Shpjegimi i Istivasë të përmendur në Kur'an



Shumë sosh është shkruar për kuptimin e fjalës istiva', e cila në Kur'an përmendet disa herë. Për fat të keq, tema, e cila nuk është për njerëz të zakonshëm me meritën e njerëzve me zemër së sëmurë, erdhi në mesin e tyre dhe shkaktoi përçarje të madhe. Me meritën e këtyre njerëzve me zemër të sëmurë, si i përshkruan Allahu xh.sh. në Kur'an, njerëzit e zakonshëm filluan të flasin se Allahu xh.sh. ngrehet (lartësohet), zhvendoset nga vendi në vend, ulet diku në njëfarë froni ... të gjithë këto janë shpjegime jokorrekte të fjalës istiva'. Allahu xh.sh. nuk është trup dhe nuk është i kufizuar në hapësirë që të mund të lëviz nga vendi në vend. Kush e kufizon Allahun xh.sh. del nga Islami.

Të shikojmë tash se ç'thotë ulemaja islame për istivanë, të cilën risimtarët dhe muxhessimët e shpjegojnë si lartësim të Allahut dhe vendosje mbi Arsh: Imam Ibn Xhevziu thotë: "Dije se fjala isteva' ka më shumë kuptime". Nga ato kuptime është:

- اعتدال - barazi, kurse kështu thonë në fisin Benu Temim: استوى ظالم و مظلوم - "Janë barazuar ai që bënë padrejtësi dhe ai të cilit i bëhet padrejtësi".

- Gjithashtu, fjala استوى do të thotë edhe: تمام شيء - Përplotësimi i diçkahit siç është kjo në ajetin: وَلَمَّا بَلَغَ أَشُدَّهُ وَٱسْتَوَىٰ . - "E pasi ai (Musai) e arriti moshën madhore dhe u bë i pjekur ...", (El-Kasas, 14).

- Gjithashtu, fjala استوى do të thotë edhe قصد - të synosh. Kështu Allahu xh.sh. thotë: ثُمَّ ٱسْتَوَىٰ إِلَى ٱلسَّمَآء . - "... pastaj vullnetin e vet ia drejtoi qiellit ...", (El-Bekare, 29).

- Nga domethëniet e fjalës është edhe استيلاء dhe تسلط , e kështu thuhet në varg: قد استوى بشر على العراق من غير سيف و دم محراق . - "Ka dominuar Bishri me Irakun pa shpat dhe gjakun e derdhur". [1]

- Ibn Haxher El-Askalaniu thotë: "Disa thonë se domethënia e kësaj fjale është pushteti dhe fuqia". Thuhet: استوى له الممالك kur dikush dominon me dikë. Është thënë: Istiva' do të thotë përplotësim dhe përfundim i një pune sikur në ajetin: وَلَمَّا بَلَغَ أَشُدَّهُ وَٱسْتَوَىٰ . - "E pasi ai (Musai) e arriti moshën madhore dhe u bë i pjekur...", (El-Kasas, 14).

Kurse sipas kësaj ajeti: ثُمَّ ٱسْتَوَىٰ عَلَى ٱلْعَرْشِ . do të thotë: "Pastaj e ka përplotësuar krijimin e Arshit", kurse e ka përmend Arshin sepse ai është krijesa më e madhe e Allahut xh.sh..

Gjithashtu është thënë se على në këtë ajet është në kuptimin e الى dhe se sipas kësaj kuptimi i ajetit do të jetë: ""Ka mbaruar me Arshin", respektivisht me gjerat të lidhura për Arshin sepse Ai i krijon gjerat shkallë-shkallë". [2]

Bejhekiu thotë: "Fjalët e Tij" استوى në kuptimin قصد - "të ndërmarrësh", janë korrekte sepse ndërmarrja është synimi i krijimit të qiejve. Synimi është iradet kurse përshkrimi i kësaj si cilësi e Allahut xh.sh. është e lejuar. [3]

Kurtubiu thotë: Sufjan ibn Ujejne dhe Ibn Kejsan në lidhje me fjalët e Allahut thonë: ثُمَّ ٱسْتَوَىٰ إِلَى ٱلسَّمَآء . - "Ka synuar krijimin e qiejve". [4]

Imam El-Xhessasi thotë: ٱلرَّحْمَـٰنُ عَلَى ٱلْعَرْشِ ٱسْتَوَىٰ. - Hasan El-Basriu thotë: "Është lartësuar me fuqinë dhe butësinë e Tij apo ka dominuar me Arshin". [5]

Ebu Su'udi thotë: Fjalët e Allahut xh.sh.: ٱلرَّحْمَـٰنُ عَلَى ٱلْعَرْشِ ٱسْتَوَىٰ - Do të thonë: "Me Iradetin e tij ka synuar Arshin (krijimin e tij)". [6]

