Urtësitë e zbritjes graduale të Kur'anit



Hyrje

Allahu xh.sh. e zbriti Kur'anin e Madhërishëm udhëzues për njerëzimin, dhe tregues i rrugës së drejtë dhe të lumtur në këtë dhe në botën tjetër. Kur'ani, padyshim, është mrekullia më e madhe e Muhammedit a.s., Mrekullia e Kur'anit nuk është vetëm në përmbajtjen por edhe në formën dhe mënyrën e zbritjes së tij.

Mënyra e zbritjes së Kurr'anit ishte e veçantë, e që dallonte nga mënyrat e zbritjes së librave të tjerë qiellorë, zbritja e të cilëve deri tek të dërguarit e Allahut xh.sh. ishte në një përmbledhje, ndërsa Kur'ani pati tre periudha të zbritjes:

- Periudha e parë: ishte zbritja e Kur'anit si një përmbledhje në "Pllakën e ruajtur mirë - Levhi Mahfudhi". Argument për këtë është fjala e Allahut xh.sh. ku thotë:

{بل هو قرآن مجيد في لوح محفوظ} , "Përkundrazi, ai është Kur'an i famshëm. Në një pllakë të ruajtur mirë (në Levhi Mahfudhë)", (Buruxh, 21-22).

- Periudha e dytë: ishte zbritja e tërësishme e Kuranit nga "Levhi Mahfudhi" deri në "Bejtu'l-izze" ose në qiellin e kësaj bote. Kjo zbritje argumentohet me fjalët e Allahut xh.sh.:

{إِ نَّا أَنْزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةِ الْقَدْرِ} , "Ne e zbritem atë (Kur'anin) në natën e Kadrit", (Kadr, 1).

{شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِيَ أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ} , "Muaj i Ramazanit është ai në të cilën zbriti Kur'ani", (Bekare, 185).

- Periudha e tretë: e zbritjes ishte nga qielli i kësaj bote deri të i dërguari i Allahut, Muhammedit a.s. përmes melektut, Xhibrilit a.s. thotë Allahu xh.sh. duke na informuar për këtë mënyrë të zbritjes:

{نَزَلَ بِهِ ٱلرُّوحُ ٱلأَمِينُ}, {عَلَىٰ قَلْبِكَ لِتَكُونَ مِنَ ٱلْمُنْذِرِينَ} , "Atë e solli shpirti besnik (Xhibrili). (E solli) në zemrën tënde, për të qenë ti prej atyre që tërheqin vërejtjen", (Shuara, 193-194).

Gjithashtu edhe Imam Taberiu në Tefsirin e tij shënon një hadith të transmetuar nga Ibn Abbasi r.a se një njeri i kishte thënë atij: Në zemrën time ka rënë një dyshim rreth fjalëve të Allahut: "Ne e zbritem atë (Kuranin) në natën e Kadrit" dhe "Muaj i Ramazanit është ai në të cilën zbriti Kur'ani", ndërsa Allahu xh.sh. ka zbritur nga Kur'ani edhe në muajt e tjerë, si në muajn Sheval, Dhul Kade, dhe të tjerë (pra nuk ka zbritur vetëm në muajn Ramazan ashtu siç përmendet në këto ajete). Ibn Abasi r.a. i tha: "Ka zbritur në Ramazan, në natën e Kadrit si një tërësi, pastaj ka zbritur sikur rënia e yjeve gjatë muajve dhe ditëve".


Kohëzgjatja e zbritjes së Kur'anit

Kur'ani zbriste varësisht nga nevoja dhe ngjarjet që ndodhnin, prandaj edhe zbritja e tij vazhdoi për një periudhe të gjatë kohore. Dijetarët nuk janë të pajtimit në lidhje me kohëzgjatjen e zbritjes së Kur'anit, disa prej tyre janë të mendimi se zbritja e Kur'anit zgjati 20 vjet, disa mendojnë se zgjati 23 vjet, ndërsa disa të tjerë mendojnë se zgjati 25 vjet. Ky mospajtim është si pasojë e mendimeve të ndryshme që kanë dijetarët rreth kohës së qëndrimit të Muhammedit a.s. në Meke pasi u bë Pejgamber.

