Përdorimi i tespiheve
Në këtë temë do të sjellim disa fjalë nga i dashuri ynë, Muhammedi, s.a.v.s. si dhe disa fjalë nga të besueshmit tanë, shokët e të Dërguarit s.a.v.s. për të vërtetuar se nuk ka asgjë të keqe në përdorimin e tespihëve gjatë shqiptimit të adhurimit ditor, pas namazit, etj., se ai , s.a.v.s. nuk e ka ndaluar një gjë të tillë dhe nuk ka ndonjë hadith i cili aludon në ndalimin e përdorimit të tyre, po ashtu se ka qenë një vepër të cilën e kanë praktikuar njerëzit e devotshëm.
Hadithe të cilat flasin rreth adhurimit me shqiptim ka shumë, për të cilat dijetarët kanë shkruar libra të tërë. "Por vallë, a lejohet që adhurimi të bëhet me kokrra (tespih)? Normalisht se po, vallë do të bindemi nga disa injorant të cilët e kundërshtojnë përdorimin e tyre sikur janë duke luftuar kundër idhujtarisë".
Nëpër xhamitë tona ku xhemati i përdorin, ato bëjnë organizime që t'ua hedhin dhe ta pastrojnë xhaminë nga ato, por vallë, me çfarë guximi e marrin një hap të tillë pa pasur argument, ku të gjitha qëndrimet e tyre i bazojnë në hadithin: "çdo shpikje është risi (bidat), e çdo risi në zjarr", çdo herë kur të fillosh bisedë këtë hadith e kanë parullë, hadith i cili është universal, e specifikojnë në çdo temë, nuk njohin përparim por vetëm ngecje mbrapa, vallë duhet të bëhet fitne në xhami vetëm pse atyre nuk u ka arritur argumenti për tespihët, e ata të çohen e t'i hedhin prej xhamisë tespihët? Ata thonë se tespih bëhet vetëm me gishta duke sjell hadithin e Ibn Omerit, r.a., i cili ka thënë: "E kam parë të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s., se si bënte tespih me gishtërinjtë e tij", (Ibn Ebi Shejbe, Ebu Davud, Et-Tirmidhi, En-Nesai dhe El-Hakimi, i cili mban qëndrimin se ky transmetim është autentik).
Si dhe Busejra, njëra nga muhaxhiret, transmeton se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë: "Bëni (o ju gra) tespih, tehlil dhe takdis dhe mos jinni shpërfillëse qe ta harroni tevhidin! Dhe numëroni me gishtërinjtë tuaj, sepse do te pyeten (edhe gishtërinjtë) dhe ato do të përgjigjen!", (Ibn Ebi Shejbe, Ebu Davudi, Et-Tirmidhi dhe El-Hakimi).
Po ashtu Safija, r.a. ka treguar: "Njëherë tek unë hyri i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ndërsa para meje gjendeshin 4.000 (kocinj) (koshpica) nga hurmat me te cilat kam bere tespih, e me pyeti: ç'është kjo, oj bija e Hujejes? Unë u përgjigja: Me to bej tespih! Pejgamberi, s.a.v.s.,: Që kur u largova prej teje, unë më shumë tespih kam bërë nga kjo! I thash: Mësomë me te, o i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., e ai tha: Thuaj: Subhanallahi adede ma haleka min shej'in - Qoftë i madhëruar Allahu aq herë sa edhe janë krijesat e Tij!", (Et-Tirmidhi, El-Hakimi dhe Et-Taberani). Por asnjë hadith nga këto nuk argumenton se është e ndaluar të përdoren tespihet.
Nga argumentet të cilat i përdor shejh Albani në librin e tij "Vargu ihaditheve të dobëta" 1/117 kundër tespiheve, se dikujt i paska dhënë selam e ai nuk ia paska kthyer selamin se ka pasur tespih në dorë, por vetëm me shenjë ka bërë, por a i ngjan një dijetari të sjell kësi lloj argumentesh?! Po ashtu siç thotë Albani: "Disa flasin me ty edhe i lëvizin rruazat që janë në tespihe, ose dëgjon muhabetin tënd! Tjetri, sikurse më ra rasti të shoh këto ditë. Një njeri, i cili vozitej me biçikletë në një rrugë përplot me njerëz, dhe në njërën dorë kishte tespihët! U paraqiten njerëzve sikurse asnjëherë nuk e harrojnë dhikrin, mirëpo shumë herë ky bidat bahet shkak që ata ti lënë pas dore shumë obligime". Por vallë, çka ka të keqe nëse vozitësi i biçikletës bën dhikër, a vetëm përdorimi i tespiheve qenka shkak kryesor që njerëzit lënë disa ibadete? Absurditet!