Kurse lidhur me fjalët e Allahut xh.sh. thotë: ثُمَّ ٱسْتَوَىٰ عَلَى ٱلْعَرْشِ . - "Urdhri i Tij është drejtuar drejt Arshit". [7]

Kurse edhe në një vend tjetër thotë: "Istivaja e Allahut është metaforë për pushtetin dhe fuqinë e Tij. Thuhet: "Filani dhe filani është ulur në fron"", madje edhe pse ai fare nuk është ulur në fron sepse me këtë dëshirohet të thuhet se ai është bërë sundues. Allahu xh.sh. na njofton se vetëm iradeti i Tij lidhet për krijimin dhe rregullimin e gjerave siç shihet kjo në vazhdim të ajetit. [8]

Es-Se'alibiu thotë: ثُمَّ ٱسْتَوَىٰ عَلَى ٱلْعَرْشِ - Kuptimi i këtij ajeti te Ebul Mu'aliu dhe te apologjetë të tjerë të shkëlqyeshëm është: "Është lartësuar me pushtetin dhe fuqinë e Tij".

Ky është shpjegim shumë i mirë i ajetit sepse Allahu xh.sh. na njofton se Ai është krijues i Arshit i cili është krijimi i Tij më i madh dhe na njofton se për shkak se Ai është krijues i tij Ai është më i lartësuar edhe nga Arshi.

Dr. Husam Sarsuri thotë: "Istivaja në kuptimin "e dominimit" është në përdorim në gjuhën arabe. Ai ka dominuar me fuqinë dhe pushtetin e tij dhe nuk e ka marrë pushtetin nga dikush tjetër". [9] Ata të cilët thonë se dominimi me Arshin nënkupton luftën dhe marrjen e pushtetit nga dikush tjetër thonë se është kuptimi i kësaj fjale: Lartësimi dhe zhvendosja, ne iu themi: "A mos ka qenë Ai në ndonjë vend të ulët e pastaj është ngritur"?

Allahu xh.sh. thotë: وَللَّهِ مِيرَاثُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلأَرْض . - "Kurse Allahu qiejt dhe Tokën do ta trashëgojë", (Ali Imran, 180).

A mos do të thotë kjo se Toka dhe qiejt i kanë takuar dikujt tjetër pos Allahut xh.sh. dhe pastaj janë bërë pronë e Tij?" [10]

Bedruddin ibn Xhema'ah thotë: "Sikur që e dimë, Kur'ani është shpallur në gjuhën arabe dhe përmban kuptimet të cilat ata i përdorin në fjalimin e tyre ... Sa i përket istivasë në ajet, ajo është në kuptimin e sundimit e jo lartësimit apo zhvendosjes, sepse sikur ekzistimi i Allahut të jetë e lidhur për vendin apo kohën atëherë kjo do të thoshte amshueshmëri dhe pafillimësi e vendit dhe kohës apo ekzistimi i tyre para Allahut xh.sh., ndërsa të dy mendimet janë të pasakta". [11]

Imam Ragib El-Asfehaniu thotë: "Kur fjalës استوى i shtohet fjala على atëherë ajo do të thotë: استولى - të dominosh siç është në ajetin ٱلرَّحْمَـٰنُ عَلَى ٱلْعَرْشِ ٱسْتَوَىٰ ". [12]

Imam Fahruddin Er-Rraziu thotë: "Për gjashtë ajetet për të cilat lidhen ata të flasin se Allahu është lartësuar dhe është vendosur mbi Arsh, ne me hollësi do të flasim në mënyrë që ta dëshmojmë jokorrektësinë e të folurit të tyre".

Shpjegimi i istivasë me lartësim dhe zhvendosje nuk lejohet dhe këtë për shkak të arsyeve vijuese:

1). Para këtij ajeti: ٱلرَّحْمَـٰنُ عَلَى ٱلْعَرْشِ ٱسْتَوَىٰ. është ajeti: تَنزِيلاً مِّمَّنْ خَلَقَ ٱلأَرْضَ وَٱلسَّمَٰوَٰتِ ٱلْعُلَى . - "Shpallje nga Ai që krijoi tokën dhe qiejt e lartë", (Ta Ha, 4).

Ne edhe më herët kemi shpjeguar se Ai nuk është i kufizuar.

2). Pas këtij ajeti është ajeti: لَهُ مَا فِي ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَمَا فِي ٱلأَرْضِ وَمَا بَيْنَهُمَا وَمَا تَحْتَ ٱلثَّرَىٰ . - "E Tij është çdo gjë që ekziston në qiej dhe në tokë dhe çdo gjë që gjendet në mes tyre, edhe ç'ka nën dhe", (Ta Ha, 6).

