhe jetën e myslimanëve në përgjithësi. Nisur nga kjo edhe ne morëm përsipër t'i shkruajmë disa rreshta vetëm e vetëm që të japim një vështrim për atë që përmendëm më lartë.
Kurbani në versionin islam ka edhe domethënie pedagogjike-humanitare. Ndonëse, në themel të çdo vepre qëndron edhe flijimi si peshojë e vlefshmërisë dhe e dobisë së saj. Çdo vepër, në të vërtetë, matet sipas sakrificës (flijimit) që përmban në vete. Madje, të gjitha obligimet fetare islame,veç tjerash, kanë për qëllim të edukojnë dhe ta përgatitin besimtarin për kryerjen e veprave të mira dhe të dobishme, në të mirën dhe dobinë e bashkësisë së tij.
Pra, me të drejtë mund të themi se namazi, agjërimi, zekati dhe haxhi janë një parapërgatitje për momentin më të lartë humanitar dhe më të vlefshëm në jetën e myslimanëve. Ky moment, pa dyshim është, prerja e kurbanit si karakteristikë dhe model i çdo sakrifice për besimtarët, që për të mirën dhe rrugën e All-llahut xh.sh. të mos kursejë asgjë, madje as vetveten. Nuk urdhëroi All-llahu xh.sh. rastësisht që prerja e kurbanit të bëhet pas kryerjes së pesë konditave të fesë, e as para faljes së namazit të Kurban Bajramit. All-llahu xh.sh. e urdhëroi të presë kurban atë që ka mundësi, që i plotëson kushtet që nevojiten për therjen e tij, por pasi t'i ketë zbatuar obligimet e domosdoshme të fesë, sepse përndryshe kurbani nuk do të arrijë vlerën ose qëllimin e vet më të lartë shpirtëror.
Vetëm në këtë mënyrë besimtari do të mund të jetë i vetëdijshëm dhe i përgatitur që për interesat dhe dobinë e Islamit të flijojë mallin, të birin e vet, siç e kemi rastin e Ibrahimit a.s. me të birin e vet Ismailin a.s. dhe përgjigjja e tij babit të vet që të flijohet vetëm e vetëm që urdhri i All-llahut xh.sh. të shkojë në vend. "O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti? Ai tha: O babai im punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse di All-llahu, prej të durueshmëve. E kur ata të dy iu dorëzuan urdhrit të Zotit, dhe përmbysi atë në fytyrë (në ballë). Ne e thirrëm atë: O Ibrahim! Ti tash e zbatove ëndrrën! Ne kështu i shpërblejmë të mirët", (Es-Saffat: 102-105).
Nëse kryerja e obligimeve nuk arrijnë që besimtarin ta përgatisin e ta nxisin në vepra të mira, respektivisht, për të flijuar, ndonëse edhe e përmbajnë këtë qëllim, atëherë e shndërrojnë në formalizëm të thjeshtë. Nga fryma e të gjitha mësimeve islame kuptohet se vetëm me flijim - vepër të mirë tregohemi dhe vërtetohemi si mysliman dhe njerëz në përgjithësi. Me këtë dhe vetëm në këtë mënyrë tregojmë besimin tonë të drejtë në All-llahun xh.sh. (imanin), vlefshmërinë e namazit tonë, agjërimit, zekatit, haxhit etj. Pa dyshim Kur'ani dhe Hadisi na udhëzojnë neve se kuptimi themelor i imanit (besimit) është flijimi dhe vepra e mirë. Andaj, në Kur'an vepra e mirë (amelu salih) është sinonim i Imanit. Gati se në të gjitha vendet ku përmendet Imani (besimi) hasim edhe fjalën amelu salihat (vepra të mira). Hadithi si shpjegues i fjalës së All-llahut xh.sh. në këtë është ende shumë më preciz. Muhammedi a.s. në shumë hadithe të veta qartë na e tërheq vërejtjen se nuk ka dhe s'mund të ketë besim të drejtë pa vepër të mirë, gjegjësisht, pa flijim për interesat e përgjithshme të Islamit dhe të besimtarëve.
E gjithë kjo pa kurrfarë përjashtimi, lidhet edhe me namazin, me agjërimin si edhe me institucionet e tjera islame. Në Kur'an dhe Hadith qartë është precizuar se këto institucione domosdo të aplikohen dhe të vërtetohen në praktikë dhe sjelljen e besimtarit përmes përgatitjes së tij për sakrificë dhe vepër të mirë.
