Medhhebi është rezultat i njohurive dhe interpretimeve të qindra dijetarëve
Ne, kur flasim për medhhebet, flasim për dije dhe shkencë të sistematizuar, për interpretim të tërësishëm dhe të qëndrueshëm të së drejtës nga fakihë/juristë të mëdhenj që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në jurisprudencën islame, interpretime që kanë mundur të përballojnë verifikimin praktik.
Shërbimi i tyre ka qenë i mahnitshëm, saqë asnjë shkencë nuk e ka pasur një shërbim të tillë. Medhhebi nuk nënkupton fetva dhe mendime të një personi, të cilit mund të mos i ketë arritur ndonjë hadith. Flasim për një shkencë që është strukturuar dhe formuar nga qindra dijetarë sahabijë, tabinë dhe tabitabinë.
Baza e medhhebit hanefi kthehet te sahabiu i ndershëm Abdullah ibën Mesudi r.a. dhe sahabijë të tjerë. Nëse Ibën Mesudit r.a. i ka ikur diçka nga hadithi i Pejgamberit a.s., atëherë, ai njohuritë dhe interpretimin e tij e ka plotësuar me njohuri dhe interpretime të hazreti Omerit r.a.. Njohja e hadithit dhe interpretimi i nususeve/teksteve sheriatike nga këta dy sahabijë është plotësuar nga Aliu r.a., i cili ka vepruar dhe kontribuar me dijen e tij në Kufe.
Mosnjohja e ndonjë hadithi nga këta tre sahabijë është plotësuar nga njohja e 70 sahabijëve që kanë marrë pjesë në luftën e Bedrit, si edhe nga 1500 sahabijë të tjerë që e kishin marr Kufen si vendqëndrim të tyre.
Kontributi dhe interpretimi, apo edhe mosnjohja e mundshme e ndonjë hadithi nga gjithë këta sahabijë, është plotësuar nga tabinët në Kufe, të cilët kishin udhëtuar në vende të ndryshme dhe kishin grumbulluar hadithet nga shokët e tjerë të Pejgamberit a.s.. Prandaj, nëse nuk është ditur një hadith nga disa tabinë është ditur nga të tjerët. E njëjta gjendje është me tabitabinët (gjeneratës së tretë). Mosnjohja e hadithit dhe sunetit nga sahabët, tabinët dhe tabitabinët dhe mundësia e gabuar e interpretimit juridik nga ana e tyre është e pamundur.
Në formimin dhe zhvillimin e metodologjisë së medhhebit janë qindra dijetarë që kanë kontribuar në vendosjen e bazave dhe interpretimit të fikhut të një medhhebi. Medhhebi është rezultat i njohurive dhe interpretimeve dhe kurorëzim i gjithë këtyre kontributeve.
Prania myslimane e sotme në Ballkan është rezultat i kalimit masiv të popullatës lokale në Islam gjatë sundimit osman (futuhat) gjatë shekujve XIV, XV dhe shekujve vijues. Duke pranuar Islamin, myslimanët e Ballkanit kanë pranuar gjithashtu dhe medhhebin hanefi në fikh dhe shkollën maturidite në akaid, të cilat ishin medhhebe zyrtare në shtetin Osman.
Autor: Ajni SINANI