Ne më herët kemi shpjeguar se السماء çdo gjë që është lart. E, nëse kjo është kështu, Allahu xh.sh. thotë: لَّهُ مَا فِي ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَمَا فِي ٱلأَرْضِ . - "E Tij është çdo gjë që ekziston në qiej dhe në tokë ...", që do të thotë se çdo gjë që është lart është pronë e Tij dhe Rob i Tij. Dhe nëse Allahu xh.sh. është lart, i lartësuar mbi Arsh, atëherë ai është rob i vetes së Vet kurse kjo është jokorrekte.

Me këtë e konfirmojmë se ajeti ٱلرَّحْمَـٰنُ عَلَى ٱلْعَرْشِ ٱسْتَوَىٰ me ajetin para tij dhe me ajetin pas tij i përgënjeshtron pohimet e atyre të cilët e vendosin Atë mbi Arsh.

3). Ne shohim se në ajetin para këtij ajeti Allahu xh.sh. flet për përplotëshmërinë dhe përkryeshërinë e tij, duke thënë: تَنزِيلاً مِّمَّنْ خَلَقَ ٱلأَرْضَ وَٱلسَّمَٰوَٰتِ ٱلْعُلَى . - "Shpallje nga Ai që krijoi tokën dhe qiejt e lartë".

Gjithashtu, në ajetin pas këtij ajetit Ai flet për përplotëshmërinë dhe përkryeshërinë e tij duke thënë: لَهُ مَا فِي ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَمَا فِي ٱلأَرْضِ وَمَا بَيْنَهُمَا وَمَا تَحْتَ ٱلثَّرَىٰ . - "E Tij është çdo gjë që ekziston në qiej dhe në tokë dhe çdo gjë që gjendet në mes tyre, edhe ç'ka nën dhe".

Dhe nëse kuptimi i istivasë në këtë ajet është zhvendosja dhe lartësimi atëherë ky është fjalim i ndarë nga këto dy ajete ndërsa kjo nuk lejohet. Mirëpo, nëse e shpjegojmë istivanë në suaza të përdorimit të tij në gjuhën arabe dhe themi se istiva' ka kuptimin e dominimit të plotë me Arshin, i cili është krijimi më i madh i Allahut, atëherë edhe ky ajet flet për përsosurinë dhe përplotësinë e Allahut dhe me këtë pajtohet me atë që i paraprinë dhe me atë që e pason.

4). Ai i cili është në Arsh është i ndarë sepse ajo që është në anën e djathtë nuk është e njëjtë me atë që është në anën e majtë. Nëse e zhvendosim në Arsh, atëherë ai nuk është Një kurse kjo është jokorrekte.

5). Allahu xh.sh. thotë: وَٱلْمَلَكُ عَلَىٰ أَرْجَآئِهَآ وَيَحْمِلُ عَرْشَ رَبِّكَ فَوْقَهُمْ يَوْمَئِذٍ ثَمَانِيَةٌ . - "Dhe engjëjt qëndrojnë në skajet (anët) e tij, e atë ditë, tetë (engjëj) e bartin mbi vete Arshin e Zotit tënd", (El-Hakka, 17).

Nëse Arshi është vendi i Allahut xh.sh., atëherë melekët e bartin edhe Allahun xh.sh., kurse kjo nuk është e pranueshme. Allahu xh.sh. është ai i cili e ruan dhe e mbanë çdo gjë ndërsa nuk është Ai të cilin e ruajnë dhe e mbajnë. Dhe nëse thonë: "Nuk është Allahu ai i cili është zhvendosur në Arsh por Arshi është zhvendosur te Allahu", atëherë ata e kanë rrënuar dëshminë e tyre me këtë ajet dhe si dëshmi iu mbetet vetëm mendimi i tyre vetjak.

6). Allahu xh.sh. ka ekzistuar edhe para vendit edhe para Arshit, [13] dhe kur i ka krijuar krijesat ato nuk kanë ndikuar në Të dhe të bëhet i kufizueshëm pasi që ka qenë i pakufizuar por Ai ka ndikuar në to.

7). Allahu xh.sh. thotë: وَلَقَدْ خَلَقْنَا ٱلإِنسَانَ وَنَعْلَمُ مَا تُوَسْوِسُ بِهِ نَفْسُهُ وَنَحْنُ أَقْرَبُ إِلَيْهِ مِنْ حَبْلِ ٱلْوَرِيدِ . - "Ne e kemi krijuar njeriun dhe dimë se ç'pëshpërit ai në vetvete dhe Ne jemi më afër tij se damari (që rrah) i qafës së tij", (Kaf, 16).