Ajo që e mendojmë si të saktë rreth kohëzgjatjes së zbritjes së Kur'anit është se: Muhammedit a.s. i filloi shpallja në moshën dyzet vjeçare, në muajin Rebiu'l-Evvel. Shpallja filloi me ëndrra të vërteta, dhe në këtë periudhë, e cila zgjati gjashtë muaj, nuk zbriti asgjë nga Kur'ani, pastaj në fund të muajt Ramazan filloi të zbriste Kur'ani.

Muhammedi a.s., sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, vdiq në moshën 63 vjeçare, ndërsa shpallja e fundit e Kur'anit, sipas mendimit më të saktë, ka zbritur 9 ditë para vdekjes së Muhammedit a.s..

Pra, Muhammedi a.s. si pejgamber jetoi 23 vite, prej tyre 6 muaj ishin ëndrra të vërteta dhe në to nuk zbriti asgjë nga Kur'ani, gjithashtu edhe në nëntë (9) ditët e fundit nuk zbriti asgjë nga Kur'ani, e që rezulton se Kur'ani zbriti për 22 vjet e 5 muaj dhe afër 20 ditë.


Urtësitë e zbritjes graduale

Në zbritjen graduale të Kur'anit padyshim se ka shumë urtësi, kurse ne do të përkufizohemi në disa prej tyre:

1.1. Përforcimi i zemrës së Pejgamberit a.s.


Ashtu siç na tregon Allahu xh.sh ku thotë:

{وقال الذين كفروا لولا نزل عليه القرآن جملة واحدة كذلك لنثبت به فؤادك ورتلناه ترتيلا} , "E ata që nuk besuan thanë: 'Përse të mos i ketë zbritur atij (Muhammedit) Kur'ani përnjëherë?' Ashtu (e zbritëm pjesë-pjesë) që me të të forcojmë zemrën tënde dhe Ne e sollëm atë ajet pas ajetit (dalëngadalë)", (Furkan, 32).

Me përsëritjen e shpalljes, zemra e Muhammedit a.s. forcohej, duke e ndjerw kujdesin e Allahut xh.sh., e që për këtë kishte shumë nevojë, pasi gjatë thirrjes së tij ballafaqohej me probleme dhe vështirësi të ndryshme. E nëse thirrësi gjatë thirrjes së tij nuk ka përkrahje do të dështonte. Prandaj sa herë që përswritej shpallja i shtohej gëzimi Muhammedit a.s. dhe ndjenja se Allahu e mbikwqyrë dhe përkujdesët për të, e kjo i jepte kurajw që të vazhdonte në rrugën e thirrjes edhe përkundwr problemeve dhe vështirësive.

Ky përforcim i zemrës bëhej në disa mënyra, prej tyre:

- Përmes tregimeve Kur'anore, në të cilat i tregohej Muhammedit a.s. dhe gjithë atyre që e ndjekin atë, se e vërteta do të ngadhwnjej, se ndihma e Allahut xh.sh. është në anën e të dërguarit të Tij, ashtu siç ishte rasti me Ibrahimin a.s., Musain a.s. dhe të tjerë. Thotë Allahu i Lartëmadhëruar:

{وَلَقَدْ كُذِّبَتْ رُسُلٌ مِّن قَبْلِكَ فَصَبَرُواْ عَلَىٰ مَا كُذِّبُواْ وَأُوذُواْ حَتَّىٰ أَتَاهُمْ نَصْرُنَا وَلاَ مُبَدِّلَ لِكَلِمَاتِ ٱللَّهِ وَلَقدْ جَآءَكَ مِن نَّبَإِ ٱلْمُرْسَلِينَ} , "Janë përgënjeshtruar të dërguar para teje, duruan gënjeshtra, dhe u torturuan përderisa u erdhi ndihma Jonë, prandaj s'ka kush që ndryshon fjalët (premtimet) e Allahut. E ti je i njohur me disa nga ngjarjet e të dërguarve (edhe ti do të ndihmohesh sikurse ata)", (En'am, 34).

