E drejta për shkollim dhe Shamia (Kapitulli i parë)
Kapitulli i parë
Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut
Aspirata për të mbrojtur dinjitetin njerëzor të të gjitha qenieve njerëzore, paraqet thelbin e konceptit për të drejtat e njeriut. Kjo përpjekje e vë qenien njerëzore në qendër të interesit, është e bazuar në sistemin e përbashkët universal të vlerave të përkushtuara të së drejtës për jetë, si një e drejtë e paprekshme, dhe ofron një kornizë për ndërtimin e sistemit të të drejtave të njeriut, të mbrojtur nga normat dhe standardet e pranuara ndërkombëtarisht. Gjatë shekullit XX, të drejtat e njeriut janë zhvilluar si formulime morale, politike dhe ligjore dhe udhërrëfyese për zhvillimin e një bote të lirë nga frika dhe skamja. [1]
Të japësh një përkufizim për të drejtat e njeriut, nuk është gjë e lehtë. Duke qenë të lidhura ngushtë me interesat, të drejtat e njeriut janë bërë objekt i trajtimit nga përkufizime të ndryshme.
Një pikëpamje është ajo që i vlerëson ato si "standardet bazë të domosdoshme pa të cilat njeriu nuk mund të jetojë", një tjetër i sheh si "parime morale që u përkasin të gjithëve, për arsyen e thjeshtë se janë qenie njerëzore", të tjerët i përkufizojnë si "parime morale të drejtësisë dhe të barazisë të pranuara gjerësisht nga shoqëria", etj..
Përkufizimi që sot pranohet gjithnjë e më shumë, është ai që e botojnë Kombet e Bashkuara me titull "Të drejtat e njeriut - pyetje dhe përgjigje", të vitit 1987. Sipas këtij përkufizimi, të drejtat e njeriut, në përgjithësi, mund të përcaktohen si të drejta që janë të qenësishme në natyrën tonë dhe pa të cilat ne nuk mund të jetojmë si qenie njerëzore.
Lufta për të drejtat e njeriut fillon me përpjekjet për t'i njohur të drejtat e tij themelore (më elementare): e drejta për jetën dhe lirinë, të cilat kanë qenë të rëndësishme sidomos në periudhën e sistemit skllavopronar dhe feudal. Revolucionet borgjeze, këtyre të drejtave elementare ua shtuan edhe disa të drejta të tjera, të cilat u takojnë të ashtuquajturave "të drejta natyrore", siç janë e drejta e barazisë, e drejta e sigurisë dhe e drejta për t'i bërë rezistencë shtypësit. [2]
Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut n'a japin mundësinë të zhvillojmë dhe të përdorim tërësisht cilësitë tona njerëzore, inteligjencën tonë, talentet dhe vetëdijen tonë, si dhe të kënaqim kërkesat tona shpirtërore dhe nevojat e tjera.
Ato janë themelore për kërkesat gjithnjë në rritje të njerëzimit për një jetë që të respektojë dhe të mbrojë dinjitetin dhe veprat e çdo qeneje njerëzore.
Sipas teorisë të së drejtës natyrore, njeriu u lind i lirë, me të drejta të caktura natyrore. Ato të drejta nuk i'a ka dhuruar askush, por i takojnë ngase është qenie njerëzore. Ato konsistojnë në ushtrimin e lirë të aktivitetit fizik, intelektual e moral. Kur të hyjë në bashkësinë politike, njeriu i mbanë ato të drejta, ngase ato janë të lidhura ngushtë me të dhe të pandara nga ai. Ato të drejta njeriu u'a kundërvënë edhe individëve të tjerë, edhe bashkësisë. Pranëdaj, edhe shteti është i detyruar që t'i respektojë ato të drejta absolutisht. Ai, ato të drejta as nuk mund t'i heqë, as t'i shkelë. Të drejtat natyrore të njeriut mund të kufizohen deri diku nëse këtë e kërkon paqja dhe siguria e përgjithshme. Por, edhe për këtë mund të vendosë vetëm populli drejtpërdrejtë, ose nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhu. [3]
Nga ky këndvështrim, mosnjohja apo shkelja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut nuk përbën vetëm një shkelje ndaj një individi, por në atë rast krijon rrethana shoqërore dhe politike për shkelje të tjera dhe për përhapje të dhunës e të konflikteve në masë shoqërore, në nivel kombëtar e më gjerë.
