Medhhebet në Islam - Novatori apo domosdoshmëri?




Hyrje

بسم الله الرحمن الرحيم

Lexues të nderuar!

Librin të cilin e ke para vetes, para dorëzimit në shtyp, kanë patur rastin ta shiqojnë dhe për të të japin mendim a gjykim personalitetet dhe alimët tonë eminentë: prof. Mehmedalija Haxhiq, këshilltar për çështje të sheriatit pranë Rijasetit të BI në RBeH, Naibu-Reisul-ulemai prof. Ismet ef. Spahiq, Jakub ef. Muhamedi, imam i xhematit "Ballkan" në Munih dhe Muhammed ef. Mushinbegoviq, imam i xhematit në Rosenheim.

Ata më kanë mbështetur dhe kanë dhënë pëlqim që ky libër të shtypet dhe tu bëhet i arritshëm një numri sa më të madh të muslimanëve tanë. Unë për këtë i falënderoj dhe e lus Allahun xh.sh. që t'i shpërblejë, veçanërisht për sugjerimet dhe vërejtjet të cilat m'i kanë drejtuar që me të madhe kanë ndikuar që libri të dalë në këtë formë dhe përmbajtje.

Me këtë libër është menduar të arrihen dy qëllime: Njohje me temën medhhebët në Islam, me përpjekje që këtë temë t'ua afrojmë rrethit të gjërë të popullatës muslimane, me theks të veçantë në respektim të të gjitha medhhebeve të pranuara, gjithsesi mes tyre edhe medhhebin tonë hanefij.

Nxitje për ruajtjen e unitetit të popullatës tonë muslimane dhe të mos lejohet që të vijë deri te konfrontimet në mes vete në baza fetare, deri tek të cilat ka ardhur në disa pjesë të botës islame.

Vallahu min verail-kasdi ve huve jehdis-sebil!



Autor: Fikret Arnaut






Pjesa e parë


بسم الله الرحمن الرحيم

Konceptimi Islam, mbi medhhebet e fikhut në Islam

Falënderimi i qoftë Allahut xh.sh., Atë e adhurojmë dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë. Atë të cilin Ai e përudhë në rrugë të drejtë, vetëm ai është në rrugë të drejtë, kurse kë e lë në lajthitje, atë askush në rrugë të drejtë nuk mund ta kthejë. Salavati dhe selamet qofshin mbi të dërguarin e fundit të Allahut Muhammedin a.s., mbi as'habët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin porosinë e Tij deri në Ditën e gjykimit.


Vëllezër të dashur e të respektuar, motra të nderuara!

Në fjalët që pasojnë do të përpiqemi, me ndihmën e Allahut, t'i sqarojmë disa çështje rreth zanafillës së medhhebeve, themeluesve të tyre, kohës në të cilën janë paraqitur dhe shkaqet për të cilat janë paraqitur medhhebet. Pastaj të jipen qëndrimet islame rreth disa çështjeve shumë të rëndësishme nga kjo lëmi, siç janë:

- A jemi fare të detyruar të ndjekim njërin prej medhhebeve?
- Nëse po, atëherë cilin medhheb duhet ta ndjekim?
- A ekzistojnë dallime themelore dhe qenësore në mes medhhebeve ekzistuese?
- A përmbajnë në vete medhhebet diç që bie ndesh me dispozitat e Kur'anit dhe të Sunnetit?
- Kujt i lejohet që të nxjerrë dispozita (ahkam) drejtpërdrejt nga Kur'ani dhe Sunneti?

Çfarë ka qenë pozita politike dhe ekonomike e muslimanëve në kohën kur në vise të ndryshme të botës islame respektoheshin medhhebet dhe kur muslimanët i ndiqnin dijetarët islamë - muxhtehidët, dhe çfarë është pozita e muslimanëve atëherë, kur nuk respektohen medhhebet dhe kur bëhet thirrje në refuzimin e ndjekjes së medhhebeve ose madje kur fajësohen medhhebet për prapambeturinë e muslimanëve?


Ç'është Medhhebi?

Fjala medhheb në gjuhën arabe do të thotë rrugë, mënyrë ose metodë. Në terminologjinë islame të fikhut, me medhheb nënkuptohet drejtimi dhe metoda, të cilën një prej juristëve islam-muxhtehid e ka vendosur për të ardhur deri te njohja e dispozitave (ahkam) të caktuara. Që nga fillimi i shpalljes së Islamit, Muhammedi a.s. ka qenë interpretuesi më i mirë dhe i vetëm i Islamit. Ai e shpjegon porosinë e Allahut. Allahu xh.sh. e ka dërguar me detyrë që t'u shpjegojë njerëzve atë që u ka dërguar. Bashkësia së cilës i është dërguar Muhammedi a.s. në fillimin e saj nuk është e madhe. Tekstet e Kur'anit dhe të Hadithit, të cilat shpallen janë të kufizuara me përmbajtje. E zgjidhin problematikën aktuale të asaj kohe, e njëkohësisht vendosën edhe themelet dhe rregullat parimore për një ummet të madh i cili do t'i ketë ithtarët e vet në çdo vend të rruzullit tokësor. Në Bashkësinë mekkase dhe medinase të muslimanëve nuk sqarohen të gjitha çështjet dhe aktualitetet në të cilat do të hasin të gjithë muslimanët kudo që të jenë dhe të gjenden.

Allahu xh.sh. në shumë ajete thekson se besimtarët duhet t'i nënshtrohen Allahut dhe të Dërguarit të Tij. As'habët shumë mirë e kuptojnë se çka don të thotë kjo. Dispozitat dhe detyrat kryesore të Islamit shpallen në Medine. Janë shpjeguar themelet e Islamit, kelimei shehadeti, namazi, agjërimi, zekati dhe haxhxhi. Krejt mësimi i këtyre dispozitave bëhet me transmetim gojor. I vetmi që bëhet në formë të shkruar është teksti i Kur'anit. I Dërguari i Allahut Muhammedi a.s. ndalon që të shkruhet çdo gjë tjetër përveç Kur'anit. Është i vetëdijshëm se të gjitha librat tjera qiellore së shpejti pas shpalljes janë ndryshuar, teksti i librave të shpallura është falsifikuar, diçka nga harresa, e diçka me qëllim.

Andaj kihet kujdes që edhe me Islamin të mos përseritet fati i shpalljeve të mëparshme. As'habët besnikërisht shënojnë dhe shkruajnë tekstin e Kur'anit dhe shumë e mësojnë përmendsh. Disa as'habë janë gjithmonë pranë Muhammedit a.s.dhe mbajnë mend atë që flet dhe shpjegon. Veçanërisht shquhet Abdullah ibn Omeri dhe Ebu Hurejre r.a. Nga ana tjetër disa as'habë specializohen në lëminë e dispozitave (ahkam), siç është Muadh ibn Xhebel, Abdullah ibn Mes'ud, Ali ibn Ebi Talib, Aisha bija e Ebu Bekrit, etj.. Disa, prap, ishin përcaktuar për interpretim të Kur'anit që më vonë bëhet lëndë studimi i disiplinës së veçantë, e cila quhet tefsir. Nga kjo fushë, veçanërisht është dalluar Ibn Abbasi r.a..

Pas kalimit të të Dërguarit të Allahut Muhammedit a.s. në jetën e amshuar (Ahiret), zhvillimi i Islamit vazhdoi të ecë në pajtim me themelet të cilat janë vendosur në gjeneratën e parë të ndershme në të cilën ka jetuar i Dërguari i Allahut Muhammedi a.s. Në një hadith të cilin e transmeton Abdullah ibn Mes'udi, Resulullahi a.s. ka thënë: "Shekulli më i mirë është ai në të cilin jam dërguar unë, pastaj ai i cili pason dhe ai i cili e pason", (Hadith sahih), (Transmetojnë Buhariu, Muslimi, Ibni Maxhe, etj.).

Nga ky transmetim konkludojmë se periudha më e mirë është ajo në të cilën ka jetuar i Dërguari i Allahut Muhammedi a.s., pastaj ai që e pason dhe ai që pason pas saj. Me këtë janë përfshirë tri gjenerata:

Gjenerata e as'habëve: As'ab konsiderohet çdonjëri që ka besuar në pejgamberinë e Muhammedit a.s., është takuar me të dhe së paku njëherë e ka parë. Kushtëzohet pamja e të Dërguarit të Allahut Muhammedit a.s. që të mund ta fitojë këtë titull të ndershëm. Ashtu që ata të cilët kanë jetuar në kohën e të Dërguarit të Allahut, por nuk janë takuar me të dhe nuk e kanë parë, edhe nëse e kanë besuar dhe janë muslimanë, nuk mund të konsiderohen as'habë. I tillë ka qenë Uvejs Karani, fetar i madh nga Jemeni, të cilin i Dërguari i Allahut ua ka përmendur as'habëve të tij dhe disave madje ua ka rekomanduar që nëse takohen me Uvejs Karanin prej tij të kërkojnë lutje të hajrit. Ky personalitet në popullin tonë është i njohur me emrin Vejsil Karani. Është shënuar se Hazreti Omeri kur ka qenë halif çdo vit në sezonë të haxhit ka dal në mesin e haxhinjve ka pyetur për Vejsil Karanin dhe një vjet është takuar me të. Për këtë ekzistojnë transmetime të besueshme, (Shih librin "Zuhd" Ahmed ibn Hanbel).

Gjenerata e Tabiinëve: Janë të gjithë ata që kanë besuar në pejgamberinë e Muhammedit a.s., por me të nuk janë takuar, por janë takuar me disa prej as'habëve. Kjo është gjenerata e dytë e bekuar. Ajo ka dhënë gjeni të mëdhenj dhe njerëz të mençur, kurse ne do t'i përmendim si shembull Seid ibn Musejjebin, Hasan Basriun, Ebu Hanifen, themeluesin e medhhebit tonë. Ajo që është interesant të theksohet është se Ebu Hanifja prej fakihëve - muxhtehidëve të njohur, i vetmi është nga gjenerata e tabiinëve, ndërsa të tjerët: Shafiu, Maliku dhe Ahmed ibn Hanbeli nga gjenerata e tretë (tebei tabiin). Të gjithë dijetarët janë të pajtimit se gjenerata e parë e as'habëve është më e mira, pastaj e dyta e pastaj e treta.

Gjenerata e Tebei tabiinëve: Ata janë të cilët kanë besuar në pejgamberinë e Muhammedit a.s. dhe janë takuar së paku me një Tabiin. Nga kjo gjeneratë janë të njohur numër i madh i dijetarëve nga lëmi të ndryshme si: fikh, hadith, tefsir, etj.. Në këtë periudhë bëhet edhe kodifikimi i shumë shkencave islame kështu që janë mbrojtur nga harresa dhe nga tentimi i falsifikimit. Për dallim prej dy shekujve të mëhershëm, në këtë shekull theksi më tepër vëhet në fjalën e shkruar. U ndie nevoja që të gjitha gjërat të shkruhen. Tashmë ishte e pamundur të gjitha të mbahen në mend pastaj edhe ndalimi i Pejgamberit për shënimin e haditheve dhe materialeve të tjera kishte pushuar, nga se ishte e kufizuar për periudhën e shpalljes së Kur'anit, shkak i të cilës ishte frika se mos të përzihet teksti i Kur'anit me fjalët njerëzore. Kështu që në këtë periudhë, në shekullin e tretë hixhrij, vjen deri te një lëvizje e fortë shkencore e cila i përfshinë të gjitha lëmitë.

Në të gjitha periudhat e përmendura kanë qenë të njohur dijetarët, të cilët i kanë patur metodat e tyre në shpjegimin e dispozitave islame. Pra, i kishin medhhebet e tyre. Sa i përket periudhës së as'habëve, gjeneratës së parë më të zgjedhur, më i njohur ishte medhhebi i Aishes, i Abdullah ibn Omerit, i Abdullah ibn Mes'udit, etj..

Në gjeneratën e dytë të bekuar - të tabiinëve më të njohur janë shtatë fakihët e Medinës: Seid ibn Musejjeb, Urvetu ibn Zubejr, Kasim ibn Muhammed, Harixhetu ibn Zejd, Ebu Bekr ibn Abdu-Rrahman ibn Harithe ibn Hisham, Sulejman ibn Jesar, Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mes'ud. Këta shtatë janë të njohur me emrin "shtatë fakihët-juristët e Medinës". Pastaj nga gjenerata e Tabiinëve edhe: Nafi' mevla Abdullah ibn Omer. Në Kufe ishte i njohur Alkametu ibn Mes'ud, Ibrahim Nahii, Shejh Hammad ibn Ebi Sulejman, mësuesi i Ebu Hanifes nga Basra, Hasan El-Basriu, (Shih Fikhul-islamijj ve edil-letuhu - dr. Vehbe Zuhejli 1/28).


Themeluesit e katër Medhhebeve të njohura

Nga dijetarët e shumtë të cilët janë marrë me shkencën e fikhut, më së tepërmi janë dëgjuar dhe janë bërë të njohur katër dijetarët e famshëm. Medhhebët e tyre janë ruajtur me numrin më të madh të ithtarëve. Ata janë Imam Ebu Hanifja, Malik ibn Enesi, Muhammed ibn Idris Esh-Shafiu dhe Ahmed ibn Hanbeli.

Këtu, in sha Allahu, do t'i theksojmë shënimet e shkurtëra biografike të secilit prej tyre.


Ebu Hanife - Nu'man ibn Thabit (80-150 h.) - Themelues i Medhhebit Hanefij

Emrin e ka: Imam E'dham Ebu Hanife, Nu'man ibn Thabit ibn Zuta el-Kufi. Prejardhjen e ka nga Persianët. Është lindur në vitin 80, kurse ka vdekur në vitin 150 hixhrij. Ka jetuar në fund të dinastisë Emevite dhe në fillim të asaj Abasite. Thamë se i takon gjeneratës së tabiinëve, sepse i ka takuar disa as'habë. Dihet me siguri se e ka takuar Enes ibn Malikun dhe prej tij e transmeton hadithin e Pejgamberit a.s. që ka thënë: "Kërkimi i diturisë është obligim për çdo musliman".

Ai është imam i shkollës racionaliste në Irak. Juristi islam më i njohur i kohës së vet. Imam Shafiu duke u impresionuar me njohjen e tij të fikhut, ka thënë: "Njerëzit janë të varfër në fikh në krahasim me Ebu Hanifen". Ka qenë tregtar i tekstilit në Kufe. Ka mësuar hadith dhe fikh nga dijetarët më të njohur të kohës së tij, kurse i ka kaluar 18 vjet si nxënës special te dijetari Hammad ibn Sulejman, kurse Hammadi e ka patur mësues Ibrahim Nehiin. Ka qenë i rreptë në pranimin e hadithit. Ka patur kriteriume të ashpra, sepse ekzistonte numër i madh gënjeshtarësh, të cilët trillonin hadithe dhe ia përshkruanin të Dërguarit Muhammedit a.s.. Shumë e ka shfrytëzuar Kijasin dhe Istihsanin. Themelet mbi të cilat e ka ndërtuar medhhebin e tij janë:

- Kur'ani,
- Hadithi,
- Ixhmai,
- Kijasi,
- Istihsani.

Nga lëmia e akaidit e ka shkruar librin "Fikhul ekber". Është ruajtur deri sot dhe është shtypur. Më i njohur është verzioni me komentim të Mulla Ali Kariut (213). Ekziston poashtu edhe Musnedi i tij. Nuk ka lënë asnjë libër të shkruar nga fikhu. Mësimin e tij e ka ekspozuar në formë gojore, kurse nxënësit e tij kanë shkruar pas tij. Kështuqë deri sot besnikërisht dhe me kujdes janë ruajtur të gjitha mendimet dhe i tërë mësimi i tij. Nxënësit e tij më të njohur janë:

Ebu Jusuf, Jakub ibn Ibrahim el-Kufi: Ai ishte gjykatës suprem në kohën e sundimit të Reshidit. Atij i takon merita më e madhe për ruajtjen e themeleve të medhhebit hanefij dhe përhapjes së mendimeve të tij në vise të ndryshme të botës. Kjo shumë ia ka lehtësuar pozitën, të cilën e ka zënë. Ai në shkencë e pat arritur shkallën muxhtehid mutlak. Por ka mbetur ndjekës besnik i mësuesit të tij.

Muhammed ibn Hasan Esh-Shejbani: Është i lindur në Vasit. Babai i tij ishte nga Damasku. Ai është rritur në Kufe, kurse më vonë jeton në Bagdad. Shkencën e fikhut e ka mësuar nga Ebu Hanifja. Pas vdekjes së Ebu Hanifes është shoqëruar edhe me Malikun. Ka qenë i talentuar dhe inteligjent. Edhe ky e arrin shkallën e muxhtehidit mutlak. Ka shkruar shumë vepra, materialin e të cilave e ka mbajtur në mend nga Ebu Hanifja. Atij po ashtu i takon merita e madhe për shënimin dhe kodifikimin e materialit të shkollës juridike hanefite. Është e njohur vepra e tij "Dhahiru Rivajeti", e cila konsiderohet vepër mjaft e njohur dhe themelore në medhhebin hanefij.

Zufer ibn Hudhejl Ebu Hudhejl: Në fillim është shoqëruar me shkencëtarë të hadithit, kurse më vonë kalon ndër juristë-fukahenj. Veçanërisht me shkathtësi ka përdorur Kijasin (analogjinë).


Malik ibn Enesi (93-179 h.) - Themelues i Medhhebit Malikij

Emri i tij i plotë është Imam Malik ibn Enes ibn Ebi Amir El-Asbehi. Me prejardhje është nga një fis i Jemenit. Mban pseudonimin Imam darul-hixhreti (Imam i shtëpisë së hixhretit - Medinës). Është i lindur gjatë kohës së sundimit të Velid ibn Abdul Melikut, kurse ka vdekur gjatë kohës së Reshidit në Medine. Krejt jetën e tij e ka kaluar në Medine, asnjëherë nuk e ka lëshuar. Sikur edhe Ebu Hanifja, ka jetuar në kohën e dy dinastive (Emevite dhe Abasite). Gjatë kohës së tij kufijt e shtetit islam dukshëm janë zgjeruar. Islami pati arritur gjer në Evropë. Andalusi tashmë ishte vend islam.

Që nga rinia e hershme është shoqëruar me shkencëtarë të mëdhenj të cilët atëherë qëndronin në Medine. Posaçërisht një kohë të gjatë i pati ndjekur ligjëratat e Abdurrahman ibn Hurmuzit, Nafi Mevla ibn Omerit dhe të Ibn Shihab Ez-Zuhrisë. Shejhu i tij në shkencën e fikhut ishte Rebiatu ibn Abdurrahman. Ka qenë imam në fikh dhe në hadith. E ka shkruar veprën e njohur me orient të fikhut dhe hadithit, Muvetta. Imam Shafiu për Malikun ka thënë: "Maliku është mësuesi im, prej tij e kam marrë diturinë, ai është dëshmi ndërmjet meje dhe Allahut xh.sh.. Nuk ka asnjë njeri, të cilit i besoj më tepër se Malikut. Kur të përmenden dijetarët, Maliku në mesin e tyre është sikurse ylli i dritës në mesin e yjve".

Medhhebin e tij e ka vendosur në themelet vijuese:

- Kur'ani,
- Sunneti,
- Ixhmai,
- Kijasi,
- Veprat e banorëve medinas,
- Fjalët e as'habëve,
- Istihsani,
- Sedu Dheria,
- Istis'habi,
- Mesalihul mursele, dhe
- Sher'u men kane kablena (ligji i shpalljeve të mëparshme).

Për secilin prej burimeve apo themeleve të përmendura të medhhebit malikij, si dhe i të tjerëve, do të duhej shpjegim, por nuk duam detajisht të ndalemi, sepse në këtë punim theksi i veçantë vëhet në tema të tjera. Kush dëshiron të njoftohet gjërësisht me themelet e të gjitha medhhebeve, patjetër duhet t'u kthehet librave të Usuli fikhut, pa të cilat është e pamundur të kuptohet materia e fikhut, e sidomos kuptimi i teksteve dhe porosive të Kur'anit dhe Hadithit.

Imam Malik ibn Enesi ka patur shtatë nxënës, të cilët ishin nga Egjipti. Ata e kanë përhapur medhhebin e tij në Egjipt dhe në vende të tjera të Veriut të Afrikës. Gjithashtu i kishte patur edhe shtatë nxënës nga Maroku, të cilën fikhun e tij e sollën në vendet e tyre. Medhebi malikij është përhapur dhe ka mbijetuar në vendet ku kanë vepruar nxënësit e tij. Pjesëtarë të medhhebit malikij sot ka në Egjipt, Tunizi, Marok, Algjeri, Libi, etj.. Prej dallimeve të dukshme te pjesëtarët e medhhebit malikij, në krahasim me medhhebet tjera, është se ata gjatë faljes në namaz nuk i lidhin duart.


Imam Muhammed ib Idris Esh-Shafiu (150-204 h.) - Themelues i Medhhebit Shafij

Imam Ebu Abdullah Muhammed ibn Idris Esh-Shafi'i, me prejardhje është i lidhur me pejgamberin Muhammed a.s. nga gjyshi Abdul-Menaf. Është i lindur në Gazë - Palestinë në vitin 150 hixhrij. Është i lindur në vitin e njëjtë në të cilin ka vdekur Ebu Hanifja. Shafiu ka vdekur në Egjipt në vitin 204 h..

Babai i Shafiut kishte vdekur kur ai i kishte vetëm dy vjet. Nëna e kishte çuar në Mekke, në vendin e të parëve të tij, ku ishte rritur si jetim. Në rininë e hershme e kishte mësuar (përmendsh) Kur'anin. Pas kësaj ishte dërguar në një fis beduin, i cili ishte më i njohuri për nga elokuenca, andaj aty e mëson gjuhën arabe burimore. Pastaj ka qenë nxënës te muftiu i Mekkës Muslim ibn Halid Ez-Zinxhiu, i cili i pati lejuar në moshën 15 vjeçare të japë fetva. Ashtu që në rininë e hershme ishte shumë solid në përvetësimin e shkencave islame. Pastaj u shpërngul në Medine dhe aty mësoi nga Imam Malik ibn Enesi. E ka dëgjuar Mevettain, të cilin e mban në mend për vetëm 9 netë. Pastaj me punë shkon në Jemen, e në vitin 183 h. udhëton për në Bagdad. Në Bagdad takohet me Muhammed ibn Hasanin, prej të cilit i merr librat e fukahenjve të Irakut dhe me të ka patur diskutime, të cilat Harun Err-Rreshidi i përcillte me kënaqësi. Kjo periudhë e jetës së tij është mjaft e rëndësishme. Pas kësaj shpërngulet në Egjipt, ku më pastaj edhe vdes.

Imam Shafiun e kanë quajtur shehidul-ilmi (shehid i diturisë) për shkak të një ngjarje pak të çuditshme. Në Egjipt në atë kohë ka qenë i njohur dhe i përhapur medhhebi malikij. Me një rast Shafiu zhvillon një diskutim (polemikë) me një dijetar, i cili i takonte medhhebit malikij, natyrisht e ka mundur në diskutim. Mirëpo, nga hidhërimi ky i bie me një çelës të madh në kokë, prej të cilit Shafiu sëmuhet dhe së shpejti vdes. Ka patur numër të madh nxënësish të cilët më vonë e ruajnë dhe ua përcjellin të tjerëve mësimet e medhhebit të tij., ka arritur shkallën muxhtehid mustekil (muxhtehid i pavarur). Allahu e shpërbleftë me xhennet!


Ahmed ibn Hanbel Esh-Shejbani (163-241 h.) - Themelues i Medhhebit Hanbelij

Imam Ebu Abdullah Ahmed ibn Hanbel ibn Helal ibn Esed Ez-Zuhejli Esh-Shejbani është i lindur në Bagdad. Për të arritur dituri udhëton në të gjitha qendrat shkencore të asaj kohe: Kufe, Basra, Mekke, Medine, Jemen, Sham, etj..

Kur Shafiu vjen në Bagdad, atij i bashkangjitet Ahmed ibn Hanbeli dhe mëson para tij. Edhe ky bëhet muxhtehid mustekil (muxhtehid i pavarur). E ka fituar edhe titullin imamul-muhaddithine (lideri i shkencëtarëve të hadithit). Kur e lëshon Bagdadin Shafiu thotë: "Në Bagdad nuk kam lënë njeri më të devotshëm më të mençur dhe më të ditur se Ahmed ibn Hanbelin". Në qytetin ku ka lindur, aty edhe vdes në vitin 241 h., edhe Ahmed ibn Hanbeli pas vete ka lënë shumë nxënës, të cilët e kanë ruajtur medhhebin e tij.


Muxhtehidët tjerë

Kjo ishte një pasqyrë e shkurtër e periudhës së katër fukahenjve të njohur muxhtehidë, fikhu i të cilëve është ruajtur deri sot. Përveç këtyre katërve ka patur edhe dijetarë të tjerë, të cilët e kanë arritur shkallën e ixhtihadit, por medhhebet e tyre nuk janë ruajtur dhe nuk janë përcjellur më tutje. Nga ai grup do të përmendnim medhhebin e Sufjan Thevriut, Ibn Ebi Lejla, Davud ibn Alij El-Esfehani Dhahiri, Ibn Xherir Et-Taberi, etj.. Të katër medhhebet e përmendura më herët janë të pranuara nga Ummeti islam dhe në cilindo që dikush ka mësuar t'i shpreh ibadet Allahut xh.sh. e ka në rregull. Sepse të gjithë ata kanë qenë muxhtehidë të pavarur. Nuk lejohet të thuhet se njëri prej medhhebeve është më i mirë se tjetri dhe sidomos nuk lejohet të veprohet në diskriminim të medhhebit. Secili është i drejtë, sepse ai është ixhtihad i shkencëtarit që ka gradën e muxhtehidit, të cilët nëse me ixhtihadin e tyre kanë bërë veprime të mira tek Allahu xh.sh. i kanë dy shpërblime, e nëse kanë gabuar në nxjerrjen e dispozitës e kanë një shpërblim. Muxhtehidi gjithsesi është i shpërblyer. Kjo është thënë në hadith sahih. Kurse muslimanët tjerë, të cilët nuk e kanë arritur gradën e ixhtihadit e kanë për detyrë ta ndjekin njërin prej muxhtehidëve. Nëse ndodhë që të fillojë të merret me ixhtihad personi që nuk i plotëson kushtet e ixhtihadit, është gabimtar edhe nëse ia qëllon. Dera e ixhtihadit është gjithmonë e hapur, por vetëm për muxhtehidë.

Kur'ani është shumë i qartë për këto çështje: فَاسْأَلُوا أَهْلَ الذِّكْرِ إِنْ كُنْتُمْ لاَ تَعْلَمُونَ ... - "... pyetni pra dijetarët, nëse ju nuk dini", (En-Nahl,43).

ياَ أَيُّهاَ الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا اللهَ وَ أَطِيعُوا الرَّسُولَ وَ أُوليِ الأَمْرِ مِنْكُمْ ... - "O ju që besuat, bindjuni Allahut, respektoni të dërguarin dhe përgjegjësit nga ju ...", (En-Nisa,59). Me shprehjen "ulil-emri minkum" nënkuptohen muxhtehidët.

Nuk është e lejuar që njerëzit të shetisin nëpër medhhebe dhe t'i përziejnë dispozitat nga secili medhheb, e në fakt nuk e kanë mësuar asnjërin si duhet dhe në mënyrë të themeltë. Sidomos nëse dikush kërkon vetëm lehtësira (ruhsa) nga të gjitha medhhebet. Andaj u rekomandohet muslimanëve që ta ndjekin medhhebin në mesin e tyre, ai në të cilin janë institucionet e nevojshme përkatëse: shkollat (medresetë), kuadri i aftësuar-dijetarët, literaturën autentike në të cilën janë të shënuara dispozitat dhe mësimet e atij medhhebi. E palogjikshme, e parregullt dhe e pamenduar do të ishte që nëse në një midis është i përhapur medhhebi hanefij dhe i ka institucionet e nevojshme përkatëse, të cilat i cekëm, që dikush nëse e ka mësuar një apo dy dispozita nga një medhheb tjetër, e lëshon dispozitën e medhhebit hanefij dhe e merr atë mendimin tjetër.

Dijetari Seid Ramadan El-Buti (Sirian) thotë se në këtë kohë nuk ka asnjë muxhtehid mustekil në mbarë botën islame (shih librin: dr. Seid Ramadan El-Buti, Zevabiu ve esudda verae kitab el-Xhihad fil-islam). Për këtë arsye kur të duhet të bihet vendim për ndonjë çështje, duhet të mblidhet konziliumi i shkencëtarëve dhe bashkërisht të marrin qëndrim për ndonjë çështje të caktuar. Medhhebet nuk janë themeluar me qëllim që ta ndajnë ummetin islam, por përkundrazi janë formuar me qëllim që të ruhet mësimi dhe shkenca islame. Pikërisht në këtë periudhë (periudha e katër muxhtehidëve të njohur) është bërë kodifikimi dhe përpunimi i dispozitave të fikhut për të qenë të kuptueshme për popullin. Dhe krejt ai material është shënuar dhe është ruajtur dhe harresa dhe nga shtrembërimi.

Pas kësaj është prurë fetva për domosdoshmërinë e ndjekjes së njërit prej medhhebeve të pranuara në mënyrë që të ngushtohet rrethi i mundësisë që dikush arbitrarisht dhe në mënyrën e vet t'i interpretojë çështjet islame duke mos qenë kompetent për të. Që dikush të bëhet muxhtehid duhet të plotësojë mjaft kushte. Për shkak të natyrës së këtij punimi mbi medhhebet nuk kemi mundësi që tash gjerësisht të flasim mbi kushtet e muxhtehidit, por nëse mund të themi shkurtimisht, atëherë do të themi kështu: ky është personi i cili në mënyrë të përkryer është i njoftuar me Kur'anin dhe Sunnetin e pejgamberit të ndershëm Muhammedit a.s., krahas njohjes së gjuhës arabe, përsosmërisë së imanit, virtyteve dhe karakterit të moralit, talentit mendor, inteligjencës, pastaj arritjes së diturive para dijetarëve publik të pranuar e të njohur, etj..

Sa për ilustrim dhe duke tentuar të paraqesim madhështinë e gradës së një muxhtehidi do të theksojmë faktin vijues: Një numër shumë i madh i dijetarëve prej shek. 5 hixhrij e deri më ditët e sotme kanë qenë mukal-lidë (ndjekës) të njërit nga medhhebet e njohura të përmendura. Unë do t'i përmendi vetëm disa emra të njohur. P.sh. Imam Gazaliu- anëtar i medhhebit shafij, Imam Neveviu (shafij), Ibn Haxher El-Askalani (shafij), Ibn Abidini (hanefij), Ibn Rexheb (hanbelij), Ibn Arebiu (malikij) dhe kështu ka qenë gjatë të gjithë shekujve. Kjo ka zgjatur deri në kohën më të re kur muslimanët e kanë humbur forcën dhe ndikimin, të coptuar nga të gjitha anët, mes tjerash, edhe nga brenda, andaj paraqitet dukuria e pamedhhebizmit (el-lamedhhebijje), të cilën dijetari Dr. Seid Ramadan El-Buti e quan "novatoria më e rrezikshme e cila i kanoset sheriatit islam".

Ftuesit e pamedhhebizmit proklamojnë: "Në kohën e Muhammedit a.s. nuk ka pasur medhhebe, andaj në bazë të kësaj, as neve nuk na nevojiten. Secili duhet të kryejë prej dispozitave islame deri te të cilat vjen vet duke studiuar Kur'anin dhe Sunnetin qoftë ky madje edhe bujk, bari, nëpunës e të ngjashme ...". Mbi këtë dhe marrëzi të ngjashme më gjerësisht të shiqohet në librin e Dr. Seid Ramadan El-Buti "El-la medhhebijje". A don të thotë kjo se të gjithë dijetarët, pas këtyre katër kolosëve (Ebu Hanifes, Malikut, Shafiut, Ahmed ibn Hanbelit) duke filluar nga nxënësit e tyre më të afërtë, si p.sh. të Ebu Hanifes: Ebu Jusufi, Muhammedi, Zuferi, etj., të gjithë këta paskan devijuar rrugën e drejtë dhe kanë gabuar duke i ndjekur mësuesit e tyre, e deri në ditët e sotme!? Sikur se këta dijetarë nuk i paskan ditur citatet e mësuesve të tyre: "Nëse gjeni hadith sahih, ai është medhhebi im", me çka sot shumë bilmeza kapen gjoja se medhhebet janë të themeluar në diçka tjetër e jo në Kur'an dhe Hadith. Muhammedi a.s. ka thënë: لاَ تَجْتَمِعُ أُمَّتِي عَلَى خَطَإٍ ... - "Ummeti im nuk do të pajtohet në gabim", (Hadith sahih).

Kurse janë pajtuar në rregullësi të katër medhhebeve dhe në domosdoshmërinë e ndjekjes së njërit prej tyre. Ka ndodhur edhe kur ndonjë beduin nga shkretëtira të ketë thënë se medhhebet janë gjë e gabueshme dhe duhet ndjekur vetëm Kur'anin dhe Sunnetin dhe për këtë thënie nuk ka pranim as pajtim të askujt dhe mendoj se është absurde të vëhen në një rrafsh këto dy dukuri dhe për to të diskutohet. Dua posaçërisht të theksoj këtë fakt, të pranimit të këtyre medhhebeve nga ana e mbarë ummetit të Muhammedit a.s.. Nga ana tjetër edhe është e pamendueshme që dikush tash t'i mohojë medhhebet ekzistuese dhe të thotë se don drejtpërsëdrejti ta ndjekë Kur'anin dhe Sunnetin, këtë nuk mundet sepse ndërmjet tij dhe Kur'anit e Sunnetit ekzistojnë bjeshkë dhe pengesa të panumërta. Këtë do të mund ta thotë dikush që ka arritur gradën e ixhtihadit. Por, prap do të kishte nevojë të domosdoshme të akceptojë ixhtihadin e muxhtehidëve të mëparshëm.

Fatkeqësisht, ne sot po përjetojmë momente kur disa djelmosha mendjemëdhenjë, analfabetë ose gjysmanalfabetë apo edhe nga ndonjë haxhi më i vjetër merr guxim nga ndonjë shfreni dhe xhahilijet të flasë mbi medhhebet në kontekstet më negative. Sa të mjerë që duken sikur të mund të shiheshin me sy të të tjerëve. Kanë rënë në grackën e propagandës armiqësore. Thonë: "Nuk na duhen medhhebet". Që t'i kenë të thyer muslimanët në aq grupe sa ka individë. Kjo po ndodh tash në kohën e dekadencës dhe të gjendjes mjaftë të dobët të muslimanëve. Ata të cilët flasin kundër medhhebeve të fikhut deshirojnë që muslimanët t'i kthejnë në fazën para paraqitjes së këtyre muxhtehidëve, të cilët kanë dhënë gjithçka prej vetes për ta ruajtur Islamin. Mundi i tyre ka rezultuar që ne sot e kemi të ruajtur Islamin.

Disa i japin të drejtë vetes që drejtpërdrejt vetë ta komentojnë Kur'anin dhe Sunnetin, pa u furnizuar me parakushtet e nevojshme pa të cilat nuk mund të kuptohen burimet e Islamit. Me këtë vetëm rritet anarkia dhe përçarja, kurse Islami ka ardhur me qëllim që të heqë anarkinë dhe të vendosë rregull çdokund.

Medhhebet e fikhut nuk përmbajnë në vete asgjë që bie ndesh me parimet e dy burimeve të Islamit: Kur'anin dhe Hadithin, por përkundrazi, medhhebet janë ato të cilat shpiejnë në kuptimin e porosisë së Kur'anit dhe të Hadithit. Sepse, një muxhtehid për ta dhënë qëndrimin për ndonjë çështje, duhet t'i tubojë të gjitha thëniet për atë çështje në cilin do burim të Islamit. Nëse rastësisht do të vinte deri te shkatërrimi i trashëgimisë së fikhut, atëherë automatikisht do të bëhet e pamundur që të kuptohen Kur'ani dhe Hadithi dhe do të hapet mundësia për interpretime arbitrare.

Imam Haremejni në veprën Burhan ka theksuar: "Muxhtehidët janë pajtuar se muslimanët e rëndomtë nuk mund të ndjekin cilindo as'hab r.a. vetë, por janë të obliguar ta ndjekin medhhebin e imamit i cili i ka kodifikuar dispozitat islame, i kanë shpjeguar dhe përkufizuar në tërësi - në libra të veçanta dhe kështu i kanë mbrojtur nga humbja dhe harresa. Të gjitha ato dispozita janë të themeluara në burime dhe janë përshtatur që të mund t'i kuptojnë njerëzit e rëndomtë dhe lehtë t'i ndjekin, ndërsa mendimet e as'habëve janë të shpërndara dhe nuk janë të tubuara dhe të ruajtura në një vend sikur medhhebet, ashtu që nëse dikush don ta ndjekë njërin nga as'habët, për shkak të mungesës së materialit të shkruar, nuk mund të vijë deri te zgjidhja e nevojshme".

Gjithashtu dijetari i njohur Ibn Salah ka thënë: "Prej tash është e obligueshme ndjekja e njërit prej katër medhhebeve - sepse ato janë përhapur dhe shpërndarë si vepra të kodifikuara të veçanta që nuk është rasti me të tjerët".

Për sa u përket dallimeve të dukshme të cilat ekzistojnë ndërmjet medhhebeve, mendoj se është e nevojshme që muslimanëve t'u sqarohen shkaqet pse dijetarët për disa çështje nuk janë pajtuar. Shumë porosi të Kur'anit dhe të Hadithit nuk kanë kuptim kategorik (delale kat'ijje), por janë të natyrës hipotetike (delale dhannijje). Kjo do të thotë se një porosi interpretohet në më shumë mënyra - që është specifikë e çmueshme e burimeve të Islamit. Si shembull do ta theksoj ajetin në të cilin Allahu xh.sh. flet mbi dispozitat e gruas së shkurorëzuar: وَ الْمُطَلَّقاَتُ يَتَرَبَّصْنَ بِأَنْفُسِهِنَّ ثَلاَثَةَ قُرُوءٍ ... - "E ato gra që janë shkurorëzuar janë të obliguara të presin periudhën prej tre kuru' ...", (El-Bekare, 228).

Është shtruar pyetja se ç'do të thotë fjala "kuru'". Disa dijetarë kanë thënë se kuptimi i saj është "hajd" - periudhë mujore (menstruacione), kurse të tjerët kanë thënë se është "tuhr" - periudha e pastër ndërmjet dy periudhave (menzis). Këtu shkak për mospajtim është baza gjuhësore. Andaj thuhet se edhe qëndrimi i medhhebit të parë edhe ai i medhhebit tjetër është i drejtë, sepse ajeti është i kuptimit hipotetik. Kurse rezultati i mospajtimit të dijetarëve për këtë çështje shprehet në gjatësinë e zgjatjes së iddetit (pritjes) së gruas nga momenti kur i është dhënë talak (shkurorëzim).

Dallimet e më tutjeshme kanë lindur në kriteret e pranimit të rivajetit të hadithit. Disa dijetarë kanë qenë të rreptë në pranimin e hadithit, nga frika se mos po futet ndonjë hadith i rrejshëm, andaj gjithmonë orientimin e kanë patur kah parimet e sheriatit të themeluara në argumente kategorike (delil katîi). Ndërkaq, imamët tjerë më lehtë i kanë pranuar citatet e hadithit, ndaj dhe ka ndodhur që të kemi kontradikta në mes haditheve me norma të ndryshme për të njëjtën çështje. Ekzistojnë edhe shkaqe të tjera për të cilat më detajisht flitet në librat e usuli fikhut (metodologjisë së fikhut). Konsideroj, shumë të rëndësishme që të përkthehen në gjuhën tonë disa libra të usulit, me çka besimtarëve do tu sqarohej vlera dhe rëndësia e fikhut.


Arabët në Bosnje

Dëshiroj t'i them nja dy fjalë edhe për vëllezërit arabë të cilët vijnë në viset tona për shkaqe të ndryshme. Tek populli ynë ekziston respekt i veçantë ndaj arabëve, sigurisht nga arsyeja se Pejgamberi a.s. ka qenë arab. Në një hadith, për të cilin muhadithët thonë se është i dobët (daif), rekomandohet se duhet t'i duam arabët për tri shkaqe, e njëri prej tyre është sepse Pejgamberi a.s. ka qenë arab. Për shumicën e popullit tonë të gjithë arabët janë të njëjtë. Thonë: "Ata e flasin gjuhën arabe dhe ata, natyrisht, më së miri e kuptojnë fenë". Ndërsa në realitet nuk është ashtu. Edhe në mesin e arabëve ka dijetarë por ka edhe xhahila në çështjet e fesë. Në viset tona kanë ardhur shumë pak dijetarë. P.sh. posaçërisht duhet theksuar vizitën e dijetarit të madh islam Shekib Arslanit, i cili e ka vizituar Bosnjen në kohërat më të hershme, dhe është mahnitur me dijetarët që kishte Bosnja. Secila qytezë atëherë kishte edhe kadi edhe mufti, kurse Sarajeva ishte kryeqendër e ilmit. Nuk është shënuar se Shekib Arslani apo ndonjë dijetar tjetër i ka porositur Boshnjakët-muslimanët: "Lerëni medhhebin hanefij sepse ai nuk vyen, nuk është i bazuar në Kur'an dhe Sunnet"! Zoti na ruajt!

Në viset tona më së shumti kanë ardhur e po vijnë ata që nuk janë dijetarë. Arabë të rendomtë. Ata normalisht falen dhe e kryejnë ibadetin ashtu siç kanë mësuar nga imamët e tyre në vendet prej nga vijnë. Njerëzit tonë i porosisim të kenë më tepër mirëkuptim, arabët le të falen ashtu siç kanë mësuar. Le t'i lënë të qetë. Mirëpo, është evidente se njerëzit tonë i lënë ata të qetë, por (arabët) nuk po i lënë këta. Problemet kanë lindur gjatë përpjekjes së ndërrimit të medhhebit. Ka ardhë deri aty puna, sa që në disa vende në Bosnje, disa haptas flasin dhe shkruajnë kundër medhhebeve, e sidomos kundër atij hanefij sepse ai është i njohur në midiset tona. Disa të ndihmuar edhe nga njerëzit tonë të paarsimuar i janë përveshur punës së ndërrimit të medhhebit duke konsideruar se Boshnjakët-muslimanët më tepër se pesqindë vjet gabimisht falen dhe manifestojnë fenë e tyre.

Fitohet përshtypja se ky është plan i menduar mirë me të cilin dëshirohet që brenda korpusit fetar të boshnjakëve të ndizet zjarri. Asnjë i mençur nga bota islame nuk do t'i lejojë përpjekjet dhe potezat e tillë. Dy broshura të atij lloji janë paraqitur në territorin e Bosnjes dhe në to qart dhe haptas thirret populli ynë musliman për kryengritje kundër medhhebit hanefij dhe vendosja e faljes së re "sipas sunnetit". Ata më të vetëdijshmit e popullit tonë me kohë kanë reaguar dhe haptas kanë tërhequr vërejtjen për rrezikun i cili fshihet pas këtyre përpjekjeve. Fjala është për librat: "Botëkuptimet te cilat duhet t'i përmirësojmë" nga Imad El-Misri dhe "Muhtesar ahkam fikhijje" nga Ebu Usame, i cili siç qëndron në kaptinë posaçërisht u dedikohet imamëve dhe studentëve. Ata i hapin do farë qendra islame në të cilat mësohen të rinjtë, pjesë përbërëse e arsimimit në ato qendra është që te ata të rinjë të zhvillohet oportunizmi dhe qëndrimi opozitar ndaj organeve zyrtare të Bashkësisë islame dhe e propagojnë "Islamin e vërtetë".

Në Visoko, përbri xhamisë është hapur një qendër e tillë në të cilën misionarët haptas u kanë bërë thirrje fëmijëve që të mos shkojnë në xhami te imami sepse ai nuk ua mëson Islamin e vërtetë, andaj organet zyrtare janë detyruar të reagojnë që ajo qendër të mbyllet. Nga Gjermania jo moti një djalosh ka shkuar në Bosnje, atje qëndron 7 ditë dhe vjen me "zbulimin" se medhhebi hanefij nuk është i drejtë, andaj duhet të falemi sipas Sunnetit, të cilën gjë ai e kishte mësuar për 7 ditë. Në Austri, para pak kohësh në një tubim disa të rinjë, të cilët kanë përvetësuar "mënyrën e re të faljes sipas Sunnetit", i kanë provokuar të plagosurit e Bosnjes, njëri prej të cilëve i kishte humbur të dy sytë, kurse një tjetër përplotë lëndime, duke u thënë "se nuk janë muxhahidë të vërtetë". Në këto banalitete dhe marrëzi kishin qëlluar disa njerës të cilët i kishin rrahur këta "interpretues të rinj të fesë".

Ja ku shpie mësimi i tillë. Së këndejmi edhe njëherë i tërheqim vërejtjen popullit tonë nga këto novitete. Dikujt do t'i konvenonte afganistanizimi i Bosnjes. Neve muslimanëve kjo nuk na nevojitet. Ata, të cilët kanë ardhur në Bosnje, për t'u ndihmuar vëllezërve të tyre Boshnjakë-muslimanë, u rekomandojmë që të heqin dorë nga kjo punë boshe dhe le t'i kryejnë në nivel detyrat dhe emanetet që u janë besuar nga vëllezërit donatorë nga bota islame.

E lusim Allahun xh.sh. që të na dhurojë dijetarë, të cilët Islamin do të mund ta futin si alternativë në realitetin e pranisë së shumë ideve të errëta e të ndërlikuara të cilat ofrohen nga të gjitha anët.

رَبَّناَ اغْفِرْ لَناَ وَ لِإِخْواَنِناَ الَّذِينَ سَبَقُوناَ بِالْإِيماَنِ وَ لاَ تَجْعَلْ فِي قُلُوبِناَ غِلاًّ لِلَّذِينَ آمَنُوا رَبَّناَ إِنَّكَ رَءُوفٌ رَحِيمٌ . - "... Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim dhe mos lejo në zemrat tona farë urrejtjeje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë Ti je i butë, mëshirues", (El-Hashr,10).




Pjesa e dytë


Pasqyrë e ixhtihadit të medhhebit hanefij nëpërmjet disa mes'eleve (shembujve)

Dy çështje (mes'ele) në Medhhebin Hanefij

Falënderimi i qoftë Allahut Zotit të botëve, salavati qoftë mbi të dërguarin e Allahut Muhammedin a.s., mbi sahabët e tij dhe të gjithë ata që pasojnë udhëzimin e tij.

Dëshiroj që lexuesve të ndershëm t'u paraqes dy dispozita islame ashtu siç janë vendosur në shkollën juridike hanefite. Sipas përcaktimit të fikhut i përkasim kësaj shkolle juridike dhe ibadeti ynë që ia bëjmë Allahut xh.sh. themelohet në këtë medhheb, sepse këtë shpirtërisht e kemi trashëguar dhe e kemi marrë nga baballarët tonë, e ata prap nga ata të vetët dhe kështu rrënja kthehet deri te Osmanlinjtë, të cilët e kanë prurë Islamin në viset tona. Ajo që e dijmë është se të parët tonë mësimit të rregullave të fikhut iu kanë përveshur me respektin maksimal dhe gati me qëndrim të shenjtë ndaj tij. Nuk ka mundur as të merret me mend që dikush në mënyrë skeptike të pyes apo të dyshojë në rregullësinë e dispozitave islame të rregulluara sipas medhhebit hanefij.

Gjeneratat janë edukuar ashtu që t'i nderojnë dijetarët dhe vetëm me të mirë dhe me respekt t'i përmendin. Ajo që ka të bëjë me librat dhe shënimet, të cilat janë punuar nga kjo lëmi në gjuhën tonë është se aty vetëm është bërë renditja e dispozitave islame. Aspak nuk janë theksuar argumentet për ato dispozita nga Kur'ani apo edhe nga Sunneti. Kjo nuk do të thotë se dispozitave të sheriatit sipas medhhebit hanefij ju mungojnë argumentet, përkundrazi, medhhebi hanefij është më i pasuri për nga argumentet. Ajo që duhet të theksohet është se muxhtehidët për secilin mendim dhe qëndrim të sheriatit kanë patur argument nga Kur'ani dhe Hadithi. Është shkuar sigurisht nga ajo se për masën nuk është e nevojshme të theksohet argumenti, por drejtpërdrejt të përmenden dispozitat (ahkam), ndërsa dijetarët janë ata që merren me argumente, i theksojnë ato dhe prej tyre nxjerrin dispozita. Kanë gëzuar autoritet të madh dhe njerëzit u kanë besuar.

Mirëpo, tash situata mjaft ndryshon. Posaçërisht ndaj medhhebit hanefij, është rrënjosur mendimi se shumë pikëpamje të medhhebit hanefij nuk themelohen në Kur'an dhe Sunnet, madje konsiderohet se shpesh ato janë qëndrime dhe mendime të lira të Ebu Hanifes dhe dijetarëve të tjerë të këtij medhhebi. Sidomos pas shkuarjes së studentëve tonë për studime në botën islame, pas kthimit i sjellin ambientet nga midiset ku kanë qëndruar. Nuk kam për qëllim që me këtë punim modest ta mbroj dhe të theksoj përparësinë e medhhebit hanefij ndaj medhhebeve tjera e as të deklaroj se medhhebi hanefij është më i drejti. Këtë, jo në asnjë mënyrë! Secilin dijetar duhet respektuar, e sidomos ata që kanë arritur gradën e ixhtihadit dhe mund të nxjerrin dispozita drejtpërdrejt nga Kur'ani dhe Sunneti. Me këtë kontribut modest vetëm dëshiroj t'i theksoj të vërtetat mbi medhhebin hanefij, e ajo është se ai është i pranuar nga ummeti dhe se themeluesit e tij janë dijetarë që kanë qenë muxhtehidë. Dëshiroj që të ruhet besimi te pjesëtarët e medhhebit hanefij kundrejt dijetarëve të tyre.

Me një rast kam qenë për vizitë në xhaminë e Zagrebit. Pasi që kishim ardhur nga largësia prej 400 km, ishim musafir (udhëtarë), e musafiri ka tretman të veçantë për sa i përket namazit dhe agjërimit. Ne i kemi shkurtuar namazet katër rekatëshe në dy rekate, kurse disa edhe i bashkonin drekën me ikindinë dhe akshamin me jacinë. Unë e kam falur akshamin në fillim të kohës së tij, ndërsa disa janë ngritur dhe pranë akshamit e kanë falur edhe jacinë. Mua një djalosh më pyeti: "A nuk do t'i bashkosh (xhem') edhe ti namazin e akshamit dhe të jacisë"? I thashë: "Kjo sipas medhhebit hanefij në këtë situatë nuk lejohet". Kurse ai në këtë ma ktheu: "Nëse jo sipas medhhebit hanefij, atëherë po sipas hadithit të pejgamberit të Zotit Muhammedit a.s."! Nuk dëshirova të polemizoj. Mirëpo shihet qartë se në kokën e atij djaloshi është mbjellë se medhhebi hanefij është diç e ndryshme dhe e huaj nga Kur'ani dhe Sunneti! Sikur Ebu Hanife të kishte vënë sheriat të ri, ligj i cili nuk themelohet në Kur'an dhe Sunnet.

Lexues të dashur, në tekstin i cili pason ne po ju sjellim vetëm dy dispozita, dhe do t'i theksojmë argumentet në bazë të të cilave dijetarët e këtij medhhebi e kanë marrë qëndrimin e tillë. E i tillë është i tërë medhhebi hanefij. Secila dispozitë i ka argumentet e veta. Asnjë dispozitë nuk është thënë me hamendje, por bazohet në diçka. Pasi që gjatë namazit, i cili kryhet më së shpeshti, më së qarti vërehet dallueshmëria e medhhebeve, unë i kam zgjedhur dy pyetje (mes'ele) nga kjo lëmi që të vërtetojmë se si janë zgjidhur ato në medhhebin hanefij.


Leximi i Muktediut pas Imamit

Ekziston pajtueshmëri te dijetarët islamë, se imami në namazet e përbashkëta në farz e merr mbi vete vetëm kiraetin (leximin e Kur'anit). Ndërsa sa u përket farzeve tjera të namazit, secili muktedi është i obliguar vetë t'i kryej dhe për to mban përgjegjësi, qoftë edhe nëse atë namaz e kryen me xhemat (bashkërisht). Sa i përket vetë leximit të Kur'anit në namazin bashkërisht nga ana e muktediut ka divergjencë mendimesh mes dijetarëve islamë rreth kësaj çështjeje. Ne këtë çështje do ta trajtojmë si është zgjidhur në medhhebin hanefij, duke i theksuar argumentet në cilat mbështetet ky mendim. Diejtarët e medhhebit hanefij kanë thënë se leximi i Kur'anit në namazin bashkërisht (me xhemat) nga ana e muktediut bie, do të thotë ai nuk është i obliguar të lexojë asgjë. Nëse lexon pas imamit, kjo ashpër qortohet (mekruhi tahrimen). Serhesi ka thënë madje kjo e prish namazin. Këtë mendim e mbështet në mendimin e disa as'habëve si: Zejd ibn Thabit, sa'd ibn Ebi Vekkas, etj.. Leximi i Kur'anit në namazin bashkërisht është detyrë e imamit. Ky mendim mbështetet në:

1.Kur'an,
2. Sunnet dhe
3. Kijas.


1. Kur'ani

وَ إِذَا قُرِئَ الْقُرْآنُ فَاسْتَمِعُوا لَهُ وَ أَنْصِتُوا لَعَلَّكُمْ تُرْحَمُونَ . - "Kur lexohet Kur'ani, ju dëgjonie atë (me vëmendje) dhe heshtni, në mënyrë që të fitoni mëshirë", (El-A'raf, 204).

Imam El-Bejhekiu e thekson transmetimin nga Ibni Ahmedi: "Të gjithë janë të pajtimit se ky ajet ka të bëjë me namazin". Dhe thekson po ashtu transmetimin nga Muxhahidi se Muhammedi a.s. duke lexuar Kur'an në namaz, kishte dëgjuar një Ensarij të ri duke lexuar pas tij, atëherë ishte shpallur ajeti i sipërtheksuar. Pasi që ajeti është shpallur mbi namazin, sipas rregullit të njohur të fikhut, që përparësia i jipet përgjithësimit të tekstit e jo specificitetit të shkakut (sebebi nuzul) atëherë porositë e këtij rasti përcillen në të gjitha situatat tjera të ngjashme. Nga kjo është i qartë ndalimi i leximit të gjithçka nga Kur'ani pas imamit. Në ajet kërkohet nga besimtarët dëgjimi, e kjo ka të bëjë me ato namaze ku Kur'ani lexohet me zë (sabah, aksham dhe jaci), e urdhëri i dëgjimit - insat ka të bëjë edhe me namazet ku imami lexon Kur'an pa zë (dreka, ikindija). Pasi që këtu heshtja dhe dëgjimi janë të urdhëruara, do të thotë farz, atëherë lëshimi i tij, që me këtë rast do të manifestoheshin me lexim pas imamit, do të jetë mekruhi tehrimen (më afër haramit se sa lejimit).


2. Sunneti

Ebu Hanife transmeton nga Ibn Sheddadi e ky nga Xhabiri r.a. se i dërguar i Allahut Muhammedi a.s. ka thënë: "Kush falet pas imamit, leximi i imamit e zëvendëson leximin e tij". Hadithi është thënë në formë të përgjithshme, kështu që i përfshin të gjitha namazet edhe ditore edhe të natës. Këtë hadith e përforcon tjetri në të cilin theksohet se një njeri duke u falur pas pejgamberit Muhammed a.s. drekën ose ikindinë, kishte lexuar Kur'an. Sahabiu tjetër këtë ia kishte ndaluar. Kur e përfundojnë namazin ai njeriu e pyet: "A po duash të ma ndalosh leximin e Kur'anit pas të Dërguarit të Allahut"? Ai atëherë e kishte cituar hadithin e sipërtheksuar: "Kush falet pas imamit, leximi i imamit e zëvendëson leximin e tij".

Ky rast qartas dëshmon ndalimin e leximit të Kur'anit muktediut në namazin me xhemat, sepse përgjigjeja e të Dërguarit a.s. e ka konfirmuar qëndrimin e sahabiut i cili ia kishte ndaluar atij njeriu që të lexojë pas Resulullahut. Nëse kjo ka ndodhur në namazin ditor (drekë ose ikindi), ku imami lexon pa zë, atëherë ndalimi i leximit të Kur'anit në namazet ku imami lexon me zë, gjithsesi është i qartë. Për këtë hadith, muhaddithinët kanë thënë se është me sened të rregullt (sahih). E transmeton Ahmedi nga Xhabiri r.a. dhe ka thënë: "Senedi i këtij hadithi është i ngjitur (muttesil) kurse njerëzit në atë sened (zingjiri i transmetuesve) janë të besueshëm".

Gjithashtu edhe hadithi të cilin e transmeton Ebu Hurejre se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Imami është caktuar që të ndiqet, kur e shqipton tekbirin edhe ju përseritnie pas tij, kurse kur lexon Kur'an në namaz, ju heshtni", (Muslimi ka thënë se ky hadith është sahih). Po ashtu vërtetohet me hadithin të cilin e transmeton Umran ibn Husein se Pejgamberi a.s. e kishte falur namazin e drekës, kurse një njeri kishte lexuar pas tij disa pjesë nga Kur'ani. Kur e kanë kryer namazin ka pyetur: "Kush prej jush lexoi Kur'an"? Ai njeriu lajmërohet dhe thotë: "Unë", atëherë Muhammedi a.s. thotë: "Mendova se dikush donte të më përmirësojë në leximin e kësaj sureje!", (Buhariu dhe Muslimi).

Ky rast dëshmon pakënaqësinë e të Dërguarit të Allahut për lexim pas imamit, e cila gjë i pëngonte Muhammedit a.s. Deri te dijetarët e shkollës hanefite kishin arritur edhe disa deklarata nga as'habët mbi ata që lexojnë pas imamit. Ali ibn Ebi Talibi ka thënë: "Nuk e ka mirë ai që lexon pas imamit". Ibn Mes'udi është pyetur për leximin pas imamit, ka thënë: "Hesht, sepse në namaz ka mjaft obligime, të mjafton imami". Seid ibn Ebi Vekkas ka thënë: "Do të dëshiroja që atij i cili lexon Kur'an pas imamit në namaz t'ia vë gacën në gojë".


3. Kijasi - Analogjia

Hanefijtë kanë thënë se muktediu nuk duhet të lexojë pas imamit. Në analogji - kijas me atë i cili vonohet në namazin me xhemat, e nëse e arrin imamin para rënies në ruku, e ka arritur atë rekat. Në këtë rast shihet që kiraeti (leximi) nuk është i domosdoshëm. Ndërsa farzet tjera duhet t'i plotësojë vetë. Leximi (kiraet) i mesbukut bie prej tij, sepse nuk është i paraparë, e të marrurit në namaz me diç që nuk është e paraparë, do të thotë të bësh mekruh- vepër të qortuar. Mendojmë se pas theksimit të argumenteve, është e qartë se medhhebi hanefij nuk është i themeluar vetëm në fjalët e Ebu Hanifes, por secilës dispozitë, para se të thuhet qëndrimi për të, i paraprinë mbikqyrja studimore e Kur'anit dhe Sunnetit.


Namazi i Musafirit

Shembulli i dytë të cilin dua ta ndriçoj është namazi i udhëtarit. Mendimi i shkollës juridike hanefite thotë se shkurtimi i namazit në rrugë është i domosdoshëm (vaxhib), të cilin nëse dikush nuk e respekton bën mëkat. Ndërsa sa i përket bashkimit të namazeve (xhem'i) mendimi i këtij medhhebi është se ky bashkim lejohet vetëm në Arefat drekën dhe ikindinë në kohë të drekës dhe akshamin me jacinë në Muzdelife në kohë të jacisë dhe atë ekskluzivisht gjatë kohës së haxhxhit. Ndërkaq, në situata të tjera kjo nuk lejohet. Në bazë të çkahit Ebu Hanife i ka shqiptuar këto qëndrime? Kjo do të jetë tema e ekspozeut tonë. Argumentet në obligueshmërinë (vaxhib) e shkurtimit të namazit të udhëtarit janë:

1. Ajeti kur'anor: وَ إِذَا ضَرَبْتُمْ فِي الْأَرْضِ فَلَيْسَ عَلَيْكُمْ جُناَحٌ أَنْ تَقْصُرُوا مِنَ الصَّلَوةِ إِنْ خِفْتُمْ أَنْ يَفْتِنَكُمُ الَّذِينَ كَفَرُوا إِنَّ الْكاَفِرِينَ كاَنُوا لَكُمْ عَدُواًّ مُبِيناً . - "Kur të jeni në udhëtim e sipër, nuk është mëkat për ju të shkurtoni namazin, nëse frikoheni se jobesimtarët do të ju sjellin ndonjë të keqe. Jobesimtarët janë armiq juaj të hapët", (En-Nisa',101).

1. - Praktika e Pejgamberit të Allahut është se në të gjitha udhëtimet e ka shkurtuar namazin. Nuk ka asnjë argument të saktë se Alejhiselami ndonjëherë në e ka plotësuar namazin katër rekatesh gjatë udhëtimit. Kurse vazhdimësia e Pejgamberit a.s. në të dëshmon se ajo është obligim. Po mos të ishte fjala për obligueshmëri të shkurtimit, Alejhisselami së paku ndonjë herë gjatë udhëtimit do ta kishte falur të plotë namazin (katër rekatesh). Gjithmonë e ka praktikuar që besimtarëve me shembull t'ua demonstrojë që diçka është obligim apo sunnet. Transmetohet hadithi nga Ibni Omeri i cili ka thënë: "Në shoqërimin tim me Muhammedin a.s. kamë vërejtur se gjatë rrugës asnjëherë nuk i ka falur më tepër se dy rekate, kështu kanë vepruar edhe Ebu Bekri, Omeri dhe Osmani r.a.", (Muttefekun alejhi -Buhariu dhe Muslimi).

2. - Hadithi të cilin e transmeton Aisheja r.a., gruaja e Pejgamberit a.s.: "Namazi në fillim është urdhëruar nga dy rekate, e pastaj u urdhëruan namazet katër rekateshe, kurse namazi i udhëtarit u la sikurse namazi në formën fillestare", (Ahmedi dhe Buhariu - ekziston pajtueshmëri mbi saktësinë e këtij hadithi).

3. - Transmetimi nga Ibni Omeri, i cili ka thënë: "Namazi i udhëtarit është dy rekate, namazi i bajramit është dy rekate, namazi i bajramit të ramazanit është dy rekate, namazi i xhumasë dy rekate, pa shkurtesë, kjo është shqiptuar nga gjuha e Muhammedit a.s.", (Ahmedi, Nesaiu dhe Ibni Maxhe).

4. - Transmetohet se Ibni Omeri ka thënë: "Kur na ka ardhur Pejgamberi a.s. vërtet kemi qenë në lajthitje dhe ai na ka mësuar. Ndër të tjera, na ka mësuar edhe atë se Allahu i madhërishëm na ka urdhëruar të falim namaz, kur jemi në rrugë nga dy rekate", (En-Nesai).

Ndalimin e bashkimit të namazeve medhhebi hanefij e mbështet në argumentet vijuese:

1. - Hadithet me të cilat janë të vërtetuara kohët e namazit janë me transmetime mutevatir. Ndërrimi i kohës së një namazi mund të bëhet vetëm nëse kjo dëshmohet me hadith me transmetim të rangut të njëjtë - mutevatir.

2. - Ebu Davudi transmeton hadithin në të cilin Ibn Omeri r.a. njofton se Muhammedi a.s. asnjëherë në rrugë nuk e ka bashkuar akshamin me jacinë përveç njëherë. Gjithashtu transmetimi i Ibni Mes'udit r.a. i cili ka thënë: "Pasha Allahun, Muhammedi a.s. asnjëherë nuk e ka falur namazin jashtë kohës së tij përveç dy namazeve që i ka bashkuar në Arefat (drekën me ikindinë dhe akshamin me jacinë në Muzdelife gjatë kohës së kryerjes së haxhit)", (Buhariu dhe Muslimi).

Këto janë argumentet mbi të cilat Ebu Hanife e themelon qëndrimin e tij mbi çështjet e përmendura. Kjo nuk do të thotë se dijetarët e medhhebeve të tjera nuk disponojnë me argumente ku i themelojnë qëndrimet e tyre të cilat janë të ndryshme nga ato të Ebu Hanifes. Ata që dëshirojnë të merren me këtë problematikë mund të kthehen në vepra kapitale, në të cilat flitet mbi këto tema. Është me rëndësi të përmendet se secili muxhtehid meriton shpërblim nga Allahu xh.sh. për mundin e studimit të tij, qoftë edhe nëse ka shprehur qëndrim që nuk është i drejtë ka një shpërblim, e nëse ka studim të drejtë i ka dy shpërblime. Kurse neve Allahu xh.sh. na ka urdhëruar t'i pyesim dijetarët mbi gjërat që nuk i dijmë: فَاسْأَلُوا أَهْلَ الذِّكْرِ إِنْ كُنْتُمْ لاَ تَعْلَمُونَ ... - "... pyetni pra dijetarët, nëse ju nuk dini", (En-Nahl,43).

ياَ أَيُّهاَ الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا اللهَ وَ أَطِيعُوا الرَّسُولَ وَ أُوليِ الأَمْرِ مِنْكُمْ ... - "O ju që besuat, bindjuni Allahut, respektoni të dërguarin dhe përgjegjësit nga ju ...", (En-Nisa,59).

Nëse iu kthehemi këtyre rekomandimeve të Zotit, shpresojmë se në mes të muslimanëve do të kthehet harmonia dhe pajtimi dhe nuk do të ketë shumë divergjenca dhe ndarje. Sepse deri te divergjencat, ndarja dhe coptimi vjen kur me fe dhe me çështjet fetare fillojnë të merren ata që për të nuk janë të aftë. Te ne ka patur dukuri, ende aktuale në disa vende, kur disa që patën filluar ta lexojnë përkthimin e Kur'anit dhe përkthimin përmbledhjeve të "Buhariut" dhe "Rijadu-s-salihin", menduan se i kishin përvetësuar të gjitha shkencat islame dhe paraqiten si muxhtehidë. Allahu ua faltë nëse këtë e kanë bërë nga mosdija. Hapi tjetër ishte t'i vizitojnë imamët dhe ua shtronin gati të njëjtat pyetje duke i testuar kështu cili imam di më shumë, e pastaj krejt këtë e kanë krahasuar me "diturinë e tyre" të përvetësuar nga ato (pak) vepra që i kanë lexuar.

Edhe pse e dijmë se në edukatën (bontonin) islam bën pjesë ajo se nuk duhet të bëjmë pyetje për ato gjëra që i dijmë nga dëshira vetëm për të verifikuar diturinë e dikujt. Kështu u patën formuar grupe të ndryshme dhe u qenë shkaktuar çrregullime të mëdha për unitetin e muslimanëve. Shumica prej tyre as që kanë dëgjuar për shkencën e quajtur "usuli fikh", e lere më të kenë lexuar diç për të. Kurse pa atë shkencë nuk i lejohet askujt të mundohet të interpretojë dhe të nxjerrë dispozita islame. Le të jetë kjo një përpjekje modeste për vendosjen e gjërave në vendin e vet. Trashëgimia e madhe e fikhut nuk guxon të lëhet pas dore. Roli i muxhtehidëve, e veçmas i themeluesve të medhhebeve të fikhut ka qenë t'ua përpunojnë dhe thjeshtojnë dispozitat besimtarëve dhe kjo në një masë të madhe është bërë. Pa këtë angazhim muslimanët e sotit në bazë të burimeve të Islamit nuk do të mundnin të vendosnin dispozita prej fillimit. Me gjithë vërejtjen se dyert e ixhtihadit janë të hapura, por ato vetëm për muxhtehidë. Ata që e arrijnë gradën e ixhtihadit drejtpërdrejt nga Kur'ani dhe Sunneti mund të nxjerrin dispozita si dhe të gjejnë zgjidhje për situatat e reja.

Ekzistimi i medhhebit në këtë kuptim është begati për ummetin, e kursesi shkak për ndarje e copëtim. Medhhebet kanë ekzistuar edhe në kohën e Umevijëve, Abasijëve dhe Osmanlinjve, andaj prezenca e tyre nuk e ka dobësuar forcën e shtetit islam. Ndërkaq sot, kur nuk ka shtet islam, nuk ka respekt të medhhebit, ekzistojnë mijëra mendime, ekziston kritika dhe gjykimi i themeluesve të medhhebeve. Secili e ka interpretimin e vet! Sipas neve njëri prej potezave për shpëtim nga anarkia në aspektin fetar të cilën aktualisht muslimanët janë duke e përjetuar është kthimi i respektit të medhhebeve dhe t'u lehet vetëm muxhtehidëve marrja me çështjet e fesë, sidomos ato çështje të cilat muxhtehidët e mëparshëm nuk i kanë zgjidhur për arsye se ato nuk kanë ekzistuar në kohën e tyre.

Pastaj të mos harxhohet energjia për studim dhe shqyrtim të atyre mes'eleve-çështjeve të fikhut, të cilat janë zgjidhur para më tepër se një mijë vjet. Në këtë kuptim e përmbajmë vështrimin kritik të dijetarëve tonë të njohur ndaj institucioneve arsimore islame të botës së sotme, të cilat në të shumtën e rasteve u japin mundësi studentëve që të njoftohen vetëm me çështje jo të rëndësishme të fikhut. P.sh.: është i shpesht rasti kur studentët doktorojnë nga temat e fikhut të hajzit dhe nifasit apo në hulumtimin e senedit nga lëmia e hadithit. Më në fund ka ardhur momenti që t'i hyhet Islamit si një tërësi.

وَ صَلَّىاللهُ عَلَى سَيِّدِناَ وَ نَبِيِّنا مُحَمَّدٍ وَ عَلَى آلِهِ وَ صَحْبِهِ وَ سَلِّم - "Ve sal-lahhahu ala sejjidina Muhammedin ve alihi ve sahbihi ve selim!!!".


Shqiptimi i fjalës "Amin" në Namaz

Në namazin e përbashkët muslimanët tonë janë mësuar që fjalën amin duhet shqiptuar pa zë, në vetvete, pasi që imami të këndojë: gajril-magdubi alejhim ve leddal-lin. Dhe kryesisht kjo edhe praktikohet nëpër xhami. Mirëpo, është bërë dukuri e shpeshtë në kohët e fundit që njerëzit duke lexuar përkthime të ndryshme të literaturës islame, sidomos të përmbledhjeve të haditheve, të hasin në ato përmbledhje hadithe, në të cilat rekomandohet apo konstatohet se leximi i amin-it duhet të jetë me zë, dhe se, që është më me rëndësi, Pejgamberi a.s. ashtu ka vepruar dhe ka urdhëruar të veprohet. Pastaj konform asaj që kanë gjetur dhe lexuar vetvetes i japin fetva se ashtu edhe duhet të veprohet. Pranë kësaj pashmangshëm janë komentet ndaj dijetarëve tonë si p.sh.: "... ja a po shihni që dijetarët tonë nuk kanë ditur asgjë, ja bukur po shkruan në Buhari apo Rijadu-s-salihin se amin duhet të thuhet me zë dhe atë që të ushtojë xhamia, e jo siç na kanë mësuar imamët".

Kur kësaj i shtohet edhe rrethana se dikush ka shkuar në haxh dhe atje ka parë dhe dëgjuar se si në ato burime të Islamit lexohet amin me zë sa që ushton xhamia. Kurse ja në Bosnje kjo nuk bëhet. Pastaj vjen deri te vendosja e kësaj në disa xhami të thuhet amin me zë dhe kjo është konsideruar më e drejtë se sa mosshqiptimi me zë. Pastaj kur për shkak të luftës në Bosnje e Hercegovinë fillojnë të vijnë edhe arabë, dhe ata me namazet e tyre boshnjakëve u tregojnë se amin duhet të thuhet me zë, kjo u vjen si mehlemi në plagë. Boshnjaku më nuk ka dilemë: "Vërtetë kur të gjithë veprojnë ashtu, pse edhe ne të mos veprojmë si ata. Pse të bëhemi më të mirë se arabët. Islami prej tyre ka filluar. Dijetarët tonë nuk dijnë, e të ngjashme".

Njerëzit që nuk kanë kurrfarë baze për ta mësuar fikhun sidomos për të dhënë fetva, tash duke lexuar në përkthim përmbledhjen e haditheve të Buhariut i ndërrojnë dispozitat e sheriatit, vendosin dispozita të reja, nuk i pranojnë medhhebet, i gjykojnë imamët (themeluesit e medhhebeve), e kritikojnë Ebu Hanifen dhe medhhebin e tij se nuk i paskëshen njohur hadithet e të ngjashme.

Me përpunimin e kësaj mes'eleje dëshiroj që lexuesve të respektuar t'u dëshmoj se studimi i fikhut nuk është çështje e thjeshtë, por është punë që kërkon shumë mundim, mësim dhe përpjekje. Për çdo rast kjo është shumë më e ndërlikuar dhe e vështirë se sa të merret përmbledhja e hadithit, të lexohet dhe të merret e gatshme. Po të kishin vepruar ashtu muxhtehidët islamë, ne sot nuk do të kishim këtë që kemi. Dua të tregoj se edhe çështjes më të imtë nga lëmia e fesë, dijetarët ia kanë kushtuar kujdesin e duhur, e kanë shqyrtuar, studiuar, kanë menduar dhe kanë marrë qëndrim për të.

Pse Ebu Hanifja r.a. ka thënë që amin në namazin e përbashkët të shqiptohet në vetvete e jo me zë, do të jetë temë shqyrtimi në këtë punim? A e ka thënë këtë në mënyrë arbitrare dhe nga vetvetja, që dushmanët ia mveshin, apo këtë e ka bazuar diku?! Si edhe muxhtehidët tjerë, imam Ebu Hanife r.a. me nxënësit dhe dijetarët e tij secilën çështje e kanë studiuar gjatë, e kanë hulumtuar në Kur'an dhe në Sunnetin e Pejgamberit a.s. e pastaj kanë marrë qëndrim islam për çështje të caktuara. Asnjë pikëpamje nuk e kanë thënë në mënyrë paushale apo nga koka e tyre, por të gjitha i kanë bazuar në burime islame.

Armiqtë e islamit duan t'i hutojnë muslimanët dhe t'ua paraqesin se si themeluesit e medhhebeve i kanë çpikur medhhebet dhe kanë nxjerrë dispozita të cilat nuk janë nga Kur'ani dhe Sunneti, dhe përhapin propagandë se muslimanët nuk duhet t'i ndjekin, nga arsyeja se ata janë njerëz të rëndomtë, por duhet ndjekur Kur'anin dhe Sunnetin. Të themi kështu thjeshtë: Sikur armiqtë e Islamit t'ia arrijnë t'i zhdukin medhhebet dhe ixhtihadin e dijetarëve të mëparshëm të cilët i kanë përpunuar mësimet e Kur'anit dhe të Sunnetit dhe ua kanë lehtësuar muslimanëve për ndjekje, qoftë edhe nëse ua lënë të ruajtur Kur'anin dhe Sunnetin pa shpjegim, këto dy burime do të ishin të paqarta dhe muslimanët nuk do të mund t'i kuptonin dispozitat islame. Ky lloj sulmi ndaj muslimanëve është aktual në këtë kohë, andaj ua tërheqim vërejtjen muslimanëve nga ata që flasin kundër medhhebeve dhe imamëve e fetarëve të mëdhenj siç kanë qenë Ebu Hanifja, Maliku, Shafiu, Ahmed ibn Hanbeli, etj..

Medhhebet nuk janë tjetër, as më pak as më shumë, veçse përpunim dhe shpjegim i Kur'anit dhe Sunnetit. Porositë nga Kur'ani dhe Sunneti drejtpërdrejt mund t'i marrin dhe kuptojnë vetëm ata që kanë arritur gradën e ixhtihadit - muxhtehidët. E nuk mundën ata që këtë nuk e kanë arritur. Kjo pikëpamje, sigurisht do të jetë edhe më e qartë pas këtij punimi.


Përcaktimi i shqiptimit të fjalës "Amin" në Namaz

Hadithet të cilat flasin mbi këtë temë:

1. Ebu Hurejre r.a. transmeton se i dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Kur të thotë imami "gajril magdubi alejhim ve leddal-lin" - ju thuani amin. Amini i kujt përputhet me amin-in të cilin e shqiptojnë engjejt, do t'i falen mëkatet", (Buhari, I-108).

2. Ebu Musa el-Esh'ari r.a. në një hadith më të gjatë transmeton: "I dërguari i Allahut na ka mbajtur fjalim, na e ka mësuar Sunnetin e tij dhe mënyrën e faljes së namazit. Ka thënë: "Kur të faleni dhe t'i rrafshoni rreshtat, një le të ju udhëheq në namaz (imam), kur ai të theksojë tekbirin, thuani edhe ju". Kur ai të thotë "gajril-magdubi alejhim ve leddal-lin", ju thuani amin - Allahu xh.sh. do t'u përgjigjet", (Muslim, I-174).

3. Tabiini i njohur, dijetar i fikhut, Ibrahim en-Nehiu ka thënë: "Pesë gjëra imami i shqipton në vetvete (pa zë): Subhanekallahumme ve bi hamdike, eudhubil-lahin, bismil-lahin, amin dhe rabbena lekel-hamdu", (Abdurrezak në Musannifin Atharu-Sunen 1-99).

4. Ebu Vail transmeton: "Ali ibn Ebiu Talibi dhe Abdullah ibn Mes'udi në namaze Eudhubil-lahin, Bismil-lahin dhe Aminin i kanë lexuar në vetvete, jo me zë", (Transmeton Taberaniu në El-Kebir).

5. Transmeton Ebu Seid el-Bakkali nga Ebu Vaili se ka thënë: "As Omeri e as Aliu në namaz nuk e kanë lexuar me zë Bismilahin as Amin-in", (Ibn Xherir et-Taberi në Tehdhibul-Athar, El-Xhevherul-Nehijje, 1-130).

6. Transmeton Alkame nga Vaili, kurse ai nga babai i tij: "Se është falur me Pejgamberin a. s dhe kur ka ardhur te "gajril-magdubi alejhim ve leddal-lin", ka thënë amin - këtë e ka bërë me zë të ultë - në vetvete".

(Ahmedi, Ebu Davudi, Et-Tajalisi, Ebu Ja'la el-Musoli në Musnedet e tyre dhe Daru Kutnijj dhe El-Hakim në Mustedrek dhe ka thënë Sahihul-isnadi, me varg të shëndoshë të transmetuesve).

Nga transmetimet e theksuara shihet qartas se është Sunnet të shqiptohet amin pas imamit, pas leximit të tij "gajril-magdubi alejhim ve leddal-lin" dhe atë në vetvete pa zë. Në këto dhe në argumentet tjera të cilat do t'i theksojmë në këtë punim, shkolla juridike hanefite e themelon qëndrimin e vet në lidhje me shqiptimin e amin-it në namazin e përbashkët. Pra, dijetarët e shkollës juridike hanefite nuk e kanë thënë këtë krye në vete, pa kurrfarë argumenti nga burimet islame.

Mirëpo, të gjithë nuk mendojnë ashtu. Ekzistojnë transmetime prej të cilave të tjerët kuptojnë se shqiptimi i amin-it duhet të bëhet me zë jo në vetvete. Cila është më e drejtë nga këto dy parime, unë nuk jam kompetent që ta them këtë, e as që dua të them se njëra është më e drejtë se tjetra. Unë e kam për qëllim që, palës e cila tenton të paraqes se ixhtihadi i medhhebit hanefij nuk është i themeluar në Kur'an dhe Sunnet dhe thonë se kjo është një përmbledhje e parimeve dhe mendimeve racionale të Ebu Hanifes, t'u them se janë në mashtrim në lidhje me këtë.

Ata nga ky shkak e sulmojnë medhhebin hanefij dhe dëshirojnë ta vendosin pamedhhebizmin në ato midise ku ai praktikohet me shekuj. Ne e respektojmë rezultatin e ixhtihadit të secilit muxhtehid të pranuar, por e ndjekim Ebu Hanifen. Sepse edhe ai është muxhtehid i pranuar nga ummeti. Dhe qëllimi i dytë është që pjesëtarëve të medhhebit hanefij, të cilët nuk kanë patur mundësi t'i mësojnë të gjitha argumentet (delil) në të cilat medhhebi hanefij i mbështet parimet e veta, ta kthejë dhe ruajë besimin dhe qetësinë që në fikh e ndjek një muxhtehid. Me këtë ata e ndjekin imperativin kur'anor: فَاسْأَلُوا أَهْلَ الذِّكْرِ إِنْ كُنْتُمْ لاَ تَعْلَمُونَ ... - "... pyetni pra dijetarët, nëse ju nuk dini", (En-Nahl,43).

Me "ehledh-dhikri" në këtë ajet te dijetarët e usulit nënkuptohen muxhtehidët. Kështu që mund të themi se ata që e ndjekin medhhebin, i cili është i pranuar nga ummeti, ata në realitet në kuptimin e vërtetë e ndjekin Kur'anin. Ndërsa ata që u kundërvihen medhhebeve dhe me plotë gojën pohojnë se e ndjekin Kur'anin dhe Sunnetin, duke mos qenë muxhtehidë, dhe i ftojnë njerëzit që t'i ndjekin në rrugën e tyre, ata trillojnë novatorinë (bid'atin) më të rrezikshëm i cili e rrënon sheriatin nga brenda. Mos të mashtrohen muslimanët pse ata thonë se e ndjekin rrugën e Kur'anit dhe të Sunnetit të Pejgamberit a.s. Nuk është e njëjtë të flitet se ndiqet rruga e Kur'anit dhe Sunnetit dhe vërtetë të ndiqet rruga e Kur'anit dhe Sunnetit. Rruga e Kur'anit dhe Sunnetit në ndjekjen e dispozitave të fikhut është rruga nëpër të cilën kanë ecur as'habët, tabiinët dhe selefi-salihu (gjeneratat e mira të paraardhësve).

E ajo është shikuar në atë se në secilën prej gjeneratave të përmendura ka patur muxhtehidë, themelues të medhhebeve dhe atyre u janë drejtuar dhe i kanë pyetur besimtarët. Kjo ka qenë në gjeneratën e as'abëve, të tabiinëve dhe në gjeneratat e mëvonshme. Rruga e Kur'anit është rruga e respektimit të dijetarëve. Ashtu ka qenë deri në këtë kohë. Në këtë kohë paraqitën individë dhe grupe të cilët duan që ta interpretojnë Kur'anin dhe hadithin përseri, prej fillimit. Nuk i pranojnë medhhebet e as autoritetet. Ata thonë: "Secili duhet t'i lexojë hadithet dhe sipas tyre të veprojë". Ne themi se kjo është metodë e gabueshme dhe ajo i shpie muslimanët në mashtrim dhe në konflikte.


Argumentet e të tjerëve dhe qëndrimi i Medhhebit Hanefij kundrejt këtyre Argumenteve

1. Ebu Seken Haxher ibn Anbes eth-Thekafij r.a. ka thënë: "E kam dëgjuar Vail ibn Haxher el-Hadremijjin duke thënë: "E kam parë Pejgamberin a.s. kur e ka përfunduar namazin, madje nga ky kënd e kam parë fytyrën e tij", kur ka lexuar "gajril-magdubi alejhim ve leddal-lin" - ka thënë amin duke e zgjatur zërin (medde biha savtehu) - "unë mendoj se e ka bërë këtë ashtu vetëm për të na mësuar"", (Hafidh Ebu Bishr Ed-Dulabi në veprën El-Esma vel-Kunja).

Senedi (zingjiri i transmetuesve) të këtij hadithi është si vijon: Na ka rrëfyer Hasan ibn Ali ibn Affan, na ka rrëfyer El-Husejn ibn Atijje, na ka rrëfyer Jahja ibn Sel-leme ibn Kuhejl nga babai kurse ai nga Ebu Sel-leme. Në këtë sened gjendet Jahja ibn Sel-leme, për të cilin shkencëtarët e hadithit kanë thënë se transmeton hadithe jo të besueshme (daif), andaj si i tillë refuzohet. Dhe, mjafton nëse në senedin e një hadithi gjendet vetëm një person i dyshimtë që hadithi të vlerësohet me vlerësimin daif (i dobët) dhe si i tillë nuk përdoret në lëminë e dispozitave.

Në veprën "Et-Telhisul-habir", (1-89) qëndron: "Tirmidhiu ka theksuar në Sunenin e tij: "Këtë hadith e transmeton Shu'be nga Sel-leme ibn Kuhejli", andaj e ka futur në sened ndërmjet Haxherit dhe Vailit Alkam ibn Vailin dhe ka thënë: "Iu mor zëri duke shqiptuar amin"". Pra këtu e kemi transmetimin e njëjtë, hadithin e njëjtë nga dy transmetues të cilët nuk pajtohen në porosinë e pjesës së hadithit për të cilën është fjala në këtë punimin tonë. E kemi transmetimin nga Sufjan Thevriu i cili thotë se Pejgamberi a.s. me zë ka lexuar amin, dhe transmetimin nga Shu'be r.a. i cili hadithin e njëjtë e transmeton me porosinë se Pejgamberi a.s. në vetvete e ka lexuar amin-in pas Fatiha-së.

Transmetimi i kujt është më i fuqishëm te dijetarët e fikhut, i Sufjanit apo ai i Shu'bes?! Kjo ka qenë temë shqyrtimi në mes të dijetarëve. Tirmidhiu në veprën El-Hilal ka thënë: "Ka thënë Aliu: "E kam pyetur Jahjanë, cili më mirë dhe më saktë i ka mbajtur në mend hadithet Sufjani apo Shu'be"? Ka thënë: "Shu'be në këtë ka qenë më i thellë se sa Sufjani". Jahja ibn Seid ka thënë: "Shu'be ka qenë më i ditur në lidhje me njerëzit në sened - Filani nga Filani, kurse Sufjani i ka njohur më mirë kaptinat e tëra"".

Transmeton Ebu Talibi nga Ahmedi: "Shu'be është më i dijshëm në dispozita (hukm) nga El-A'meshi dhe më i dijshëm është në hadithe, të cilat flasin për dispozita (hadithul-ahkam). Po të mos ishte Shu'be do të humbnin hadithet mbi dispozitat. Shu'be është njohës më i mirë i haditheve se sa Sufjan Thevriu. Në kohën e tij askush nuk ka qenë më i dijshëm në hadith se sa Shu'be r.a.".

Muhammed ibn Abbas En-Nesai r.a. ka thënë: "E kam pyetur Ebu Abdullahun r.a.: "Kush është më i fortë në njohjen e hadithit Shu'be apo Sufjani"? Ka thënë: "Sufjani është njeri hafidh dhe ka qenë njeri i mirë, por Shu'be është më i besueshëm se ai dhe ai është njeriu më i devotshëm të cilin e njoh unë"".

Hammad ibn Zejdi ka thënë: "Nuk i vë veshin kush i kundërvihet mendimit tim nëse ai përputhet me mendimin e Shu'bes r.a. Nëse në diçka mendimi im nuk pajtohet me atë të Shu'bes atëherë e lë mendimin tim".

Dikush i ka thënë Ebu Davudit: "Ai (Shu'be) është më i mirë në hadith se Sufjani! Ka thënë: "Në botë nuk ka më të mirë në hadith se sa Shu'be dhe Maliku". Shu'be nganjëherë gabon në emra (sened) për shkak të sasisë madhe që mban në mend të metnit (teksti i hadithit)".

Ka thënë Edh-Dhehebiu në "Tedhkiretu huffadhi": "Ka thënë Ebu Zejd El-Herevi: E kam dëgjuar Shu'ben duke thënë: "Të bie nga lartësitë qiellore dhe të thyhem, më i kënaqur do të isha se sa të gaboj në citimin e hadithit"", (1-183).

Kjo është thënë për Shu'ben r.a. Sa i përket Sufjan Thevriut r.a. p.sh.: në "Takrib" për të thuhet "Sadukun" - transmetues i sinqertë, por nganjëherë transmeton edhe transmetime të pasakta, (fq. 164) Dhe sa i përket konkretisht këtij hadithi të cilin e transmeton Sufjani me "ka thënë amin me zë të lartë, "Shu'be hadithin e njëjtë e transmeton me "ka thënë amin në vetvete". Pos Shu'bes mbi këtë çështje edhe Muhammed ibn Xhaferi, Ebu Davud et-Tajalisi, Jezid ibn Zeri, Amr ibn Merzuk, të gjithë këta janë pajtuar për shqiptimin e amin në vetvete."

Ka thënë Ahmed Zafer Osmani: "Pasi që në këtë hadith janë mendimet e kundërta në mes Shu'bes dhe Sufjanit - është e nevojshme t'i jipet prioritet ose përparësi njërit ndaj tjetrit. Duke sqaruar këtë themi se: "Hadithi i Shu'bes r.a. në të cilin theksohet se Pejgamberi a. s në vetvete ka lexuar amin është më i fortë me rivajet (sened) dhe me dirajet - porosi përmbajtje"". Tashmë kemi thënë se Shu'be r.a. te shumica e dijetarëve është më i njohur se Sufjani dhe është më e afërt dhe më e drejtë që ai i cili është më i njohur mendimi i tij të jetë më i fortë dhe më i pranuar. Shu'be është 'Emirul-Muminine' në hadith. Sa i përket vetë porosisë së këtyre dy haditheve, themi se transmetimi i Shu'bes edhe nga ky aspekt është më i fortë. Për arsye se amin është dua. Kurse esenca e duasë është që të bëhet në vetvete. Allahu xh.sh. thotë: أُدْعُوا رَبَّكُمْ تَضَرُّعاً وَ خُفْيَةً ... - "Lutnie Zotin tuaj të përulur e në heshtje ...", (El-A'raf,55).

Buhariu, duke transmetuar nga Ata' në Sahihun e tij thotë: "Amin është dua".

Ebu Shejh me sened të ngjitur transmeton nga Enesi këtë hadith sahih: "Duaja në fshehtësi është më e vlefshme se shtatëdhjetë dua publikisht".

Ibn Hibbani r.a. në sahihun e tij e transmeton këtë hadith merfu': "Duaja më e vlefshme është ajo që lexohet në fshehtësi". Nëse kemi thënë se amin është dua, atëherë është e logjikshme se nëse është më e mirë dhe më e vlefshme ajo dua që bëhet në vetvete që edhe leximi i amin të bëhet në vetvete e jo me zë. Për këtë arsye edhe shumica e as'habëve dhe tabiinëve amin e kanë lexuar në vetvete-pa zë, (Xhevherun-Nekijj, 1-32).

Transmetohet nga Ibni Mes'udi r.a. nga Nah'iu, Sha'biu, Ibrahim et-Tejmiu se as'habët në vetvete e kanë shqiptuar amin. Për këtë arsye edhe i jipet përparësi hadithit, të cilin e transmeton Shu'be r.a. ndaj hadithit që e transmeton Sufjani në të cilin theksohet se Pejgamberi a.s. "e ka zgjatur me të zërin" (medde biha savtehu), që mund të ketë edhe kuptimin se ai e ka zgjatur zërin duke shqiptuar amin në vetvete, sepse edhe në medhhebin e Sufjan Thevriut thuhet se shqiptimi i amin në namaz duhet të bëhet në vetvete e jo me zë, (I'lau sunen 1-219).

Kurse transmetimin në të cilin theksohet se Pejgamberi a.s. ka lexuar amin me zë ne e kuptojmë se ajo është bërë me qëllim të mësimit të tjerëve. Këtë metodë e ka përdorur edhe Omeri r.a. kur nganjëherë e ka lexuar me zë edhe subhaneken në mënyrë që të mësojnë ata që falen pas tij. Kjo poashtu transmetohet edhe nga Ebu Hurejre r.a..

Mbi këtë është prononcuar edhe Ibn Kajjim el-Xhevzijje r.a.: "Nëse ndonjëherë imami lexon me zë me qëllim të mësimit të tjerëve, në të nuk ka dëm, sepse edhe Omeri ka lexuar me zë kur ka hyrë në namaz për t'i mësuar të besimtarët. Ibn Abbasi po ashtu në xhenaze e ka lexuar Fatihan me zë, për të treguar se kjo është sunnet, i njëjtë është edhe rasti i leximit të imamit me zë të fjalës amin", (Zadul-mead 1-71).

Ndërkaq, nga hadithi prej Vail ibn Haxherit, vërejtëm se në fund thotë: "(Ma erahu il-la jual-limuna) - e shoh se dëshironte të na mësojë".


Argumente tjera

Sa u përket argumenteve të tjera, të cilat theksohen si dëshmi e rregullësisë së shqiptimit të amin-it me zë, do t'i citojmë dhe për secilën do të flasim.

1. Në veprën Et-Telhisul-habir, (1-89) nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se: "kur Pejgamberi a.s. e ka kryer Fatihan e ka ngritur zërin dhe ka thënë amin", (Ed-Daru Kutnijj dhe El-Hakim).

Daru Kutnijj ka thënë: "Senedi i këtij hadithi është hasen-i mirë". Kurse Hakimi ka thënë: "Sahih sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit". Edhe Bejheki ka thënë: "Hasenun sahih", (Hadith i mirë i rregullt).

Mirëpo, në veprën "Xhevherun-Nekijj", (1-132) theksohet se në senedin e këtij hadithi Jahja ibn Osman ibn Hatem ka thënë: "Për të kanë folur në Keshshaf nga Dhehebiu: "Ai ka edhe atë e cila i refuzohet"".

En-Nesaiu ka thënë: "Nuk është i besueshëm". Kurse Muhammed ibn Avf Et-Tai, muhaddith i Homsit për të ka thënë se është gënjeshtar".

Në veprën "Ta'likul-hasen", (1-93) thuhet: "Në senedin e hadithit të cilin e transmeton Hakimi dhe Daru Kutnijj gjendet Is'hak ibn Ibrahim el-Alai ez-Zubejdi ibn Zebrik nga i cili as Buhariu e as Muslimi nuk kanë dashtë të marrin hadithe, si dhe as katër transmetuesit tjerë të njohur në Sunenet e tyre. En-Nesai për të thotë se është transmetues daif - i dobët (i pabesueshëm). Kurse Muhammed ibn Avf et-Tai për të thotë se është gënjeshtar".

Në veprën "Tehdhibut-Tehdhib" qëndron: "El-Axheri transmeton nga Ebu Davudi se Muhammed ibn Avf ka thënë: Nuk dyshoj aspak se Is'hak ibn Zeberik është gënjeshtar", (1-216).

Megjithatë, do të thotë se pas kësaj nuk mund të thuhet për senedin e këtij hadithi se është ajo që ka thënë El-Hakimi që është në kushtet e Buhariut dhe Muslimit, (I'lau sunen 1-221).

2. Ibn Maxhe r.a. transmeton nga Ebu Hurejre r.e. se ka thënë: "Njerëzit e patën lënë pas dore shqiptimin e amin, kurse Pejgamberi a.s. pasi këndonte "gajril-magdubi alejhim ve leddal-lin" thoshteamin - madje e dëgjonin ata që ishin në saffin e parë - e nga kjo xhamia ushtonte", (1-62).

Them: "Ky hadith nuk e ka të rregullt as senedin e as metnin". Për sa i përket senedit: "Për shkak se në të gjendet Bishr ibn Rafiî - për të cilin Buhariu ka thënë se nuk është i besueshëm në hadith". Ahmed ibn Hanbeli për të ka thënë: "Daif - i dobët". Ibn Maxhe ka thënë: "Ka transmetuar hadithe të trilluara (munker)", (Mizan, 1-147). Hafidhi në veprën "Tehdhibut-tehdhib" ka thënë: "Ibn Abdul-Berr në "Kunja" ka thënë: "Ai është i dobët, transmeton hadithe të rrejshme"".

Në veprën "El-Insaf": "Janë pajtuar se ai ka transmetuar hadithe të rrejshme dhe i refuzohet çdo gjë që transmeton, ashtu që dijetarët nuk bazojnë asgjë në transmetimet e tij. Në mes të shkencëtarëve të hadithit nuk ka divergjencë mendimesh rreth çështjes së Bishr ibn Rafiut".

Ndërkaq, sa i përket parregullësisë në metën (teksti i hadithit) aty janë dy fjali që janë të palogjikshme. Kuptohet nga hadithi se Pejgamberi a.s. e ka shqiptuar me zë amin-in - për ta dëgjuar në safin e parë - dhe shton "që xhamia të ushtojë". Nëse është me zë ashtu që të ushtojë xhamia - atëherë do të dëgjonin të gjithë edhe në safat tjera - e jo vetëm në safin e parë. Pastaj hadithin e njëjtë e transmeton Ebu Davudi pa shtesën "që xhamia të ushtojë".

3. Gjithashtu theksohet transmetimi në Musnedin e Is'hak ibn Ravejhit: "Na ka njoftuar En-Nadr ibn Shumejl nga Harun el-Averi, nga Ismail ibn Muslimi, nga Is'hak ibn Um el-Husej, e ky nga nëna e tij se ka thënë": "Jam falur me Pejgamberin a. s, e kur e ka lexuar "ve leddal-lin" - ka thënë amin - e ka dëgjuar nga safat e grave", (Zejleiî 1-196).

Mirëpo, në këtë sened është Ismail ibn Muslim el-Mekki, i cili është daif. Ahmedi ka thënë: "transmeton hadithe munker (të trilluara)". En-Nesai ka thënë: "Metrul - hadithet e tij lëhen - refuzohen". Ali ibn el-Medini ka thënë: "Hadithet e tij nuk shkruhen". Ibn Muin ka thënë: "Ismail ibn Muslim el-Mekki nuk është asgjë", (El-Mizan 1-115).

4. Buhariu ka shënuar ta'lik (koment) nga Aisheja r.a., të njëjtin e thekson edhe Abdurrezaku nga ibn Xhurejxhi nga Ata' - se ka thënë: "E kam pyetur: "A e ka shqiptuar Ibn Zubejri amin në fund të Fatihas"? Ka thënë: "Po, dhe ata pas tij kanë shqiptuar amin sa që në xhami është dëgjuar zhurma"", (Fet'hul-Bari 7-217).

Edhe El-Bejheki ka shënuar transmetimin nga Atau i cili ka thënë: "I kam përjetuar në këtë xhami dyqindë falës, kur imami thotë "ve leddal-lin" e kam dëgjuar zhurmën e fjalëve të tyre amin".

Komenti ynë: Fjalëve dhe veprave të as'habëve nëse u kundërvihen fjalë dhe vepra të as'habëve tjerë nuk merren si argument. Ne kemi transmetime të qarta dhe të sakta nga Omer ibn Hattabi, Ali ibn Ebi Talibi dhe Abdullah ibn Mes'udi r.a. se amin-in e kanë shqiptuar pa zë dhe ata janë të mjaftueshëm si shembull. Vërejtëm gjithashtu transmetimin të cilin e ka shënuar Taberiu se shumica e as'habëve dhe tabiinëve amin-in e kanë theksuar në vetvete - pa zë.


Përfundim

Nga krejt ajo që u theksua në këtë temë, mund të nxirret ky përfundim: Theksimi i amin-it në vetvete pas Fatihas është bazë - asl dhe këtë nuk duhet lënë, pasi që nuk ka argument të fortë i cili dëshmon se duhet vepruar ndryshe. Ajo që është parë te Pejgamberi a.s. se njëherë ka theksuar amin-in me zë, ne e shpjegojmë se ai këtë e ka bërë për t'i mësuar të tjerët - e jo se duhet të theksohet me zë në të gjitha namazet. Përparësi i jipet asaj që është bazë - (asl) dhe çka është burimore dhe e pamë nga transmetimet se shumica e as'habëve dhe tabiinëve amin-in e kanë theksuar në vetvete- pa zë.


Dhe në Fund

Pra, ajo që veprojnë boshnjakët-muslimanët në xhamitë e tyre, që e falin namazin me dinjitet, me përulje, qetë dhe me diciplinë dhe që nuk e theksojnë amin-in me zë, nuk është risi-trillim i tyre, e as nuk është trillim i imamit tonë të ndershëm Ebu Hanife r.a..

Kjo që disa zotërinjë i çudit, kur kanë ardhur në Bosnje dhe i kanë parë boshnjakët - muslimanët duke mos e theksuar amin-in me zë, e thonë: "Sikur në mesin tonë të paraqitej Pejgamberi a.s. apo ndonjëri prej as'habëve të tij r.a. prej fesë nuk do të na njihshin asgjë përpos Kibles" Imad El-Misri, hyrje, "Botëkuptimet të cilat duhet t'i përmirësojmë". Andaj me qëllim të kthimit të boshnjakëve në "rrugë të drejtë" e ka shkruar veprën "kapitale" - "Botëkuptimet të cilat duhet t'i përmirësojmë", të cilës zotëriu i theksuar dhe shoqëria e cila qëndron pas tij, sigurisht pa vetëdije ia kanë dhënë titullin e vërtetë, sepse fjala është për botëkuptimet të cilat duhet përmirësuar, që nënkuptohet nga vetë titulli.

Pra, në libër është fjala për botëkuptimet të cilat duhet t'i përmirësojnë ata që qëndrojnë pas këtij libri, mu ashtu, goditje në cak me zgjedhjen e titullit të kësaj broshure. Unë do të isha pak më modest e do të thosha, le t'i përgjigjen titullit të asaj broshure ata që e kanë shkruar dhe t'i ndryshojnë botëkuptimet të cilat duhet ndryshuar veçmas rreth kaptinës së ibadatit, apo edhe më konkretisht dispozitat të cilat i kanë përmendur rreth namazit. Zotëri Misri çuditet që boshnjakët-muslimanët e theksojnë amin-in në vetvete, shpresoj se nëse ka mundësi ta lexojë këtë punim më nuk do të çuditet. Sepse ia kemi dëshmuar se kjo në realitet ka qenë praktika e Pejgamberit a.s.. Ai dhe njerëzit e tij çuditen edhe për dukuri të tjera tek ne: Çuditen që te ne gratë falen ndryshe nga burrat dhe fton që të falen njësoj gratë dhe burrat, çuditen që boshnjakët-muslimanët i ngrejnë duart vetëm në tekbirin fillestar, e jo katër herë në çka ai i fton, çuditen që ndiqet Ebu Hanifja si muxhtehid, ndërsa edhe ai vetë ka thënë "nëse gjendet hadith sahih" ai është medhhebi i tij, dhe ja Imad Misri ka gjetur hadithe sahih, të cilat Ebu Hanifja nuk i ka ditur, andaj i kthen Boshnjakët-muslimanët që t'i ndjekin.

Por, vëllai im i dashur, për diçka të tillë nevojitet pak më tepër, më kapitale se sa libreza "Botëkuptimet të cilat duhet t'i përmirësojmë". Mirëpo, i ri je siç po shihet, andaj e ke rastin. Mirëpo vëlla, atë që ke shkruar për as'habin ibn Mes'ud nuk i ka hije atij që pretendon të bëhet muxhtehid. Për as'habët duhet të flitet me respekt. Kurse Abdullah ibn Mes'udi zë vend të madh, së pari te Pejgamberi a.s. e pastaj te të gjithë muslimanët. Ai është njëri prej të rrallëve që gjithmonë kanë qenë me Pejgamberin a.s.. Madje edhe ka fjetur në shtëpi të Pejgamberit. Halifi Omer r.a. e ka dërguar në Kufe, e cila më vonë falë atij u bë qendër e njohur shkencore. Vetë Ali ibn Ebi Talibi këtë vend e ka quajtur medinetul-ulemai (qytet shkencëtarësh). Dëshira e Allahut ka qenë që në këtë "qytet shkencëtarësh" ka lindur edhe Ebu Hanifja r.a., ndërsa ju në një artikull tuajin e keni prezentuar, se Abdullah ibn Mes'udi thuaja se ka harruar çdo gjë që ka ditur. Ashtu që është dashur t'i mësohet prej fillimit sa rekate ka namazi i sabahut, pastaj kishte harruar se Pejgamberi a.s. gjatë faljes kishte lëvizur krahët e duart, ashtu siç bëni ju sot, por sigurisht nuk ka patur dikend si Misriu, që ja përseri të gjitha të ia mësojë prej fillimit.

Është e vërtetë se Ebu Hanifja krejt fikhun e ka marrë përmes mësuesve të tij nga Abdullah ibn Mes'udi, i cili në gjeneratën e as'habëve ishte më i dituri në çështjet e dispozitave të fikhut. Ne, pjesëtarët e medhhebit hanefij mburremi me këtë. T'i hyhet punës me të cilën janë marrë muxhtehidët, nuk është gjë e lehtë siç e paraqitni ju. Nuk është kjo sikur kur ka ardhur një beduin te Pejgamberi a.s. për ta pyetur për atë që i nevojitet për ta shpie në xhennet, dhe Pejgamberi a.s. shkurtimisht i tregon veprimet të cilat do ta shpiejnë në xhennet.

Ndonëse ky rast është i vërtetë, megjithatë nuk ka ndodhur që ai beduin më vonë t'i vizitojë të tjerët duke luajtur rolin e muxhtehidit, duke folur se si Islami është i thjeshtë dhe çdokush mund ta mësojë dhe përvetësojë për disa orë, siç e paraqitni ju sot. Të paktën, të flitet për fikhun dhe për dispozitat e fikhut, duke mos njohur shkencën e cila quhet 'usuli fikh' është qesharake. Nuk është e mjaftueshme të merret një përmbledhje e haditheve të lexohet një hadith dhe të thuhet: "Kjo është rruga e drejtë, dhe nuk bën ndryshe".

Shkencëtarët e hadithit janë sikurse farmaceutët që ruajnë barëra të ndryshme por pa mjekë nuk dinë cili bar është për cilën sëmundje. E këta janë shkencëtarët e fikhut. Andaj ai që në fikh i referohet Ibn Haxher Askalaniut apo Buhariut, është si ai që në çështjet e kimisë i referohet historianit ose në pyetjet e filozofisë i referohet ekspertit të matematikës. Cilido që vepron kështu në botën e njerëzve normalë, të krijesave të kuptueshme të Allahut, duket si dikush që i ka ngatërruar të gjitha. Andaj, ty vëlla, Imad El-Misri, të rekomandoj nëse mendon ta vazhdosh punën në rrugë për t'u bërë muxhtehid, atëherë përveç veprave të hadithit të cilat i ke, blije edhe ndonjë vepër të fikhut. Shpresoj se edhe kur ta lexosh këtë punim do të zbulosh diç nga kjo shkencë fisnike, shkenca e fikhut, për të cilën Pejgamberi a.s. ka thënë: مَنْ يُرِدِ اللهُ بِهِ خَيْراً يُفَقِّهْهُ فِي الدِّينِ . - "Kujt Allahu xh.sh. i dëshiron mirë, do ta udhëzojë në kuptimin e dispozitave fetare", (Buhariu, Muslimi).

Rruga e ardhjes deri te një dispozitë (hukm) është shumë më e vështirë dhe kërkon angazhime, punë dhe hulumtime, shumë më tepër se sa që mendoni ju të cilët quheni selefij, të cilët me apo pa vetëdije e propagandoni risinë më të rrezikshme e cila e rrënon dhe e prish sheriatin islam. وَ صَلَّىاللهُ عَلَى سَيِّدِناَ وَ نَبِيِّنا مُحَمَّدٍ وَ عَلَى آلِهِ وَ صَحْبِهِ وَ سَلِّم - "Ve sal-lahhahu ala sejjidina Muhammedin ve alihi ve sahbihi ve selim!!!".


Ngritja e Duarve në Namaz përveç në Tekbirin fillestar

Abdullah ibn Amr ibn As transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Allahu xh.sh. nuk e ngre (merr) diturinë menjëherë, me tërheqjen e diturisë nga njerëzit, por e tërheq (merr) diturinë me vdekjen e dijetarëve. Dhe kur të mos mbetën njerëz të dijshëm, atëherë në vendet udhëheqëse do të vendosen injorantët të cilët kur të pyetën do të japin përgjigje pa dituri, ashtu që do të mashtrojnë nga rruga e drejtë dhe edhe vetë do të jenë të mashtruar", (Ibn Maxhe, Sunen, fq. 1-20).


Hyrje: Përse kam vendosur ta shqyrtoj këtë mes'ele?

Kur ta shiqojmë hadithi-sherifin e sipërtheksuar, gati lirisht mund të themi se Allahu xh.sh. qysh moti ka filluar ta tërheqë (merr) diturinë. Besoj se nuk jam i vetmi që kam patur rast të jam në situatë të më rekomandohet mënyra e re e faljes. Dhe që është interesant, këto rekomandime nuk vijnë nga njerëz të dijshëm, që deri diku do të ishte normale. Kjo shpesh vjen nga muslimanët gjysmë të arsimuar ose të paarsimuar. Kur të shohin duke falur namaz ashtu si ke mësuar, në rastin tonë, në baza të medhhebit hanefij, të thonë: "A e di ti se Pejgamberi a.s. nuk është falur ashtu". Dhe pastaj të numërojnë shembuj të "faljes së drejtë": hapjen e këmbëve, lidhjen e duarve në gjoks, shqiptimi i amin-it me zë, ngritja e duarve para dhe pas rukusë, etj., ...

Njerëzit që nuk dijnë asgjë nga fikhu, aty këtu kanë mësuar se mund të falet edhe ndryshe nga mënyra në të cilën janë mësuar të falen muslimanët e Bosnjes, sipas ixhtihadit të shkollës juridike hanefite, andaj i japin vetes të drejtë të falen siç kanë dëgjuar prej të tjerëve, vetëm që të jetë ndryshe nga ajo që kanë mësuar dhe që ka qenë traditë më herët. Pos kësaj është dukuri e shpeshtë që kundër medhhebit hanefij edhe të thekësohen akuza se nuk është i themeluar në hadithe të drejta. Kjo njerëzit tonë i bie në situatë të pavolitshme. U thekësohet hadithi për ndonjë çështje të caktuar dhe përmendet mendimi i medhhebit hanefij, zakonisht zgjedhet qëndrimi kundërthënës.

Pastaj triumfalisht pyet: kë do ta ndjekim, Pejgamberin a.s. apo Ebu Hanifen?! Normalisht se muslimani ynë në situatë të tillë do të habitet. Fare nuk jipet shpjegim përse Ebu Hanife e ka marrë atë qëndrim! Ndërkaq, dihet se ai, si dhe muxhtehidët tjerë kanë thënë: "Nuk lejohet që dikush t'i transmetojë mësimet, fetvatë dhe përgjigjet tona, nëse nuk e di në çka ne i kemi themeluar dhe prej nga i kemi marrë". Ebu Hanifja por edhe imamët tjerë muxhtehidë për mësimet e tyre themel e kanë patur Kur'anin dhe Hadithin. Mirëpo, atyre që sipërfaqësisht i njohin çështjet fetare u duket se Ebu Hanife është në kundërthënie me hadithet e Pejgamberit a.s..

Këtyre ditëve në trojet tona është paraqitur një broshurë e këtij lloji nga njëfar Imad El-Misri "Botëkuptimet të cilat duhet t'i përmirësojmë" të cilën e ka botuar Qendra islame në Travnik, nën patronazhin e Organizatës Kuvajtase për Ringjalljen e Trashëgimisë Islame. E lexova këtë broshurë dhe ndjeva dëshirë që të përgjigjem në secilin paragraf të theksuar aty dhe të tregoj parregullësinë. Kësaj po i shmangem tash, por, in sha Allahu, së shpejti këtë do ta bëj.

Kurse tani për tani lexuesve dua t'ua prezantojë një mes'ele të fikhut, se si është zgjidhur në medhhebin hanefij dhe si në broshurën e përmendur dhe përmes këtij shembulli lexuesve do tu bëhet e qartë se për çka në realitet është fjala. Kush çfarë tendenca ka. Në faqen 18 të veprës së përmendur, autori thotë: "Katër herë ngriten duart në namaz; në tekbirin fillestar, kur të shkojmë në ruku, kur të ngritemi nga rukuja, dhe kur të ngritemi nga teshehudi i parë, në rekatin e tretë, hadithin e transmeton ibn Omeri, kurse e shënon Buhariu", mbaron citati. Kryesisht broshura është e shkruar në këtë stil. Si vërejtje të parë mund të thuhet se shkrimi i këtij lloji në vete nuk ka asgjë me metodën shkencore. Askund nuk theksohet nga cili libër është marrë citati, numri i faqes, vendi i botimit, etj.. Çdokush do të mundte në mënyrë arbitrare të shkruajë çka të dojë dhe në fund të shtojë: kështu ka vepruar Pejgamberi a.s., sidomos nëse kemi të bëjmë me persona të cilët nuk llogarisin se për të do të kenë përgjegjësi para Sunduesit të botëve.

Çështja e dytë për të cilën mendoj kur është fjala për dukuritë e tilla është, përse vjen pikërisht deri te aktualizimi i çështjeve të këtilla në midiset ku jetojnë muslimanët dhe atë atëherë kur u kanoset rreziku nga armiku i jashtëm me agresion dhe çfarosje biologjike. Si kontribut për këtë pohim do t'i theksoj tre shembuj:

1. Lufta irako-iraniane. Shembull tipik i luftës agresive nga ana e Irakut, i ndihmuar me të madhe nga fuqitë perëndimore, u sul kundër Republikës Islamike të Iranit të sapoformuar. Në atë periudhë vjen deri te vërshimi i madh i broshurave, revistave, studimeve, etj.. Në të cilat aktualizohet problematika e divergjencave mes Islamit sunij dhe atij shiij. Natyrisht, përfundimi është i qartë; ndihmohet agresioni i regjimit ateist kundër atij islamik.

2. Lufta në Afganistan. Afganistani është vend islamik shumëshekullor në të cilin është praktikuar medhhebi hanefij. Me vite muslimanët në Afganistan kanë jetuar duke e adhuruar Allahun xh.sh. në baza të medhhebit hanefij. Asnjëherë askujt, veçmas prej anash, nuk i ka penguar ajo që në Afganistan është i përfaqësuar medhhebi hanefij. Kur vjen deri te agresioni nga ana e Rusisë, tash gjenden shumë "miq" të cilët vijnë t'i ruajnë afganistanasit nga mashtrimi i besimit të gabuar dhe t'ua mësojnë besimin e drejtë akide-selime, e në këtë strukturë vjen në pyetje edhe medhhebi hanefij. Hapen shumë qendra islame me orientime të ndryshme dhe për një kohë të shkurtër vjen deri te coptimi i popullit afgan të bashkuar deri atëherë. Ia shtroj vetes pyetjen, se si deri sa nuk ishte lufta në Afganistan askush nuk ka ardhur dhe ta shtrojë pyetjen e pluralizmit të medhhebeve në një midis dhe për akiden e drejtë apo të padrejtë. Kjo pikërisht vjen në kohën kur një populli musliman i kanoset shfarosja nga një popull tjetër pabesimtar. Pa dyshim se protagonistët e mësimit dhe ideve të tilla gjithsesi u shkojnë për shtati planeve armiqësore, me vetëdije apo pa të.

3. Shembulli në Bosnje e Hercegovinë. Plotësisht e njëjta gjë sikur dhe me Afganistanin. Muslimanëve u kanoset shfarosja fizike. Kanë rënë shumë viktima. Po ndodhë e njëjta gjë. Vijnë individë apo grupe të organizuara dhe dëshirojnë t'u ndihmojnë boshnjakëve-muslimanëve me atë që do t'ua ndërrojnë medhhebin hanefij. Happen qendra islame, shkruhen dhe shpërndahen broshura falas, me vënien e theksit në ndryshueshmëri të interpretimit të dispozitave islame me tendencë që ajo gjë që është te ne zakonisht të shpallet e gabueshme. Normalisht që kjo do të rezultojë me konflikte dhe ndarje mes muslimanëve. Kur të shikojmë se ku hapen këto qendra dhe shkolla. Në territorin e lirë, aty ku luftëtarët tonë e kanë dëbuar armiqtë. Por sipas planit të dikujt muslimanët nuk guxojnë të mbesin të bashkuar në një ide. Duhet sa më shumë të ç'antarësohen.

Ata që kanë ardhur nga vendet tjera për të luftuar për çështjen e Bosnjes, e nuk kanë qenë të obliguar të shkojnë e t'u ndihmojnë të tjerëve nëse nuk e kanë rregulluar situatën e vet. Duke filluar nga Egjipti, Arabia Saudite e vendeve tjera. Luftëtarë të nderuar, nga ngatërresa që po shkaktohet me paraqitjen tuaj dhe me vendosjen e mësimit tuaj në trojet tona më shumë ka dëm se sa dobi. Ju nuk e keni zgjidhur situatën në vatanet tuaja, e deri sa këtë nuk e bëni, Allahu nuk ju obligon që t'u ndihmoni të tjerëve. Ai që nuk mund t'i ndihmojë vetvetes nuk mundet as tjetrit, përveç që mund të jetë i manipuluar. Çfarëdo ndihme për muslimanët e Bosnjes, sado që të jetë e sinqertë dhe qëllimmirë nëse rezulton me rezultate të njëjta siç ndodhi në Afganistan, për ne është e rrezikshme ta pranojmë. Nuk do të dëshirojmë që pas qërimit të hesapeve me agresorin të vijë qërimi i hesapeve të cilin historia e re e njeh me emrin "luftë vëllavrasëse fetare", ndërsa pamfletet siç është kjo të cilën e përmendem shpiejnë kah kjo rrugë.

Kurse tash t'i kthehemi temës tonë të fikhut. Në medhhebin tonë duart në namaz ngriten vetëm me rastin e marrjes së tekbirit fillestar (iftitah tekbir) dhe atë deri te pjesa e butë e veshit dhe shqiptohet "Allahu ekber". Përse ka thënë Ebu Hanifja që të veprohet kështu në namaz, kur kemi parë se si Imad El-Misri na e citon hadithin se si duhet katër herë të ngriten duart?

1. Abdullah ibn Kutejbe transmeton nga Xhabir ibn Semrete r.a. se ka thënë: "Një ditë Pejgamberi a.s. erdhi në mesin tonë dhe ka thënë: "Çka keni, ju shoh duke i lëvizur krahët në namaz sikur t'ishin duart tuaja bishta të kuajve kryeneçë. Qetësohuni në namaz"", (Muslimi, vol. 1, hadithi 181, I'lau sunen vol. 3, fq. 43).

Imam Buhariu e ka shënuar anekdotën ndërmjet Ebu Hanifes dhe Ibn Mubarekut. Me një rast Ibn Mubarek është falur pranë Ebu Hanifes r.a. dhe i ka ngritur duart në namaz. Kur e kanë përfunduar Ebu Hanifja i thotë duke i hedhur fjalë: "Mendova se po duash të fluturosh në namaz, kur hetova që po i lëvizësh krahët"! Ibn Mubarek i përgjigjet se kur nuk kam fluturuar me rastin e ngritjes së parë, nuk do të fluturoj edhe me ngritjen e më vonshme. Nga kjo anekdotë disa kanë kuptuar se Ibn Mubarek përshtatshëm i është përgjigjur Ebu Hanifes. Mirëpo, nga e theksuara shihet mendjemprehtësia dhe spirituoziteti i imamit tonë Ebu Hanifes r.a..

2. Alkame ka thënë: "Abdullah ibn Mes'udi ka thënë: "A dëshironi t'u fali ashtu siç është falur Pejgamberi a.s."? Është falur dhe i ka ngritur duart vetëm në tekbirin fillestar", (Tirmidhiu, vol. 1, 35 (I'lau sunen vol. 3, fq. 59, nga Muhaddith Zafer Ahmed El-Osmanij).

Këtë transmetim, përveç Tirmidhiut e kanë shënuar edhe Ebu Davudi, Ebu Bekr ibn Ebi Shejbe, Ahmedi dhe Ebu Hanifja r.a.).

3. "Resulullahi a.s. në namaz i ka ngritur duart vetëm me rastin e tekbirit fillestar", dhe transmetimi tjetër thotë: "I ka ngritur duart vetëm një herë gjatë tekbirit fillestar dhe nuk e ka përsëritur gjatë namazit", (Ibn Ebi Shejbe dhe Ahmedi).

4. Transmeton Jahja ibn Adem nga Hasan ibn Ajjash, kurse ai nga Abdul-Meliku, nga Dhubjan ibn Adijj, e ai nga Ibrahim ibn El-Esvedi se ka thënë: "Jam falur me Omerin dhe i ka ngritur duart vetëm gjatë tekbirit fillestar", (Ibn Ebi Shejbe r.a. me sened (zingjir të transmetuesve) sahih sipas kritereve të Muslimit.)

5.Ka thënë Muxhahidi: "Jam falur pas djalit të Omerit (Ibni Omerit r.a.) nuk i ka ngritur duart përveç gjatë tekbirit fillestar", (Taberani, Ebu Bekr, Ibn Ebi Shejbe dhe Bejheki në veprën El-Ma'rife dhe senedin e ka sahih) Kështu është e shënuar në Athari Sunen, vol. 1, fq. 108).

Këtu është interesant të theksohet se Imad El-Misri në broshurën e tij thekson se Ibn Omeri ka transmetuar nga Pejgamberi a.s. se i ka ngritur katër herë duart në namaz, kurse sipas këtij transmetimi po shihet se Ibn Omeri është falur pa i ngritur duart, (Transmeton El-Bejhekiu).

6. Transmeton Muhammed ibn Xhabir nga Hammad ibn Ebi Sulejmani r.a. kurse ai nga Ibrahimi dhe Alkame, kurse ky nga Ibn Mes'udi: "Jam falur pas Pejgamberit a.s., Ebu Bekrit dhe Omerit, i kanë ngritur duart vetëm gjatë tekbirit fillestar".

Edhepse mund të citohen edhe shumë transmetime, megjithatë këtë e konsiderojmë të mjaftueshme. Shpresojmë se tash është e qartë se pse në medhhebin hanefij është thënë se nuk duhet të ngriten duart në namaz përveç gjatë tekbirit fillestar. E edhe nëse gjendet ndonjë transmetim apo hadith nga i cili mund të konkludohet se Pejgamberi a.s. dhe ndonjë as'hab ndonjëherë i kanë ngritur edhe para dhe pas rukusë kjo ka të bëjë për atë kohë kur nuk kanë qenë të shpallura dhe të përkryera dispozitat përfundimatre rreth kryerjes së namazit. Është e ditur se në periudhën e hershme të Islamit edhe është folur në namaz, e pastaj u ndalua çdo të folur në namaz përveç leximit të Kur'anit.

Dhe për fund të këtij punimi do ta kisha theksuar diskutimin, i cili ka ndodhur në mes Ebu Hanifes dhe Uzaiut rreth çështjes së ngritjes së duarve në namaz: El-Harithi në Musnedin e vet e ka shënuar diskutimin ndërmjet Ebu Hanifes dhe Uzaiut mbi ngritjen e duarve në namaz: "Në Mekke janë takuar Ebu Hanifja dhe Uzaiu në shtëpinë El-Hanatin. Uzaiu i thotë Ebu Hanifes: Përse ju nuk i ngritni duart në namaz para dhe pas rukusë"? Ebu Hanifja i thotë: "Sepse nuk ekziston transmetim i vërtetë (sahih) nga Pejgamberi a.s. se ai këtë e ka bërë"! Uzaiu i thotë: "Si nuk ka"? Më ka treguar Zuhriu nga Salimi e ai nga babai i tij, e ky se Pejgamberi a.s. i ka ngritur duart në gjatë tekbirit fillestar, gjatë rukusë dhe pas kthimit prej rukusë. Ebu Hanifja në të i përgjigjet: "Na ka treguar Hammadi nga Ibrahimi, nga Alkame dhe Esvedi, nga Abdullah ibn Mes'udi r.a. se Pejgamberi a.s. i ka ngritur duart vetëm gjatë tekbirit fillestar dhe nuk e ka përseritur këtë në asnjë vend".

Uzaiu i thotë: "Unë po të përcjell çka ka thënë Zuhriu nga Salimi, e ai nga Pejgamberi a.s., kurse ti po ma përmendish Hammadin dhe Ibrahimin. Ebu Hanifja i thotë: "Hammadi ka qenë më i ditur se Zuhriu dhe Ibrahimi ka qenë më i ditur në fikh se Salimi, kurse as'habi Ibn Mes'udi që si fëmijë vazhdimisht ka qenë në shoqërim të Resulullahit a.s.". Në këtu Uzaiu vetëm heshti.


Namazi i Teravihve

Ky namaz bën pjesë në namazet vullnetare (nafile), i cili aplikohet në netët e muajit më të zgjedhur Ramazani-sherif. Dijetarët islamë të fikhut këtë namaz e radhisin në namazet sunneti muekkede (sunnet i përforcuar). Këtë pra e ka praktikuar Pejgamberi i Allahut xh.sh. dhe u ka preferuar pasardhësve të vet që edhe ata ta aplikojnë. Që moti është mësuar dhe është transmetuar se ky namz përbëhet nga 20 rekate dhe preferohet që të falet me xhemat. Me këtë rast duhet thënë se në disa vende ku për arsyera të caktuara nuk ka patur xhematë ishte bërë traditë që gjatë muajit Ramazan të gjendet një imam për teravih dhe ky namaz të falet. Kështu veprohej në të tërë Bosnjen. Gjatë kësaj kohe medresetë nuk do të punonin, vetëm e vetëm që nxënësit të kenë mundësi që gjatë muajit të Ramazanit të kryejnë punën e imamit të teravihve.

Kështu ishte deri pak kohë më parë. Shumë gjëra filluan të ndryshojnë. Në disa vende - në Bosnje ky sunnet pësoi ndryshime. Unë këtu do ta përmendja një faktor që ndikoi, e ky ka të bëjë me prezencën e vëllezërve tanë muslimanë nga vise të tjera të botës, të cilët me vete sjellin mësime për fenë, ndryshe nga ato që ishin të zakonshme në midiset tona. Disa tentojnë që këto ndryshime t'i shpjegojnë me përkatësinë e medhhebeve të ndryshme. Megjithatë, ky fakt nuk i arsyeton gjithë këto poteze.

Kur gjërat shiqohen më me kujdes, në prapavijë shpeshherë qëndrojnë faktorët e tjerë. Është tendencë e dikuj që në një midis të gjenden sa më shumë mësime dhe ide të ndryshme, në mënyrë që të dobësohet uniteti dhe homogjeniteti i popullit muslimanë. Shpesh manipulohet me burimet e fesë: Kur'anin dhe sunnetin, e gjithë kjo me qëllim që të krijohet një anarki në një midis të caktuar. Tani për tani Bosnja është bërë një laborator i eksperimenteve të ndryshme. Unë do të përqëndrohem vetëm në një dukuri, e të tilla ka shumë. E kam fjalën për namazin e teravihve. Deri më tash na kanë mësuar se namazi i teravihve përbëhet prej 20 rekatesh, se falet në xhemat dhe individualisht. Më shumë se 500 vjet të Islamit në trojet tona veprohej, transmetohej dhe aplikohej kështu. Ka patur Bosnja dijetarë: kadi, mufti, shejha, muderrisë, hafizë, profesorë e të tjerë, shumë ente dhe institucione fetare, medrese, gjimnaze të sheriatit, fakultete, kadillëqe, muftini e të tjera. Të gjithë për Islamin folën njësoj.

Tash pasi trojet tona i kaploi lufta, përjetuam edhe shumë vuajtje të tjera, e njëra nga ato është edhe ajo e mbjelljes së përçarjes në mes të besimtarëve muslimanë. Tash më nuk është e hieshme dhe e vlefshme që muslimanët e Bosnjes të jenë pasues të një medhhebi. Duhet futur një pluralizëm të mdhhebit. Duhet bërë me dije se Islami mund të praktikohet edhe në një mënyrë tjetër. Tash doli në shesh teza se namazi i teravihve mund të falet edhe me 8 rekate. Kjo është më e drejtë se ai që falej me 20 rekate. Mora vesh se në disa xhami gjatë këtij Ramazani tashmë veprohej kështu. Pra mund të konstatohet se ata që e falin namazin e teravihve me 8 rekate janë më të mirë se ata që e falin me 20 rekate, e do të fillojë bindja e njëri tjetrit dhe jo rrallë të vijë deri tek grindja dhe urrejtja. Në disa xhami krijohet tollovi, e cila në të vërtetë ekziston në shumë xhami të botës islame, në veçanti pas kolonializmit që i është bërë asaj. Disa i falin nga 8, të tjerët nga 20 rekate. Disa dalin më herët nga xhamia, të tjerët qëndrojnë më gjatë.

Më herët kishim një rregullësi dhe disiplinë në xhami, të tillë siç e kanë vetëm turqit muslimanë, bashkim në safe, falje identike, bashkimi dhe uniteti namifestoheshin kudo. Kur të analizohet se kush qëndron në futjen e një anarkie të tillë, konstatohet se në të vërtetë këtë janë duke e bërë disa organizata të fuqishme financiare apo individë të caktuar, të cilët me diktatin e ndokujt përhapin mësime dhe ide, duke thirrë për në "rrugë të drejtë", e cila bazohet në mosekzistimin e medhhebeve, apo në shumëmedhhebizëm. Këtë dukuri të kohës së re në botën islame, dijetari Dr. Ramadan el-Buti e ka quajtur novotari më të rrezikshme, e cila kërcënon sheriatin islam (El-lamedhhebijjetu ...) për çka edhe e ka shkruar një libër. Nëqoftëse ajo ide vazhdon të zgjerohet në mënyrë rapide tek ne, mendoj se librin në fjalë duhet përkthyer në gjuhën tonë.

Namazi i teravihve, siç kemi theksuar edhe më parë, është sunneti muekkede dhe përbëhet prej 20 rekateve. Ashtu ka qenë gjatë kohës së pejgamberit Muhammed a.s., në periudhën e katër hulefai-rrashidinëve, pastaj në kohën e fakihëve të mëdhenj islamë (Ebu Hanifes, Malikut, Shafiut dhe Ahmed ibn Hanbelit) të cilët i kanë kodifikuar dhe ruajtur dispozitat islame, dhe muslimanët e sodit atyre duhet t'u falënderohen që e kanë Islamin të ruajtur dhe të pa shtrembëruar. Ashtu ka qenë edhe në periudhat që kanë ardhur më vonë, deri në këtë kohë kur muslimanët e humbin forcën dhe ndikimin e tyre dhe kur për Islamin mund të flasë çka dhe kush të dëshirojë. Pra, tash kemi grupe të vogla dhe individë të cilët thonë se namazin duhet falur nga 8 rekatë. Nëse vazhdohet kështu nuk do të befasohemi që për një kohë të shkurtë të flitet edhe për 4 rekate të namazit të teravihve apo më pak ose më shumë.

Kurse tash lexuesve të ndershëm do t'u paraqes argumentet në të cilat mbështeten parimet e lartë përmendura.

Abdu-Rrahman ibn Avfi transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Allahu xh.sh. u ka përcaktuar agjërimin në muajin Ramazan, kurse unë po ju urdhëroj faljen e namazit të natës në të. Andaj kush e agjëron dhe falet natën, duke besuar dhe shpresuar në shpërblim nga Allahu xh.sh. do të dalë nga Ramazani i pastër nga mëkatet sikur atë ditë kur e ka lindur nëna", (En-Nesai).

Në këtë hadith të Dërguarit të Allahut vërtetohet urdhëresa e agjërimit në ditët e muajit të Ramazanit e cila më parë është urdhëruar me Kur'an (Bekare, 183). Gjithashtu vërtetohet falja sunnet e namazit të natës, si dhe të gjithë shkencëtarët e hadithit pajtohen se këtu me namaz të natës nënkuptohet namazi i teravihve. Me këtë hadith po ashtu hudhet poshtë dilema të cilën disa e shtrojnë se namazi i teravihve është risi e Omerit, e jo sunnet i Pejgamberit a.s. Prej haditheve tjera që do të pasojnë do të shohim se namazi i teravihve është sunnet i Pejgamberit a.s., ndërsa Omeri e ka vu vetëm që namazi i teravihve të falet me një imam, kur kishte vënë re se në kohën e tij ishin paraqitur disa imamë në një xhami dhe ashtu të ndarë në disa xhemate faleshin. Omeri, pra, vetëm kishte vendosur rendin dhe unitetin dhe kishte penguar që mos të bëhej anarki. Kishte urdhëruar që namazi i teravihve të falet pas një imami.

Ibn Kuddame në veprën e tij të njohur El-Mugni, thekson: "Namazi i teravihve në muajin e Ramazanit është prej 20 rekateve dhe është sunneti muekkede (sunnet i përforcuar) dhe i pari i cili e ka përcaktuar është Resulullahu a.s. Gjithashtu sunnet është që ky namaz të falet në xhemat".

Tirmidhiu ka thënë: "Shumica e dijetarëve janë me pikëpamjen të cilën e përfaqësojnë Ali ibn Ebi Talibi dhe Omer ibn Hattabi dhe as'habë të tjerë se namazi i teravihve është prej 20 rekateve. Ky është edhe të folurit e Sufjan Thevriut, Ibn Mubarekut, Shafiut, etj., Imam Shafiu ka thënë: "Kam përjetuar që në qytetin tonë Mekke namazi i teravisë të falet nga 20 rekate"".

Ibn Ebi Shejbete r.a. transmeton nga Vekiu, i cili e ka dëgjuar Hasan ibn Salihun, kurse ky nga Amr ibn Kajsi: "Se Ali ibn Ebi Talibi e ka urdhëruar një njeri që t'ua falë njerëzve në Ramazan nga 20 rekate", (Bejheki në Sunenin e tij).

Katër fakihët e mëdhenj janë deklaruar mbi numrin e rekateve që falen në namazin e teravihve. Ebu Hanifja, Shafiu dhe Ahmed ibn Hanbeli kanë thënë se është sunnet që namazi i teravihve të falet 20 rekate. Malik ibn Enesi ka thënë se namazi i teravihve i ka 36 rekate dhe se në kohën e tij në Medine ishte praktika e tillë. Shumica janë të mendimit se namazi i teravihve i ka 20 rekate. Asnjë dijetar nuk ka thënë se ka më pak se 20.

Ibni Abbasi r.a. ka thënë: "I Dërguari i Allahut në Ramazan ka falur 20 rekate dhe vitrin", (El-Keshi, El-Begavi, Taberaniu dhe Bejhekiu).

Abdul-Aziz ibn Refii r.a. ka thënë: "Ubejj ibn Kab me urdhër të Omerit ua ka falur njerëzve në Medine namazin e teravihve prej 20 rekatesh dhe tre rekate vitër".

Gati se nuk mund të gjendet transmetim i cili dëshmon se namazi i teravihve është falur më pak se 20 rekate, përveç transmetimit të h. Aishes nga i cili disa konkludojnë në mënyrë të tërthortë se Pejgamberi a. s ka falë nganjëherë edhe më pak se 20 rekate.

Ebu Sel-leme ibn Abdu-Rrahman r.a. thotë: "E kam pyetur Aishen: "Çfarë ka qenë namazi i Pejgamberit në Ramazan"? Ka thënë: "Nuk ka falë as në Ramazan e as jashtë Ramazanit më tepër se 11 rekate"".

Ndërkaq, vetë ajo në transmetimin tjetër thotë: "Pejgamberi a.s. në Ramazan është angazhuar më tepër se sa që është angazhuar jashtë Ramazanit", Mendohet në namaz.

