A ka Bidat të Mirë?
Këtë problematikë e kanë sqaruar më mirë të parët tonë, të cilët kanë shkruar në këtë drejtim për të mos lënë dyshime në mesin tonë, se vallë a ekziston bidat i mirë apo jo! Por ka çdoherë në çdo mes, individ të cilët me qëllim apo pa qëllim nuk duan ta kuptojnë realitetin, apo duan që t'i përshtatin tekstet e sheriatit dëshirave dhe ideologjive të tyre.
Në një hadith, thotë i Dërguari a.s.: "Men senne fil islami suneten haseneten ...", "Kush shpik në islam një traditë të mirë, ai do të ketë shpërblim çdo herë që do të veprohet ajo ...", kështu është edhe me veprën e keqe. Pra, neve ne mëson i Dërguari a.s. se muslimani mund të bëj traditë një vepër, e cila do të jetë në të mirën dhe shërbimin e muslimanëve, por me kusht mos jetë në kundërshtim me parimet e sheriatit. E kush e bën një vepër të tillë, nuk i kanoset dënimi por shpërblimi.
"Pra, dijetarë të mëdhenj e përmbajnë mendimin se bidati nuk është vetëm i keq, por ka edhe të mirë, këtë e gjejmë edhe në mesin e gjeneratës së artë, si rasti kur Umeri r.a. e caktoi që të falet namazi i teravisë pas një imami, e kur i pa ashtu të tubuar tha: Sa risi e mirë kjo. Apo siç bëri Uthmani r.a. që të shkruhet Kurani në mus'haf, si dhe të mbetet vetëm një kopje nga kurani, kurse të tjerat dha urdhër të digjen".
Pra, nuk duhet të kundërshtohet çdo gjë e cila nuk na konvenon neve, por duhet të shohim se çka kanë thënë emrat e mëdhenj për këto çështje, a janë unanim të gjithë dijetarët, e pastaj të sjellim qëndrim përfundimtar, e jo vetëm pse e ka dëgjuar një hoxhë
në ndonjë "CD" apo në "youtube" menjëherë të del në popull dhe t'i gjykon se kjo e juaja nuk është mirë, e jona është sunnet. Shumë individë sot deklarojnë se ka shumë bidate në shoqërinë shqiptare, por kur i pyesim ata se cili na qenka ky bidat, ato fillojnë të cekin mevludin, tespihet pas namazit, leximi i sures Ja-Sin, leximi kur'an në varreza, etj..
Por vallë ata i kanë analizuar këto gjëra, apo nga padituria i kundërshtojnë, ose i kundërshtojnë vetëm që të bëjnë turbullira në popull, duke u munduar ata të instalojnë një sunet në popull, ata rrënojnë një farz, bëjnë përçarjen e popullit, gjë e cila duhet të ruhet, vëllazëria në islam është më e rëndësishme se çdo gjë, pasi kur muslimanët filluan të përçahen rreth gjërave sekondare se ku vendohen duart në namaz, a duhet të merren tekbire, bota perëndimore e okupoi tërë botën islame dhe qëndron nën sundimin e tyre derisa ne t'i zgjedhim këto probleme në mesin tonë.
Ibn Tejmije në librin "el-Fetava" thotë: "se mundet që të lihet një sunet për ruajtjen e unitetit, për të afruar zemrat njëjtë siç e la edhe Pejgamberi a.s. ndërtimin e Qabes mbi bazat e saja të plota nga frika se mos përçahen njerëzit", këtë qëndrim e ka edhe imam Ahmedi në lidhje me unitetin.
Dijetarët rreth Bidatit
Dijetarë eminent mbajnë qëndrim se risia e cila është shpikur në një vend, nëse nuk është në kundërshtim me mësimet e sheriatit, atëherë mund të pranohet, si dhe të veprohet me të, por nëse risia është në dëm të islamit dhe e dëmton atë, atëherë ajo risi duhet të luftohet dhe nuk duhet të lejohet që të depërton në shoqëri, e nëse është, atëherë duhet ta largojmë.
Imam Shafiu r.a. në një thënie të tij rreth ndarjes së bidatit, ai thotë: "Ka dy lloje të bidateve: Të qortuara edhe të lavdëruara. E lëvduar është ai bidat i cili është në pajtim me sunetin, e qortuar është ajo që është në kundërshtim me sunetin".
Neveviu thotë: "Bid'at në sheriat është një shpikje që s'ka qenë në kohën e Pejgamberit a.s., e ai mund të jetë i mirë ose i keq"! Në vazhdim do ti sjellim më gjerësisht këto mendime.
A është çdo Risi (BIDAT) që të shpie në Xhehennem?!