Cenimet e të drejtave të njeriut paraqesin kërcënime për sigurinë njerëzore, prandaj përdoren si indikatorë në kuadër të mekanizmave për paralajmërim të hershëm, me qëllim të parandalimit të konflikteve. Sidoqoftë, të drejtat e njeriut gjithashtu luajnë rol gjatë periudhës së pasluftës, për menaxhimin dhe transformimin e konflikteve, si dhe për ndërtimin e paqes. Përmes transferit të dijes, ndërtimit të aftësive dhe formësimit të sjelljeve, arsimimi në fushën e të drejtave të njeriut përbën bazën e kulturës së vërtetë të parandalimit. [4]
Për këtë arsye Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, që në fjalinë e saj të parë, shpallë që respekti për të drejtat e njeriut dhe për dinjitetin njerëzor "është themeli i lirisë, i drejtësisë dhe i paqes në botë".
Siç vihet re edhe në përkufizimin e mësipërm, të drejtat e njeriut kanë në themel dinjitetin njerëzor, i cili buron nga vetë thelbi i të qenit njeri.
Për rrjedhim, ky dinjitet duhet pasur parasysh si te fëmija i porsalindur, që nuk ka kryer ende ndonjë veprim, ashtu edhe te keqbërësi. Qenia njerëzore e ka këtë dinjitet pavarësisht nëse njeriu është i vetëdijshëm për të ose jo.
Këtu është rasti të bëjmë dallimin ndërmjet dinjitetit njerëzor dhe dinjitetit personal, të cilin ne e krijojmë dhe e përpunojmë vetë. Dinjiteti personal përcaktohet nga sjellja jonë me normat morale të pranuara gjerësisht nga shoqëria, nëse përputhet ose është në kundërshtim me to.
Në këtë këndvështrim, të respektosh të drejtat e njeriut, do të thotë të respektosh tek ai qenien njerëzore dhe jo domosdoshmërish personalitetin e tij.
Si pikë fillestare e konceptit të të drejtave të njeriut është koncepti mbi dinjitetin e lindur dhe të patjetërsueshëm të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore, koncept i cili njihet në Deklaratën Universale dhe në Paktet Ndërkombëtare të viteve 1966, të cilat njëkohësisht njohën edhe idealin e qenieve të lira njerëzore për të gëzuar lirinë nga frika dhe skamja, dhe për të qenë të pajisur me të drejta të barabarta dhe të patjetërsueshme. Prandaj, të drejtat e njeriut janë universale dhe të patjetërsueshme, që do të thotë se aplikohen gjithkund dhe nuk mund t'i mohohen individit madje edhe nëse ai/ajo pajtohet për këtë. [5]
Shkelja e të drejtave të njeriut nuk nënkupton thjeshtë dhe vetëm të penguarit për të realizuar një të drejtë, por nënkupton mohimin e një jete dinjitoze, poshtë së cilës njeriu nuk mund dhe nuk duhet t'ia lejojë vetes të bjerë.
Që këtej del se, të drejtat e njeriut janë edhe një praktikë e veçantë njerëzore, që synojnë të realizojnë kërkesat minimale të njeriut për një jetë dinjitoze dhe ta mbrojnë atë, në marrëdhëniet e tij të ndërsjella me pushtetin shtetëror, nga cenimet, poshtërimet, diskriminimet, paragjykimet, qëndrimet çnjerëzore të më të fortit.
Të drejtat e njeriut janë parime në bazë të së cilave individët mund të veprojnë, të nxjerrin ligje dhe në të njëjtën kohë të gjykojnë e të marrin vendime që mbështeten në to. Por, të drejtat e njeriut janë në të njëjtën kohë edhe vlera që shprehin dhe pasqyrojnë dëshirat dhe aspiratat njerëzore.
Si vlera, të drejtat e njeriut përfaqësojnë qëllimet dhe idealet më të larta, të cilat, ndonëse të parealizueshme plotësisht, i japin kuptim jetës shoqërore. Gjatë gjithë historisë së tyre, të drejtat e njeriut janë përcaktuar dhe kanë mishëruar vlerën e dinjitetit të secilit, të lirisë, barazisë dhe drejtësisë.