Dhe thotë: وَهُوَ مَعَكُمْ أَيْنَ مَا كُنتُمْ . - "... Ai është me ju kudo që të jeni ...", (El-Hadid, 4).

Dhe thotë: وَهُوَ ٱلَّذِي فِي ٱلسَّمآءِ إِلَـٰهٌ وَفِي ٱلأَرْضِ إِلَـٰهٌ . - "Ai është që në qiell është All-llahu dhe në tokë All-llah ...", (Ez-Zuhruf, 84).

Dhe nëse i pranojnë ajetet për istivanë tekstualisht, atëherë duhet t'i pranojnë edhe këto tekste tekstualisht dhe do të vijnë në kundërthënie, por nëse i shpjegojnë këta atëherë nuk mund të kërkojnë tekstualizëm te të tjerët. [14]

Bejhekiu thotë: Ebu Hasen El-Esh'ariu thotë: "Allahu xh.sh. i ka bërë Arshit një veprim të cilin e ka quajtur istiva', sikur që iu ka bërë gjerave të tjera veprime të ndryshme dhe i ka quajtur furnizim e të ngjashme". [15]

Vazhdon e thotë: "Kurse ajo që transmetohet nga Ibn Abbasi se istiva' do të thotë zhvendosje është jo e saktë. Këtë mendim El-Ferrai e ka marrë nga tefsiri i Kelbiut, kurse Kelbiu është i dobët (daif). Për arsye se diç e tillë nuk është e denjë për Ibn Abbasin, Ebu Salihu, Kelbiu dhe Muhammed Ibn Mervani, të cilët e transmetojnë këtë transmetim, janë refuzuar te dijetarët e hadithit për shkak të shumë munkereve dhe gënjeshtrave në rivajetet e tyre". [16]

Ibn Xhevziu thotë: "Sipas asaj që ata [17] flasin [18] Allahu xh.sh. është më i vogël se Arshi". Dhe çuditem, se si pas kësaj thotë: "Ne nuk jemi muxhessimë". [19]

Gjuhëtari i njohur arab Ez-Zuxhaxhi (vd. 311) thotë: "Allahu xh.sh. është i lartësuar me fuqinë e tij". [20]



Përktheu N. IBRAHIMI



_________________________

[1] - Abdurrahman ibn Xhevzi, Def'u Shubheti Teshbih, fq. 121.
[2] - Ibn Haxher El-Askalani, Fet'hul-Bari, 13/406, Darul Ma'rifeh, Bejrut, 1397 h..
[3] - Bejheki, El-Esmau ves-sifat, fq. 413.
[4] - Kurtubi, El-Xhami'u li Ahkamil-Kur'an, 1/255.
[5] - Ebu Bekr El-Xhessas, Ahkamul-Kur'an, 5/49, Daru Ihjai Turathil-Arebijji, Bejrut, 1405 h..
[6] - Tefsir Ebis Su'ud, 1/78.
[7] - Ibid. 3/232.
[8] - Ebu Su'ud, Irshadul Aklis Selimi ila Mezajal-Kitabil-Kerimi, 5/6.
[9] - Allahu xh.sh. është Krijues i çdo gjëje dhe Krijues i gjithçkahit. Me vetë krijimin e Arshit ai është bërë dominues i Arshit. Kur themi: "Është bërë dominues i Arshit, ne nuk mendojmë se Allahu xh.sh. nuk ka qenë Krijues para kësaj por me këtë fjali tregojmë në rëndësinë dhe veçantinë e Arshit i cili është përmendur krahas emrin të Allahu xh.sh.. Ai ka qenë Krijues i Arshit edhe para krijimit të tij sepse cilësitë e Tij nuk ndryshojnë".
[10] - Husam ibn Hasen Sarsur, Ajatus-Sifat, fq. 337.
[11] - Bedruddin ibn Xhema'ah, Idahud-Delil, fq. 132.
[12] - Er-Ragib El-Asfehani, El-Mufredat, fq. 251.
[13] - Nga Imran ibn Husajni transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Ka ekzistuar Allahu dhe asgjë tjetër pos Atij", (Buhariu, hadithi nr. 3191, fq. 377).
[14] - Fahruddin Er-Rrazi, Esasut-Takdis, fq. 117-119, Darul-Kitab.
[15] - Bejheki, El-Esmau ves-Sifat, fq. 411.
[16] - Bejheki, El-Esmau ves-sifat, fq. 414. Darul-Hadith, Kajro, 2005.
[17] - Hashevitët dhe vehabitët.
[18] - D.m.th. se Allahu është vendosur mbi Arsh.
[19] - Abdurrahman ibn Xhevzi, Def'u Shubheti Teshbih, fq. 11.
[20] - Ez-Zuxhaxh, Tefsir Esmaullah'il-Husna, fq. 4.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...