Argumentet e 'halefit' rreth interpretimit të ajeteve



Ibni Xheriri konsideron se drejtimi i selefëve nuk ka patur kuptim të menjanimit të rëndësisë së këtyre ajeteve, sipas kuptimit të jashtëm, sepse pranimi i kuptimit bukvalisht do të thotë pranim fizik dhe përshkrim i ngashmërisë. Rruga e selefit ka qenë vetëm heshtja e hulumtimit të asaj lëmie, siç edhe e pranojnë. [1]

Fahrudin Err-Rraziu thotë: "Dije se gjithë tekstin kur'anor nuk është e mundur që ta marrësh nga kuptimi i anës së jashtme (bukvalisht) për shumë arsye":

- E para: kuptimi i jashtëm i fjalëve të Allahut: {وَلِتُصْنَعَ عَلَىٰ عَيْنِي}, "... e që të edukoheshe nën Syrin Tim", (Kur'ani, Taha:39).

Afron kuptimin se Musa a.s. ka qenë i vendosur nën atë "Sy", i dashur nga Ai, i ngritur nga Ai. Diç e tillë me siguri nuk është dëshiruar të thuhet.

- E dyta: Fjalët e të Lartëmadhërishmit: {أَنِ اصْنَعِ الْفُلْكَ بِأَعْيُنِنَا وَوَحْيِنَا}, "... Ndërto anijen nën sytë (mbikëqyrjen) Tonë dhe sipas urdhërit Tonë ...", (Kur'ani, El-Mu'minun:27).

Duhet kuptuar se mjeti për ndërtimin e asaj në të vërtetë është syri, e kjo me siguri ashtu nuk është dëshiruar të shpallet. Ai ka treguar se pasoja e tij duhet patjetër të jetë komentimi, andaj ka treguar se fjala "Sy" ka kuptim të kujdesit dhe mbikëqyrjes së madhe. [2]

Sakaq, "halefi" rreth çështjes së komentimit të (التأويل) muteshabihateve qëndrojnë se kjo vërtetohet me Kur'an dhe Sunet me një vërtetim të prerë (ثبوتا قطعيا), që nuk mund ta kundërshtojë askush. Një prej shembujve nga Kur'ani është ky:

Allahu xh.sh. thotë: {نَسُوا اللَّهَ فَنَسِيَهُمْ ۗ إِنَّ الْمُنَافِقِينَ هُمُ الْفَاسِقُونَ}, "... Harruan Allahun (nuk iu binden), prandaj Ai i harroi (nga mëshira) ...", (Kur'ani, Et-Tevbeh:67).

Po ashtu Allahu i Madhëruar thotë: {فَالْيَوْمَ نَنْسَاهُمْ كَمَا نَسُوا لِقَاءَ يَوْمِهِمْ هَٰذَا}, "Sot, pra ne i harrojmë ata sikurse e patën harruar takimin e kësaj dite të tyre ...", (Kur'ani, El-A'raf:51).

Në këto ajete potencohet se Allahu 'harron'.

Si mund të lejohet që 'harresa' (النسيان) t'i atribuohet Allahut të madhëruar, ku dihet se ajo është prej llojit të 'gafletit (pakujdesisë)', më se dhe Allahu është i pastër nga kjo, ku Ai vetë Thotë: {وَمَا كَانَ رَبُّكَ نَسِيًّا}, "... E Zoti yt nuk është që harron", (Kur'ani, Merjem:64).

Sipas kuptimit të dy ajeteve të para, shihet se Allahu 'harron', ndërsa sipas ajetit të fundit, shihet se Allahu 'nuk harron'. Faktikisht, pamja e jashtme e ajetve është kundërthënëse, ndërkohë që dihet se ata nuk mund të jenë të këtillë, sepse këtë e ka dëshmuar vetë Allahu: {لَا يَأْتِيهِ الْبَاطِلُ مِنْ بَيْنِ يَدَيْهِ وَلَا مِنْ خَلْفِهِ ۖ تَنْزِيلٌ مِنْ حَكِيمٍ حَمِيدٍ}, "Atij (Kur'anit) nuk mund t'i mvishet e pavërteta nga asnjë anë, është i zbritur prej të urtit, të Lavdishmit", (Kur'ani, Fussilet:42).

Pastaj citati: {وَلَوْ كَانَ مِنْ عِنْدِ غَيْرِ اللَّهِ لَوَجَدُوا فِيهِ اخْتِلَافًا كَثِيرًا}, "... Sikur ai (Kur'ani) të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej Allahut, do të gjenin në te shumë kundërthënie", (Kur'ani, En-Nisa:82).

Tani lind nevoja se si mund që këto ajete t'i harmonizojmë në kuptimin e vërtetë të tyre, pasi është vërtetuar se ato në pamje të tyre sipërfaqësore janë totalisht kundërthënëse. Këtë nuk do të mund ta bëjmë derisa nuk e pranojmë të vërtetën se fjala (نسيان) 'nisjan-harresa' në këto ajete është me kuptim alegorik, dhe se patjetër duhet që ajo të interpretohet nën dritën e ajeteve të qarta. Fundja ky është obligim.