Këto vlera janë universale. Ato dalin jashtë kornizave të kufijve individual, grupor e kombëtarë. Kulturat dhe shoqëritë janë të ndryshme. Individualiteti i tyre shprehet në forma të larmishme, megjithatë asnjëherë kjo pasuri, kjo ndryshueshmëri nuk ka prekur bazat e patjetërsueshme të të drejtave të njeriut.
Nga ky këndvështrim, çdo individ, pavarësisht nga prejardhja familjare, shoqërore, fetare ose kulturore, duhet të pranohet si përfaqësues i gjithë njerëzimit. Me fjalë të tjera, dinjiteti njerëzor duhet të pranohet dhe të respektohet nga të gjithë.
Neni 1 i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (DUDNJ), i miratuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1948, u referohet shtyllave kryesore të sistemit të të drejtave të njeriut, të cilat janë liria, barazia dhe solidariteti. Liritë, siç janë liria e mendimit, e ndërgjegjes, besimit, sikurse edhe ajo e opinionit dhe shprehjes, janë të mbrojtura nga të drejtat e njeriut. Ngjashëm, të drejtat e njeriut garantojnë barazi, siç është mbrojtja e barabartë kundër të gjitha formave të diskriminimit për të gëzuar të gjitha të drejtat e njeriut, duke përfshirë edhe barazinë e plotë ndërmjet grave dhe burrave. Solidariteti tregon të drejtat ekonomike dhe sociale, si të drejtën për sigurim social, shpërblim (pagë) të drejtë, një standard të mirë për jetesë, shëndet dhe qasje në arsim, të cilat janë pjesë përbërëse të strukturës së të drejtave të njeriut.
Këto të drejta janë të sistemuara në pesë kapituj: të drejtat politike, civile, ekonomike, sociale dhe kulturore dhe janë të definuar juridikisht në dy pakte paralele, [6] të cilat së bashku me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, krijojnë Ligjin mbi të Drejtat e Njeriut.
Shkëndijat e para të proklamimit dhe të garantimit të disa të drejtave të shtetasve i hasim në Angli në Kartën e madhe të lirive (Magna Charta Libertatum), të shpallur në vitin 1215 nga mbreti i Anglisë Joha Lackland. Kushtet specifike të zhvillimit të Anglisë kanë ndikuar që edhe më vonë të nxirren dokumente, të cilat merren me njohjen dhe garantimin e lirive themelore të njeriut, siç ishte rasti me "Peticionin mbi të drejtat" (Petition of Rights) të vitit 1628, pastaj edhe me "Ligjin mbi të drejtat" (Bill of Rights) të vitit 1689.
Dokumente të tilla paraqiten edhe në Amerikë, në formë të deklaratës, si akt solemn në të cilin proklamohen liritë dhe të drejtat themelore të njeriut në Virgjinia në vitin 1776, e njohur si "Deklarata e Virgjinias", e pastaj Deklarata e Pavarësisë së SHBA-ve, e po të njëjtit vit.
Në Francë, në vitin 1793 u miratua Deklarata e Montanjarit mbi të drejtat e njeriut dhe të shtetasit, e cila është përpjekur që ta zgjerojë katalogun e klasit të të drejtave civile e politike.
Pas Luftës së Parë Botërore, në proklamimin e të drejtave ekonomike, sociale dhe për të drejtën e popujve për vetëvendosje ka ndikuar edhe "Deklarata e të drejtave të popullit punonjës dhe të eksploatuar" e miratuar nga Kongresi i sovjetëve, në vitin 1918.
