Shkollat akaidore të Ehlis-Sunetit



Në çështjet e bindjes, janë dy shkolla:

- Shkolla maturidite, e themeluar nga Imam Maturidiu, dhe

- Shkolla esh'arite, e themeluar nga Imam Esh'ariu.

Edhe pse këto dy shkolla në esencë janë një, megjithatë ndahen në thuajse dyzet çështje. Mirëpo, këto çështje që ndajnë janë çështje hollësish e jo çështje thelbësore.


Shkolla Maturidite

Themeluesi i shkollës maturidite është Ebu Mensur Muhammed ibn Mahmud El-Maturidi El-Samarkandi, i njohur si Imam Maturidiu. Ai është i lindur në Samarkand në vitin 238 h..

Maturidiu ishte me origjinë turke dhe kishte mësuar nga nxënësit e Imam A'dham Ebu Hanifes (r.a.). Ai e vendosi një lidhje të shkëlqyer në mes të arsyes dhe shpalljes në veprat e tij dhe me këtë krijoi një mur të qëndrueshëm kundër ideve heretike duke i mësuar nxënësit që ishin shumë të përkushtuar ndaj besimit të ehli-sunetit. Ai dha një kontribut të konsiderueshëm në transmetimin e mësimeve të ehlis-sunetit në gjeneratat e ardhshme.

Imam Maturidiu ishte mësuesi në çështjet e besimit i të gjithë muslimanëve hanefi. Shkolla e tij është e mirënjohur nga shumë muslimanë, sidomos tek turqit. Disa nga librat e tij kanë mbijetuar deri në ditët e sotme, në mesin e tyre është Kitab'ut-Tewhid, Te'wilat el-Kur'an dhe Kitab el-Xhedel.

Disa nga parimet themelore që përbëjnë esencën e besimit të ehlis-sunetit janë:

- Ekzistenca dhe Njëshmëria e Allahut (f.l.). Ne jemi të obliguar të kemi besim në Allahun (f.l.), puna e të Cilit është një me qenien e tij. Allahu (f.l.) i ka atributet e tij që janë pjesë e Qenies së Tij hyjnore. Cilësia e të folurit të Allahut ekziston së bashku me Qenien e Tij.

- Besimi (imani) është të shprehurit me gojë dhe të besuarit me zemër. Askush i cili e shpreh besimin gojarisht, mirëpo e refuzon këtë me zemrën e tij nuk konsiderohet besimtar. Vendi i besimit është zemra dhe askush nuk mund ta mposhtë atë po u vendos njëherë e mirë aty.

- Siç është e pamundshme të thuhet që dikush që ka besim (beson) nuk është musliman, aq është e pamundshme të thuhet që secili që plotëson të gjitha shtyllat e Islamit nuk është besimtar. Veprat nuk janë pjesë e besimit.

- Kur një person vendos të bëj diçka, Allahu (f.l.) krijon fuqinë që ai veprim të kryhet. Kjo fuqi e krijuar e përcjellë veprimin. Veprimi rezultues e bën personin të denjë për t'u shpërblyer ose ndëshkuar, varësisht prej synimit (qëllimit) të brendshëm.

- Mëkatet e mëdha si zinaja, vrasja ose të pirit e alkoolit nuk e largojnë muslimanin nga gjiri i Islamit. Kushdo që bën kësi mëkate do të falet nëse pendohet.

- Pejgmaberi s.a.v.s. do të ndërmjetësojë për ata njerëz që i përkasin komunitetit të tij, madje edhe nëse kanë bërë mëkate të mëdha. Kjo është mirësi nga ana e Allahut (f.l.).


Shkolla Esh'arite

Ebu El-Hasan El-Esh'ari, themeluesi i kësaj shkolle, është i lindur në Basra në vitin 260 h. Ai mësoi nga Ebu Ali El-Xhubba'iu, dijetar mu'tezilit, deri në moshën dyzet vjeçare.

Imam Esh'ariu shkroi disa libra që kishin për objektiv mu'tezilitët, që ishin prej uhlul-bid'atit (pasuesit e risive /joislame/), filozofëve, natyralistëve, ateistëve, çifutëve, dhe të krishterëve. Dy librat e tij të parë që kujtohen janë Risalat'ul-Iman dhe Mekalat'ul-Islamijin. Gati njëzet vepra të tij kanë mbërritur te ne. Thuhet se ai për njëzet vite me radhë ka falur namazin e sabahut me abdestin me të cilin kishte falur namaz nate. Ai vdiq në Bagdad në vitin 324 h.

Disa anëtarë të shkollës shafi'ite dhe malikite janë pasues të shkollës esh'arite në çështjet e besimit. Shkolla esh'arite është e ndjekur me të madhe, sidomos në Irak, Siri, dhe Egjipt.

Qëndrimet e Imam Esh'ariut janë shumë të rëndësishme në formimin e kredos (bindjes) së ehlus-sunetit. Përpos çështjes së vullnetit të lirë, nuk kishte dallime të mëdha në qëndrimet me Maturidiun. Disa nga shtyllat e kredos esh'arite janë këto:

- Vuajtjet në varr (adhab'ul-kabr), tubimi i njerëzve në Ditën e Ringjalljes (hashr), dhe sirati (ura) e mizani (peshorja e drejtësisë) janë të vërteta.

Kur'ani është mrekulli në kuptim të stilit letrar. Askush nuk mund të sjellë një vepër ekuivalente me të.

- Është thelbësore që Pejgamberi s.a.v.s. bënë mrekulli. Evlijatë po ashtu mund të shfaqin çudi (keramete). Pejgamberët bëjnë mrekulli që t'i tërheqin njerëzit drejt natyrës (karakterit) së tyre superiore. Veliu në anën tjetër, nuk duhet të realizojë superioritet dhe duhet t'i mbajë të fshehta kerametet e tij.

- Secili person i cili pranon shpalljen e Allahut (f.l.) nëpërmjet engjëllit dhe posedon mrekulli që duket që i thyejnë ligjet e natyrës është nebij.

- Me lejen e Allahut (f.l.), Pejgamberi (s.a.v.s.) do të ndërmjetësojë (në dobi) të besimtarëve. Po ashtu, është e mundshme që besimtarët ta shohin Allahun Një, Të Pakrahasueshmin, në Jetën e Përtejme. Ai ia dërgon të mirat dhe të këqijat njerëzimit, krijon veprat e tyre që ata i kryejnë dhe u jep (krijon) njerëzve fuqinë e nevojshme për ta kryer një veprim.



Autor: Harun YAHJA
Përktheu nga anglishtja: Fatih IBRAHIMI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...