Dita që ndërroi historinë e botës



Ditëlindja e Profetit a.s.

Bota ishte zhytur në një errësirë të thellë, në një injorancë të pa parë ndonjë herë. Njerëzit ishin egërsuar në vend që të jetonin si njerëz kishin filluar të jetonin si kafshët, hanin njëri-tjetrin për arsye pasurie apo mendjemadhësie. Nderi kishte humbur fare, gruan e përdornin si një pasuri që tregtohet apo lëshohet në baste e bixhoze të ndryshme. Në këtë kohë që bota ishte në një greminë të tmerrshme priste një shpëtues, një ndriçues. Shpirtat e njerëzve e ndjenin se së shpejti do vijë një shpëtues. Prisnin që të vinte e të griste perdet e injorancës e të shtazërisë që i kishte kapluar. Në këtë periudhë të zbehtë All-llahu xh.sh. zbriti diellin ndriçues mbi botë. Ky diell ishte Pejgamberi i fundit vula e të gjithë Pejgamberëve. Ky Pejgamber ndërroi rrjedhën e historisë së botës.

"Natën që ka lindur ky yll ka lindur Profeti i fundit Ahmedi", (Ibn-i Sa'd, Tabakat).

Një çifut atë natë ishte duke folur me parinë e Mekes midis tyre ishin dhe Hisham ve Velid bin Mugire, Utbe bin Rabia të cilët ishin nga paria e Kurejshëve. Çifuti i pyeti a ka lindur ndonjë fëmijë sonte në fisin tuaj? Ata i thanë nuk e dimë. Çifuti u tha betohem në Zot që më neverit ky lloj neglizhimi ndaj këtij lajmi kaq të rëndësishëm. Dëgjoni mirë o Kurejsh! Sonte ka lindur Pejgamberi i fundit i kësaj bote. Nëse e kam gabim qofsha prej atyre që mohojnë shenjtërinë e Kudsit. Po me të vërtetë sonte ka lindur në mes të shpatullave të tij ka një shenjë të zezë, ajo është vula e tij pejgamberike. Kurejshët u shtangën nga ky fjalim dhe u shpërndanë të gjithë nëpër shtëpitë e tyre për të parë se ka lindur ndonjë fëmijë apo jo. Kur u thanë familjarëve për këtë gjë u dhanë lajmin se ka lindur e shoqja e Abdull-llahit të birit të Abdulmuttalibit një djalë dhe ja kanë vendosur emrin Muhammed.

Të nesërmen i treguan çifutit për fëmijën. I thanë a dëgjove për fëmijën që ka lindur? Ai i pyeti ai fëmijë ka lindur para se tu them unë juve apo pasi kemi folur bashkë? Ata i thanë ka lindur para bisedës sonë dhe e ka emrin Ahmed. Çifut u tha më çoni ke ai me një herë. Shkuan bashkë me çifutin tek shtëpia e Hz. Amines. Kur çifuti i pa vulën ne mes të shpatullave fëmijës i ra të fikët dhe u tmerrua shumë. Kur erdhi në vete i thanë çfarë të ndodhi ty kështu? Çifuti tha tashmë profetësia iku nga Bijtë e Izraelit. Bashkë me të iku dhe libri. Gjithashtu dhe dijetarëve çifut u iku vlera. Populli arab do të gjejë shpëtim me ardhjen e këtij Pejgamberi.

"O Kurejsh tashmë a jeni të qetë? Juve do tu jepet një forcë dhe një vlerë nga lindja deri në perendim", (İbn-i Sa'd, Tabakat). Nëna e pejgamberit a.s Hz. Amineja tregon ëndrrën që ka parë kur ka qenë shtatëzëne me Profetin. "Ti je shtatëzëne me njeriun më të mirë, me zotërinë e këtij populli. Kur ta sillesh në botë atë lutju All-llahut xh.sh që ta mbrojë nga të këqiat dhe vendosja emrin Ahmed ose Muhammed". Përsëri në një rast tjetër i ka treguar Abdulmuttalibit se ka parë një dritë aq të madhe sa ka parë çdo gjë që nga lindja e deri në perëndim, (Taberi).

Në të njëjtën natë nëna e Othman Ibn As tregon se ka parë një dritë të madhe që zbriste drejtë shtëpisë ku po lindte Amineja. "Profeti a.s. lindi me 12 Rebiul evvel ditën e hënë dhe sipas kalendarit diellor i bie me 20 prill". Në atë kohë sipas zakonit të popullit arab fëmijës ia mbulonin fytyrën me një copë të fortë natën që lindte dhe deri në të nesërmen nuk e hapnin mirë po tek profeti kjo gjë e fortë nuk rezistoi dot ajo u ça më dysh sa ja vendosën mbi fytyrë. Kur e hapën fytyrën e tij pane se po shikonte nga qielli dhe kishte futur gishtin në gojë, (İbn-i Sa'd, Tabakat, 1:102).