Të drejtat e njeriut deri në kohën më të re trajtoheshin si çështje të kompetencës së brendshme të shteteve. Prandaj, asnjë shtet, e as bashkësia ndërkombëtare, s'ka pasur të drejtë të parashtrojë çështjen e cenimit të të drejtave të njeriut në një shtet pa rrezikuar që kjo të interpretohet si përzierje në punët e brendshme të atij shteti. Përjashtim bënin regjimi i kapitulacioneve dhe intervenimeve humanitare. Megjithëkëtë, bashkësia ndërkombëtare, sidomos pas krijimit të Lidhjes së kombeve dhe Kombeve të Bashkuara, i ka kushtuar gjithnjë e më tepër kujdes mirëqenies së individit (njeriut), si një ndër kandidatët më të rëndësishëm për të ruajtur paqen, sigurinë, stabilitetin dhe demokracinë. [7]
Koncepti i të drejtave të njeriut u pranua botërisht vetëm pas Luftës së Dytë Botërore. Gjenocidi i kryer nga regjimi fashist dhe tmerret e kësaj lufte, ndihmuan që njerëzit të ndërgjegjësoheshin se vetëm qeverisja e kufizuar mund të zbuste dhe të ekuilibronte dëshirat sociale dhe politike të grupeve të ndryshme shoqërore. Kjo periudhë qoi në zgjerimin e interpretimit të konceptit të të drejtave të njeriut, i cili u shtri nga një grup i veçantë njerëzish, tek të gjitha qeniet njerëzore.
Nga ana tjetër, njohja e tmerreve dhe e tragjedisë së Luftës së Dytë Botërore qoi në krijimin e Kombeve të Bashkuara dhe në nënshkrimin e Kartës së Kombeve të Bashkuara më 20 qershor të vitit 1945.
Shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara u zotuan se do të përpiqeshin për të avancuar respektin për të drejtat e njeriut për të gjithë njerëzit. Për të realizuar këtë qëllim, Kombet e Bashkuara krijuan Komisionin për të Drejtat e Njeriut me detyrën që të hartonte një dokument që do të shpjegonte dhe shpallte të drejtat dhe liritë themelore. Ky dokument që u quajt Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, u miratua në 10 dhjetor 1948, si "ideali i përbashkët që duhet të arrihet nga të gjithë popujt dhe kombet në respektimin e të drejtave të njeriut".
Deklarata është një dokument zyrtar që përmban parime që vlerësohen nga shumë njerëz si standarde për t'u arritur nga të gjithë popujt dhe kombet. Megjithatë, parimet e një deklarate nuk janë të detyrueshme për t'u zbatuar nga shtetet anëtare. Për këtë arsye, pas hartimit të saj, lindi nevoja për dokumente që jo vetëm të përmbanin parime ose angazhime të përgjithshme, por edhe të detyronin shtetet anëtare t'i zbatonin dhe të siguronin zbatimin e tyre në praktikë.
Në vijim të krijimit të mekanizmave që do të garantonin respektimin e të drejtave të njeriut, Kombet e Bashkuara hartuan dy pakte: Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, si dhe Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore.
Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut dhe Paktet Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, si dhe për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, e përbëjnë Kartën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Ndikimi i deklaratave të miratuar nga fundi i shekullit XVII, me të cilat proklamohen një mori të drejtash të njeriut dhe të shtetasit, në kushtetutat e miratuara krahas apo pas këtyre deklaratave ishte mjaft i fuqishëm. Përmbajtja e deklaratave ka shërbyer si bazë për sanksionimin e institucionve të lirive dhe të drejtave themelore në kushtetutat e para, por edhe në ato që janë miratuar edhe gjatë shekullit XIX e XX. [8]
Nga kjo mund të konkludojmë se, shkëndijat e para të institucionalizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut janë paraqitur para paraqitjes së kushtetutave të shkruara. Dokumentet me të cilat janë proklamuar të drejtat dhe liritë e njeriut kanë shërbyer si bazë për përpunimin e këtij institucioni në kushtetuta, sidomos në ato që janë miratuar në prag ose krahas me dokumentet për të drejtat dhe liritë e njeriut.
Institucioni i lirive dhe të drejtave të njeriut e të shtetasit paraqet një ndër institucionet më të rëndësishme juridike, prandaj edhe të së Drejtës Kushtetuese. Kjo ngase, nëpërmjet këtij institucioni, përcaktohet dhe vjen në shprehje pozita juridike dhe vendi i shtetasit në shoqëri. Nga kjo mund të dëshmohet se sa është demokratik apo jo demokratik një shtet dhe një shoqëri. Nëpërmjet këtij institucioni, sidomos gjatë decenieve të fundit, bëhet vlerësimi nga bashkësia ndërkombëtare për nivelin e demokracisë në sistemet dhe vendet e ndryshme. [9]
Kategorizimi i të drejtave themelore të njeriut
Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut sipas deklaratave, konventave ndërkombëtare dhe kushtetutave bashkëkohore, ndahen në të drejta sipas këtyre grupeve:
1. Të drejtat civile dhe politike,
2. Të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, dhe
3. Të drejtat e mjedisit dhe të zhvillimit.
Në Deklaratën e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut, njihen vetëm dy grupet e para të të drejtave themelore, pasi që e Drejta e Mjedisit dhe e Zhvillimit është një e drejtë e re.
