Haxhi kërkim i identitetit shpirtëror



"Qabeja është një gur kristali në udhëkryqin e katër horizonteve, ajo është një kub i thjeshtë, anët e së cilës shikojnë nga katër anët kryesore, ajo është poli i fìksuar dhe zemra e të gjitha lëvizjeve të besimit islam. Haxhinjtë muslimanë mësyjnë drejt saj nga të gjitha anët e botës dhe nga ajo rrezatojnë në rrathë koncentrikë. Ajo është kibla e të gjitha xhamive. Thekët e të gjithë qilimave ku bëhen lutjet dhe shikimet e të gjithë besimtarëve gjatë namazit janë të magnetizuar nga ky pol i jetës spirituale", (Roxhe Garodi). Të gjithë muslimanët në zemrat e tyre kultivojnë dashurinë ndaj Mekës dhe ëndërrojnë të vijnë në gjirin e saj mikpritës, Nënës së qyteteve. Ata nga të gjitha skajet e botës ia mësyjnë asaj sepse shkuarja atje është qëllimi, destinimi dhe fundi i të gjitha udhëtimeve. Meka është zemra e universit islam, ngase në qendrën e saj është Qabeja, faltorja e parë e ndërtuar në Tokë në të cilën madhërohet e adhurohet Allahu, Zoti i vetëm dhe i vërtetë: "Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Meke), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin", (3:96).

Qabeja me brendinë e saj të zbrazët nga çfarëdo lloj idhujtarie, pa figura, statuja, afreske apo pikturë murale ofron një atmosferë dhe ambient shpirtëror që i mundëson besimtarit të zbrazë zemrën e tij nga çdo gjë tjetër dhe të kujtojë e adhurojë vetëm Zotin, të Padukshmin. Aty nuk dëgjohet asgjë tjetër pos lutjeve të besimtarëve që gumëzhijnë si bletët.

Duke shkuar në Qabe ne kthehemi drejt Zotit. Dëshmimin dhe pranimin që i kanë bërë shpirtrat tanë Allahut për Zot me 'kalu bela', ne e shprehim dhe manifestojmë me forma të ndryshme. Prandaj ardhja në Qabe do të thotë lirim nga prangat që e ngushtojnë shpirtin tonë dhe me këtë i mundësojmë atij që pa pengesë të përkujtojë premtimin-mithakun e dhënë.

Qabeja ka formën e kubit dhe prandaj ajo quhet me emrin Ka'ba, që në gjuhën arabe do të thotë kub. Ajo ka dimensione, të cilat sipas të të kuptuarit Pitagorian të harmonisë, janë reciprokisht në lidhje harmonike.

Qabeja ka domethënie me rëndësi kozmike e madje edhe metakozmike. Ajo mban harmoninë kozmike. Katër qoshet e saj tregojnë për katër drejtimet kryesore të cilat paraqesin katër shtyllat e kozmosit tradicional. Prandaj të jesh aty do të thotë të jesh në qendër.

Qabeja tokësore dhe qiellore

Qabeja është qendra e aspiratave dhe dëshirave tona. Të gjitha mihrabet e xhamive të botës janë të drejtuara në drejtim të saj dhe janë të lidhura me një linjë të padukshme me të. Qabeja në tokë gjendet nën Qabenë (Bejtul Ma'mur) që gjendet në qiell, pra ajo qëndron në boshtin i cili bashkon Qiellin dhe Tokën.

Sipas një transmetimi Allahu i Madhërishëm ka ndërtuar Bejtul Ma'mur nën Arsh dhe i ka urdhëruar melaikët që të bëjnë tavaf rreth saj. Pastaj Allahu i ka urdhëruar melaiket që gjendeshin në tokë të ndërtonin një faltore të ngjashme me faltoren e qiellit dhe të bënin tavaf rreth saj sikurse bënin tavaf banorët e qiellit rreth Bejtul Ma'murit.

Melekët kanë ndërtuar Qabenë me mijëra vjet para së të krijohet Ademi a.s. Kur Ademi, pas një kohe që ka kaluar në xhennet, është zbritur në Tokë, melekët i kanë thënë: 'Bëj tavaf rreth kësaj faltore sepse ne jemi duke bërë tavaf në të që 2000 vjet. Ademi i ka dëgjuar melaikët dhe ka filluar të bëj tavaf. Këtë e kanë bërë edhe pasardhësit e tij deri në kohën e Nuhut".

Në kohën e Nuhut a.s., kur është përmbytur Toka, Qabeja është ngritur në qiell. Ajo është ruajtur nga përmbytja. Më pas është rindërtuar nga Ibrahimi - babai i besimit, ndërsa me ardhjen e Muhammedit a.s. është pastruar përfundimisht nga të gjithë idhujt.

Në një rast Pejgamberi i pyeti as'habët: "A e dini ç'është El-Bejtul Ma'mur (faltorja qiellore e banuar dendësisht)"? As'habët u përgjigjen: "Këtë e dinë më mirë All-llahu dhe Pejgamberi i Tij". Pejgamberi a.s. u tha: "Ajo është shtëpia në qiellin e shtatë (nën Arsh), e cila gjendet saktësisht përmbi Qabe. Çdo ditë në të hyjnë 70 mijë melaqe dhe nuk kthehen më".



Autor: Dr. Ajni SINANI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...