Po në të vërtetë ky është profeti që All-llahu xh.sh e dërgoi për të thyer kufrin e për të sjellë të vërtetën. Me ardhjen e profetit janë parë disa shënja të tjerë përveç këtyre si psh: Janë thyer ishujt që ishin në brendësi të Qabes, janë shembur shtyllat që ishin ne kështjellën Kisra të mbretërisë së Iranit, është tharë liqeni i quajtur Sava të cilin e kishin shenjtëruar njerëzit, është shuar zjarri që ekzistonte prej 1000 vitesh i cili për zjarr adhuruesit ishte i shenjtë etj. ...

Çfarë do të thotë "mevlid" dhe a ështe bidat të festohet siç thonë disa?

"All-llahu u ka dhënë besimtarëve një dhuratë të madhe kur u solli një të dërguar nga mesi i tyre i cili ua lexon shpalljet e Tij i pastron nga gjynahet dhe u mëson librin (Kur'anin) e urtësinë edhe pse më parë ata ishin në rrugë të gabuar, (Ali Imran/164).

"Dhe Ne nuk të dërguam ty (o Muhammed) veçse si mëshirë për të gjithë botët"
, (Enbija/106).

Abdull-llah ibn Mesud thotë: "Atë që muslimanët e shohin se është vepër e mirë, që duhet të bëhet dhe All-llahu xh.sh e konsideron si të mirë. Atë që muslimanët e shohin si të keqe, që duhet të mos veprohet dhe All-llahu xh.sh. e konsideron si të keqe", (Ahmed).

Në kohën kur lindi Pejgamberi a.s shërbëtorja e xhaxhait të tij Ebu Lehebit Thuvejbeja i tregoi se kishte lindur e shoqja e vëllait të tij. Për këtë lajm ai u gëzua shumë dhe e liroi këtë shërbëtore. Për këtë arsye All-llahu xh.sh. çdo vit në këtë natë ia lehtëson dënimin Ebu Lehebit. Nga kjo kuptohet se kushdo që e nderon dhe gëzohet në këtë natë All-llahu xh.sh. ia shpërblen me mirësi të pa kufijta. Hafiz Muhammed ibni Xhezeri esh-Shafi thotë: "Dikush ka parë Ebu Lehebin në ëndërr dhe e ka pyetur. O Ebu Leheb si po jeton në varr? Ai i është përgjigjur: Po vuaj shumë por çdo vit në 12 Rebiul Evvel më lehtësohet dënimi për arsye se kam liruar shërbëtoren time nga gëzimi i lajmit që më dha për lindjen e Muhammedit".

Kur All-llahu xh.sh. i lehtëson dënimin Ebu Lehebit i cili ishte një mohues shumë i acaruar, atëherë një besimtari që është nga ummeti i këtij Pejgamberi nëse gëzohet në këtë natë dhe kujton All-llahun xh.sh. duke bërë një mbledhim pa tjetër që do shpërblehet me xhennet. Pejgamberin a.s. besimtari duhet ta përmendi gjithmonë por ka raste që përmendja e tij bëhet më e vlefshme dhe më e pranueshme. Njëra nga këto raste është nata e mevlidit. Nata e mevlidit është nata më e mirë pas natës së kadrit. Ka dhe mendime se kjo natë është më e mirë se nata e kadrit. Ja disa nga mendimet: Në librat El-Mugni, El-Mijar dhe në Tenvirul Kulub thuhet se nata e lindjes së Profetit është me e mirë se nata e kadrit. Kjo tregohet sipas librit Ed-durerul Mesun.

Pejgamberin a.s e kanë lavdëruar dhe e lavdërojnë shumë me shkrime e me këndime të ndryshme. "Një gjë që e do shumë pa tjetër që e përmend shumë", (Dejlemi). Atëherë në këtë natë nuk bëhet gjë tjetër vetëmse përmendet ai që duam pra profeti a.s.. Pejgamberi a.s në nje hadith tjetër thotë: "Askush nuk do të jetë besimtarë të plotë derisa të më duan më tepër se nëna, babai, fëmijët dhe çdo gjë tjetër", (Buhari).

