Historia e Ilmul Kelamit (Tarihu Ilmi'l-Kelam)
Që të thuhet krejt ajo që duhet për historinë e Ilmu'l-Kelamit, kërkohet të zhytemi në vënien e bazave të besimit në kohën e Pejgamberit a.s., të Hulefai Rashidinëve pas tij dhe kohërave që vijuan mbas këtyre periudhave, derisa erdhi koha e përpilimit të librave të Ilmu'l-Kelamit. Përpos kësaj, kërkohet edhe vështrimi në etapat e tjera pas kohës së përpilimit të kësaj shkence.
Bazat e besimit në kohën e Pejgamberit a.s.
Islami me ardhjen e tij njohu vetëm atë se Feja e vërtetë është një. Është shpallje e Allahut te gjithë Pejgamberët e tij. Ajo nënkupton bazat të cilat nuk ndryshohen me derogim, as që ndryshojnë nga një pejgamber në tjetrin. Këto baza janë udhëzim gjithmonë. Ndërkaq, sa u takon ligjeve praktike (Sheraiu'l-Amelijeh), ato janë të duarënduarshme mes pejgamberëve. Ato janë udhëzim derisa nuk derogohen, shfuqizohen. Kështu që, kur derogohen nuk mbeten më udhëzim.
Zemahsheriu, vdiq më vitin 538 h.(1143-44 e.r.), në tefsirin e tij, lidhur me komentin e ajetit: ""Ata janë që i udhëzoi Allahu dhe ti ndiq udhëzimin e tyre", thotë: "Udhëzimi i tyre", nënkupton mënyrën që ata besuan Allahun xh.sh., njëshmërinë e Tij dhe besimin e tyre të Bazave të Fesë. Këtu nuk nënkuptohen ligjet, sepse ato qenë të ndryshme. Ato janë udhëzim derisa nuk derogohen, e pasi të jenë deroguar nuk mbeten më udhëzim. Ndryshe nga Bazat e Fesë të cilat mbeten udhëzim përgjithmonë".
Muhammedi a.s. u dërgua me besimin fetar dhe ligjin e sheriatit. Sa i takon Besimit (Akides), atë e plotësoi Allahu në librin e vet dhe në shpirtin e Pejgamberit pa mos i lënë mendjes njerëzore asnjë zbrazëti për të intervenuar në të, kurse sheriatit ia plotësoi bazat e tij duke i lënë studimit të vazhdueshëm njerëzor të zbërthejë dhe zgjidhë problemet e tij në detaje. Taberiu, në tefsirin e vet lidhur me ajetin "Sot kam plotësuar fenë tuaj dhe përmbusha dhuntinë Time ndaj jush ..." përcjell prej Ibni Abbasit se "... plotësova fenë tuaj ...", nënkupton Islamin. Madje vazhdon Ibni Abbasi dhe thotë: "Allahu i tregon Pejgamberit dhe besimtarëve se Ai veçmë plotësoi Imanin e tyre prandaj lidhur me të nuk do të kenë më nevojë kurrë. Allahu tashmë e plotësoi atë dhe asnjëherë nuk e mangëson, është i kënaqur dhe kurrë nuk do të hidhërohej më një formë të këtillë të plotësuar të Imanit".
Kur'ani që me shpalljen e tij polemizoi me fetë kryesore dhe me dogmat e besimeve arabe, duke mposhtur kështu dyshimet që ata i nxitnin kundër besimeve të fesë së re, edhe pse nuk zhytej gjatë në këto polemika pasi tentonte dhe kishte lakmi afrimin mes njerëzve. Për këtë edhe shumë herë ajetet dialektike përfundojnë: "Po polemizuan me ty, thuaju: Allahu më mirë e di atë që ju veproni, Ai do të gjykojë mes jush Ditën e Gjykimit për atë që ju polemizuat".
Këtyre polemikave në lëminë e Akaidit Kur'ani u drejtohet vetëm në raste nevoje duke u kufizuar me përmasat e saj, pa i nxitur muslimanët të vazhdojnë me këmbëngulje në to, përkundrazi, ai i largon besimtarët prej tyre, në ajete sikur është ky: "Ne e morëm edhe zotimin e atrye që thanë: "Ne jemi nesara", e edhe ata e harruan një pjesë të asaj me të cilën ishin udhëzuar, andaj ne kemi ndërsyer armiqësinë e urrejtjen ndërmmjet tyre deri në ditën e kijametit. E më vonë Allahu do t'i njoftojë ata me atë që bënë". Në librin "Xhamiu Muhtesari Bejani'l-Ilm" lidhur me ajetin në fjalë, përcillet nga El-Avvam ibën Hausheb nga Ibrahim Et-Tejmij se: "... kemi ndërsyer armiqësinë e urrejtjen ndërmjet tyre", do të thotë: "kundërshtime polemizuese në fe". Ky shpjegim është në pajtim me mendimin e shumë mufessirinëve si Zemahsheriu dhe Bejdaviu, i cili vdiq në vitin 791 h.1389 e.r..