Kështu me analizimin e çdo instance dhe parimi islam, padyshim do të vijmë në të njëjtin përfundim, dhe do të bindemi se të gjitha këto parime si cak të fundit kanë për qëllim flijimin dhe veprat e mira.
Nga e gjithë ajo që e potencuam më lartë në mënyrë shumë të shkurtër mbi thelbin e therjes së Kurbanit, duke e ndërlidhur thjesht me obligimet e tjera islame, mendoj se mund të nxjerrim edhe disa urtësi të kryerjes së këtij detyrimi (vaxhibi) edhe pse në këtë rast mund të themi se All-llahu i Mëshirshëm më së mirë e di se për çfarë arsye dhe nga cila urtësi na ka obliguar neve me llojet e caktuara të adhurimeve (ibadeteve) dhe formën e kryerjes së tyre. Mirëpo, ne do të përpiqemi që në disa pika të shkurta, në bazë të argumenteve që posedojmë, të përmendim arsyet dhe urtësitë e therjes së Kurbanit. Si urtësi e parë është: Të afruarit All-llahut të Gjithmëshirshëm (Tekarrub ilallah),i cili në Kur'anin e Madhëruar thotë: "Thuaj: Namazi im,kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve!", (El-enam,162). Po ashtu thuhet : "Tek All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, port tek Ai arrin bindja (devotshmëria) e juaj ...", (El-Haxhxh, 37). Pra, siç shihet urtësia themelore e kryerjes fetare të kësaj detyre të Kurbanit është afrimi All-llahut xh.sh..
Urtësia e dytë qëndron në: Falenderimin e bërë All-llahut xh.sh. për të mirat dhe begatitë e dhuruara dhe se gjithçka Ai ia nënshtroi njeriut. All-llahu i Lartësuar në Kur'anin e Ndershëm thotë: "E devet (therrjen e tyre për kurban) ua kemi bërë prej dispozitave të All-llahut, e ju prej tyre keni dobi,andaj përmendnie emrin a All-llahut duke qenë ato (të përgatitura për therrje) në këmbë, e kur të shtrihen ato në tokë,hani prej tyre dhe ushqeni nevojtarin dhe atë që lyp. Ashtu,ato ua vëmë në shërbimin tuaj që ju të jeni mirënjohës", (El-Haxhxh,36).
Urtësia e tretë është: Ringjallja e praktikës së Ibrahimit a.s. All-llahu i Gjithëdijshëm në Kur'anin Famëlartë thotë: "E kur ata të dy iu dorëzuan urdhrit të Zotit dhe përmbysi atë në fytyrë (në ballë). Ne e thirrëm atë: O Ibrahim! Ti tashmë e zbatove ëndrrën! Ne kështu i shpërblejmë të mirët! Vërtet, kjo ishte sprovë e qartë. Ne shpaguam atë me një të therur (kurban) të rëndësishëm. Dhe ndaj tij Ne lamë përkujtim të mirë ndër popujt e ardhshëm", (ES-Safat,103-108). Transmetohet nga Xhabir b. Abdullahu se Muhamedi a.s. në ditën e Kurban Bajramit i therte dy kurbanë të trashë të tredhur dhe para therjes lexonte lutjen (duanë) e Ibrahimit ashtu siç përmendet në Kur'anin e Ndershëm: "Unë me veten time i drejtohem Atij që krijoi qiejt e tokën,larg besimeve të tjera,unë nuk jam prej atyre që i përshkruajnë shok!", (El-En'am,79).
Urtësia e katërt është se: Therrja e kurbanit është tregues dhe shenjë e devotshmërisë në kryerjen e dispozitave të All-llahut të Gjithmëshirshëm. Në Kur'anin e Famëlartë thuhet: "Kjo është kështu! E kush madhëron dispozitat e All-llahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave", (El-Haxhxh,32).
Urtësia e pestë e Kurbanit është se: Therrja e kurbanit paraqet begati dhe nxitje të solidarizimit dhe gëzimit për manifestim me familjen, të afërmit dhe myslimanët në përgjithësi ... Muhamedi a.s. ka thënë se ditët e teshrikut, janë ditë të ushqimit, pijes e gëzimit si edhe të përmendjes së emrit të All-llahut të Madhërishëm.