Të drejtat civile dhe politike janë quajtur ndryshe edhe të drejta të orientuara drejtë lirisë ose të drejtat e gjeneratës së parë. Këto të drejta përfshijnë: Të drejtën për jetë, liri dhe siguri personale, lirinë nga skllavëria, të drejtën për gjykim të drejtë, të drejtën për një shtetësi, të drejtën për lidhje të martesës dhe krijimin e familjes, të drejtën e pronës, lirinë e mendimit, bindjes dhe besimit, lirinë e shprëjës së mendimit dhe të informacionit, të drejtën e mbajtjes së tubimeve paqësore, të drejtën e votës dhe për t'u bashkuar në jetën politike të bashkësisë dhe të shoqërisë ku jeton, etj..
Të drejtat ekonomike dhe shoqërore quhen edhe të drejta të orientuara drejtë sigurisë ose të drejta të gjeneratës së dytë, sepse ato synojnë sigurinë sociale dhe ekonomike. Kjo e drejtë ndër të tjera përfshinë: të drejtën për sigurim social, të drejtën e punës dhe mbrojtjen nga papunësia, të drejtën për një standard të jetesës, i cili siguron standard dhe mirëqenie, të drejta për shkollim, të drejtën për të marrë pjesë në jetën kulturore të bashkësisë, etj..
Të drejtat e mjedisit dhe të drejtat e zhvillimit quhen ndryshe edhe të drejtat e gjeneratës së tretë dhe pranojnë të drejtën e njerëzve për të jetuar në një mjedis të pastër e të shëndetshëm, të mbrojtur nga shkatërrimet. Po kështu, ato njohin të drejtat e njerëzve për zhvillim kulturor, politik dhe ekonomik.
Parimet dhe vlerat e të drejtave të njeriut
Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut brenda vetes observojnë parime dhe vlera, siç janë:
Liria: Liritë themelore, si liria e mendimit, liria e ndërgjegjes, liria e shoqërimit, liria e lëvizjes etj., janë gjithashtu vlera dhe të drejta. Këto të drejta në gjuhën juridike përcaktohen si e drejta e mbledhjes dhe e organizimit, e drejta për të lëvizur lirisht, etj..
Të lindësh i lirë dhe e drejta e lirisë nënkuptojnë që çdo qenie njerëzore të jetë e lirë të zgjedhë e të vendosë për jetën e saj.
E drejta për të qenë i lirë dhe e drejta e jetës vlerësohet si një ndër vlerat më të rëndësishme njerëzore, të lidhura ngushtë me dinjitetin dhe vlerën e jetës njerëzore.
Barazia: Të gjitha qeniet njerëzore, pavarësisht nga prejardhja dhe ndryshimet që kanë, janë të barabarta para ligjit. Ky është një parim tjetër i karakterit universal të të drejtave të njeriut dhe përbën një vlerë dhe një ideal për njerëzimin.
Universale: Të drejtat e njeriut zakonisht konsiderohen si të drejta universale, në sensin që çdo njeri i ka ato dhe duhet t'i gëzojë pa dallim, si do që mund të jenë ose jo të njohura e të implementuara nga sistemi ligjor.
Nga deklarata e miratuar në vitin 1993 gjatë Konferencës Botërore për të Drejtat e Njeriut në Vjenë, me rastin përvjetorit të 50 - të të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, si dhe nga rezolutat e miratuara nga Kombet e Bashkuara në vitin 1998, mund të vërehet se koncepti i të drejtave të njeriut, sot pranohet si një koncept universal. Disa skeptikë që dyshojnë në universalitetin e të drejtave të njeriut, duhet që ta kujtojnë faktin se shumë shtete të cilat janë gjeografikisht të kundërta, si Kina, Libani dhe Kili, gjatë pjesës së dytë të vitit 1940, kanë qenë mes atyre shteteve që kanë ndihmuar në hartimin e konceptit të tillë. [10]
Pandashmëria: Njëra nga vlerat e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut gjithashtu është edhe pandashmëria, lidhshmëria dhe ndërvarësia me njëra tjetrën, që i përngjajnë një zinxhiri, se nëse e tërheq një hallkë, ajo e tërheqë tjetrën, siç është rasti me temën që po e shtjellojmë, mohimi i lirisë së besimit po e tërheqë të drejtën për shkollim.
