Gjashtë ditët e agjërimit të muajit Sheval
Kushti i parë i islamit është shehadeti apo dëshmia "Vetëm Allahu është Zot dhe se Muhamedi është i dërguar i Allahut".
Dëshmia (shehadeti) është çelës i xhenetit dhe me shehadet bëhet hyrja në fenë islame. Ai i cili dëshiron të hyn në islam hyn me këto dy dëshmi.
Shehadeti ndahet në:
- shehadet farz, dhe
- shehadet sunet.
Për të parën herë në jetë shehadeti është farz.
Gjatë gjithë jetës sa herë që thuhet, shehadeti është sunet.
Kushti i dytë i islamit është namazi
Namazi ndahet në:
- namaz farz,
- namaz vaxhib, dhe
- namaz sunet.
Tek ne, më shumë rëndësi i japim namazit vaxhib (namazit të bajrameve) se sa namazit farz, apo më shumë i japim rëndësi teravive (sunet) se sa namazeve farz.
Kushti i tretë i islamit është zekati
Zekati ndahet në:
- zekat farz,
- zekat vaxhib, siç është zekatul fitri, dhe
- sadaka, e cila është sunet.
Zekati vaxhib, siç është zekati i fitrit i cili jepet gjatë ramazanit edhe pse në fakt duhet dhënë pas ramazanit dhe para faljes së fitër bajramit.
Sadakaja është lëmoshë e papërcaktuar e cila është sunet, e kësaj i jepet rëndësi më shumë se sa zekatit (farz), të cilin e anashkalojnë në përgjithësi, për të mos thënë në tërësi.
Ka të tillë të cilët japin sadaka, e ndoshta kurrë në jetë nuk japin zekat.
Kushti i katërt i islamit është agjërimi i muajit Ramazan
Agjërimi ndahet në:
- agjërim farz,
- agjërim vaxhib,
- agjërim sunet.
Agjërimi i muajit ramazan është farz.
Agjërimi i cili agjërohet pas muajit ramazan është sunet.
Tek ne, në përgjithësi agjërohet farzi, por nuk agjërohet suneti.
Të agjërohen gjashtë ditë të muajit sheval (kalendar hënor) është sunet.
Muaji shevar e pason muajin ramazan.
Gjatë gjithë vitit, në dy ditë është i ndaluar agjërimi, e ato janë ditët e dy bajrameve.
Kalendari hënor i ka 12 muaj. Pas ramazanit në renditje vjen muaji sheval.
Përpos ditës së parë të muajit sheval, në të cilën është e ndaluar të agjërohet, i gjithë muaji sheval është në disponim për t'u agjëruar si sunet, e në këtë muaj sunet është të agjërohen gjashtë ditë.
Nëse agjërohen ditët 24, 25, 26, 27, 28, 29, është agjërim i rregullt i gjashtë ditëve të muajit sheval.
Nëse agjërohen ditët 2, 3, 12, 13, 21, 22 të muajit sheval është në rregull.
Çdo ditë prej ditëve të muajit sheval përpos ditës së parë (për shkak të festës së bajramit) që agjërohen janë në rregull, qoftë ato gjashtë ditë radhazi apo ndaras.
I dërguari i Allahut - paqja e Allahut qoftë mbi të - ka thënë: "Kush e agjëron muajin e ramazanit dhe e përcjell me gjashtë ditë të muajit sheval, do të shpërblehet si të kishte agjëruar tërë vitin".
Kjo mund të arsyetohet edhe me atë se çdo vepër e mirë shpërblehet me dhjetë të mira, dhe nëse e llogarisim, 30 ditët e ramazanit me nga dhjetë të mira është sikur të agjërohen 300 ditë, ndërsa edhe gjashtë ditë të muajit sheval me nga dhjetë të mira bëjnë 60 të mira, atëherë në total na del 360 të mira apo 360 ditë, e që i bie që shpërblimi të jetë sikurse të agjërohet i tërë viti.
Kushti i pestë i islamit është haxhi për ata të cilët kanë mundësi
Haxhi ndahet në:
- haxh farz, dhe
- haxh sunet.
Tek ne, në përgjithësi kryhet haxhi farz, ndërsa nuk kryhet haxhi sunet.
Përfundim
E drejtë dhe e rregullt është të kryhen:
- farzet, e pastaj
- vaxhibet, e pastaj
- sunetet,
e kjo duhet të vlejë si në:
- namaz,
- zekat,
- agjërim, dhe
- haxh.
Autor: Dr. Musli VËRBANI