Vehabizmi, virus që duhet mbajtur nën kontroll



Apelit të kreut të Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, për ndërhyrjen e institucioneve për pengimin e lëvizjes vehabiste në Maqedoni, askush nuk i është përgjigjur seriozisht.

Ditë më parë, nga Ministria e Punëve të Brendshme deklaruan se janë duke ndjekur situatën, porse nuk mund të ndërhyjnë pa pasur dëshmi konkrete lidhur me predikimet fetare, që bëhen nëpër disa shtëpi të kultit në vend.

Ndërkohë, nga Komisioni shtetëror për marrëdhënie mes bashkësive dhe grupeve fetare në Maqedoni thonë se nuk kanë dijeni nëse në Maqedoni ka lëvizje vehabiste, por për çdo shqetësim që mund të paraqitet nga bashkësitë e ndryshme, përgjegjëse është Ministria e Punëve të Brendshme.

"Bashkësia Islame e Maqedonisë është një ndër pesë institucionet e kultit, të pranuara me Kushtetutë. Nuk kemi njohuri nëse në gjyqet e Maqedonisë ka të regjistruar ndonjë bashkësi tjetër islame. Çdokush që ka njohuri për paraqitje të këtilla, duhet t'i drejtohet Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila është përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë në Maqedoni", deklaron Anton Sereçi, zëvendësdrejtor i Komisionit shtetëror mes bashkësive etnike.

Duke komentuar këto zhvillime, Ismail Bardhi, teolog dhe ligjërues në disa universitete evropiane dhe amerikane, shpreh dyshimin se pas lëvizjeve të këtilla qëndrojnë institucione të caktuara.

"Lëvizjet e ndryshme që janë duke ndodhur, për fat të keq janë në shërbim të tyre. Ne jemi të vetëdijshëm se asgjë nuk ndodh në mënyrë të rastësishme. Pra, çdo gjë ndodh me një qëllim të caktuar, për një shërbim të caktuar".

"Ju e shihni se lëvizjet e ndryshme janë bërë qesharake edhe për vetveten. Nëse futeni brenda tyre dhe shihni, ju do të habiteni se si e interpretojnë fenë dhe në ç'mënyrë bisedojnë, është paradoks i madh se sa janë larg Kuranit dhe profetit Muhamed a.s.", thotë Bardhi.

Ai shton se duhet bërë çmos për të penguar lëvizjet e këtilla vehabise, të cilat ai i quan "virus". Në këtë, sipas Bardhit, duhet të kyçet edhe institucioni fetar, që, përmes formave të ndryshme, të arrijë t'i bindë besimtarët se lëvizjet e tilla janë të dëmshme.

"Çdo gjë që ka të bëjë me veprimet radikale, është me rëndësi që me to të merret aparati shtetëror, në formën e delikateve. Kjo nuk është çështje që të dalë një drejtues i Bashkësisë Fetare dhe t'i lutet një ambasade që t'i rregullojë njerëzit e sëmurë".

"Ne kemi njerëz që i shkurtojnë pantallonat, dikush tjetër lëshon mjekrën... Këto janë sëmundje, sëmundje të kohës dhe, natyrisht, nuk do të thotë që këto sëmundje duhet lënë anash. Kjo sëmundje është sikur virus dhe këtë virus ne pandërprerë duhet ta mbajmë nën kontroll".

"Këtë duhet ta bëjë institucioni i fesë, me edukatën e lartë shpirtërore dhe kulturore", thotë Bardhi, duke drejtuar akuza edhe ndaj subjekteve politike dhe institucioneve të tjera kombëtare shqiptare, që, sipas tij, aspak nuk ngrejnë zërin ndaj dukurive të tilla negative për shqiptarët.

"Sa u përket institucioneve tona shqiptare, ato, për fat të keq, kulturën e kanë izoluar, duke e trajtuar si një lloj marketingu për dëshirat e tyre. Ata janë në gjumë dhe nuk u intereson asgjë - me përjashtim nëse fitojnë diçka, atëherë ata i ke aty".

"Pra, ata i ke vetëm kur fillon fundi i diçkaje. Sa i përket çështjes shqiptare, është me rëndësi të kemi institucione të shëndosha. Por, ja edhe rasti i fundit dëshmon se institucioni fetar e nënçmon edhe kombin shqiptar me një thirrje të tillë, po ashtu e nënçmon edhe indin fetar", deklaron Ismail Bardhi.



Përgatiti: rel, shtator 2010.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...