- Përmes urdhrit që të bëj durim në rrugën e thirrjes, siç thotë Allahu xh.sh.:

{وَٱصْبِرْ لِحُكْمِ رَبِّكَ فَإِنَّكَ بِأَعْيُنِنَا وَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ حِينَ تَقُومُ} , "Ti bën durim në vendimin e Zotit tënd, se ti je nën mbikëqyrjen Tonë dhe kur të ngrihesh madhëroje me falënderim Zotin tënd!", (Et-Tur, 48).

- Përmes përkujtimit që Allahu xh.sh. i bën Muhammedit a.s. se udhëzimi nuk është në dorën e tij, se ai nuk ka pse të mërzitet nëse e refuzojnë thirrjen e tij, pasi udhëzimi është në dorën e Allahut xh.sh. ashtu siç thotë në Kur'an:

{لَّيْسَ عَلَيْكَ هُدَاهُمْ وَلَـٰكِنَّ ٱللَّهَ يَهْدِي مَن يَشَآءُ} , "Nuk është obligim yti (Muhammed) udhëzimi i tyre (në rrugë të drejtë), All- llahu e shpie në rrugë të drejtë atë që do", (El-Bekare, 272).

1.2. Lehtësim në të kuptuarit dhe të mësuarit përmendsh të Kur'anit

Zbritja graduale e Kur'anit padyshim ishte lehtësim dhe mëshirë nga Allahu xh.sh. si për Muhammedin a.s. ashtu edhe për muslimanët e asaj kohe.

Ishte lehtësim dhe mëshirë për Muhammedin a.s. pasi ai nuk dinte shkrim dhe lexim, ashtu siç na tregon Allahu xh.sh. ku thotë:

{ٱلَّذِينَ يَتَّبِعُونَ ٱلرَّسُولَ ٱلنَّبِيَّ ٱلأُمِّيَّ} , "Ata që ndjekin të dërguarin (Muhammedin), që nuk shkruan as nuk lexon", (Araf, 157).

Ndërsa në anën tjetër ishte i ngarkuar me mësimin përmendsh të Kur'anit:

{سَنُقْرِئُكَ فَلاَ تَنسَىٰ} , "Ne do të lexojmë ty e ti nuk do ta harrosh (Kur'anin)", (A'la, 06).

Prandaj Muhammedi a.s. ishte shumë i kujdesshëm në këtë drejtim, aq shumë sa që në momentin që Xhibrili a.s. i lexonte nga ajetet e Kur'anit, Muhammedi a.s. nxitonte në të mësuarit përmendsh të tyre, nga frika se mos harron diçka, e kjo zgjati derisa Allahu xh.sh. e zbriti këtë ajet:

{لاتحرك به لسانك لتعجل به} , {إن علينا جمعه وقرآنه} , {فإذا قرأناه فاتبع قرآنه} , {ثم إن علينا بيانه} , "Ti (Muhammed) mos shqipto atë (Kur'anin) me gjuhën tënde për ta nxënë atë me të shpejtë,sepse Ne e kemi për detyrë tubimin dhe leximin e tij! E kur ta lexojnë atë ty, ti përcille me të dëgjuar leximin e tij. Dhe pastaj është obligim i yni që ta shkoqisim atë", (Kijame,16-19).

Gjithashtu edhe ummeti në të cilin ishte i dërguar Pejgamberi a.s. ishte prej atyre që nuk dinte shkrim dhe lexim. Allahu i Madhëruar duke na treguar për to thotë:

{هو الذي بعث في الأميين رسولاً منهم يتلو عليهم آياته ويزكيهم ويعلمهم الكتب والحكمة وإن كانوا من قبل لفي ضلال مبين} , "Ai (Allahu) është që në të pashkolluarit dërgoi Pejgamber nga mesi i tyre që t'ju lexojë ajetet e Tij, t'i pastrojë ata, t'ua mësojë librin dhe sheriatin, edhe pse më parë ata ishin në një humbje të dukshme", (Xhum'a, 2).

Prandaj sikur Kur'ani të zbriste përnjëherë, në një tërësi, myslimanet do ta kishin shumë të vështirë mësimin përmendsh të tij, dhe gjithashtu do ta kishin të vështirë edhe të kuptuarit e domethënies së ajeteve dhe meditimin rreth tyre.