Gjithashtu, të drejtat e njeriut janë të pandashme dhe reciprocikisht të varura. Mund të veçohen dimensione ose kategori të ndryshme të të drejtave të njeriut, siç janë: të drejtat civile dhe politike, siç janë liria e fjalës dhe e shprehjes, të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, si e drejta në sigurim social, e cila duke pasur parasysh faktin se vendos obligime financiare mbi shtetin, duhet të shikohet progresivish. Në të kaluarën, një kategori e caktuar e shteteve ose grupshteteve, siç është grupi i shteteve komuniste, kanë shprehur preferencat e tyre ndaj të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore, në dallim prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, të cilët kanë përkrahur pikërisht të drejtat civile dhe politike. Sidoqoftë, në vitin 1968, gjatë Konferencës Botërore për të Drejtat e Njeriut në Teheran, dhe në vitin 1993 gjatë Konferencës Botërore për të Drejtat e Njeriut në Vjenë, ky debat joproduktiv është adresuar në atë mënyrë që, është vendosur se të dy këto kategori ose dimensione të të drejtave të njeriut kanë rëndësi të barabartë. Në Teheran më 1968, këto të drejta janë deklaruar si të pandashme dhe reciprokisht të varura, pasi që gëzimi i plotë i të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore, vështirë mund të realizohet pa gëzimin e të drejtave civile e politike. [11]
Disa të drejta mund të përmbajnë të ashtuquajturën klauzolë për tërheqje, e cila lejon kufizimin e të drejtave të caktuara, nëse është e domosdoshme për siguri kombëtare, rend publik, shëndet publik ose moral dhe për shkak të drejtave dhe lirive të të tjerëve. Mundësia e tillë, në veçanti, ekziston për kufizimin e lirisë së lëvizjes, lirisë për të lëshuar çdo vend, duke përfshirë vendin e vetë, lirisë së mendimit, ndërgjegjes, besimit, lirisë së shprehjes dhe informimit, lirisë e tubimit dhe atë të bashkimit. Këto kufizime duhet të bëhen me ligj, që do të thotë se duhet të kalojnë në kuvend. Organet që bëjnë interpretimin e këtyre instrumenteve ligjore, e kanë për obligim kontrollin e çdo keqpërdorimi të këtyre dispozitave.
Shtetet (sipas parimit të mosdiskriminimit) duhet të respektojnë dhe t'u sigurojnë të gjithë individëve brenda territorit të tyre, të gjitha të drejtat pa asnjë lloj diskriminimi, të bazuar qoftë në racë, ngjyrë, gjini, gjuhë, religjion, opinion politik ose tjetër, origjinë kombëtare ose sociale, pronë, lindje ose ndonjë status tjetër (Neni 2 MDCP dhe MDESK). Për më tepër, Protokoli Shtesë Nr. 12 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ofron të drejtën e përgjithshme për mosdiskriminim nga ana e çfarëdo autoriteti publik.
Autor: Lulzim KASTRATI
Literatura:
- Kushtetuta e Republikës së Kosovës, 2008.
- Enver Hasani & Ivan Qukaloviq, Komentar - Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Prishtinë, 2013.
- Gudmundur Alfredsson & Asbjore Eide, Deklarata Univerzale mbi të Drejtat e Njeriut (Standardi i Arritjes së Përbashkët).
- Marjana Sinani dhe të tjerët, Komentar i Deklaratës Univerzale mbi të Drejtat e Njeriut, UNESCO, 2008.
- Dr. Ismail Hasani, Vetëdija fetare dhe kombetare tek shqiptaret, Prishtinë, 2001.
- Dr. Kurtesh Salihu, E Drejta Kushtetuese (Libri 1 botimi I katërt), Prishtinë 2004.