Argumentet se lejohet përdorimi i Tespihëve
Le ta dinë ata se ka transmetime të cilat nuk e kundërshtojnë një vepër të tillë, siç transmetohet se Ebu Safijjes, r.a., shërbëtorit te Dërguarit te Allahut,s.a.v.s., iu soll tepih nga lëkura dhe ene me gurrëz të imët me te cilët bëri tespih gjerë në drekë, dhe pastaj tespihet dhe enën ia hoqën. Ndërsa, kur Ebu Safijja, r.a., e fali namazin e iqindisë, përsëri ia kthyen ato dhe ai bëri tespihe me to gjerë në aksham, (El-Begavi, Mu'xhemu's-Sahabe, Ibn Asakir, Tarih).
Pastaj nëna e Junus ibn Ubejdit ka thënë: "E kam parë Ebu Safijjen, njërin nga sahabet e Pejgamberit, s.a.v.s., - ndërsa ishte komshiu ynë- se si bënte tespih me guralecë", (Ahmed, Ez-Zuhd). Ibn Sa'd shënon nga Hakim ibn Ed-Dejlemiu se Sa'd ibn Vekasi, r.a., ka bërë tespih me guralecë, gjersa Ibn Ebi Shejbe, në Musannafin e tij, nga shërbëtori i Sa'dit, transmeton se Sa'd ibn ebi Vekkas ka bërë tespih me guralecë ose me koci prej hurmave. Pra, një sahabij i madh dhe i famshëm bën tespih me guralecë!
Ibn Sa'di ne vepren e tij "Et-Tabekat", thotë: "Na ka lajmëruar neve Ubujdullah ibn Musa se i ka thënë Isra'ili prej Xhabirit se si një grua i ka transmetuar që Fatimja, e bija e hazreti Husejnit, ka bërë tespih në pe, në të cilin ka pasur kokrra".
Abdullahi, djali i imam Ahmedit, ne veprën "Zevaidu'z-zuhd" transmeton prej Nuajm ibn Muharriz ibn Ebi Hurejres, se gjyshi i tij Ebu Hurejre, r.a.: "ka pasur perin në të cilin kanë qenë 2.000 kokrra dhe nuk ka rënë të flejë gjersa me to nuk e ka shqiptuar tespihun".
Imam Ahmedi ne veprën "Zuhd", thotë: "Na ka përcjell nga Miskin ibn Nekir se i ka thënë Sabit ibn 'Axhlan se si El-Kasim ibn Abdurrahmani ka thënë: Ebu Derda, r.a., mbante koci prej axhve (hurmave të thara) në qese, dhe kur e falte namazin e sabahut, i nxirrte një nga një duke bërë me to tespih, gjersa nuk kishte nevojë për të".
Ibn Sa'di transmeton nga Ebu Hurejre, r.a., se ai ka bërë tespih me koci bardh e zi, gjysmë të qorruara (nuva muxhezza'). Dejlemiu me zinxhirin e tij të transmetuesve transmeton në mënyrën merfu' se Aliu, r.a., ka thënë: "Tespihu është mjet i mrekullueshëm për manifestimin e dhikrit". Ibn Ebi Shejbe shënon që: "Ebu Seid el-Hudriu, r.a., ka bërë tespih me koci".
Gjithashtu, edhe prej Ebu Nedrease shënon se i ka treguar një njeri nga Taifi se si në një rast kanë qenë mysafir tek Ebu Hurejre, r.a., ndërsa ai kishte qesen (torben) në të cilën gjendeshin guralecë ose koci që me to bënte tespih.
Po ashtu, transmeton edhe nga Za'zana se ka thënë: "I mora nga nëna e Ja'furit tespihet e saj, e kur erdha te Aliu, r.a., me tha: "Ktheja tespihet nënës se Ja'furit!". Në librin Tuhfetu-l-ibadi qëndron: "Disa dijetarë janë të mendimit se bërja e tespiheve me gishtërinj, për shkak të hadithit të Ibn Omerit, është më i vlefshëm. Por, mund të themi që kjo vlen për atë i cili është shumë i sigurt se nuk do të gaboj gjatë numërimit, ndërsa për atë që nuk është i sigurt, më mirë është që atë ta bëj me tespihe".
Tespihet i kanë shfrytezuar koloset, mbi të cilët mbështetet dhe prej te cilëve pranohet praktika, sikur Ebu Hurejra, r.a.: "Ai ka pasur perin në të cilin janë gjendur 2.000 kokrra, dhe nuk ka fjet gjersa nuk i ka shqiptuar 12.000 tespihe", siç pohon Ikreme. E vallë, ky dhikër prej 12.000 tespih a është i mundshëm me gishta, me gishta njeh vetëm ai që donë ta përfundon sa më shpejtë dhikrin.
