Enveristët dhe titistët kundër mbulesës
Reagimet me gjuhë urrejtëse ndaj mbulesës dëshmojnë për një mendësi totalitare e përjashtuese, që fatkeqësisht trashëgohet nga shkolla marksiste enveriste e titiste.
Femra muslimane e vetëdijshme, e praktikon mbulesën islame me vullnetin dhe përzgjedhjen e saj. Me dhjetëra mijëra femra të shkolluara jomuslimane, që pranojnë fenë islame çdo vit anekënd botës, praktikojnë edhe mbulesën.
Mbulimi i femrave muslimane doktoresha, politikane, akademike, poete, shkrimtare, juriste, ekonomiste, mjeke e deri te femrat e thjeshta janë argument dhe dëshmi e pamohueshme për secilin njeri që rezonon drejt dhe arsyeshëm se mbulesa e trupit dhe kokës është nder dhe krenari ose, fundja, zgjedhje e tyre në kryerjen e obligimit fetar.
Në ditët tona shohim mjaft dukuri negative dhe vese, që sjellin akulturim dhe regres, çka lë për të dëshiruar për të ardhmen e rinisë sonë. Për çdo individ të përgjegjshëm, parësore duhet të jetë familja e ndershme, shoqëria dhe rinia.
Shqetësimi nuk duhet të fokusohet tek ato vajza që mbulohen, përkundrazi, shqetësim janë reklamimi i femrës si mall konsumi, të miturat që trafikohen nga rrjete të organizuara kriminale, skllavërimi modern i femrës, prostitucioni, droga, alkooli, shkatërrimi i familjeve, që çdo ditë e më shumë po pllakosin shoqërinë tonë. Le të shqetësohemi për zvetënimin e shoqërisë, mashtrimin, gënjeshtrën, hipokrizinë, krimin, dobësimin dhe shkëputjen e lidhjeve familjare.
Ishte pikërisht edukata islame, ajo që ruajti dhe mbrojti popullin tonë, i cili u shqua nga të tjerët për fjalën e mbajtur dhe për ruajtjen e nderit. Tashmë kjo duhet vitalizuar nga të gjithë ne, nëse duam ta ruajmë rininë tonë. Gjendja në të cilën është katandisur rinia, ku çdo ditë kemi kronika të zeza në vend dhe jashtë, dëshmon plagën sociale. E përse mos ta edukojmë atë me edukatë fetare për ta shëruar nga kjo ligështi ku ka rënë?
Autor: Dr. Ajni SINANI