Lindja e Muhammedit a.s., dhunti e madhe [1]
Te besosh se Muhammedi a.s. është pejgamber, nuk është vetëm detyrë islame, por edhe mbarënjerëzore. Ai është i nderuar nga Krijuesi i Gjithësisë, Allahu xh.sh. kështu që nderimi i tij nga njerëzimi është solidarizim me dëshirën e Krijuesit.
Të besosh Muhammedin a.s. për të Dërguar të Zotit është kënaqësi e shpirtit, ta respektosh është shenjë e kulturës dhe civilizimit të dëshiruar nga të devotshmit, të shkruash për Muhammedin a.s. është përgjegjësi fetare dhe morale, prandaj me vetëdije dhe përgjegjësi, me bindje të pastër islame desha të shkruaj për ngjarjen jashtëzakonisht të madhe, për lindjen e Muhammedit a.s. bamirësit të njerëzimit.
Muhammedi a.s. lindi në Meke, më 12 Rebiul evel, përkatësisht më 20 prill të vitit 571. Rrjedh nga familja Hashimite, nga fisi Kurejsh, i dëgjuar dhe i njohur në mbarë Gadishullin Arabik.
Muhammedi a.s. u rrit jetim, nuk e përjetoi dashurinë dhe përkëdheljen atërore as përkujdesjen dhe përkushtimin e nënës.
Jeta e tij është plot vuajtje sepse u rrit me mjaft mundime e vështirësi për t'u bërë një djalosh i kujdesshëm.
Zemra e tij ishte e mbushur me dashuri për krijesat e Perëndisë. Ishte i butë dhe aq modest sa që njerëzit ktheheshin nga ai dhe ia bënin me gisht njeri-tjetrit: "Ja ku po shkon El-Emini, i drejti, i besuari - besniku".
Muhammedi a.s. ishte besnik, ishte bashkëshort i devotshëm, mendimtar i madh dhe i thellë në misteret e jetës e vdekjes duke i krahasuar ato me fundin e ekzistencës njerëzore.
Ai i përvishet detyrës së reformimit të një kombi, dhe jo vetëm të një kombi, por të krejt njerëzimit.
Në të vlonte dashuria për të qetësuar njerëzimin dhe për ta nxjerrë atë nga injoranca dhe errësira.
Muhammedi a.s. gjatë tërë jetës është penguar nga qëllimkëqijtë, por kurrë nuk është rrëzuar, është keqtrajtuar por kurrë nuk është dëshpëruar.
Karakteri i tij i fortë dhe besimi i sinqertë i sigurojnë shumë besimtarë dhe ndjekës nga të katër anët e botës, ndërsa edhe sot ndihet nevoja e madhe për të vënë në praktikë në jetën tonë të përditshme mësimet e Muhammedit a.s..
Është e qartë se Muhammedi a.s. është model dhe shembull i atyre që e ndjekin. Ketë e siguron edhe fakti se një ndër qëllimet më kryesore të dërgimit të pejgamberëve është që ata të jenë model dhe shembull i popullit të vet.
Lidhur me ketë, Allahu i Lartëmadhëruar për Muhammedin a.s. thotë: "Vërtet ju në të Dërguarin e Allahut keni shembullin më të përkryer ...", (El-Ahzab, 21).
Secili musliman e ka për detyrë që të marrë Pejgamberin a.s. shembull në jetën e tij, ngase vepra më e madhe e Muhammedit a.s. ishte interpretimi, në mënyrën më të bukur, i fesë së madhërishme, Islami, i shpallur nga Allahu i vetëm, fe e cila gjithmonë dhe sa të jetë jeta ka për të qenë e vetmja udhërrëfyese e lumturisë dhe e rrugës së drejtë.
Përmes Muhammedit a.s. Allahu i Lartëmadhëruar na solli neve dhe tërë botës fenë e kuptueshme dhe të qartë të mbështetur në dy themele të forta: shpalljen dhe arsyen. Fenë drita e së cilës përhapet gjithnjë nëpër të gjitha kontinentet e Tokës sonë dhe i ndriçon shtigjet e rrugës së vërtet për ata që kanë sy dhe që mendojnë, që e ndjekin arsyen dhe mendjen, që e përbuzin marrëzinë, që nuk durojnë padrejtësinë, që ikin nga imitimi i verbër dhe në fund janë njerëz të vërtet ashtu siç i ka krijuar Allahu xh.sh. dhe siç Ai kërkon që të jenë.
Pra, të gjithë muslimanët dhe njerëzimi le të jenë kryelartë për këtë ditë kaq të gëzueshme. Për këtë simbol të së drejtës dhe paqes.
Autor: Nermin EMINI
_________________________
[1] - Përjetime të autorit në përvjetorin e ditëlindjes së Muhammedit a.s..