- Dr. Zejnullah Gruda, E drejta Ndërkombëtare Publike, Prishtinë 2003.
- Ekrem Sarikçioglu, Historia e Feve, Shkup 2007.
- Kuptimi i të drejtave të njeriut-doracak mbi arsimimin për të drejtat e njeriut. publikuar nga Ministria e Punëve te Jashtme e Austris ne bashkëpunim me ETC-Grac, 2003.
- Arsimimi për të drejtat e Njeriut-Te Arriturat dhe Sfidat. Univerziteti i Abo Akademisë ne bashkëpunim me UNESCO-n, 1998.
- Ahmet H. Sherif, KUR'AN-i Përkthim me komentim në gjuhën shqipe.
Deklaratat, konventat, ligjet:
- Deklarata Univerzale mbi të Drejtat e Njeriut. (E miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuar, Rezoluta 217 (III),10 dhjetor 1948).
- Mbështeten në Fe ose Besim, (E shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me rezolutën 36/55, të datës 25 nëntor 1981).
- Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. (Miratuar dhe hapur për nënshkrim, për ratifikim dhe për aderim nga Asambleja e Përgjithshme me Rezolutën e saj 2200 A (XXI) të datës 16 dhjetor 1966. Hyrë në Fuqi: 23 mars 1976).
- Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore. (Miratuar dhe hapur për nënshkrim, për ratifikim dhe për aderim nga Asambleja e Përgjithshme me Rezolutën e saj 2200 A (XXI) të datës 16 dhjetor 1966. Hyrë në Fuqi: me 3 janar 1976).
- Konventa Evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe protokollet e saj.
- Konventa për të drejtat e fëmijëve, (Miratuar dhe hapur për nënshkrim, për ratifikim dhe për aderim nga Asambleja e Përgjithshme me Rezolutën e saj 44/25 të datës 20 nëntor 1989. Hyrë në Fuqi: 2 shtator 1990).
- Konventa për luftën kundër diskriminimit në lëmin e arsimi
- Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racial, (Miratuar dhe hapur për nënshkrim e ratifikim nga Asambleja e Përgjithshme me Rezolutёn e saj 2106 A (XX) të datës 21 dhjetor 1965. Hyrë në Fuqi: mё 4 janar 1969).
- Marrëveshja Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Fëmijëve.
- Ligji për lirit fetare në Kosovë, (Ligji Nr. 02/L-31).
- Ligji për arsimin paraunverzitar në Republiken e Kosovës, (Ligji Nr. 04/L-032, 29 gusht 2011).
- Udhëzimi Administrativ Nr. 6/2010, Dt. 11.05.2010, (kodi mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënësit të shkollave të mesme të larta).
- Udhëzimi Administrativ Nr. 6/2014, Dt. 28.01.2014, (kodi mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënësit të shkollave të mesme të larta).
_________________________
[1] - Kuptimi i të drejtave të njeriut-Doracak mbi arsimimin për të drejtat e njeriut, ETC-Grac 2003, fq. 18.
[2] - Gruda Dr. Zejnullah, E Drejta ndërkombëtare Publike, Prishtinë 2003,fq. 363.
[3] - Saliu Dr. Kurtesh, "E drejta kushtetuese", fq. 206.
[4] - "Kuptimi i të drejtave të njeriut, Doracak mbi arsimimin për të drejtat e njeriut", ETC-Grac 2003, fq. 21.
[5] - "Kuptimi i të drejtave të njeriut, Doracak mbi arsimimin për të drejtat e njeriut", ETC-Grac 2003, fq. 25.
[6] - Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore.
[7] - Gruda Dr. Zejnullah, E Drejta ndërkombëtare Publike, Prishtinë 2003, fq. 363.
[8] - Saliu Dr. Kurtesh, E Drejta Kushtetuese, Prishtinë 2004, fq. 207.
[9] - Po aty, fq. 207.
[10] - "Kuptimi i të drejtave të njeriut, Doracak mbi arsimimin për të drejtat e njeriut", ETC-Grac 2003, fq. 25.
[11] - "Kuptimi i të drejtave të njeriut, Doracak mbi arsimimin për të drejtat e njeriut", ETC-Grac 2003, fq. 25.