Nëse hadithi është sahih, atëherë ky është medhhebi im!
Është e transmetuar autentikisht nga Imam Shafiu (radiaAllahu 'anhu) që ai ka thënë: "Nëse hadithi është autentik (sahih), atëherë ky është medhhebi im".
Poashtu është shënuar që ai ka thënë: "Nëse një hadith autentik kundërshton qëndrimin tim (në fikh), veproni sipas hadithit dhe braktiseni mendimin tim". [1]
Shejh-ul-Islam Imam Neveviu komenton thënien e parë: "Ajo që ka thënë Imam Shafiu nuk do të thotë që çdokush që sheh një hadith sahih të thotë: "Ky është medhhebi i Shafiut"", duke aplikuar kuptimin e jashtëm të thënies së tij.
Ajo që ai ka thënë i referohet vetëm atij personi që ka gradën e ixhtihadit në medhheb (Muxhtehid fil-medhheb). Është e kushtëzuar që ai person të jetë i bindur fort që Imam Shafiu ose nuk e ka ditur këtë hadith ose nuk ka qenë në dijeni për vërtetësinë e tij. E kjo është e mundur vetëm pasi t'i ketë hulumtuar të gjitha librat e Shafiut dhe libra të ngjashme të shoqëruesve të Shafiut, atyre që morën dije ('ilm) prej tij dhe të ngjashmëve.
Ky me të vërtetë është një kusht i rëndë për t'u plotësuar. Të paktë janë ata që mund të arrijnë këtë standard në kohën tonë. [2] Ajo që kemi shpjeguar është kushtëzuar sepse Imam Shafiu është distancuar prej veprimit vetëm në bazë të kuptimit të jashtëm të shumë haditheve, për shkak të kriticizmit të hadithit ose shfuqizimit (naskh) ose rrethanave specifike (kontekstit) ose interpretimit (të kuptimit) e kështu me radhë.
Shejh Ebu 'Amr (Ibn Salah) ka thënë: "Nuk është çështje e vogël (e parëndësishme) të veprohet sipas kuptimit të fjalëpërfjalshëm të asaj që Imam Shafiu ka thënë. Ngaqë është e ndaluar për secilin fekih (jurist) - e lëre më njerëzit e thjeshtë ('ammi) - që të veproj i pavarur me atë që ai e merr si argument prej hadithit. Prandaj, secili Shafi'ij që gjen një hadith që kundërshton shkollën (medhhebin) e tij duhet të shqyrtoj nëse ai është tërësisht i kualifikuar në të gjitha disiplinat e ixhtihadit, ose në atë lëmi specifike, apo në atë pyetje (çështje). Nëse është, atëherë ai ka të drejtën të aplikoj (hadithin) i pavarur. Nëse ai nuk është, por (pasi të ketë hulumtuar dhe nuk ka gjetur justifikim për të vepruar kundër hadithit) i duket shumë i rëndë veprimi kundër atij hadithi, atëherë ai mund të veproj sipas asaj që ndonjë Imam tjetër Muxhtehid pos Imam Shafiut ka vepruar. Kjo është një arsye e mirë për të që ai të lër medhhebin e Imamit të tij në rast të tillë". [3]
Imami i madh Shafii Shejh-ul-Islam Taki Ud-Din Es-Subki shkroi një trajtesë të mrekullueshme për ta sqaruar këtë thënie të imam Shafiut të titulluar "Ma'na Kawl El-Imam El-Muttelibi 'Idha Sahha El-Hadithu Fehuwe Medhhebi", (Kuptimi i thënies së Imamit, Muttelibiut, 'Nëse hadithi është sahih, ai është medhhebi im').
Keshtuqë, kujdes!! Mos u mashtroni pas çdo injoranti qe ka lexuar diku nje hadith dhe ka marre nje klasifikim "Sahih" nga nje amator injorant si puna e tij, qe i eshte dukur vetja me i ditur se Imam Buhariu e Muslimi, e ka shkuar t'i ri-kontrolloj dy Sahihet perseri ne shekullin XX ..., (shenim i perkthyesit).
Burimi: www.shafiifiqh.com
Perktheu: Fatih IBRAHIMI
Shënime:
[1] - 'kawli' është përkthyer 'qëndrimi im' sepse kjo është kuptimi i asaj që ka thënë, ndërsa përkthimi do të thotë 'thënia ime'
[2] - D.m.th. në kohën e Imam Neveviut, e aq më tepër në kohët tona. Prej atyre që jetuan në epokën e Neveviut ishin El-Fahr Er-Razi, Ibn El-Salah, El-Mundhiri, Ibn 'Abdus-Selam, El-Kurtubi, Ibn El-Kattan, El-Dija' El-Makdisi, Ibn Kudame, dhe Ibn Dakik El-'Id!
[3] - En-Nevevi, El-Mexhmu' Sherh El-Muhedhdheb (1:64), duke cituar Fetawa we Mesai'l (1:54, 1:58-59) të Ibni Salahut, Cituar prej Et-Tehanevi, I'la' Es-Sunen (2:290-291).