Padyshim se zbritja graduale e Kur'anit ishte ndihmë shumë e madhe për muslimanët në rruajtjen e Kur'anit si në gjokset e tyre ashtu edhe në të shkruar, pasi dihet se në atë kohë kishte mungesë të mjeteve për ta shkruar atë.

1.3. Për të rregulluar ngjarjet dhe ndodhitë, duke caktuar dispozita për to

Sa herë që ndodhte diçka e re, zbriste ajet nga Kur'ani përmes të cilit caktohej edhe dispozita e asaj ngjarje dhe ndodhie. Shembuj të tillë në Kur'an kemi shumë, do të përmendim vetëm disa prej tyre:

Ajete që zbritën për të treguar pastërtinë e Ajshes r.anha me rastin e shpifjes që iu bë asaj nga disa mynafikë (Shiko në surën En-Nurë,11-18). Ajete që zbritën me rastin e faljes së xhenazes nga Muhammedi a.s., kryemunafikut, Abdullah ibn Ubej, përmes të cilave ajete u ndalua që Pejgamberi a.s. t'ua falë xhenazën munafikave, (Shiko ajetet: 8, 84 dhe 85 të sures Et-Tevbe). Zbritja e ajeteve për grupin e besimtarëve të cilët pa ndonjë arsye, nuk morën pjesë në luftën e Tebukut, e për të cilët Pejgamberi a.s. si dënim caktoi që të ndërpresin besimtarët lidhjet me to, kjo zgjati derisa zbritën ajetet ku tregohet pranimi i pendimit të tyre, (Shiko: Et-Tevbe, ajetet 117-118).
Zbritja e ajeteve për të treguar dhe demaskuar gjendjen e mynafikëve (dyfytyrëshave) në mënyrë që të kenë kujdes besimtarët nga sherri dhe intrigat e tyre, si dhe për t'i këshilluar munafikët që të pendohen për gabimet e tyre, (Shiko ajetet 8-20 të sures El-Bekare).

Gjithashtu, sa herë që u pyeteshe Muhammedi a.s. për diçka, qoftë nga ana e besimtarëve, me qëllim që ta njohin të vërtetën dhe të punojnë sipas saj, ose edhe pyetjet që vinin nga ana e pabesimtarëve me qëllim të vërtetimit të besimit islam apo provokimeve të ndryshme, zbritnin nga Kur'ani ajete përmes të cilave u përgjigjej atyre.

Këto pyetje kishin të bënin për gjëra që kanë ndodhur në të kaluarën, si p.sh. pyetjet e bëra nga hebrenjtë në lidhje me shpirtin, As'habu'l-Kehfin, dhe Dhulkarnejnin, në këtë mënyrë zbritën ajetet në të cilat kishte përgjigje për këto pyetje. Në lidhje me shpirtin zbriti ajeti:

{وَيَسْأَلُونَكَ عَنِ ٱلرُّوحِ قُلِ ٱلرُّوحُ مِنْ أَمْرِ رَبِّي وَمَآ أُوتِيتُم مِّنَ ٱلْعِلْمِ إِلاَّ قَلِيلاً} , "Të pyesin ty për shpirtin, thuaj: "shpirti është çështëje që i përket vetëm Zoti tim, e juve ju është dhënë fort pak dije"", (Isra, 85).

Për As'habu'l-kehfin zbriti ajeti:

{أَمْ حَسِبْتَ أَنَّ أَصْحَابَ ٱلْكَهْفِ وَٱلرَّقِيمِ كَانُواْ مِنْ آيَاتِنَا عَجَباً} , "A ms mendove ti se ata të vendosurit e shpellës dhe Rekimit ishin nga mrekullitë Tona më të çuditshme?", (El Kehf, 9), deri në fund të ngjarjes.

Ndërsa në pyetje për Dhulkarnejnin zbriti ajeti:

{وَيَسْأَلُونَكَ عَن ذِي ٱلْقَرْنَيْنِ قُلْ سَأَتْلُواْ عَلَيْكُم مِّنْهُ ذِكْراً} , "Të pyesin ty për Dhulkarnejnin, thuaju: 'Do t'ju rrëfej për punën e tij me Kur'an (me shpallje)'" (El Kehf, 83), deri në fund të tregimit.