Urtësia e gjashtë e therjes së kurbanit qëndron, (edhe pse ka shumë urtësi të tjera për të cilat nuk mund të flasim në këtë rast) në forcimin e vëllazërisë dhe afrimin në mes besimtarëve të tjerë të cilët bashkërisht marrin pjesë në therjen e kurbanit, si për shembull, atëherë kur shtatë persona janë pjesëmarrës në therjen e ndonjë kafshe të madhe, lopë apo deve, etj..
Pra, Islami në synimin e vet themelor përmes kurbanit si edhe përmes të gjitha obligimeve dhe parimeve të veta dëshiron të ndërtojë një personalitet të shëndoshë fetar, ta aktivizojë dhe ta përgatisë për flijime më të mëdha në luftë për realizimin e të mirës dhe besimit në All-llahun xh.sh.. Pra, sipas shkallës së sakrificës vlerësohet shkalla e humanitetit të çdo vepre të mirë, ngase në të qëndron fuqizimi i besimit (imanit) tonë, në njërën anë, kurse fitorja jonë në këtë botë a shpëtimi në botën tjetër (Ahiret) në anën tjetër.
Në këtë drejtim kemi fakte historike sepse për tridhjetë vitet e kaluara myslimanët e trojeve tona zbatimin e këtij lloji të ibadetit e realizuan përmes dhurimit të kurbaneve të tyre Medresesë Isa Beu në vendin tonë. Ky flijim i popullatës myslimane për Medresenë Isa Beu është një gjenerator i fuqishëm në prodhimin e kuadrove (ulemave, dijetarëve) të cilët kanë ngritur dhe po ngritin Fjalën e Krijuesit dhe praktikën e më të dashurit të Tij Muhamedit s.a.v.s., në çdo familje, në çdo fshat, në çdo qytet dhe kështu, po zgjeron hapësirat e sundimit të Islamit në formën më të bukur, ate të diturisë dhe edukatës si mirësi më e madhe e Krijuesit. Duke dhuruar kurbanët tuaj në Medresenë Isa beu bëheni ushtar të fjalës së parë të All-llahu Fuqiplotë, sepse, në këtë mënyrë bëheni hisedar të përhapjes së besimit dhe kultivimit të vlerave të mirëfillta të Islamit nëpër familjet tona.
Ky shoqërorizim i kurbanit për Medresenë është një armë të cilës ia kanë frikën të gjithë armiqtë e saj, sepse të kesh njerëz të ditur dhe të profesionalizuar në zbatimin e mësimeve Islame, është një e arritur madhore dhe e jashtëzakonshme. Një ndër porositë më madhore të islamit është ushqimi i shpirtit me edukatë dhe dituri. Nëse e ushqejmë shpirtin me edukatë dhe dituri do të thotë se e kemi ngopur me mirësi dhe devotshmëri shpirtin tonë ndaj Krijuesit. Ndaj, përmes flijimit, sakrificës (kurbanit) që i dhurohet Medresesë ne arrimë të ndërtojmë individë-ushtarë të dijes që për përhapjen e idesë islame të flijojnë më të shtrenjtën e tyre.
Për ta përfunduar këtë fjalë të shkruar do të themi se qëllimi parësor i çdo detyrimi fetar islam është, mandej edhe zbatimi i therjes së Kurbanit, që njeriu moralisht të përsoset, kalitet, humanizohet, të ndjej dashurinë ndaj të vërtetës, drejtësisë dhe gjithçka që është e bukur dhe njerëzore. Të ndjej se duhet të jetojë duke punuar për të mirën dhe të luftojë kundër të keqes. Kuptimi i zbatimit i obligimeve paraqet mallëngjimin për rilindjen shpirtërore-morale dhe dëshirën për fisnikërimin e jetës tënde. Zbatimi i obligimit të therjes së kurbanit paraqet mësimin e veçantë për besimtarin se si duhet të mundohet në angazhimin për të realizuar parimet islame dhe jetësimin e tyre në praktikë - fjalë dhe vepra.
Në fund lusim All-llahun xh.sh. që t'i ndihmojë secilit mysliman kështu që ai të formojë një lloj vetëdije dhe bindje në të gjitha sakrificat vetëm e vetëm të realizojë të mirën dhe besimin në All-llahu xh.sh..
Autor: Prof. Ibrahim IDRIZI
.