Në BIK përplasen edhe për namaz, sa rekate duhet falur?
Myslimanët në muajin e Ramazanit përveç agjërimit gjatë këtij muaji kanë për të kryer edhe një ibadet (ritual adhurimi) shtesë, i cili njihet si namazi i Teravisë.
Nga diskutimet në rrjetet sociale duket se ka mosmarrëveshje dhe përçarje të shumta mes myslimanëve tek numri i rekateve të faljes së namazit të Teravisë (rekati është pjesë e një namazi) dhe ku një pjesë pretendojnë se duhet falur 8 rekate, ndërsa një pjesë tjetër pretendojnë se duhet falur 20 rekate.
Një pjesë e imamëve të BIK-ut (Bashkësisë Islame të Kosovës) pretendojnë se namazi i Teravisë duhet falur 20 rekate, siç edhe precizohet me Rregulloret e BIK-ut, ndërsa një pjesë e atyre, që konsiderohen vehabistë ose ekstremë në interpretime, pretendojnë se namazi i Teravisë duhet falur vetëm 8 rekate, siç është rasti në video nga Enes Goga, ku predikon të kundërtën e BIK-ut dhe rregulloreve të BIK-ut. Siç duket disa të rinj, që kohën e fundit po falen më ndryshe nga rregulloret e BIK-ut, i kanë marrë këto këshilla nga Enes Goga.
Sqarim rreth videos: Nga videoja duket qartë se kryemami i Pejës, Enes Goga, (i arrestuar më parë për dyshime të 'Terrorizmit') thërret që namazi i Teravisë duhet falur 8 rekate dhe kjo është tradita e profetit Muhamed, sipas Goges. Nga kjo duket se laramania e faljeve të ndryshme tek xhemati ka filluar nga thyerja e rregullave të BIK-ut nga vetë punëtorët e BIK-ut, si rasti i Gogës.
Sigurisht se çdo i punësuar duhet të nënshkruajë kontratën me kushte të së cilës duhet t'i përmbahet edhe në BIK, por Enes Goga duket se nuk mërzitet nëse nuk iu përmbahet dhe nuk i respekton rregulloret e BIK-ut, madje duke ligjëruar edhe publikisht të kundërtën e asaj që thuhet në rregulloret e BIK-ut.
Përgatiti: zeri