Dobitë e shumanshme të agjërimit të Ramazanit
Muaji i Ramazanit është shenja identifikuese më e hapur për botën islame karshi të tjerëve. Gjatë këtij muaji te bota joislame zgjohet kërshëria më e madhe për myslimanët dhe jetën e tyre. Një pjesë bukur e madhe, në veçanti ateistët, i perceptojnë myslimanët gjatë këtij muaji si mazohistë dhe sikur me habi shikojnë çdo sjellje të tyre. Ata assesi s'mund ta dekodojnë mënyrën se si manifestohet dhe se si reflektohet ky muaj. Me fjalë të tjera Ramazani për gjatë kohë do të mbetet enigmë e padeshifruar, ndërsa për fuqinë e tij të jashtëzakonshme të ndikimit gjithashtu do të flitet pa ndërprerë. Ajo çfarë është njëmend për t'u çuditur vlen të përmendet ndjenja që shkakton ky muaj edhe te myslimanët injorantë, të cilët nuk janë edhe aq praktikues të fesë, ose janë adhurues naivë mekanik, që janë mësuar vetëm për t'i kryer formalisht disa obligime. Ramazani sikur e riformaton mentalitetin e tyre. Më me seriozitet i qasen obligimeve, adhurimeve dhe denjësisht janë më të përkushtuar. Kjo kompaktësi e tyre i ka nxitur shpesh ligjëruesit fetarë të mendojnë se si ta mbajnë gjallë këtë frymë edhe pas kalimit të Ramazanit, ndonëse përpjekjet e tilla gjithnjë kanë qenë pa rezultate. Pra Ramazani kumbon gjithandej te të gjithë me një fuqi mahnitëse ndikimi. Ç'është për t'u habitur edhe forcat antifetare nuk e kanë atë potencial veprimi çfarë e kanë jashtë këtij muaji. Ose për shembull edhe nëse hidhen në yryshin e tyre, mbeten të befta dhe shkërmoqen shpejt. Pa gjuhë hiperbolizuese, është fakt të thuhet se ky muaj i ka karakteristikat e tij që lënë mbresa të pashlyeshme, lënë efekte çudibërëse dhe ushtrojnë ndikime të fuqishme në njerëz. Këto e bëjnë atë temë të shpeshtë diskutimi, trajtimi dhe referimi.
Dimensionet e shtrirjes së Ramazanit janë të shumta. Ndër to veçojmë disa prej tyre:
1. Njerëzor: Asnjë kafshë, nuk abstenon nga haja e pija për hir të diçkaje. Pra agjërimin nuk e praktikon kurrfarë organizmi i gjallë, përveç njeriut, prandaj është veçori njerëzore, d.m.th. tipar që e karakterizon vetëm njeriun. Rrjedhimisht Ramazani bëhet muaj dallues që e ndan një komunitet njerëzish nga turma e madhe e species së tyre, të cilët vazhdojnë të mbeten vetëm gjitarë që hanë e pinë pa ndërprerë e së tepërmi, duke mos njohur thelbin e kufizimit në asgjë.
2. Historik: Agjërimi ka karakter historik, sepse është praktikuar ndër shekuj të tërë dhe me gjenerata të tëra, edhe atë prej fillimit të ekzistencës së njeriut në tokë. Pra Ramazani përmes agjërimit, nuk ka sjell diçka të re e të panjohur më parë.
3. Fetar: Religjionet e ndryshme i kanë edhe format e llojllojshme të praktikimit të agjërimit. Agjërimi ndikon në forcën e besimit, në fuqinë e devotshmërisë. Lutja e agjëruesit nuk refuzohet.
4. Shkencor: Agjërimi është dëshmuar në veçanti në mjekësi si kurë për shërimin e disa sëmundjeve, si preventivë për parandalimin e disa të tjerave, por në përgjithësi edhe për përmirësimin e gjendjes shëndetësore dhe ruajtjen e vitalitetit të organizmit. Gjatë agjërimit zhduken yndyrat e tepërta, zemra gjatë 24 orëve rrah 14.000 herë më pak, mjekon obezitetin, uljen e tensionit të gjakut, shkatërron papastërtitë nga barku dhe zorrët, largon materiet e dëmshme nga organizmi, ndalon depërtimin në mëlçi të sasive të dëmshme të acideve, sheqerërave e kripërave që përfitohen nga ushqimet dhe lëngjet, duke mundësuar përtëritjen e shpejtë e të lehtë të saj, ul përqindjen e sheqerit në gjak, çrrënjos mundësinë e shfaqjes së tumorëve në trup, parapengon kancerin dhe sëmundjet malinje, ndihmon në shpërbërjen e gurëve në veshkë, ndihmon frymëmarrjen etj..
5. Filozofik: Gjatë agjërimit njeriu është i prirur më shumë të meditojë rreth jetës dhe vdekjes, krijimit dhe zhdukjes. Pra te njeriu zgjohet frymëzimi për të menduar më thellë për të gjitha dukuritë. Madje ngjallet edhe inspirimi poetik.