Shumë e vërtetë është se Pejgamberi s.a.w.s. ka thënë: "Çdo risi është që të shpije në humbje, e çdo humbje në zjarr". Në këtë rast fjala "KUL-LUN" (çdo), është shprehje që argumenton për kuptim të përgjithshëm të tekstit (umum), mirëpo në këtë rast kjo shprehje është në kuptim të përgjithshëm që pranon specifikimin (amun mahsusun), e që me këtë nënkuptohet se çdo risi nuk mund të thuhet se është humbje që të shpie në xhehenem. Po ashtu kuptimin e fjalës "KUL-LUN" (çdo) e gjejmë në Kur'an në kuptim të përgjithshëm që pranon specifikimin, si f.v. ajeti: "(Era) rrënon çdo send me lejen e Zotit të saj ...", (Ahkaf:25). Qartë dihet se era nuk e shkatërron çdo gjë, por disa gjëra i shkatërron.
Ky lloj i specifikimit të kuptimit të përgjithshëm në shkencën e Usuli Fikhut njihet si (el-Hasul Munfasilu bil-Hassi). Për atë se fjala "KUL-LUN" (çdo) në këtë hadith e ka kuptimin e përgjithshëm të specifikuar mendon edhe Imam Neveviu komentuesi i "Sahihul Muslimit". Po ashtu ky dijetarë mendon se risit (bidatet) mund të jenë të refuzuara në sheriatin islam dhe mund të jenë të pranuara.
Transmetohet se Ibn Haxheri r.a. komentuesi i sahihut te Buharit ka thënë: "Çdo gjë që nuk është vepruar në kohën e Pejgamberit s.a.w.s. konsiderohet risi (bidat), mirëpo disa prej tyre janë të urrejtuara dhe të pa pranuara në sheriat, e disa prej tyre janë të pëlqyera dhe të pranuara në sheriat".
Transmeton Ebu Nu'ajmi nga Ibrahim Xhunejdi i cili ka thënë se e kam dëgjuar imam Shafiun r.a. duke thënë: "Bidati (risia) është dy lloje: bidat i lavdëruar dhe bidat i urrejtur, ai bidat që pëlqehet me sunnetin është i lavdëruar, ndërsa ai bidat që kundërshtohet me sunetin është i papranuar".
Kur qartë kuptohet se fjala "KUL-LUN" (çdo) në hadith e ka kuptimin e përgjithshëm të specifikuar që d.t.th. disa bidate, na bëhet e obligim të mendojmë në kuptimin e hadithit: "Kush e hap një rrugë të mirë në Islam, atij i përket shpërblimi (pse e ka filluar atë punë të mirë), po ashtu i takon edhe shpërblimi i atij që e kryen atë punë, pa iu pakësuar shpërblimi atij që e punon atë vepër ...".
Hadithi i tillë argumenton qartë se muslimani ka mundësi ta bëj ndonjë punë të mirë edhe pse ajo punë nuk është bërë në kohën e Pejgamberit s.a.w.s.. Fjala "men senne sunneten ..." (kush hap një rrugë ...) ka për qëllim atë se nëse fillohet të veprohet diçka e mirë por që është e verifikuar me ixhtihad (studim të hollësishëm) nga dijetarët dhe nuk vije në kundërshtim me kuptimin e përgjithshëm të rregullave dhe burimeve te sheriatit, atëherë ajo vepër pranohet dhe lejohet të zbatohet në sheriatin islam.
Ka disa prej masës së përgjithshme të njerëzve thonë: "Po të ishte festimi i ditëlindjes së Pejgamberit a.s. çështje që duhet të kryhet do ta e shpjegonte Pejgamberi s.a.w.s. këtë ummetit të tij?!". Përgjigja rreth kësaj është se çdo vepër që nuk e ka vepruar Pejgamberi s.a.w.s. apo shokët e tij nuk d.m.th. se zbatimi i saj vepre është e ndaluar. Mu për këtë imam Shafiu r.a. mendon se çdo vepër që ka bazë në burimet e sheriatit por që atë vepër nuk e ka zbatuar Pejgamberi s.a.w.s. e as shokët e tij nuk mund të konsiderohet e ndaluar, por mund të jetë e pëlqyer dhe e rekomanduar të veprohet. Ata të cilët mundohen të thonë se ajo vepër që nuk e ka vepruar Pejgamberi s.a.w.s. është e ndaluar të veprohet, është mendim i paargumentuar dhe i pa pranuar nga ana e dijetarëve.
Po ashtu disa po mundohen me e mbështetur mendimin e tyre se festimi i ditëlindjes se Pejgamberit s.a.w.s. është gjë e ndaluar në hadithin e Pejgamberit s.a.w.s.: "Dhe mos e teproni ne lavdërimin ndaj meje sikur që e tepruan në lavdërim të krishterët ndaj Isaut të birit të Merjemes a.s. Vërtetë unë jam rob i Allahut dhe Pejgamber i Tij". Sipas komentit të Ibn Haxherit r.a. me shprehjen "mos e teproni ne lavdërim" është për qëllim ajo që ne mos ta konsiderojmë Pejgamberin s.a.w.s. sikur që e konsideruan të krishterët Isaun a.s. si bir i Zotit apo edhe Zot. Duhet të jetë e qartë se me festimin e ditëlindjes së Pejgamberit a.s. është për qëllim gëzimi për ardhjen e tij në këtë botë si mëshirë për njerëzimin.