Pra, nuk lejohet për asnjë çast të thuhet "Ai (Allahu) është që harron", sepse harresa e Tij nuk është sikurse të harruarit tonë, apo mos ndoshta është harresë që lidhet vetëm me Allahun? [3].

Jo, kjo është metafore e qartë dhe duhet të komentohet kontekstualisht, sikurse thotë Ibni Atijjeh:

Thënia e Allahut të Madhëruar:"... نَنْسَاهُمْ ...", "... ne i harrojmë ata ..." [4], është prej lajmërimeve të Tij të madhëruar, se çfarë do të veprojë me ta, dhe se (نسيان) 'nisjan-harresa' këtu është në kuptim të 'lërjes (braktisjes)' (الترك), (dhe jo se kjo ka të bëjë me harresë). Do të thotë, ky ajet (Kur'ani, El-A'raf: 51), përkthehet kështu: "Sot, pra, ne i lëmë në dënim ashtu sikurse ata e kanë injoruar takinıin e kësaj dite". [5]

Pastaj ajeti: {يَوْمَ يُكْشَفُ عَنْ سَاقٍ}, "në ditën kur shfaqet 'nëngjuri' (pjesa e këmbës mbi nyje deri nëngjur) ...", (Kur'ani, El-Kalem:42).

Këtu është më se e qartë se fjala (ساق) "nëngjuri" nuk është në kuptim të gjymtyrës, ashtu siç kuptohet në shikim sipërfaqësor të kësaj fjale.

Por ky ajet e përmban mundësinë e kuptimit të zbulimit të tmerreve të Ditës së Kijametit (فقد أمكان حمله على الكشف عما في يوم القيامة من الأحوال). Prandaj edhe thuhet: (قامت الحرب على ساق) "lufta ishte shumë e ashpër (e tmerrshme)", me rastin e luftimeve dhe gjendjeve të llahtarshme të saj. [6]

Ibni Abbasi r.a. për të cilin Pejgamberi s.a.w.s. ka bërë lutje duke thënë: [اللَّهُمَّ عَلِّمْهُ الْكِتَابَ], "bëja të kuptueshëm Kur'anin". [7]

Këtë ajet, pra ajetin: {يَوْمَ يُكْشَفُ عَنْ سَاقٍ}, "në ditën kur shfaqet "nëngjuri" (pjesa e këmbës mbi nyje deri nëngjur) ...", (Kur'ani, El-Kalem:42).

E ka komentuar me komentin: (و يكشف عن شدة), "në ditën kur do të ashpërsohet vuajtja". Diç të ngjajshme ka transmetuar edhe Ibni Xherir nga një shumicë e sahabëve dhe tabiinëve. [8]

Po ashtu Allahu i Madhëruar ka thënë: {وَالسَّمَاءَ بَنَيْنَاهَا بِأَيْدٍ}, "Ne me Dorën (forcën) Tonë e ngritëm qiellin ...", (Kur'ani, Edh-Dharijat:47).

Ku fjalën e Allahut (بأيد) "me dorën Tonë", e komentuan me domethënien (بقوة) "me forcën tonë". Këtë e transmeton Ibni Xheriri nga një grup prej imamëve të selefit e prej tyre Muxhahidi, Katadeja, Mensuri dhe Sufjani se (أيد) vjen në kuptim të (القوة) "fuqia, sipas parimit të gjuhës". [9]

Përveç këtyre ekzistojnë edhe argumente të tjera. Porse këto janë të mjaftueshme për të argumentuar në parim qëndrimin e halefit në të komentuarit e cilësive haberijje.



Autor: Mr. Orhan BISLIMAJ, Prizren 2008/1429.
Shkëputur nga libri: "Akaidi Hanefij", fq. 211-214.



_________________________

[1] - Ahmet Behxheti, "Allahu ..." op.cit. fq. 190.
[2] - Ahmet Behxheti, "Allahu ..." op.cit. fq. 191.
[3] - Tetan, El-Kilanijj, "Avnul müridi ..." po aty. 1/456.
[4] - Kur'ani, El-A'raf:51.
[5] - Tetan & El-Kilanijj, "Avnul müridi ..." po aty, fq. 1/457.
[6] - El-Amidij, "Ebkaru'l efkar ..." op.cit. vëll. 1/460.
[7] - Sahihu'l Buharı, "Kitabu'l i'tisami bi'l Kitabi ves-sunneti", hadithi nr. 6728.
[8] - Shih: Tefsiri i Ibni Xheririt 29/38, cituar sipas Tetan dhe El-Kilanijj, "Avnu'l müridi ...", op.cit. 1/458.
[9] - Tetan dhe El-Kilanijj, "Avnu'l müridi ...", op.cit. 1/458.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...