"Këto pikëpamje fetare të cilat i vuri Islami që në fillimin e tij, patën ndikim të madh në drejtimin e vështrimeve logjike të muslimanëve në shekujt e parë. Për këtë urrehej hulumtimi dhe polemikat në çështjet e Besimit e jo në studimet përmbi problematikat ligjore. Muslimanët në shekullin e parë mendonin se nuk ka formë tjetër veç Shpalljes përmes së cilës do të njiheshin bazat e Besimit, kështu që, mendja është e larguar nga Sheriati dhe çështjet e natyrës së tij, siç e thekson këtë Ibën Halduni. Ata mendonin se debatet dhe polemikat në çështjet e Akaidit shpiejnë në degradim të fesë, për këtë edhe çdo mësim fetar-Akaidet e fesë, janë vënë prerazi, në tërësi dhe në imtësi, nga Kur'ani fisnik. Kështu, koha e Pejgamberit a.s. dhe muslimanëve të kohës së tij u kapërcye duke patur të gjithë një besim mbështetur në librin e Allahut, sepse ata, siç thotë Tash Kubri Zadeh, mbërrinë, jetuan kohën e Shpalljes dhe nderin e shoqërisë së Pejgamberit a.s.. Si pasojë, drita e shoqërisë së tij largoi zullumin e dyshimeve dhe hamendjeve".
Tekijjuddin El-Makrizij në librin e tij "El-Hutat" thotë: "Duhet ditur se Allahu xh.sh. pasi dërgoi Pejgamberin e Vet Muhammedin a.s. nga arabët, të dërguar për gjithë botët, ua përshkroi Zotin e Lartëmadhëruar me atë që Ai vet e përshkroi veten në Librin e Tij Madhështor që e zbriti në zemrën e Muhammedit a.s.. Shpirti Besnik me atë që i shpalli Allahu i Lartëmadhëruar. Prandaj, asnjëri fare nga arabët, as i fshatit, as i qytetit, nuk e pyeti Pejgamberin a.s. për kuptimin e ndonjë gjëje të këtillë, ashtu si e pyetnin për çështjen e Namazit, Zeqatit, Agjërimit e të Haxhit, lidhur me të cilat ka urdhër ose ndalesë nga ana e Allahut, apo siç e pyetnin për situatat e Kijametit, Xhennetit e të Zjarrit të Xhehhenemit. Pra, sikur ndonjëri prej tyre do ta kishte pyetur për kuptimin e ndonjë vetie të Allahut, do të ishte përcjellë ashtu sikur janë përcjellë hadithet e regjistruara nga ai a.s. lidhur me hallallin dhe haramin, në tergib e në terhib, për situatat e Kijametit, trazirat, intrigat dhe të ngjashme, gjëra të cilat i përmbledhin librat e hadithit, fjalorët, musnedet dhe librat përmbledhëse të tij. Që këndej, kush vëren me kujdes librat e hadithit të Pejgamberit a.s. dhe në gjurmët e Selefit, sheh se nuk përcillet asnjë shenjë e vetme nga sahabët, as me rrugë të shëndoshë, as me të dobët, edhe pse ishin në gjenerata të ndryshme dhe shumë në numër, se e kanë pyetur të Dërguarin a.s. për kuptimin e ndonjë vetie me të cilën ka përshkruar në Kur'an Vetveten Fisnike Allahu xh.sh. ose përmes Pejgamberit a.s.. Por, secili nga ata, patën kuptuar ato dhe nuk diskutuan lidhur me këto veti. Kështu, asnjëri prej tyre s'kishte argument tjetër me të cilin argumentonte për njëshmërinë e Allahut dhe vërtetimin e profetësisë së Pejgamberit a.s. veç librit të Allahut dhe, as që dinte ndonjëri prej tyre diç për metodat kelamiste dhe teoritë filozofike".
Shkëputur nga libri: "Temhid fil-Felsefeti el-Islamije",
Autor: Mustafa ABDURRAZIK
Përktheu: Ahmed MEHMEDI