6. Etik: Agjërimi ndikon në ngritjen dhe përsosjen e moralit njerëzor. Është veprim i fshehtë, që mbetet ekskluzivisht mes robit dhe Zotit, sepse askush veç Zotit nuk mund ta dijë nëse dikush agjëron a jo. Pra mbetet vepër e pastër që s'le asnjë fije dyshimi për maska hipokrizie dhe më së miri e hedh në pah sinqeritetin e besimtarit. Për këtë shkak, Krijuesi gjatë këtij muaji ka premtuar shumëfishimin e shpërblimeve.
7. Estetikë: Duke iu përmbajtur strikt kohës së syfyrit, iftarit dhe rregullave të agjërimit, njeriu përfiton një elegancë ndryshe nga koha e zakonshme jashtë Ramazanit. Eleganca e Ramazanit më tepër është shpirtërore sesa trupore, nga fakti se agjërimi nuk nënkupton formalitete - vetëm abstenim nga haja e pija, sepse nuk ka nevojë për to nëse nuk braktisen gjërat e pahijshme. Era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu sesa era e parfumit.
8. Psikologjik: Kur është agjërueshëm njeriu ndryshe mendon, ndryshe sillet dhe ndryshe vepron. Po ashtu ai ndryshe i percepton dukuritë e shumta përreth. Tek ai zgjohen si asnjëherë më parë ndjenjat e empatisë dhe altruizmit, të cilat e nxisin në bamirësi. Agjërimi i forcon ndjenjat pozitive dhe i dobëson ato negative. Është qetësues për depresion, stres dhe ngarkesa tjera emocionale. Largon nga grindjet, thashethemet, polemikat e panevojshme etj. Personalitetin e njeriut e bën më stabil, më të fuqishëm dhe më sfidues për t'u përballur me problemet dhe vështirësitë e jetës.
9. Sociologjik: Gjatë agjërimit njeriu mundohet të bëhet shembull në mjedisin ku jeton, por edhe gjetkë. Ai bëhet më i ndjeshëm për t'i përbrendsuar dertet dhe hallet e të tjerëve. Në këtë mënyrë ai pushon së menduari vetëm për vete, sheh më larg se vetja, e preokupon gjendja e rëndë e të tjerëve dhe mundohet t'u ofrojë çfarë mundet. Pra tek agjëruesi zgjohet solidariteti, i cili ndikon në kohezionin social.
10. Humanitar: Duke qenë shumë më i ndjeshëm, agjëruesi nuk mund të mbetet indiferent përballë skamjes së të tjerëve. Meqë agjërimi e bën edhe më të përkushtuar ndaj Islamit, ai nuk mund t'i anashkalojë imperativat e Allahut për dhënien e zekatit, sadakës dhe formave tjera të lëmoshës.
11. Pedagogjik: Agjëruesi i nënshtrohet një regjimi të caktuar të kufizimeve, të cilave u përmbahet me vetëdije dhe bindje. Kjo ia rritë atij ndjesinë e disiplinës në përgjithësi. Rrjedhimisht çdo agjërues ka edhe sens të veçantë në të kuptuarit e edukatës. Agjërimi e edukon njeriun që të jetë në gjendje t'i zotërojë dëshirat, t'i frenojë epshet dhe t'i tolerojë të tjerët.
12. Arsimor: Është e këshillueshme që agjëruesi krahas leximit të Kuranit ta intensifikojë edhe leximin e librave tjerë të dobishëm.
13. Juridik: Gjatë muajit të agjërimit, pra në Ramazan zbriti ligji i përkryer nga Zoti (Kurani). Krijuesi i gjithçkaje, i ofroi njerëzimit sheriatin si sistem të vetëm për shtetin islam dhe qytetarët e tij.
Duke i parë disa nga këto përmasa të agjërimit të Ramazanit, mund të rezymojmë se ky muaj është një mundësi e dhënë për të bërë revolucion shpirtëror, për ta nxjerrë veten nga bataku i rëndomësisë dhe veprimeve monotone e rutinore të jetës, për t'i dhënë domethënie botës dhe ekzistencës sonë në të. Mirëpo një gjë është shumë e vlefshme për mendjet më të ndritura. Ato duhet të përgatiten psikikisht për ta pritur Ramazanin jo vetëm emocionalisht, por edhe intelektualisht. Pastaj e një rëndësie të veçantë është që të shfrytëzohet ky muaj për të brumosur personalitet të shëndoshë, që do të ishte i gatshëm të rrezatoj në jetë dritë ramazani edhe pas përfundimit të këtij muaji. Zaten nëse ky nuk do të ishte efekti i Ramazanit, atëherë nga agjërimi do të mbeteshin vetëm disa fluskula kujtese nga uria dhe etja e pakuptimtë.
Autor: Dr. Naser RAMADANI
_________________________
(Autori është ligjërues në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup).