Mbi antropomorfizmin e selefinjve (vehabinjve)



Burimet e ideve të Ibn Tejmijjes [1]

Ngjashmëria ndërmjet censures së Kevtheriut të Ibn Tejmijjes dhe censures së Ibn Kajim El-Xhevzijes të hanbelinjve antropomorfistë të kohës së tij është e çuditshme. Nuk është fare e çuditshme, atëherë, që Ibn Tejmijje në të vërtetë ka marrë materialet e tij nga ky grup, si thotë Kevtheriu: "Ibn Tejmijje merrë pjesë të asaj që gjendet në Er-Rredd ale'l-Xhehmijjeh të Uthman ibn Said Ed-Darimiut, në Kitab-us-Sunneh të Abdullah ibn Ahmed ibn Hanbelit dhe në Et-Tevhid ves'Sifat'ur-Rrab të Ibn Huzejminit".


Vështrim mbi tre burimet e Ibn Tejmijjes:

Uthman Ibn Sa'id el-Darimi el-Sexhziu: (Vdiq më 280 h., është me rendësi se ky nuk është 'Abd Allah ibn 'Abd el-Rahman ed-Darimi, muhaddithi i njohur dhe autori i Sunenit, i cili vdiq më 255 h.). Disa biografë thonë se ai ka studiuar me Ahmedin, El-Bujutin, Jahja ibn ma'inin dhe me Ibn El-Medeniun. Megjithatë, ai nuk është theksuar kurrë në Gjashtë librat e hadithit (Kutub'us-sitteh), që tregon në problemet lidhur me personalitetin e tij, duke i marrë parasysh mësuesit me të cilët ai gjoja ka mësuar. Ai ka shkruar libra kundër Bishr El-Marisiut dhe sektit xhehmit në përgjithësi. Në entuziazmin e tij që të përgënjeshtrojë interpretimet e tyre të tepruara figurative, ai vetë ka ra në skajshmërinë e kundërt të antropomorfizmit të ilustruar me fragmente nga vepra Kitab'us-Sunne, të cituar në paragrafin më poshtë. Individi po ashtu mund të habitet se përse Ibn Tejmijje fillimisht mori argumente të destinuara kundër xhehmitëve, të cilët ishin heretikë, dhe i drejtoi kundër esh'aritëve, të cilët janë pjesëtarë të Ehlis-Sunnetit.

Këtu kemi disa shembuj nga vepra e tij En-Nakdu ale'l-Xhehmijjeh (Kritika e Xhehmitëve):

Fq. 20: "I Gjalli, Vetekzistuesi, punon çka dëshiron, lëviz nëse Ai këtë dëshiron, zbret dhe ngjitet nëse Ai këtë e dëshiron, mblidhet dhe shtrihet dhe ngrehet e ulet nëse Ai këtë e dëshiron, sepse shenja dalluese ndërmjet të gjallës dhe të vdekurës është lëvizja: çdo gjë e gjallë pa përjashtim lëviz, kurse çdo gjë e vdekur pa përjashtim është e palëvishme". Në këtë frazë ai e identifikon Allahun me çdo gjë të gjallë edhe pse asgjë (kurrfarë gjësendi) nuk është sikurse Ai.

Fq. 23: "Ata të cilët refuzojnë pohimin se Allahu nuk ka limit, nuk ka kufij, nuk ka fund, kurse ky është parimi mbi të cilin Xhehmi e ka ndërtuar herezinë e tij, nga e cila i ka gdhendur të gjitha gënjeshtrat e tij, këto janë pohime të cilat ne nuk i kemi dëgjuar se i ka thënë dikush para tij, Allahu pa dyshim ka limit, ka vendin e Vet, sepse Ai është në Fronin e Tij mbi qiej, dhe këto janë dy limite. Çdo person i cili thotë se Allahu ka limit dhe se vendi i Tij ka limit, është më i ditur se Xhehmiu". [2]

Në thëniet e larta shohim se Ed-Darimiu e konsideron Imam Shafiun si një ndër xhehmitët (besimshtrembërit), pasi që Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, ka deklaruar në mënyrë eksplicite: "Dije se limiti dhe përfundësia nuk mund të zbatohen ndaj Zotit". [3]

Këtij Darimiu në kohët e vonshme, sikurse këtë e ka bërë Ibn Tejmijje dhe në kohët moderne ata të cilët veten pa meritë dhe pa të drejtë e quajnë selefinjë, e kush do të mund të ishte më larg doktrinës së selefinjve të mirëfilltë. Vallë ndonjë person racional mund të dyshojë se ai që thotë se: "Allahu ka limit", nuk e adhuron idhullin? Në lidhje me këtë lëndë Abdulkahir El-Bagdadi ka thënë në El-Tabsir'ul-Bagdadijj, El-Esma'u ve's-Sifatu dhe në El-Ferk bejne'l-Firak: "Është e detyrueshme të shpallet jobesimtar ai i cili thotë se Allahu ka limit (kufizim)". [4]

Edhe pse selefinjtë e sotëm nuk kanë guxim ta tregojnë sinqeritetin e njëjtë sikur Darimiu në shpalljen e kufizimeve të Krijuesit, megjithatë ky besim i tyre është veshur në përgënjeshtrimin konstant se Allahu është kudo, se asnjë musliman sunnit edhe ashtu nuk beson. Të pavetëdijshëm për këtë pikë, "vehabinjtë" dhe "selefinjtë" janë më të hutuarit në këtë çështje në rezonimin e tyre se alternativa e vetme për pohimin e trilluar mbi muslimanët sunnitë se "Allahu është kudo" është në të vërtetë pohimi i tyre "Ai është në një vend, mbi Fronin e Tij".

Secili nga këto dy pohime është i pavlefshëm, pasi edhe njëri edhe tjetri i përshkruajnë lokacion hapësinor Allahut, kurse i lartësuar është Ai nga ajo që i përshkruajnë ata. Të dy pohimet janë barabartë të rrejshme në imagjinimin e Tij, si tretja në vende të pafund, po ashtu edhe kufizimi në një vend. Të dyja pohimet janë mosbesim (kufr), sikurse që edhe vetë Imam Abdulganij En-Nablusi qartë pohon: "Kushdo që beson se Allahu i përshkon qiejt dhe Tokën, ose se Ai është trup që ulet në fronin e Tij, është mosbesimtar, qoftë nëse për vete ai konsideron se është musliman".

Fq. 25: "Ai e ka krijuar Ademin duke e prekur".

Fq. 75: "Nëse Ai këtë do ta dëshironte, Ai do të mund të vendosej në shpinën e mushkonjës dhe ai Atë do ta barte për shkak të fuqisë së Tij dhe begative të pasurisë së Tij, e mos ta përmendim fronin madhështor (Arshin)".

Ky është kombinim qesharak, i shëmtuar, shokant i texhsimit, tekjifit, teshbihit dhe temthilit. Në këto fjalë, autori supozon se objekti i adhurimit të tij mund të vendoset në shpinë të mushkonjës me këtë për të treguar të kuptuarit e tij se Allahu fizikisht është i vendosur në Fron. Një ndër indikacionet më të mëdha për pikëpamjet antropomorfiste të Ibn Tejmijes është se në komentimin e tij të terminit istiva' si istikrar (ose vendosje), që absolutisht është gjykuar nga selefinjtë e mirëfilltë, ai nuk heq dorë që ta cekë thënien e sipërme tekstualisht. Është ironi e vërtetë që ai këtë e bënë në librin e tij Ta'sis, i cili në të vërtetë është atak ndaj mufesirit të njohur Imam Raziut, për shkak të librit që ky i fundit e shkroi me qëllim të përgënjeshtrimit të antropomorfistëve. [5]

Fq. 79: "Ai është i ndarë nga krijesat e Veta dhe mbi Fronin e Tij me distancë të dukshme ndërmjet këtyre të dyjave, me shtatë qiej ndërmjet Tij dhe krijesave të Tij në tokë".

Fq. 92 dhe 182: "Nëse Krijuesi ulet në karrige (kursi), dëgjohet një lloj oshtime, e ngjashme me atë te samari i ri i devesë. Kjo është për shkak të presionit të Esencës (Qenies) së Allahut në sipërfaqe të karriges".

Pikëpamja e fundit, të cilën po ashtu e ka pasur Ebu Ja'la', është edhe një ilustrim i besimit të gabuar të hashevitëve apo të antrompomorfistëve. Sikur që Ibn Xhevziu dhe Kevtheriu kanë përmendur, nëse hadithi mbi oshtimën në fund të fundit edhe sahih, atëherë ky është para së gjithash rast për interpretim figurativ (te'vil) ku oshëtima paraqet nënshtrim të karriges ose të stolit (shkëmbit) ndaj Krijuesit të tij. Megjithatë, autenticiteti i vetë hadithit është vënë në pyetje. Ibn Xhevziu ka përmendur dobësinë e dy transmetuesve, kurse Ibn Asakiri ka shkruar monografi me titullin Bejan'ul-Vehm vet'Tahlit fi Hadith'il-Atit (Zbulimi i gabimit dhe rrëmujës në transmetimin e haditheve mbi oshëtimën). Lidhur me kuptimin e tij Ibn Xhevzij ka thënë pas citimit të Hattabiut: Domethënia e oshëtimës së stolit (kursisë) është paaftësia e saj para madhështisë dhe madhërisë së Allahut, sikur që dihet se oshtima e samarit në deve nën ngarendës tregon në forcën e atij që është mbi të, d.m.th. pafuqia e samarit ta bartë këtë forcë. Pejgamberi s.a.v.s. ka dhënë shembull të tillë për madhështinë dhe madhërinë e Allahut që ta mësojë arabin, i cili ka kërkuar ndërmjetësimin e Allahut te Pejgamberi se Ai madhësia e të cilit është e madhe nuk duhet të kërkohet si ndërmjetësues me ata të cilët i janë të nënshtruar Atij (me fjalë të tjera, duhet kërkuar ndërmjetësimi i atij që është inferior te ai superior e jo e kundërta).

Kurse sa i përket fjalëve të El-Kadi Ebu Ja'la'ut se: "Oshëtima është për shkak të presionit të Esencës (Qenies) së Allahut në karrige", ky është antropomorfizëm i hapur (primitiv). [6]

Fq. 100: "Kush ju ka thënë se maja e malit nuk është më afër Allahut se sa fundi i tij?. Maja e minaresë është më afër Allahut se sa fundi i saj". Sipas këtij autori, njeriu shtatlartë është më afër Allahut se sa njeriu shtatulët, e po ashtu edhe njeriu që fluturon me aeroplan është më afër Allahut nga ata që ecin tokës. Sipas kësaj atëherë astronautët janë më afër Allahut. Megjithatë, kjo është kundër mësimeve të fesë sonë, ku robi i Allahut është më afër Atij në sexhde, [7] kurse sexhdja është ulje e jo lartësim. Allahu në mënyrë eksplicite ka identifikuar sexhden me afërsinë e Tij kur ka urdhëruar: "Bini në sexhde dhe afrojuni Zotit me te"., (El-Alek, 19). Kurse Muhammedi a.s. ka zbuluar se asnjë musliman nuk e thotë lutjen e Pejgamberit Junus "La ilahe il-la ente subhaneke inni kuntu mine'dh-dhalimin", (El-Enbija', 87) e që kjo mos t'i pranohet, kurse Junusi a.s. e ka thënë këtë lutje në barkun e balenës, thellë në ujë. [8]

Përveç kësaj, muslimanët nuk i përshkruajnë vend (hapësirë) Allahut, qoftë lartë ose poshtë dhe për ta uluv-i (lartësimi) i Tij ka të bëjë me lartësinë e rangut e nuk ka lidhje me lartësinë hapësinore, po ashtu sikurse adham-i (madhëria) i Tij nuk ka lidhje me vëllimin. Ndikimi i autorit mbi Ibn Tejmijjen është i padiskutueshëm, pasi që ky i fundit disa shekuj më vonë i formulon pikëpamjet e njëjta me të cilat Darimiu kishte dal në skenë. Ibn Tejmijje në mënyrë eksplicite deklaron në veprën e tij Ta'sis, e shkruar kundër veprës së Raziut Asas'ut-takdis, e cila është shkruar si përgënjeshtrim të antropomorfitëve keramitë: "Krijuesi, i lavdëruar dhe i lartësuar qoftë Ai, gjendet mbi botë dhe ekzistimi i Tij sipër është literar (i fjalëpërfjalshëm), e jo në kuptim të dinjitetit apo rangut" .[9]

Ne e citojmë këtë paragraf në tërësi më poshtë, në veprën për Koncepcionin e Ibn Tejmijjes të "zbritjes" së Allahut. Tash për tash mjafton të japim shenjë në qëndrimin e tij të largët nga qëndrimi i Ehli-Sunnet vel-Xhematit për këtë çështje. Sikur që Ibn Haxher El-Askalaniu deklaron në Fet'hu'l-Bari: El-Kirmani (vd. 786 h.) ka thënë: "Domethënia e jashtme 'në (mbi) qiell' (fi's-sema'i) nuk nënkuptohet në hadithin e Muhammedit a.s.: "A nuk po më besoni mua të cilit i beson Ai në (mbi) qiell?", sepse Allahu është transcendent për inkarnimin në hapësirë, por pasi që direksioni i lartësimit është më dinjitoz nga çdo direksion tjetër, Allahu kështu ia paracakton Vetes që të jep shenjë me këtë në lartësinë e Esencës dhe të Atributeve të Tij". Koncenzusi i dijetarëve sunnitë e thotë të kundërtën e fjalëve të tij. Ibn Hazm Edh-Dhahiriu (vd. 456 h.) me mënyrë eksplicite deklaron në veprën e vet El-Fasl fi 'l-Milal ve'l-Ahva' ve'n-Nihal: "Nëse vendosja në Fron (Arsh) është e amshueshme dhe e pafillim, atëherë edhe Froni është i amshueshëm dhe i pafillim, ndërsa kjo është mosbesim (kufr)". [10]

Ky nuk është vetëm identifikim i rrejshëm i pikëpamjes së tij (Ibn Tejmijjes) me konsensusin e dijetarëve sunnitë në thëniet e tij, por edhe mungesë totale e bazës në Kur'an dhe Sunnet. Më mirë do të ishte të fillohet me verifikimin e logjikës së përshkrimit të amshueshmërisë pafillim të vendosur në Fron dhe qiell, kur Froni dhe qielli nuk janë të amshueshëm dhe të pafillim! Kjo është dhënë shenjë nga Kevtheriu dhe të tjerët. [11]

'Abdullah ibn Ahmad ibn Hanbeli (vdiq më 290 h.) ka shkruar librin me emrin Kitab'us-Sunneh, pikëpamja e të cilit kundrejt sunnetit dhe antropomorfizmit mund të gjykohet në bazë të fragmenteve vijuese: [12]

"A është ndryshe vendosja (el-istiva') nga ulja (xhulus)?", (fq. 5).

"Ai e ka parë Atë në karrigë prej ari të cilën e bartnin katër engjëj: njëri në formë të njeriut, i dyti në formë të luanit, i treti në formë të demit dhe i katërti në formë të shqiponjës, në kopsht të gjelbër, jashtë të cilit gjendej podiumi i artë", (fq. 35).

Kjo si duket është huazim tekstual nga Bibla, Libri i Zbulimit, 4, 2-7:
"Atje ishte dikush në fron, nga atje edhe vriste vetëtima, zërat dhe bubullima, aty dhe rreth saj qëndronin katër engjëj, i pari ishte sikur luan, i dyti sikur dem i ri, i treti sikur njeri dhe i katërti sikur shqiponjë në fluturim".

Kevtheriu me të drejtë këtë e quan "idhujtaria më e madhe (el-vethenijjeh el-harka') drejt së cilës ata ("selefinjtë") e ftojnë sot umetin".

Fq. 64: "Allahu i ka folur Musait me dy buzët e Tij" (mushafahatan), d.m.th. buza e epërme kundrejt të poshtmes. Kevtheriu përmend se gjeja e njëjtë gjendet në librin e Ebu Ja'la me titullin Tabakat në biografinë e tij për El-Istahriun, dhe se rrejshëm i është atribuar Imam Ahmedit.

Fq. 68: "Vërtet Allahu nuk e ka prekur me dorën e Tij pos Ademit, të cilin Ai e ka krijuar me dorën e Tij vetjake, Xhennetin, Tevratin të cilin Ai e ka shkruar me dorën e Tij dhe diamantin të cilin Ai e ka sajuar (punuar) me dorën e Tij vetjake, dhe pastaj ka futur në  të shkopin të cilit i ka thënë: shtriju aq sa dëshiroj unë dhe hedhe nga vetja atë që është në ty me lejen Time, dhe kështu ai nxorri nga vetja lumenjtë dhe vegjetacionin".

Fq. 70: "Nëse Allahu ulet në karrige (kursi), dëgjohet një lloj oshëtime e ngjashme me atë nga samari i ri i devesë". Ibn Sa'id Ed-Darimiu po ashtu konfirmon pikëpamjen (mendimin, besimin) paraprake dhe atë vijuese në librin e vet.

Fq. 71: "Kur Allahu ulet në karrigen (kursij) e Tij, në të mbeten të lira vetëm katër pëllëmbë". Ky është qëndrim i përbashkët me hashevitët. El-Hal-lal (vd. 310 h.), një nga nxënësit e shokëve të Imam Ahmedit, e përsërit këtë shumë herë në Kitab 'us-sunnen-in e tij, duke i përshkruar njëjtë edhe Imam Muxhahidit dhe deklaron se kushdo që e mohon këtë është xhehmit kafir zindik. [13]

Ibn Kajjimi e pohon këtë pa rezervë në librin e tij Bada'i' 'ul-Fava'id, [14] kurse gramaticienti dhe komentuesi Ebu Hajjan El-Endelusi transmeton njëjtë për Ibn Tejmijjen në veprën e tij Tefsir 'un-nahr el-madd min'el-bahr'il-muhit: "Unë kam lexuar në librin e bashkëkohësit tonë Ahmed Ibn Tejmijje të shkruar me dorën e tij dhe të cilën ai vetë e ka quajtur Kitab'ul-Arsh si vijon: "Allahu i lartësuar është ulur (jexhlisu) në karrigë (kursij) dhe ka lënë vend të lirë për Pejgamberin (Muhammed) të ulet aty (bashkë) me Të". Taxhuddin Muhammed in Ali El-Burnibari e ka mashtruar (Ibn Tejmijjen) duke e bindur se është suporteri i tij deri sa më në fund nuk e mori atë dorëshkrimin e tij dhe ne këtë e lexuam në të". [15]

Transmetohet se komentuesi i Kur'anit dhe historiani Et-Taberiu (vd. 310 h.) për pak është vrarë për shkak të kontestimit të këtij besimi, sikurse edhe Ibn Hibbani që për pak është vrarë për shkak të kontestimit se: Allahu ka limit (d.m.th. është i kufizuar). Hanbelitët janë pyetur për kuptimin e hadithit për uljen e pejgamberit në Fron pranë Allahut. Ky hadith është transmetuar deri te Lejth, i cili kinse është dashur ta transmetojë nga Muxhahidi.

Sipas mendimit te disa hanbelitëve ky hadith ka siguruar kuptimin e ajetit kur'anor: "asaa en jeb'atheke rabbuke makame'm-mahmuda", etj., "... është e sigurtë se Zoti yt do të ngrisë ty në një vend të lavdishëm", (El-Isra', 79). Tabariu u përgjigj: "Ky është absurd" dhe e mohoi këtë me fjalë: "Subhane men lejse lehu anis ve la lehu fi 'arshihi xhalis", që do të thotë: "Lavdia i qoftë Atij i cili nuk ka rival dhe 'në Arshin e Tij është ulës i vetëm". Kur e dëgjuan ata ç'thotë ky, kanë hedhur mbi të kallamaret e tyre dhe ai u tërhoq në shtëpinë e tij. Imam Sujutiu përmend diçka nga kjo në Tahdhir'ul-havass min ekedhib 'il-kussas (Qortim i të përzgjedhurve kundër gënjeshtrave të llomotitësve), kurse edhe Ibn El-Xhevzi transmeton në El-Muntazam se Thabit ibn Sinani përmend në librin e tij Historia: "Unë kam fshehur të vërtetën për këtë ndodhi për shkak se është grumbulluar masa dhe ia ka ndaluar vizitën Taberiut gjatë ditës, dhe ka thënë se ai është mohues (rafidij) dhe heretik (mulhid)". [16]

El-Hal-lali, sulmuesit e Ibn Xhevziut, gjoja vrasësit e Ibn Hibbanit dhe Taberiut, Ibn Kajjimi dhe Ibn Tejmije, të gjithë formojnë grupimin i cili beson se: 'Allahu ulet në Fron (Arsh) dhe se atëherë vendos tabanët (shputat) e Tij në karrige (kursij) sikurse dikush që këtë do të bënte në stol dhe se Pejgamberi (Muhammed) qëndron ulur në Fron krahas anës së Tij'.

Sikur që thotë një dijetar bashkëkohor, tërë kjo duket se manifeston paragrafin II nga Bibla, më saktë ajo që gjendet në Ungjillin sipas Markut, 19:16: "Atëherë Zotëriu (Jezusi), pasi iu foli, është ngritur në qiell, dhe është vendosur në anën e djathtë të Zotit". [17]

Ndaj, edhe pas këtij besimi absurd këta antropomorfist (formalistë) pohojnë se paraqesin rrugën e selefinjve, dhe se lëshimi i rrugës së tyre është dalje nga Islami. Është e qartë se, përkundrazi, pasimi i pikëpamjeve të Ibn Tejmijjes dhe pikëpamjeve të persekutuesve të Ehlis-Sunnet vel-Xhematit në përshkrimin e Allahut me trup dhe hapësirë paraqet pabesim (kufr). Deri sa lëshimi i pikëpamjes së Ibn Tejmijjes dhe i të persekutuesve të ehlis-sunnet vel-xhematit paraqet shenjë se personi ndjek selefinjtë e vërtetë.

Fq. 146: "Kurse dora e tij e dytë ishte e zbrazët".

Fq. 149: "Ai ka shfaqur një pjesë të Tij".

Ibn Huzejmi (vd. 311 h.): Ai ka shkruar një libër të madh që e ka titulluar Kitab el-Tevhid (Libri për tevhidin), [18] për shkak të të cilit më vonë është penduar që e ka shkruar, që është konfirmuar në bazë të dy transmetimeve nga Bejhekiu, me zinxhirin e tyre të transmetuesve. [19]

Imam Fahruddin Raziu ka qenë aq i habitur me librin e Ibn Huzejmes sa që e ka riemërtuar librin me "Kitab'ush-shirk" [20] (Libri mbi politezimin), njëjtë sikur që Kevtheriu më vonë e ka riemëruar librin e 'Abd Allah ibn Ahmadit në "Kitab'uz-Zejg" (Libri i lajthitjes). [21]

Ibn Huzejme, si dëshmi se Allahu ka tabanë dhe gjymtyrë të tjera, citon ajetin: "A kanë ata (idhujt) këmbë të ecin me to, a kanë duar të rrëmbejnë me to, a kanë sy të shohin me ta, a kanë veshë të dëgjojnë me ta?", (El-A'raf, 195). Kjo i kundërvihet qëndrimit të fortë të selefinjve të shprehur nga El-Mukriu, si e transmeton këtë Ebu Davudi në Sunenin e tij: "Allahu dëgjon dhe sheh" d.m.th.: "Ai ka aftësi (fuqi) të dëgjojë dhe të shehë (e nuk ka organe)" .[22]

Kevtheriu thekson se perceptimi i Ibn Huzejmes është identik me perceptimin e antropomorfitëve të Tabaristanit dhe Isfahanit të përmendur nga El-Saksakiu në veprën e tij El-Burhan fi ma'rifati 'aka'idi ehl'il-edjan (Demonstrimi në lidhje me njohuritë për doktrinat e pasuesve të feve) i cili thotë: "Nëse Ai nuk ka sy, as veshë, as duar, as tabanë, atëherë ajo që ne adhurojmë është shalqi (bostan) (me fjalë të tjera i rrumbullakët dhe i pa formë)!", dhe ata pohojnë si mbështetje të pikëpamjeve të tyre se Allahu në Kur'an i ka përbuzë ata që nuk kanë gjymtyrë duke thënë: "A kanë ata këmbë që me to të ecin (sikur sugjerojnë se ata janë inferiorë kundrejt atyre që kanë këmbë, d.m.th. gjymtyrë)?". [23]

Ibn Xhevziu thotë si vijon për të: "Unë kam parë se Ebu Bekr Ibn Huzejme ka shkruar një libër për atributet e Allahut dhe e ka ndarë në kapituj sikurse: "Kapitulli Dëshmimi i dorës së Tij", "Kapitulli Mbajtja e Tij e qiellit në gishtat e Tij", "Kapitulli Dëshmimi i tabanit (shputës) të Tij, përkundër mu'tezilitëve" .Atëherë ai ka thënë: Allahu thotë: "A kanë ata (idhujt) këmbë të ecin me to, a kanë ata duar të rrëmbejnë me to, a kanë sy të shohin me ta, a kanë vesh të dëgjojnë me ta?", (El-A'raf, 195), dhe në fund ai na informon se ai që nuk ka duar dhe tabanë është sikurse kafsha (hajvan).

Në këtë unë them: Vërtet çuditem me këtë njeri, me tërë shkathtësinë e tij grandioze në shkencë në transmetimin të hadithit, të fletë gjera të tilla, dhe i përshkruan Allahut atë që i përçmon idhujt të cilët nuk i kanë, sikurse është dora e cila godet dhe tabani i cili ecë. Do të duhej atëherë t'i përshkruhej edhe veshi. Sikur të posedonte talentin e të kuptuarit, ai nuk do të fliste ashtu, dhe ai do të kuptonte se Allahu i ka përçmuar idhujt kundrejt njerëzve të cilët i kanë adhuruar (e jo kundrejt Tij).

Kuptimi i parë i këtij ajeti është: Ju keni duar dhe tabanë, e si atëherë i adhuroni gjerat që nuk e kanë asnjë (d.m.th. si mund të adhuroni diçka që është më i paaftë dhe më i shëmtuar në pamje) nga ju? Ibn 'Akil el-Hanbeli (vd. 515) [24] ka thënë: "Është i lartësuar Allahu mbi atributet që zënë hapësirë që në thelb paraqet antropomorfizëm! Allahu nuk është i ndashëm dhe i nevojshëm për pjesë (gjymtyrë) me të cilat do të bënte diçka. Komanda e Tij dhe krijimi i Tij a nuk po veprojnë mbi zjarrin? Si Ai atëherë do të ketë nevojë për cilëndo pjesë të Vetes, ose do ta tretë (futë) Veten në zjarr me një nga atributet e Tij, kur Ai është ai që vetëm i thotë atij: "Bëru i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin""?, (El-Enbija', 69). Çfarë besimi idiotik është ky dhe sa larg është ky nga Krijuesi i botëve ...! Allahu iu ka dhënë gënjeshtër në Librin e Tij kur iu ka thënë: "Sikur të kishin ata zota, ata kurrë nuk do të hynin në të (zjarr)"", (El-Enbija', 99). Si mund të mendojnë ata se Krijuesi shkon poshtë deri te ai (zjarri)? Është i lartësuar Allahu mbi shpifjet injorante të muxhesimëve!". [25]

Këto janë, prandaj, burimet e qëndrimeve të Ibn Tejmijjes të përshkrimit të trupit dhe të direktivave të Krijuesit.

Sikur që kemi parë këto burime kanë të bëjnë shumë pak me qëndrimin e konstituar të Imam Ahmed Ibn Hanbelit në lidhje me këto çështje. Përkundrazi, ne e dimë me siguri se Imam Ahmed Ibn Hanbeli pa diskutim ka kundërshtuar edhe përshkrimin më të vogël të trupit për Allahun, pa marrë parasysh a ka shtuar apo jo oratori frazën "por jo sikur trupat tjerë".

Në Menakib Ahmed, El-Bejhekiu ka thënë: "Personi bën mosbesim (kufr) nëse thotë se Allahu është trup, madje edhe nëse thotë: Allahu është trup por jo si trupat tjerë". Ai vazhdon: "Shprehjet merren nga gjuha e jo nga Islami, kurse gjuhëtarët i kanë shtuar fjalën "trup" sendit që ka gjatësi, gjerësi, trashësi, formë, strukturë dhe komponenta. Shprehja nuk na është dorëzuar neve në sheriat. Për këtë arsye, ai është jovalid dhe nuk mund të përdoret". [26]

Me këtë fakt se pasuesit korrektë të medhhebit të Ahmed Ibn Hanbelit në shekullin e IV dhe V kanë qëndruar fuqishëm në anën e ehlis-sunnet vel-xhematit, duke refuzuar identifikimin e Allahut me krijesat (teshbih) si atëherë ashtu edhe më vonë. Pikëpamjet e tilla nuk kanë pasur vend deri sa Ibn Tejmijje nuk filloi ta përdorë kapacitetin e tij shkencor dhe talentin e lindur me qëllim të përhapjes së tyre. Si shpërblim për këtë angazhim të tij, ai me të drejtë disa herë është arrestuar duke kaluar një pjesë të karrierës së tij në burg.



Përktheu: Halef bin Selef



Referenca:

[1] - Burimi: http://www.angelfire.com/my/vilajet/vehabisve1.htm.
[2] - Është tmerruese që dijetari i kalibrit të tij ta trajtojë Allahun e madhëruar si një "gjësend" sepse kjo është shprehje gjuhësore që përdoret për diçka të krijuar dhe të lindur me formë dhe dimensione të përkufizuara. Shprehja "gjësend" kurrë nuk mund të zbatohet mbi Allahun xh.sh., qenia e të cilit nuk mund as të imagjinohet se lere të përshkruhet me terminologji që përdoret për diçka të krijuar dhe të kufizuar në hapësirë dhe në kohë. Allahu na ruajt nga blasfemia e këtillë. Përkthyesi.
[3] - Esh-Shafi'i, El-Fikh 'ul-ekber fi 't-tevhid li'l-imam Ebi 'Abd'il-lah Muhammed ibn Idris Esh-Shafi'i, botimi I, (el-Azbakijja, Kairo: el-matba'a el-adabijja, 1324/1906 ose 1907), fq. 8. Dorëshkrimi origjinal i kësaj vepre gjendet në Bibliotekën Dhahirijja në Damask, Ms. K-2(3).
[4] - E cituar në veprën e Kevtheriut Makalat, fq. 314.
[5] - Ibn Tejmijja, El-Ta'sis fi er-radd 'ala asas 'it-takdis 1:568.
[6] - Ibn 'ul-Xhevzi, Daf' shubah et-tashbih str. 268.
[7] - Akrabu ma jekunu el-'abdu min rabbihi ve huve saxhidun fe aksiru fihi el-du'a', transmetuan Muslimi, Salat 482, Ebu Davudi, Salat 875, el-Nisa'i 2:226, dhe Ahmedi në Musned 2:421.
[8] - 'Da'vatu dhi el-nuni idha da'a rabbehu ve huve fi batni el-hut... lem jad'u biha raxhulun muslimun fi shaj'in kattu illa istexheba Allahu leh', transmetuan Tirmidhiu (3500), Nisa'iu në 'Amal el-jevmi ve el-lejla (656), el-Hakim 1:505 dhe 2:383. I fundit e ka shpallur për hadith autentik (sahih) kurse Dhehebiu këtë e ka konfirmuar.
[9] - Ibn Tejmijja, Et-Ta'sis er-radd 'ala asas 't-takdis, 1:111.
[10] - Ibn Hazm, El-Fasl fi'l-milali ve'l-ahva'i ve'n-nihal, 2:124.
[11] - Vërtet është interesante të vërehet se kjo thirrje e rrejshme në koncenzus, d.m.th. në ithma vërehet si te Ibn Tejmoije dhe te simpatizuesit e tij të drejtpërdrejtë ashtu edhe te selefinjtë e sotëm të cilët pas vdekjes e kanë shpallur, d.m.th. e kanë dhuruar Ibn Tejmijjen dhe Muhammed Ibn Abdulvehhabin me titullin shejh'ul-islam. Askush nga bashkëkohësit e tyte nuk ka pohuar se ata janë dijetarë të lartë e lere që kanë qenë ldierë të dijetarëve të epokave të veta që titulli shejh'ul-islam nënkupton. Për më tepër, edhe njëri edhe tjetri nga bashkpëkohasoit e tyre janë shpallur si heretikë e nga disa edhe kafirë, d.m.th. murtedë. Selefinjtë e sotëm po tentojnë t'i mveshin idetë blasfemiste dhe gjoja doktrinat e e Ibn Tejmijjes dhe të Muhammed Ibn Abdulvehhabit si të vërtetë të pacenueshme dhe rruga e vetme e drejtë. Tpë gjithë ata e kanë një cilësi dhe moto të përbashkët e kjo është që të shkatërrohet dhe zhduket dituria dhe udhëzimi që na është lënë në trashëgimi nga katër imamët e medhhebit suniit, e të cilën ata e pranuar nga as'habët dhe tabiinët.
Janë shpenzuar miliona dollarë deri tash duke shtypur dhe shpërndarë libra dhe pamflete me informacione të shtrembëruara dhe të falsifikuara për Islamin të cilat shpesh i përshkruhen dijetarëve më të mëdhenjë muslimanë, (Përkthyesi).
[12] - Abdullah ibn Ahmed Ibn Hanbel, Kitab'us-Sunna (Kairo, El-Matba'a es-selefijeh, 1349/1930).
[13] - El-Hal-lal, el-Sunna fq. 215-216.
[14] - Ibn Kajjim El-Xhevzijja, Bada'i' 'ul-Feva'id (Misr, el-Matba'a el-Munirija, 1900 ?) 4:39-40.
[15] - Ebu Hajjan, Tefsir el-nahr el-madd 1:254 (Ajet'ul-kursi).
[16] - Shih hyrjen e librit të Ibn Xherir et-Tabariut 'Kitab Ihtilaf 'il-Fukaha' (Dallimet ndërmjet juristëve), ed. Frederik Kern, Egjipt, 1902.
[17] - Është cituar në Sakka op. cit.
[18] - Muhammed ibn Is'hak ibn Huzejme, Kitab'ut-Tevhid vel-Isbat Sifat er-Rabb el-leti vesafa biha Nefsehu ... (Kairo, Idarat et-Tiba'a el-Munirijja, 1354/1935).
[19] - Bejhaki, El-Esma' ve 's-Sifat, ed. Kevtheri, fq. 267.
[20] - Imam Razi, et-Tafsir 'ul-Kebir 14:27 (151).
[21] - Kevtheri, Makalat, fq. 355.
[22] - Ebu Davud, Sunen, Kitab us-Sunna, kaptina 19, hadithi i fundit.
[23] - Kevtheri, Makalat, fq. 361.
[24] - Një nga autoritetet e mëdha të hershëm të shkollës hanbelite.
[25] - Ibn el-Xhevzi, Daf'Shubah el-Tashbih fq. 172-174.
[26] - El-Bejhaki, Menakib Ahmed. Dorëshkrim i pabotuar.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...