Si dhe ky transmetim: "Kur të hynte e treta e fundit e Ramazanit, Pejgamberi a.s. falej gjatë, bënte lutje, këmbët iu ënjshin ...".

Gjithsesi h. Aisheja ka folur për namazin që Pejgamberi a.s. e ka falur në shtëpi, që nuk ka të bëj me namazin të cilin Alejhisselami ua ka falur as'habëve netëve të Ramazanit në xhami. Dihet mirëfilli se Pejgamberi a. s ka qenë i obliguar ta falë edhe namazin Tehexhxhud (e natës). Andaj disa dijetarë deklaratën e Aishes e vëjnë në lidhje me këtë fakt. Dhe gjithsesi se nuk ka të bëjë me namazin e Pejgamberit a.s. në netët e Ramazanit.

Jezid ibn Husejlete transmeton nga Thabit ibn Jezidi të ketë thënë: "Në kohën e Omer ibn Hattabit namazi i teravihve është falur 20 rekate".

Imam Shevkaniu në veprën e tij "Nejlul-evtar" mbi çështjen se a është më e vlefshme të falet namazi i teravihve vetmas në shtëpi apo me xhemat në xhami, ka thënë: "Imam Shafiu dhe shumica e pjestarëve të tij, Ebu Hanifja, Ahmedi dhe disa dijetarë të medhhebit malikij kanë thënë: "Më mirë është që të falet bashkërisht me xhemat, siç ka vepruar Omer ibn Hattabi dhe as'habët r.a. dhe në të i kanë ndjekur gjeneratat që kanë ardhur pas tyre"".

Nga e theksuara mund të konkludohet se Omeri r.a namazin e teravihve e ka falur me xhemat.

Ka mbetur vetëm të theksohet edhe shpjegimi të cilin e japin dijetarët se përse Pejgamberi a.s. disa netë i ka kapërcyer pa ua falë as'habëve namazin e teravihve. Dhe a mund të merret kjo se e ka lënë si sunnet që ndonjë herë mund të kapërcehet namazi i teravihve apo është më mirë të falet çdo natë?

Nëna e besimtarëve Aishja r.a. ka thënë: "Pejgamberi a.s. një natë del në xhami dhe falë namaz. Njerëzit i bashkangjiten pas tij. Vazhdoi ashtu dhe njerëzit çdo natë tuboheshin në numër edhe më të madh. Një natë nuk del për t'ua falur namazin. Kur ishte gëdhirë u kishte thënë: "Kam parë se ishit mbledhur që t'ua fali namazin (e teravihve). Por më ka penguar frika se ky namaz mos po u bëhet i obligueshëm në Ramazan, andaj nuk kam dalë"", (Buhariu).

Vetë Pejgamberi a.s. e ka shpjeguar arsyen se përse me atë rast e kishte kapërcyer t'ua falte namazin. Nga frika se Allahu xh.sh. mos ta bëjë farz, pra, të obligueshëm për pjesëtarët e tij. Pasi që mbeti në tretman të sunnetit muekkede, e nuk ekzistonte më frika se ai namaz do të bëhej i detyrueshëm, prej atëherë rregullisht është praktikuar. Dhe dijetarët thonë se është sunnet që të falet rregullisht ky namaz dhe sipas mundësisë të mos kapërcehet asnjë natë. Ashtu e kanë praktikuar as'habët dhe ata që kanë ardhur pas tyre. Dhe, in sha Allah, do ta praktikojnë ata që dëshirojnë ta ndjekin Pejgamberin a.s., e të tillë do të ketë deri në Ditën e gjykimit. Po shohim se trashëgimia islame, e cila ka arritur deri në Bosnje përmes Osmanlinjve të vyeshëm, është mu ajo trashëgimi të cilën nga Pejgamberi a.s. e kanë marrë as'habët dhe besnikërisht e kanë përcjellë nga brezi në brez. Vëllezër Boshnjakë-muslimanë, kujdes ndaj thirrësve të rrugës së pamedhhebizmit!!! وَ صَلَّىاللهُ عَلَى سَيِّدِناَ وَ نَبِيِّنا مُحَمَّدٍ وَ عَلَى آلِهِ وَ صَحْبِهِ وَ سَلِّم - "Ve sal-lahhahu ala sejjidina Muhammedin ve alihi ve sahbihi ve selim!!!".


Vështrim në Traktin "Ebu Hanifja - Interpretues i Ri i Islamit"

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve! Bamirësit të përgjithshëm, Mëshiruesit! Sunduesit në ditën e gjykimit. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm Ty të falemi. Salavati dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut Muhammedin a.s., mbi familjen e tij, as'habët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin udhëzimin e tij deri në Ditën e gjykimit.

Këto ditë më ka ra në dorë trakti, i shkruar në tetë faqe, me titull: "Ebu Hanifja 'Interpretues i Ri' i Islamit", i nënshkruar nga ana e Muharrem Shtullanoviqit, e në botim të Qendrës islame për ndihmë BeH - Austri. Titulli i traktit më gudulisi dhe e mora ta lexoj. Kur, kishte çka të lexohet. Trakti fillon me ajetin e 6-të kur'anor nga sureja Huxhurat, në të cilin flitet se besimtarët duhet të jenë të kujdesshëm kur ndonjë mëkatar-ngatërrestar, sjell ndonjë lajm duhet ta verifikojnë. Mendova sigurisht se dikush prap diç ka gënjyer për Islamin dhe muslimanët dhe ka përhapur dezinformata, sepse në këtë zaman ka shumë të tillë, andaj u gëzova duke menduar se, shyqyr Allahut xh.sh. kur e kemi edhe dikë, i cili u përgjigjet sulmeve ndaj Islamit dhe e mbron Islamin, në mes tjerash, edhe me pendë.

Mirëpo, entuziazmi im së shpejti mbaroi, kur e pashë se autori me porosinë e ajetit të lartëtheksuar aludon në profesorin Xhemaludin Latiq. Muharrem Shtullanoviqi don t'u thotë boshnjakëve-muslimanëve: "Mos e dëgjoni atë mëkatar, i cili përhap dezinformata dhe urren çdo gjë që është "islame origjinale" në emër të njëfarë "medhhebi të tij qiellor boshnjak""!

Mendova, o Allah i dashur, gjithëfarë njerëzish shkojnë në studime. Çfarë janë ato univerzitete, të cilat prodhojnë kuadra të tilla çfarë është autori i përmendur. Mund të kritikohet dikush, që i shmanget barrës dhe obligimeve, siç janë studentët, të cilët nga 10-15 vjet i kalojnë në studime. Ndoshta kaq gjatë që t'i përforcojnë dhe thellojnë studimet. Të kritikosh për parazitizëm apo të kritikohet dikush se punon gabim, me qëllim të përmirësimit të tij dhe kthimit kah metoda e drejtë, pastaj të kritikohen armiqtë e njohur haptas, të cilët janë shumë. Krejt kjo, sipas mendimit tim, do të ishte në rregull. Por, të quhet fasik (mëkatar dhe ngatërrestar) njeriu, siç është profesori Xhemaludin Llatiqi, kjo është jashtë suazave të cilitdo moral, e sidomos atij islam. Posaçërisht sepse kontributi i Xhemaludinit ndaj Islamit dhe muslimanëve të Bosnjes është shumë i njohur. Fjala është për njeriun, i cili ditë e natë punon, angazhohet dhe e udhëzon popullin tonë.

Autori i cili vetveten e quan "specialist", "dijetar të merituar", i cili nuk dëshiron të "merret me medhhebe" - "me temë të vjetëruar", siç bëjnë jospecialistët, të cilët deri më tash janë paraqitur me kësi pyetje, në shumë vende në terbimin narcisoid të "specialitetit" të tij, e ka prekur edhe çështjen e medhhebit hanefij, dhe "brengën" e tij se, ja në Bosnje nuk po zbatohet me konsekuencë medhhebi hanefij, për të cilin po angazhohet Xhemaludin Llatiqi, e vetë nuk e njeh. Aty në mënyrë kritike e përmend edhe Bashkësinë Islame, "... Nuk duhet posaçërisht të theksohet që në kushtet tona, ku pakundërshtueshëm, për rrethana të ndryshme, Islami integral dhe shumë dispozita islame janë të panjohur madje edhe për ata që janë në lidhje të ngushtë profesionale me bashkësinë islame ...", (Citati M. Shtullanoviq, fq. 6). Me gjasë, lëshim i Bashkësisë sonë Islame është që nuk ka fonde të plota, nuk ka dollarë dhe marka të mjaftueshme, që menjëherë "specialistët" të tubohen dhe të fillojnë të punojnë. Çka mundët e mjera Bashkësi e jonë Islame, e varfër, andaj specialistët punësohen nëpër dofarë komesariate të larta.

Mirëpo t'i kthehemi fikhut dhe temave të tij. "Specialisti" ynë thotë për leximin në varr se është ... "gjë e re, dhe asnjëri nga imamët e medhhebeve nuk thotë se ashtu ka vepruar Pejgamberi a.s., vetëm Ahmedi në një verzion konsideron se nuk do të pengonte leximi në varr, që pohon edhe Muhammedi nxënësi i Ebu Hanifes. Mirëpo, Ebu Hanifja, Maliku dhe Ahmedi në një verzion - pra elita e medhhebeve - konsiderojnë se leximi në varr është mekruh (e qortuar) andaj nuk duhet të praktikohet". Argument të kësaj e kanë se: është e re - e çpikur, pra, nuk ka qenë në praktikën e Pejgamberit a.s., nuk është sipas sunnetit dhe se leximi i Kur'anit i ngjanë namazit, kurse namazi është i ndaluar te varrezat andaj edhe leximi (kiraet), (Sherh-Tahavije, 1-675).

Kurse sa i përket zakonit tonë të "huazimit të lexuesve të Kur'anit me para, të cilët pastaj këtë ia falin personit të vdekur, këtë nuk e ka bërë asnjëri prej imamëve fetarë, e as që e kanë lejuar këtë, ndërsa vetë huazimi nuk lejohet në çka të gjithë ulematë janë pajtuar", (siç theksohet në burimin hanefij Sherh-Tahavije, 1-672), mbaron citati.

Dhe vërtetë, kur këtë e lexon një besimtar yni i mirë, me të drejtë do të thotë: "Me të vërtetë hoxhët dhe ulematë tonë nuk dijnë asgjë, as nuk kanë ditur".

E para: Sa i përket veprës "Sherh akide Tahavije" (Komenti i akaidit të Tahavisë), për të cilin thonë se është burim hanefij, kjo është çështje diskutabile. Siç pohon Hasan Eth-Thekaf dhe dijetarë të tjerë, komentimi është shkruar nga një grup anonim i autorëve, madje në njërin prej botimeve, një parathënie (mukadime) të gjatë e ka shkruar Nasrudin Albani, për të cilin, shpresoj, lexuesit tonë janë të njoftuar, ashtu që kjo vepër nuk merret si burim hanefij. Sidomos jo në çështje të fikhut. Ky libër trajton problematikën e akaidit (besimit islam).

Kurse tani, të shikojmë se çka thuhet për temën mbi leximin e Kur'anit në varreza në librat e fikhut, e pastaj lexuesit vetë le të përcaktohen ndërmjet asaj që flet Shtullanoviqi dhe që është përpjekur t'ia përshkruajë shkollës hanefite, dhe asaj që vërtet shkruan në librat e fikhut. Dhe pastaj krejt kjo të krahasohet me realitetin dhe praktikën tonë në Bosnje, banorët muslimanë të së cilës Shtullanoviqi dhe të ngjashmit me të i konsiderojnë "paganë", të cilëve duhet mësuar Islamin prej fillimit, sepse ata refuzojnë ta pranojnë shpalljen e Allahut. Subhanallahi, Subhanallahi!!! Ja çfarë thotë ai në faqën 2: "Te ne në Bosnje është rasti mu siç e përshkruan Kur'ani": "E kur u thuhet atyre (idhujtarëve): "Pranoni atë që Allahu e shpalli"! Ata thonë: "Jo, ne ndjekim atë rrugë në të cilën i gjetëm prindërit tanë"! Edhe sikur prindërit e tyre të mos kenë kuptuar asgjë dhe të mos jenë udhëzuar në rrugën e drejtë!?", (El-Bekare,170).

E dyta: Kurse tash do të citojmë se çka thuhet në veprën "Fikhul-islamijj ve edil-letuhu" - Dr. Vehbe Zuhejli, vepër të cilën M. Shtullanoviqi e citon në traktin e tij. Në vëllimin e parë, fq. 550, në kaptinën "Leximi për të vdekurin dhe falja e thevabeve".

a). Ekziston pajtueshmëri e dijetarëve islamë se të vdekurit kanë dobi nga duaja, istigfari i cili lexohet për të, nga lëmosha (sadakaja) e cila ndahet ose edhe kur për të kryhet ndonjë prej obligimeve të lëshuara - siç është haxhxhi e të ngjashme. Allahu xh.sh. thotë: "Edhe ata që kanë ardhur pas tyre e thonë: "Zoti ynë, falna ne dhe vëllëzërit tanë që para nesh u pajisen me besim ..."", (El-Hashr,10) Ose në ajetin tjetër: "Kërko falje për besimtarër dhe besimtaret ...", Muhammedi a.s. i ka kënduar dua Ebu Sel-lemes kur ka vdekur, gjithashtu dhe secilit të vdekur që ia ka falur xhenazën. (Më gjerësisht shih: Edderul-muhtar ve reddul-muhtar, 1/844, si dhe Fet'hul-kadir, 1/473, Mugni Muhtaxh, 3/69-70 dhe vepra tjera të medhhebit hanefij dhe medhhebeve tjera).

Ibni Kuddame thotë: "Të gjitha hadithet e theksuara janë me transmetime sahih nga të cilat kuptohet se të vdekurit i dërgohen dobitë nga agjërimi, duaja, istigfari dhe format tjera të ibadetit", (Fikhul-islamijj ve edil-letuhu, 2/551).

b). Dijetarët kanë divergjencë mendimesh rreth çështjes së arritjes së thevabeve personit të vdekur nga ibadeti i pastër fizik (ibadet bedenijje), siç është namazi ose leximi i Kur'anit, në dy mendime. Qëndrimi i shkollës juridike hanefite, hanbelite dhe pjesërisht të asaj shafiite, posaçërisht nga përfaqësuesit e rinj si dhe qëndrimi i malikijve është se i vdekuri ka dobi nga ajo nëse kryhet në praninë e tij (para vdekjes) ose nëse duaja i bëhet menjëherë pas saj, madje edhe nëse nuk është prezent, sepse në atë vend të leximit të Kur'anit lëshohet mëshirë (rahmet), kurse duaja e cila bëhet menjëherë pas tij është me më shumë gjasa të jetë e pranuar. Mendimi i përfaqësuesve më të vjetër të shkollës malikite dhe të një pjese të shafijve është se i vdekuri nuk ka dobi nga ibadetet e përmendura të cilat dikush tjetër i bën për të.

Hanefijtë thonë: "Mendimi i zgjedhur te ne është se është mekruh (e qortuar) që lexuesit e Kur'anit të ulen pranë varrit dhe lexojnë te ai, sepse në kaptinën e haxhxhit për haxhxhin i cili kryhet për tjetrin thuhet: "Njeriu veprën e tij mund t'ia falë si thevab tjetrit, pa marrë parasysh a është ajo namaz, agjërim, sadaka apo formë tjetër e ibadetit, pa iu pakësuar atij shpërblimi për të"", (Fikhul-islamijj ve edil-letuhu, 2/551).

Ndërkaq, të përkujtojmë se çka na thotë M. Shtullanoviqi: "Imami i theksuar i cili ka refuzuar të lexojë Kur'an në varrin e shehidit, ka vepruar sipas medhhebit hanefij!!!".

Imami i theksuar ka vepruar sipas instrukcioneve tuaja, juve, si interpretues të medhhebit vehabij, të cilin tash po mundoheni ta fshihni pas shkollës juridike hanefite në paraqitjet publike, edhe pse dihet që në qendrat tuaja mësoni se nuk duhen medhhebet dhe se kjo është risi, e cila është trilluar më vonë e të ngjashme.

Të shohim çka thonë hanbelinjtë: "Nuk ka dëm që të lexohet Kur'an te varri, për shkak të shumë haditheve të cilat flasin për këtë". Muhammedi a.s. ka thënë: "Kush hyn në varreza dhe lexon suren "Jasin", do t'i lehtësohet të vdekurit ajo ditë, kurse ai do të ketë hasenate aq sa ka të vdekur në ato varreza". Ose "Kush e viziton varrin e prindërve të vet dhe aty e lexon suren jasin, do të jetë i falur",(Fikhul-islamijj ve edil-letuhu, 2/551). Sujutiu në Xhamiun e tij për këto dy hadithe thotë se janë të dobët (daif).

Malikijtë thonë: "Mekruh është të lexohet Kur'an dhe ai t'i dhurohet të vdekurit pas vdekjes së tij dhe në varr, sepse këtë nuk e kanë bërë të parët (selefi), mirëpo përfaqësuesit më të rinj të medhhebit malikij thonë se nuk ka dëm të lexohet Kur'an dhe dhikr dhe kjo t'i dhurohet të vdekurit. Për këtë do të ketë shpërblim, in sha Allahu, (Fikhul-islamijj ve edil-letuhu, 2/551).

Madje edhe përfaqësuesit e medhhebit shafij, në verzionin e fundit deklarohen rreth kësaj çështjeje, thonë se i vdekuri ka dobi nga leximi i Kur'anit dhe kjo praktikohet. Konform thënies së Ibni Mes'udit: "Atë që shumica e muslimanëve të mirë e shohin të mirë, ajo te Allahu xh.sh. është mirë", ما رآه مسلمون حسنا فهو عند الله حسن - (Ma reahu muslimune hasenen fe huve indellahi hasenun).

Mendoj se për këtë mjaft është theksuar, andaj tash pyesim për atë që praktikohet në Bosnje, përcjellja e të vdekurve me dinjitet dhe respekt të veçantë, a është e bazuar në medhhebin hanefij apo jo. Çka kanë zotërinjtë që u pengon leximi i Kur'anit në varreza të shehidëve, nuk paraqiten me ngritje të zërit kundër shumë bidateve (risive) të vërteta të cilat janë të përfaqësuara në vendet ku muslimanët nuk kanë pasur kontakt me Islamin dhe ku nuk kanë ekzistuar institucionet islame. Qendrat vehabite po happen nëpër Zenicë, Visoko, Teshanj, Kakanj, të gjitha këto janë vende ku praktikohet Islami dhe ka rrënjë të thella. Urdhëroni zotërinj, e hapni qendër në Stolac, Çaplinë, pastaj në Livnë, Duvnë, Banjallukë, etj.. Ndoshta do të keni më tepër sukses në përhapjen e medhhebit vehabij.

Në Bosnje asnjëherë nuk ka qenë praktikë, me sa di unë huazimi i lexuesve të Kur'anit, të cilët, sipas kontratës së punës, do të lexonin Kur'an në varreza "me para" siç shkruan M. Shtullanoviq. Ka qenë e njohur që farefisi i të vdekurit, duke bërë nijet sadakë për të vdekurin, u kanë ndarë të varfërve, ose në formë të dhuratës (hedije) u është dhënë diçka imamëve dhe lexuesve te varri apo në vende tjera. Shiko në librat e fikhut në kaptinën mbi dhënien dhe marrjen e hedijes. Megjithëse ka dhe përmendet në librat e fikhut se është e lejuar edhe të merren me pagesë lexuesit e Kur'anit të cilët do të lexonin te i vdekuri. Shih fetven e El-Kadi Husejnit mbi këtë çështje në veprën "Fikhul-islamijj ve edil-letuhu", 2/552, dhe Ibn Salahu shton: "Duhet të thuhet: "Allahumme evsil thevabe ma kare'na lifulan"".

Çështja e dytë në të cilën do ta vështroja në këtë punim është citati i M. Shtullanoviqit: "Sa i përket mbulesës së fytyrës së muslimanes para të huajve në medhhebin hanefij thuhet": "Jashtë namazit i urdhërohet gruas mbulimi i fytyrës dhe i duarve, për shkak të fitnes dhe mbulimi madje edhe i shputave të këmbëve sipas rivajetit të imamit që është edhe më e drejtë". Thotë Vehbe Zuhejli duke e transmetuar mendimin e medhhebit hanefij: "I ndalohet gruas së re ta zbulojë fytyrën para burrave, jo pse kjo është avret por për shkak të frikës nga fitneja dhe nga lakmia e dikujt",(El-Fikhul-islamijj ve edil-letuhu, 1/585).

"... por si shikon poeti ynë në këtë çështje, ky është një shtrembërim, veçanërisht konstatim nga avazi mbi nënat e ndershme të muslimanëve (gratë e Pejgamberit a.s.) për të cilat pohon se i kanë mësuar njerëzit, i kanë shëruar, kanë qenë në mitingje ...", (Citat i M. Shtullanoviqit, fq. 5).

E para: "Sa i përket burimit të theksuar "Fikhul-islamijj ve edil-letuhu", në numrin e vëllimit të parë të cilin e thekson, gjenden dy faqe të plota në të cilat argumentohet se çka është te gratë avret (vend i turpshëm, të cilin duhet mbuluar) dhe aty qartas është shtruar qëndrimi se gruaja muslimane duhet t'i mbulojë të gjitha (pjesët) përveç fytyrës dhe duarve. Theksohet ajeti kur'anor: ... وَ لاَ يُبْدِينَ زِينَتَهُنَّ إِلاَّ ماَ ظَهَرَ مِنْهاَ ... - " ... të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme ...", (En-Nur,31) dmth: fytyra dhe duart, që është edhe komenti i Ibni Abbasit r.a..

Nëse ke dëshiruar të citosh mendim hanefij, përse nuk e ke përmendur atë që gjendet në faqen 585, nuk ke dashtë, apo nuk ke guxuar. Ku është atëherë paanësia shkencore (emane ilmijje). A nuk e ke lexuar aty edhe hadithin të cilin e transmeton Ebu Davudi nga Aisheja r.a. se Pejgamberi a.s. i ka thënë Esmës: "Oj Esma, kur gruaja e arrinë pjekurinë, nuk lejohet që prej saj të shihet përveç kësaj dhe kësaj, duke treguar në fytyrë dhe duar", (Ibid).

Ata duan saktësisht që gruan muslimane ta diskualifikojnë nga jeta publike, duke e fshehur në "inkubator" nga disa ndjenja të tyre të brendshme, ndoshta nga dëshira për të dominuar mbi dikë, e në gjithë këtë fshihen prapa Islamit, duke folur se këtë Islami e kërkon nga gruaja.