Dikush mund të thotë se festimi i ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s. konsiderohet bidat i refuzuar, ne do të u përgjigjeshim me atë se ka shumë çështje, të cilat nuk i kanë vepruar sahabët, tabiinët dhe tebi tabiinët, e që sot muslimanët i veprojnë si f.v.:
1. Të tubuarit e njerëzve për të falur me xhemat namazin e natës pas faljes së namazit të teravis në të dy haremet. Një veprim i tillë nuk është vepruar nga tre gjeneratat e para muslimane. Kurse sot kjo vepër bëhet edhe nëpër xhamitë e Shkupit, e pse nuk thonë se është risi kjo vepër?!
2. Leximi i duas së përfundimit te Kur'anit në namazin e teravisë, dhe po ashtu në namazin e natës.
3. Veçimi i natës së 27 të ramazanit si natë e përmbylljes së leximit te Kur'anit në namaz të teravisë në Haremin e Mekkes dhe të Medines.
4. Thirrja për namaz të natës pas faljes së namazit të teravisë duke u thënë: (SALATUL KIJAMI ETHABEKUMU-LLAH).
5. Ndarja e çështjes së tevhidit në tri grupe: "TEVHIDUL ULUHIJJETI, TEVHIDU RUBUBIJJETI dhe TEVHIDU ESMAI VE SIFAT". Kjo lloj e ndarjes së tevhidit nuk është e bërë me hadith, as sahabët nuk e kanë bërë këtë ndarje e as imamët e katër medhhebeve, por e gjejmë në thëniet e ibn Tejmijes apo ibn Abdul Vehabit.
Duhet pat parasysh edhe këtë se ka shumë vepra të cilat Pejgamberi s.a.w.s. i ka lenë pa i zbatuar, mirëpo ky moszbatim sipas dijetarëve mund të jetë për tri arsye:
1. I ka lenë disa vepra pa i zbatuar për shkak se nuk ka qenë nevoja për t'u zbatuara si f.v. luftimi i atyre që kundërshtojnë dhënien e zekatit, e të cilët i ka luftuar Ebu Bekri r.a. Pejgamberi s.a.w.s. nuk i ka luftuar te tillët ngase në kohen e tij nuk ka pasur që dikush prej muslimanëve të kundërshtojnë dhënien e zekatit. E tash duhet ta kemi të qartë se Ebu Bekri r.a. e ka vepruar diçka që Pejgamberi s.a.w.s. nuk e ka vepruar, atëherë vallë mos po i japim vetës mundësi që të themi se edhe Ebu Bekri r.a. ka bërë bidat (risi).
2. Të lënurët e disa veprimeve për të cilën ekziston arsyeja pse nuk e ka zbatuar Pejgamberi a.s. si f.v. nuk e ka falur namazin e teravisë me xhemat vetëm e vetëm se është frikësuar se ummeti do ta marrin për farz. Pra nga kjo kuptohet se të falurit e namazit te teravisë me xhemat është vepër e rekomanduar, ngase nuk ekziston më frika se ai do të konsiderohet prej ummetit farz.
3. Lënia e disa veprimeve nga ana Pejgamberit s.a.w.s. për të cilën ka ekzistuar arsye por për veprimin e saj nuk ka kurrfarë pengese, si f.v. mos thirrja e ezanit për namazin e bajrameve.
Këto lënie të veprimeve të Pejgamberit s.a.w.s. i hapin rrugën zbatimit të disa gjërave edhe pse Pejgamberi s.a.w.s. nuk i ka zbatuar, me kusht që të dihet shkaku i mos zbatimit të çështjes.
Ka disa nga njerëzit që thonë se nuk duhet të festohet ditëlindja e Pejgamberit s.a.w.s. ngase mu në të njëjtën ditë vdes, dhe mu për këtë nuk mund të ketë gëzim atë ditë ngase mu atë ditë ka vdekur Pejgamberi s.a.w.s.! Këtij arsyetimi i përgjigjet shumë qartë dijetari i madh Xhelaludin Sujutiu r.a. në librin e tij "El-Havi lilfetava" faqe 193, duke thënë: "Padyshim se lindja e Pejgamberit s.a.w.s. është begatia me e madhe që Allahu na ka dhuruar, e vdekja e tij është fatkeqësia me e madhe për ne. Vërtetë sheriati islam na nxit neve që të shprehim gëzim për begatin e Allahut xh.sh., ndërsa durim dhe qetësi në fatkeqësi. Mu për këtë sheriati islam urdhëron që të prehet kurban për atë që ka lindur me qëllim që të shprehet gëzimi dhe falënderimi, na ka ndaluar të vajtojmë dhe të dëshpërohemi duke i humbur shpresat ne Zotin xh.sh.. Dhe te gjitha rregullat e sheriatit e bëjnë të qartë atë se është e preferuar të shprehet gëzimi për lindjen e Pejgamberit s.a.w.s. e kurrsesi të shprehet hidhërimi dhe pikëllimi për vdekjen e tij".
Autor: Shaban TAIRI