Kishte edhe pyetje që kishin të bënin për të tashmen (për kohën e Muhammedi a.s.), p.sh.:

{يَسْأَلُونَكَ عَنِ ٱلأَهِلَّةِ} , "Të pyesin ty për hënën e re (dhe fazat e saj)", (Bekare, 189).
{يَسْأَلُونَكَ عَنِ ٱلشَّهْرِ ٱلْحَرَامِ قِتَالٍ فِيهِ} , "Të pyesin për luftën në muajin e shenjtë", (Bekare, 217).
{يَسْأَلُونَكَ عَنِ ٱلْخَمْرِ وَٱلْمَيْسِرِ} , "Të pyesin ty për verën dhe bixhozin", (Bekare,219).

Po ashtu kishte edhe pyetje për gjërat që do të ndodhnin në të ardhmen, p.sh.:

{يَسْأَلُونَكَ عَنِ ٱلسَّاعَةِ أَيَّانَ مُرْسَٰهَا قُلْ إِنَّمَا عِلْمُهَا عِنْدَ رَبِّي لاَ يُجَلِّيهَا لِوَقْتِهَآ إِلاَّ هُوَ} , "Të pyesin ty (Muhammed) për çastin (katastrofën e përgjithshme) se kur do të ndodhë ai. Thuaj: 'Atë e di vetën Zoti im, kohën e tij nuk mund ta zbulojë kush pos Tij (e sjell kijametin pa e hetuar asnjë nga krijesat)'", (El A'raf, 187).

1.4. Shkallëzim, ose gradualizim në ligjvënie, në largimin e besimit të devijuar, si dhe në edukimin e atij populli

Siç dihet, Kur'ani nga dita në ditë sillte gjëra të reja, ndalonte, mohonte shumë gjëra prapanike, idhujtarinë, veset e liga, doket prapanike e shumëçka tjetër, por po ashtu sillte dhe preferonte shumë virtyte njerëzore, të cilat përputheshin me etikën dhe moralin e lartë islam. Përmes ajeteve të Kur'anit muslimanët ngarkoheshin me detyrime, të cilat deri atëherë nuk i kishin përfillur, ose të shumtën e rasteve as që kishin dëgjuar për to.

Të gjitha këto e të tjera, përbënin një ngarkesë të madhe për rrethin dhe shoqërinë e atëhershme, për një shoqëri e cila deri me shfaqjen e Islamit, nuk dinte shumë për rend e rregull. Ndryshimi i menjëhershëm i një shoqërie të tillë, ku sundonte idhujtaria, amoraliteti, sjellja e shëmtuar e shumë dukuri të tjera negative, gati se është e pamundur, prandaj ajetet e Kur'anit bënin ndryshim gradual të tyre, duke filluar nga ndërtimi i bazës së shëndosh nga ku edhe do të fillonte ky ndryshim, e kjo bazë ishte besimi-imani.

Për këtë shkak, shumica e ajeteve mekase ishin të përqendruara në ngulitjen e besimit të pastër islam në zemrat e njerëzve, në njohjen e Krijuesit, përcaktimin e rrugës së Tevhidit si dhe në largimin e idhujtarisë. Vetëm pasi u formua një shoqëri e mbushur me besim filloi edhe zbritja e ajeteve që përmbanin urdhra dhe ndalime, pasi sikur të vinin në mënyrë të menjëhershme këto urdhra dhe ndalime nuk do të ishin pranuar nga shoqëria e asaj kohe. Për këtë Ajshja r.anha thotë:

"Zbriti Kur'ani, e gjëja e parë që zbriti nga ai ishte kaptina të shkurtra, në të cilat përmendeshin Xhenneti dhe Xhehenemi. Vetëm pasi njerëzit u bindën për Islamin, zbriti lejimi e ndalimi se, sikur të zbriste gjëja e parë (në fillim), 'Mos pini verë', do të thoshin: 'Kurrë s'kemi për ta lënë verën', ose sikur të zbriste në fillim: 'Mos bëni Zina (prostitucion)', do të thoshin: 'Kurrë s'kemi për ta lënë'", (Buhariu).