Ebu Davudi në Sunenin e tij shënon se Ebu Nadre el-Giffari tregon si në vijim: "Më ka treguar një njeri i moshuar nga Taifi: Erdha në Medine dhe kërkova strehim tek Ebu Hurejra r.a. - ndërsa në jetë nuk kam takuar ndonjë që më mirë t'i pranojë dhe gostisë mysafiret sesa ai. Një ditë, gjersa kam ndenjur tek ai, ai ishte në shtratin e tij pran të cilit gjendej qesja me guralecë ose koci. Poshtë tij ishte ulur shërbëtorja e tij, e cila ishte zezake. Bënte tespih, dhe kur e mbaroi gjithë atë çka ishte në qese, ia hodhi qesen shërbëtores, ndërsa ajo gjithë kocit i ktheu në qese dhe përsëri ia dha që të vazhdonte të bënte tespih".
El-Hafiz Abdulgani në veprën e tij El-Kemal, duke shënuar biografinë e Ebu Derdasë, r.a., thotë: "që ky as'hab në ditë ka lexuar nga 100.000 tespihe", kurse prej Seleme ibn Shebibit transmetohet se ka thënë: "Halid ibn Ma'dani, përveç asaj që ka lexuar nga Kur'ani, në ditë ka lexuar nga 40.000 tespihe. Kur e kanë shtruar për t'i dhënë gusël (gjate pergatitjes se xhenazes) gishtërinjtë i ka pasur në atë formë sikur që i ka mbajtur tespihet". Ndërsa dihet që 100.000 dhe 40.000, po edhe me pak nga kjo, nuk mund të numërohen me gishtërinj, kështu që, për shkak të kësaj, Ebu Derdaja, r.a., dhe Halidi tespihet i kanë shfrytëzuar si mjet, siç bëjmë edhe ne.
Ahmed ibn Halikan në veprën e tij "Vefajetul-e'ajan" shënon ngjarjen se si disa njerëz një ditë prej ditësh, kur në dorën e Xhunejd el-Bagdadit vërejtën tespihet, dhe e pyeten: "A edhe ti, për karshi autoritetit tënd, mban në dorë tespihe?". Ndërsa ai u përgjigj: "Rrugën me të cilën i jam afruar Zotit asnjëherë nuk do ta lëshoj!".
Hasan el-Basriu është pyetur: "O, mësues, a edhe për karshi madherisë tënde dhe manifestimit të bukur të ibadetit, me tespihe në duar?". Është përgjigjur: "Atë që e kemi vepruar në fillet tona nuk do ta lëmë as në përfundimet tona!".
Pra, nëse thërrasim në rrugën e selefus-salih, kjo është rruga e tyre, vepër e Ebu Hurejres, Safijes, Ebu Derda, Sad Vekasit, Aliut, Hasan Basriut, Xhunejdit, rrugën e tyre e trasojmë, e ata që duan të na kundërshtojnë, goja se nuk ka qenë vepër e njohur në gjeneratat e para, mos gënjejnë, pasi duan ta mbulojnë të vërtetën, vetëm që me ekstremizmin e tyre të bëjnë përçarje në popullin tonë.
Qëllimi i Përdorimit
Gjithashtu, tespihet, neve na ndihmojnë që të jemi gjithnjë në dhikër. Kur njeriu i sheh tespihet, e dinë se ato janë mjet për përmendjen e Allahut, xh.sh, prandaj edhe e nxisin njeriun për dhikër. Disa tespihet i kanë emërtuar si hablu'l-vasli (litari i cili të lidh me Allahun), ndërsa disa të tjerë si rabitatu'l-kulub (lidhja zemërore me Allahun).
Lexues i nderuar, ky është mjet i bekuar dhe i ndritur i cili sjell mirësi në këtë dhe në botën tjetër. Nuk transmetohet nga dijetarët e hershëm dhe të vonshëm se e kanë ndaluar përdorimin e tespiheve, madje shumica e dijetarëve i kanë përdorë tespihet dhe nuk kanë parë gjë të keqe në to. Njëri ndër dijetarët të cilët e përkrahin përdorimin e tyre është edhe Imam Xhelaludin Sujuti. Është pyetur njeri nga dijetarët: "A Allahut i numëron?", dhe është përgjigjur: "Jo, por numëroj për Te". Esenca e kësaj qëndron në atë se dhikri i shumtë i përmendur në sunnet nuk mund të numërohet me gishtërinj, por edhe në qoftë se do të mund të numëroj, ai nuk do ta kishte mendjen te dhikri por te numri se sa ka bërë që mos lë mangësish, kjo lexuesin do ta largonte nga përkulshmëria, kurse arritja e përkulshmërisë është njëra nga qëllimet e dhikrit, e cila arrihet me anë të tespiheve.
Autor: Shaban TAIRI, (viti i III-të Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup).
Shkëputur nga Revista: "Hëna e Re", Fq.27. Nr.214.