Në nje hadith tjetër thotë: "Të kujtuarit dhe të përmendurit e Pejgamberëve është adhurim", (Dejlemi). Kjo përmendje është e pëlqyeshme që të bëhet dhe në mënyrë poezie. Siç e dimë nga historia në kohën e Profetit poetët musliman lavdëronin pejgamberin a.s. dhe ulnin të pa fetë. Pejgamberi a.s nga këto poet pëlqente shumë poezitë e Hasan bin Thabitit. Pejgamberi a.s e dëgjonte Hasan bin Thabitin dhe nje herë tha: "Fjalët e Hasanit janë më të rënda se plaga e shigjetës për qafirat". Në lidhje me këtë hadith në një transmetim të Buhariut thotë: "All-llahu xh.sh. e ka forcuar Hassan bin Thabitin me Xhebrailin a.s. për të mbrojtur, lavdëruar Pejgamberin a.s. dhe për të poshtëruar jo besimtarët", (Buhari). Pejgamberi a.s. pasi pëlqeu poezinë e poetit i tha "mos të rënshin dhëmbët", (një lloj lutje) (Hakim).

Në lidhje me poezinë ja disa hadithe: "Poezia është një gjë që të bukurën e bën me të bukur dhe të keqen e bën më të keqe", (Buhari)."Siç ka fjalë magjepse ashtu ka dhe poezi magjepse", (Ebu Davud). "Disa poezi sigurisht që janë urtësi të hapura", (Buhari).

Siç e shohim dhe nga hadithet të lavdërosh Pejgamberin a.s nuk është risi por mirësi. Sot disa e quajnë këtë gjë si nje krim të madh i bërë ndaj fesë Islame por kjo është e kundërta. Ata njerëz të cilët nuk e thonë hapur se lavdërimi i Profetit ose ndërmjetësimi i tij është bidat thonë se festimi i mevludit është i tillë. Për këtë lavdërim vetëm ata të cilët u shtërngohet zemra kur përmendet All-llahu xh.sh. apo Prafeti a.s. thonë se është bidat (risi).

All-llahu xh.sh në Kur'an thotë: "Ne të dërguam ty si paralajmërues dhe përgëzues për të gjithë njerëzit", (Sebe 28). "All-llahu xh.sh dhe melekët bien salavat (lavdërojnë) pejgamberin a.s lavdërojeni dhe ju atë", (Ahzab 56). Mevludi festohet gratë dhe burrat në vete pa ndonjë muzikë dhe larg çdo gjëje që të kujton haramin. Në këtë natë është e pelqyeshme që të bihet salavat sa më tepër dhe të lavdërohet pejgamberi a.s. e të adhurohet All-llahu xh.sh., (Ni'met-ul kubra, Hadika, M. Nasihat).

Për mirësine e kremtimit të kësaj feste dijetarë të ndryshëm të Islamit kanë shkruar libra të tërë. Dhjetë prej këtyre librave janë të përmendur në librin Keshfudh-dhunun. Libri i quajtur En-Nimetul Kubra i dijetarit Ibni Haxher el-Hejtemi dhe libri i quajtur Err-rred-du ala men enkera kiraetel mevlidin-nebij të dijetarit Es-Sujuti janë shumë të njohur. Dijetarët Islam thonë: "Në këtë natë është e pëlqyeshme të këndohen salavate, të madhërohet All-llahu, tu serviret diçka të ftuarve dhe të dhënit e lëmoshës. Nëse bëhen këto gjëra për hir të All-llahut xh.sh. është shumë sevap i madh", (Ibni Battall Maliki).

"Mbledhimi në natën e mevludit, të përmendurit e All-llahut xh.sh të ushqyerit e të varfërve është gjithmonë sevap por nëse këtyre u shtohet ndonjë gjë prej haramit atëherë është gjynah i madh", (Al-lame Dhahirud-din bin Xhafer).

"Të festosh ditëlindjen e Profetit a.s. pa e përzier me haram është e pëlqyeshme", (Sherh S.ibni Maxhe).

"Hafizi që këndon kur'an ose mevlid pa pagesë lejohet që të praojë dhuratën e dhënë nga familja por duhet të ketë kujdes në mënyrë që këtë gjë mos ta bëjë të zakontë sepse dhuratat e dhuruara në çdo rast fillojnë e bëhen sikur pagesa prandaj është e frikshme se kjo dhuratë bëhet haram", (Durr-rrul Muhtar).

"Këndimi i Kur'anit me pagesë nuk i mbërrinë sevapi", (Hidaje).

Këto janë shenjat që All-llahu xh.sh. ka shfaqur në këtë datë. Atëherë si mund të thonë se përkujtimi i kësaj datë ose dite kaq të madhe është risi (bidat) apo ndonjë gjë tjetër.


Autor: Ardit HOXHLLAKU

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...