Por edhe këto urdhra nuk erdhën në mënyrë të menjëhershme, por erdhën gradualisht. Siç dihet, muslimanët në fillim të Islamit faleshin vetëm dy herë në ditë: në mëngjes dhe në mbrëmje, ndërsa në formën e sotme, me pesë kohë dhe me reqate të caktuara, u ngarkuan vetëm një vit para Hixhretit. Ata edhe më herët dinin për lloje të lëmoshës dhe agjërimit, por caktimi i tyre si obligim, me formë dhe rregulla të caktuara, u bë vetëm pasi u shpërngulën në Medine.

Gjithashtu edhe disa ndalime u bënë në mënyrë graduale, si shembull për këtë mund ta marrim ndalimin e alkoolit, ndalimi i të cilit kaloi në tre etapa.

Por kjo nuk do me thënë se çdo dispozitë të këtë ardhur në këtë mënyrë. Kur ishte fjala për luftimin e ndonjë vesi shumë të keq, të ligë, siç janë vjedhja, amoraliteti (zinaja), mbytja ose varrosja e vajzave për së gjalli, ato ndaloheshin menjëherë, në mënyrë të prerë.

1.5. Vërtetim se Kur'ani është fjalë dhe mrekulli (Mu'xhize) e Allahut xh.sh.

Padyshim, Kur'ani nuk ka zbritur ashtu siç e kemi ne sot në dorë, me sure dhe ajete të radhitura në këtë mënyrë, por në fillim zbritën pesë ajetet e para të sures El-Alek që është nga fundi i Kur'anit, pastaj zbritnin ajete nga fillimi, nga mesi e kështu me radhë. Pra, Kur'ani është libër që ka zbritur ajet pas ajeti për afër 23 vjet. Gjatë kësaj periudhe të gjatë të zbritjes, sa herë që zbritnin ajete Muhammedi a.s. i urdhëronte shokët e tij: "Vendosni këtë ajet në këtë pjesë të kësaj sureje", e ndoshta ndonjëherë ajeti i fundit i ndonjë sureje zbriste para ajetit të parë të asaj sureje, ose edhe zbritja e tërësishme e asaj sureje zgjaste vite të tëra, por edhe për kundër kësaj nuk ka mundësi që në të të shohim se si ajeti i parë e kundërshton ajetin e fundit ose anasjelltas, por shohim se ato përforcohen dhe vërtetohen në mes veti, e që kjo vërteton se Ai është fjalë e Zotit, andaj dhe është i përkryer e i mrekullueshëm, thotë Allahu Lartëmadhërishëm:

{كتاب أحكمت آياته ثم فصلت من لدن حكيم خبير} , "(ky është) Libër, ajetet e të cilit janë radhitur (në mënyrë të përsosur, njëkohësisht) edhe shkoqitur nga i Dijshmi i të gjitha çështjeve në hollësi", (Hud, 01).

Padyshim, ky Kur'an nuk është fjalë e ndonjë njeriu, poeti, as fjalë e ndonjë magjistari, po as edhe fjalë e ndonjë letrari të aftë nga goja e të cilin rrjedhin urtësi të shumta, pasi edhe njeriu më i mençur, nëse shkruan diçka sot, në të ardhmen i sheh lëshimet dhe mangësitë e asaj që ka shkruar, por në Kur'an nuk mund të shohësh mangësi dhe lëshime:

{ولو كان من عند غير الله لوجدوا فيه اختلافاً كثيراً} , "Sikur të ishte Kur'ani prej dikujt tjetër, përveç Allahut, do të gjenin në te shumë kundërthënie", (Nisa, 82).

Arabët e kohës së Muhammedit a.s., si besimtarët ashtu edhe pabesimtarët, Kur'anin e pranuan të magjepsur. Njëra palë magjepsej, i nënshtrohej dhe i besonte Kur'anit, kurse ana tjetër magjepsej nga arti kur'anor dhe ikte nga pamundësia e ballafaqimit me të vërtetën.

Gjithashtu, në zbritjen graduale të Kur'anit vërtetohet edhe një mrekulli tjetër e tij, e ajo është: pamundësia për të sjellë diçka të ngjashëm si Kur'ani.

Në çdo zbritje të ajeteve, kishte sfidë dhe mrekulli. Kishte sfidë pasi thirreshin pabesimtarët që të sjellin diçka të ngjashëm me të, dhe mrekulli, pasi ishin të pamundshëm për të bërë diçka të tillë.


Përfundim

Pra, nga sa u tha deri tash, mund të përfundojmë sa vijon: Kur'ani i zbriti Muhammedit a.s. në mënyrë graduale në një afat kohor afër 23 vjetësh në mënyrë që ta pasurojë jetën shpirtërore, fizike, morale e materiale të muslimanëve, pa e ngarkuar njeriun me ato që nuk i përballojnë aftësitë e tij fizike e psikike, por gjithmonë duke i dhënë përparësi lehtësimit, ashtu siç na drejtohet Allahu i Madhëruar duke thënë:

{يُرِيدُ ٱللَّهُ بِكُمُ ٱلْيُسْرَ وَلاَ يُرِيدُ بِكُمُ ٱلْعُسْرَ} , "Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju", (Bekare, 185).

Përveç kësaj, zbritja graduale e Kur'anit është argument i qartë se ai është Fjalë e Allahut xh.sh. dhe mrekullia më e madhe që i është dhënë Muhammedit a.s. Mrekullia e shpalljes së Kur'anit qëndron në mënyrën dhe rrugëtimin e shpalljes së tij. Kur'ani, ashtu i tëri ishte ruajtur në "Pllakën e ruajtur mirë - Levhi Mahfudh", pastaj me vullnetin e Zotit, Kurani ishte përcjellë në qiellin më të afërt të tokës, dhe krejtësisht në fund, përmes melekut, Xhibrilit, në mënyrë graduale filloi t'i shpallëj Muhammedit a.s..

Kjo ishte zbritje e jashtëzakonshme dhe mrekulli e shpalljes se Kur'anit, e cila i kalon kufijtë e një pune të rëndomtë, e që kjo nuk ishte zgjedhje e Muhammedit a.s., as përcaktim i dikujt tjetër, por ishte caktim i Allahut xh.sh., andaj edhe kishte karakter Hyjnor.



Autor: Mafiz RUSTEMI



Literatura e shfrytëzuar:

1. Qazim Qazimi, Njohuri mbi Kur'anin, Prishtinë, 2006.
2. Imam Sujutiu, El-Itkan fi ulumil Kur'an, Daru Turath, Kajro, 1405 h..
3. Mennau El-Katan, Mebahith fi ulumil Kur'an, Mektebetu Vehbeh, Kajro, 1995.
4. Musa Ibrahim El-Ibrahim, Buhuth menhexhije fi ulumil Kur'an, Daru Ummar, Oman, 1996.
5. Abdul Kadir Mensur, Meusuatu Ulumil Kur'an, Daru Kalem el-Arabij, Siri, 2002.
6. Muhamed Muhamed Ebu Shehbeh, Mud'hilu li dirasetil Kur'anil Kerim, Daru Levai, Rijad, 1987.
7. Abdullah Ibn Jusuf El-Xhudeji, El-Mukadematu el-esasije fi ulimul Kur'an, Muesesetu Er-Rejan, Bejrut, 2001.
8. Shehabudijn AbduRahman Ibn Ismail El-Makdisij, Murshidul Vexhijz, Mektebetu Imam Dhehebij, Kuvajt, 1993.
9. Muhamed Salim, Tarihul Kur'an, Darul Usfehani, Medine, 1402 h..
10. Musa Shahin Lashin, El-Laliu el-hisan fi ulumil Kur'an, Daru Shuruk, Kajro, 2002.
11. Ibn Xheuzij, Fununul Efnan, Darul Beshairil Islamije, Bejrut, 1987.
12. Mustafa El-Bega, Muhjidijn Mustu, El-Vadihu fi ulimil Kur'an, Dar Ulumul insanije, Damask, 1998.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...