Ndërkaq, Islami ka ardhur që ta çlirojë gruan. Që ta bëjë atë faktor aktiv në jetën e muslimanëve. Mos është kjo dozë e caktuar e zullumit, të cilin ua impononi dhe e zbatoni ndaj grave. Kurse Ibni Tejmije r.a. ia ndalon njeriut martesën nëse nuk është i sigurtë se ndoshta do të zbatojë zullum-dhunë ndaj gruas. T'ia ndalosh gruas daljen dhe çdo kontakt me botën është zullum i madh. E veçanërisht në krejt këtë të fshihesh prapa Islamit.

Ndërsa për sa i përket konstatimit të Xhemaludinit se gratë e Pejgamberit a.s. kanë marrë pjesë në shërimin e të plagosurve dhe në mësim, për të cilin M. Shtullanoviqi thotë se është "shtrembërim i tij", nuk është gjë tjetër pos citate, të cilat na i thekson Buhariu në Sahihun e tij. Enesi r.a. e transmeton një hadith të gjatë në të cilin thuhet: "E kam parë Aishen, vajzën e Ebu Bekrit r.a. dhe Umu Selimin, se si u shërbejnë të plagosurve, u sjellin ujë, u japin të pijnë dhe kthehen për t'i mbushur enët përseri ...", (Muttefekun alejhi, kurse ky citat është nga Buhariu, Fet'hul-Bari, 7/361).

Ose tjetri: "Nga gratë që kanë marrë pjesë në betejën e Uhudit: Nëna e besimtarëve Aishja r.a., Um Selim dhe Um Selit si dhe të tjera radijallahu anhunne", (Il-Isabe-Ibn Haxher, 4/441).

Vëlla i nderuar në Islam, Muharrem, si po merr guxim për disa gjera të thuash se janë "mendime të shtrembëruara", e nuk ke shikuar në Sahihun e Buhariut, si dhe shumë libra tjera islame në të cilat flitet mbi atë, që pikërisht ti e gjykon. Unë do të kisha menduar për një sjellje të këtillë ndaj teksteve të hadithit.

Ndoshta ke dëgjuar për luftën heroike dhe vetëmohuese të cilën në Uhud e ka zhvilluar Nusejbe bint Ka'b ibn Amr ibn Avf El-Ensarijj, e cila ka luftuar me plotëkuptimin e fjalës, e ka bartur shpatën dhe e ka mbrojtur Resulullahin, pastaj edhe është plagosur, për çka gjerësisht flitet në veprën El-Megazi nga El-Vakidi, 1/269.

Nëse nuk ke dëgjuar, unë do ta citoj verzionin më të shkurtër, i cili flet vetëm për një detaj të luftës dhe pjesëmarrjes së kësaj gruaje fisnike muslimane: "Ka shënuar El-Vakidi me sened nga Omeri r.a. se e ka dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë": "Në ditën e betejës në Uhud, kurdo që jam kthyer, majtas apo djathtas e shihja (Nefise bint Ka'bin) si luftonte dhe më mbronte", (El-Megazi, nga Vakidiu, 1/271).

Vëlla i nderuar në Islam, a sheh se roli dhe pozita të cilën e ka patur gruaja në periudhën islame të Pejgamberit, dallon nga ajo që ju shkruani, përhapni dhe ua impononi grave.

Do ta përfundoja me rekomandimin e hadithit të cilin na e kanë shënuar në Sahihun e tyre Muslimi, En-Nesai dhe Imam Ahmedi: "Kush ngritet nga ummeti im kundër ummetit tim, duke e sulmuar edhe bamirësin edhe mëkatarin, duke mos e kursyer as besimtarin dhe duke mos i përmbushur obligimet ndaj tij, ai nuk është prej neve".

وَ صَلَّىاللهُ عَلَى سَيِّدِناَ وَ نَبِيِّنا مُحَمَّدٍ وَ عَلَى آلِهِ وَ صَحْبِهِ وَ سَلِّم - "Ve sal-lahhahu ala sejjidina Muhammedin ve alihi ve sahbihi ve selim!!!".


Me forcen e Argumentit apo me argumentin e Forces

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve! Bamirësit, Mëshiruesit! Salavati dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin më të zgjedhur Muhammedin a.s., i cili ka qenë në shkallën më të lartë të moralit. O Zoti ynë, na bër neve të jemi prej atyre të cilët para vetes do ta kenë pasqyrë të ndritshme të moralit Muhammedin a.s., për të cilin ke thënë: وَ إِنَّكَ لَعَلَى خُلُقٍ عَظِيم ... - "Vërtet ti (Muhammed) je në shkallën më të lartë të moralit-etikës".

Morali i dikujt, bontoni ose etika, para së gjithash njihet përmes fjalëve, përmes bisedës së drejtpërdrejtë, korespodencës me shkrim, dialogut, diskutimit, polemikës, etj., në këtë kontekst populli ynë thotë: "Fol, të të shoh kush je", - përkatësisht sa vlen. Derisa heshtësh, nuk paraqitesh, nuk dihet kush je!

Teksti të cilin këtyre ditëve pata rastin ta lexoj nga M. Shtullanoviqi është vetëm konfirmim i qëndrimeve dhe shikimeve të mia të mëhershme të cilat i kam shprehur dhe treguar popullit tonë boshnjak-musliman mbi rrezikun e ri për boshnjakët, i cili është në dalje e sipër, pjesërisht nga protagonistë të vetëdijshëm, e pjesërisht nga protagonistë të pavetëdijshëm. Teksti mban titullin "Mjerë, atëherë për Gënjeshtarët". Do të doja që ky tekst të jetë sa më tepër në qarkullim dhe ta lexojnë boshnjakët-muslimanët. Shihet qartë se është shkruar në shpejtësi, sepse autori në disa fjali i pasigurtë pyet ose konstaton: "Për shkak të gjithë kësaj nuk është dashur as të paraqitet", fq. 4. Këto janë shenja të qarta të lëkundshmërisë, pasigurisë, tërbimit, shpejtësisë, zemërimit, pakënaqësisë, që zakonisht këto janë simptome kur shejtani fillon ta fluturojë njeriun, por nuk di kah të niset dhe si të veprojë.

Ai tekst më është i dashur për shkak të konfirmimit të asaj që kam shkruar, folur dhe njohur mbi ju dhe mbi punimin tuaj. Dhe nga ana tjetër që teksti është mbushur me rrebesh fjalësh të ndyra, pseudonimesh, etiketimesh ndaj meje dhe disa vëllezërve tjerë muslimanë, që dëshmon për shkallën e moralit, etikës, bontonit dhe shkallës së vetëdijes islame të autorit. Allahu xh.sh. thotë: ... وَ لاَ تَناَبَزُوا بِاْلأَلْقاَبِ ... - "... dhe mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape ...", (El-Huxhurat, 11).

Të falënderoj për komplimente dhe këshilla. Mirëpo, sa për syza, ato gjatë leximit nuk më nevojiten, por ja edhe pa syza do të përgjigjem nga teksti yt për atë që pyesësh. E mohon se gjatë tekstit "Ebu Hanifja interpretues i ri i Islamit", veten e ke quajtur "specialist" dhe "dijetar i merituar" dhe e mohosh kategorikisht "Askund ashtu për vete nuk kam thënë". Merre tekstin tënd dhe lexo pak në faqen e parë prej rreshtit "... në diskutim rreth këtij problemi janë lajmëruar pikërisht jospecialistët ...", andaj sipas ligjeve të logjikës, e di ti Muharrem, se nëse e deklaron këtë konstatim, dhe pastaj paraqitesh rreth temës mbi të cilën "janë marrë" të tjerët, atëhetë kjo automatikisht do të thotë se ti pasiqë që po paraqitesh rreth temës rreth së cilës janë paraqitur "jospecialistët" - ti je "specialist". Ndoshta vetëm te ju nuk është ashtu, ndoshta ju as logjikën nuk e pranoni dhe ndoshta e radhitni në "bid'ate-novatori" të cilat çojnë në mashtrim. Dhe çdo mashtrim çon në zjarr! Nëse është ashtu, atëherë unë të kërkoj falje.

Rregullin e njëjtë vendose për citimin e ajetit të surës Huxhurat. Secili që e ka lexuar atë pjesë të tekstit e ka kuptuar se fjalën "fasik" ua atribuon personave që i ke përmendur më vonë në tekstin tënd. Gjithashtu në titullin e tekstit tënd të ri "Mjerë, atëherë për Gënjeshtarët", aludon në mua. Vetëm se kur synon në mua nuk kënaqesh vetëm me porosi "isharet" por më quajsh të tillë (pra gënjeshtar) me fjalët tua të qarta të ofendimit.

Ajo për Albanin, të lutem kthehu dhe së paku edhe një herë lexo tekstin tim. Mirë, unë nuk do ta shoh ty për të madhe, sepse e shoh se ke qenë i zemëruar kur ke shkruar, por kur je ftohur, është dashur së paku ta lexosh edhe një herë, sepse unë askund nuk e përmendi Albanin, si konfirmim të qëndrimit tim. Do të them edhe diçka, jo aq për ty, sa për të tjerët, mbi "Sherh akide Tahavijje" dmth: "Komentimi i akaidit të Tahavisë", kopjen e të cilit e kam unë, parathënien e ka shkruar Nasuruddin Albani, ku i qeron hesapet me dijetarin Abdul-Fettah Ebu Guddeh. Atë libër e ka botuar "Mektebe selefijje" (Libraria selefiste), dhe kjo vepër as në akaid, e në fikh kurrsesi, nuk konsiderohet burim hanefij. Nëse dikush ka dashur të punojë në përkthim të literaturës së ehli sunnetit, të orientimit hanefij, përse nuk iu përvesh përkthimit të "Fikhul-ekberit" nga Mulla Ali El-Kari në të cilin mbështetem unë kur them se ka skeptikë rreth çështjes së autenticitetit të "Sherh akide Tahavijje".

Imami muhaddithi Mulla Ali El-Kari El-Hanefi, në komentin e tij të fundit të "Fikhul-ekberit", komentuesin e Akaidit të Tahavisë e quan "mubtedi" (ai që vë novatori-bid'ate) dhe e radhit në grupin e "el-medhabil-batile" (medhhebe të pasakta). Në faqen 172, rreshti i tretë thotë: "Shihet qartë se komentuesi thotë për lartësinë e vendit (uluvu mekani) pa e mohuar ngjashmërinë (teshbih), andaj në këtë qëndrim i ka pasuar përfaqësuesit e bid'atit". Fjala është për komentuesin Ibn Ebi El-Izzin.

Hasan Eth-Thekaf, në studimin e tij "Et-Tenbih ve redd ala mu'tekadi kidemil-alemi vel-haddi" në faqen 11, thotë: "Është e domosdoshme t'i citoj disa fjali nga Sherh akide Tahavijje, për të dëshmuar autencitetin e citateve nga veprat e Ibni Tejmijjes, dhe që të sqarohet se në realitet ky komentim (Sherh akide Tahavijje) është përmbledhje e mendimeve dhe qëndrimeve të Ibni Tejmijes, as më shumë e as më pak ...", (mbaron citati).

Për mua këta dy autorë janë kompetentë për të dhënë qëndrimin e tyre dhe unë atë e pranoj, por, as juve selefijëve nuk e përjashtoj mundësinë as nuk ua mohoj të drejtën e pikëpamjes. Albani sikur të ishte recensionues i librave hanefite, duke e nxituar plasmanin e tyre një rrethi sa më të gjerë lexuesish, ndërsa është i njohur qëndrimi i tij ndaj medhhebeve në përgjithësi, kurse ndaj atij hanefij në veçanti. Unë me asnjë fjali timën nuk jam mbështetur në Albanin.

Mirëpo, nëse megjithatë duash t'i mësosh të tjerët apo edhe t'ua përmirësosh gabimet boshnjakëve, të cilat i bëjnë në medhhebin hanefij, atëherë megjithatë duhet t'i konsultosh librat e fikhut hanefij, e jo librat nga "akaidi". Mua së paku ashtu m'u kanë dukur.

Sa i përket testit tënd të vogël që xhematlinjtë të më provojnë se a i fali sunnetet në xhami apo në shtëpi. I fali në xhami sepse banoj 3,5 km larg nga xhamia, ashtu që para hyrjes së kohës së namazit unë jam në xhami. Pastaj pas ezanit i fali sunnetet në xhami, por jo në mihrab, ku e fali farzin, por në ndonjë vend tjetër në xhami. Sikur banesa të më ishte përbri xhamisë, ashtu që ezani të dëgjohej në banesë dhe të mund vetëm ta qetë hapin prej shtëpisë në xhami, sigurisht se ndonjëherë do t'i kisha falë sunnetet edhe në shtëpi. Por kjo për shumicën e muslimanëve p.sh. në Munih është e parealizueshme sepse të gjithë banojnë larg nga xhamia. Në kohën e Pejgamberit a.s. situata krejtësisht ka qenë ndryshe.

Sa u përket "ummehatul-mu'minine" grave të ndershme të Pejgamberit a.s. do të duhej ta kesh të ditur se për to vlejnë "ahkam hassa" - "dispozita të posaçme", ashtu që për këtë çështje nuk po të përkujtoj asgjë. Vetëm se nëse vazhdosh ashtu, nuk do të më çudit nëse së shpejti dëgjohet se edhe grave tuaja do t'ua ndaloni martesën pas vdekjes suaj, duke u thirrur në tretmanin e grave të Pejgamberit a.s., për çka flitet në Kur'an.

A e keni ngritur diku zërin tuaj kundër "zavaxhu binijjeti-ttalak" (lidhje e kurorës së boshnjakes-muslimanes me vëllezërit muslimanë, të cilët përkohësisht janë në vatanin tonë, me nijjet të talakut)? Me keqardhje e kam dëgjuar rrëfimin e një motre nga Gornji Vakufi, e cila kishte mbetur më fëmijën pasi që burri i saj (muxhahid), e kishte lënë pa iu lajmëruar fare, dhe pas një kohe të caktuar i lajmërohet nga Zagrebi duke i thënë: "Unë po shkoj më tutje për xhihad në Çeçeni", duke ia dërguar një letër dhe njëmijë DM. Kjo është problematika me të cilën janë ballafaquar motrat i mia, tuat dhe të gjithë neve, dhe kjo është problematikë e cila na mbetët barrë neve.

Sipas medhhebit hanefij nëse dikush hyn në kurorë, duke e patur nijjet që pas një kohe të caktuar ta lëshojë gruan, kurora e tillë është e pavlefshme-batil dhe jolegale. Nuk e di si e shihni ju këtë? E kam të qartë se çka thuani për kurorën mut'a te shiijtë. Çka thuani për këtë të parën, e cila është dukuri e dukshme në Bosnje? Dikush bëhet kumbarë i këtyre kurorave dhe nuk e respekton fetva-në e Rijasetit të BI e cila e konsideron bid'at. Me te kërkohet që kurorëzimi së pari të bëhet te organet (institucionet) shtetërore, e pastaj sipas sheriatit, nëse ka të bëjë me vëllezërit muslimanë që nuk janë shtetas të shtetit tonë.

Për brengën kujtesën tënde se "çfarë poena mbledh, që vetëm unë i ditkam, me shkrimin dhe punimin tim", nuk kam veçanërisht çka të them, pos: parandje, mendo, çaj kokën, dysho, supozo, spiuno, etj., bën çka të duash, je i lirë. Vetëm ndihem i obliguar që t'u përkujtoj në fjalët e Pejgamberit a.s. "Innemel-e'amalu bi nnijjati". "Vërtetë veprat do të vlerësohen sipas qëllimeve". Ai, Subhanehu ve teala, do të na gjykojë ty, mua dhe robët tjerë të Tij, dhe atë sipas qëllimeve tona. Por, ja, neve nuk na është mundësuar të depërtojmë në qëllime të njëri-tjetrit, dhe unë të them të drejtën nuk vuaj nga kjo. Do të rekomandoja që ta forcosh pak shërbimin informativ, sepse po më befason që po m'i përshkruani edhe disa emra njerëzish të cilët, së paku me sa di unë, janë shumë të afërt me ty. Ata janë aty, pranë jush, si hije e juaj. Nuk largoheni prej tyre për asnjë moment, janë si hija e juaj.

... ياَ أَيُّهاَ الَّذِينَ آمَنُوا اجْتَنِبُوا كَثِيراً مِنَ الظَّنِّ إِنَّ بَعْضَ الظَّنِّ إِثْمٌ وَ لاَ تَجَسَّسُوا ... - "O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit ...", (El-Huxhurat,12).

Nuk më kujtohet se diku kam folur pahijshëm për bamirësitë e vëllezërve tonë nga bota islame, dhe nuk lejoj që dikush këtë të ma varë për qafe. Por pak mundëm edhe të të kuptoj, sigurisht se raportet të cilat je i detyruar t'i shkruash, do të jenë më efikase kur ta njollosësh dikë, kush të ka penguar në rrugën e veprimit dhe nuk ke përmirësim. Sepse me diçka duhet të arsyetohet mossuksesi. Secili mossukses duhet t'i ketë shkaqet e tij. Më së lehti është atëherë që krejt të shkarkohet mbi dikë dhe të thuhet se është lajkatar, kundërshtar, dashakeq, i urren të gjithë ata të cilëve u dërgosh takrire (raporte), dhe i ke shtuar ç'ke dashur. Sigurisht, se në sqarimet tua nuk ke harruar Shejh Nasirit t'ia bësh me dije, se si sillet "një imam boshnjak" dhe me shpifje tjera, ndërsa kur "je në pyetje ti dhe vogëlria jote, se ka të bëjë me personalitetin i cili inkurajohet nga shkenca autentike islame, dhe se nuk je sikur dofarë individë jokompetentë, të cilët shpesh janë shërbëtorë të regjimeve despotike në botën islame", (Nga punimi yt, Ebu Hanifja, interpretues i ri i Islamit, fq. 8).

Ja, me ngatërrimin e disa rrethanave e kam parë një faks dhe emrin tim në të i cili ka ardhur nga një vend i bukur arab ... por ... nuk është me rëndësi se çka duan dhe mendojnë njerëzit, me rëndësi është diçka tjetër. Vel-akibetu lil-muttekin.

Dhe ty, më dukët, të kam parë atë vit në haxhxh me të plagosurit që kanë qenë musafirë të Hadimul-haremejni sherifejni Melik Fehdit, më fal por nuk e kam ditur deri tash, që edhe ti je i plagosur. Allahu të shëroftë! Vetëm nuk e di se në cilin front të patën plagosur. Por, me gjasë je shëruar, sa po shihet, sepse të shkrepën nga tërbimi dy fjali të përseritura: "Ty, thjeshtë duhet me ta mbyllë gojën". Dhe, ato ishin vendimtare, që megjithatë vendosa të të lajmërohem me këtë letër. Argumentin e forcës e përdorë pala e cila humbë. Nëse tevbeja nuk ta ka ngacmuar zemrën deri tash dhe nëse edhe më tutje konsiderosh se: "Ty, thjeshtë duhet me ta mbyllë gojën" atëherë bëru ti ai.


Esselamu alejkum ve rahmetullahi!

Mbi Ezanin dhe Ikametin

Me ezan shpallet fillimi i kohës së namazit dhe besimtarët ftohen në faljen e përbashkët të namazit. Këndimi i ezanit është sunnet muekkede (sunnet i përforcuar), për njerëzit që e falin namazin bashkërisht nëpër xhami. Dhe atë ekskluzivisht për pesë kohët ditore të namazeve farz dhe për namazin e xhumas.

Për namazet tjera siç janë: namazi i xhenazës, i teravihve, i zënies së diellit dhe hënës, etj., nuk këndohet ezani.

Ezani përbëhet nga 15 fjali, për të cilat ekziston pajtueshmëri e të gjithë shkencëtarëve islamë, dhe ato janë:

Allahu ekber, Allahu ekber,
Allahu ekber, Allahu ekber.

Eshhedu en la ilahe il-lallah,
Eshhedu en la ilahe il-lallah.

Eshhedu ene Muhammeder-Resulullah,
Eshhedu ene Muhammeder-Resulullah.

Hajje ales-salah,
Hajje ales-salah.

Hajje alel-felah,
Hajje alel-felah.

Allahu ekber, Allahu ekber,
La ilahe il-lallah.

Kjo është sipas hadithit të cilin e transmeton Abdullah ibn Zejd, të shënuar nga Ebu Davudi në Sunenin e tij. Gjithashtu ekziston pajtueshmëri e shkencëtarëve që në ezanin e sabahut të shtohet pas Hajje alel-felah. Essalatu hajru minennevm, dy herë.

Gratë nuk janë të obliguara të këndojnë ezan e as ikamet. Argument për këtë është hadithi të cilin e transmeton En-Nesai nga Usame bint Burejdeti r.a. se ka thënë: "E kam dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë: "Gratë nuk e kanë obligim as ezanin e as ikametin"".

Kushtet për këndimin e ezanit dhe ikametit janë:

1. Hyrja e kohës së namazit.
2. Që të këndohen në gjuhën arabe. Përkthimi nuk vjen në konsiderim.
3. Që dikush nga xhematlinjtë ta dëgjojë ezanin, (dmth: ezani që këndohet në vetvete nuk është i rregullt).
4. Të respektohet renditja e fjalive në ezan dhe ikamet pa pauza të mëdha.
5. Që të kryhet nga një person. Nuk lejohet që ezanin apo ikametin ta fillojë një person, e ta përfundojë një tjetër.
6. Që ezani të kryhet nga njeriu që është: musliman, moshërritur dhe i mençur.

Kështu që ezanin nuk mund ta këndojë pabesimtari, i marri apo fëmija që nuk kupton (gajru mumejjez).

Hanefijtë shtojnë edhe kushte shtesë që muezini përveç të përmendurave duhet të jetë edhe: i devotshëm, të di Sunnetin e Pejgamberit a.s. dhe t'i di kohët e namazit.

Hanefijtë gjithashtu thonë se është mekruh- e qortuar që ezanin ta këndojë mëkatari (fasik) dhe nëse ndodh që ezanin ta këndojë fasiku, atëherë atë ezan duhet përseritur.

Sunnet është, poashtu, te shumica e dijetarëve që personi i cili e këndon ezanin, ta këndojë edhe ikametin.


Ikameti

Sa i përket ikametit, ai përbëhet prej 17 fjalive - si edhe ezani, duke ia shtuar pas Hajje alel-felah. - Kad kametis-salah, dy herë.

Fjalët e ikametit janë:

Allahu ekber, Allahu ekber,
Allahu ekber, Allahu ekber.

Eshhedu en la ilahe il-lallahu,
Eshhedu en la ilahe il-lallah.

Eshhedu ene Muhammeder-Resulullahi,
Eshhedu ene Muhammeder-Resulullah.

Hajje ales-salati,
Hajje ales-salah.

Hajje alel-felahi,
Hajje alel-felah.

Kad kametis-salatu,
Kad kametis-salah.

Allahu ekber, Allahu ekber,
La ilahe il-lallah.

Argument për këtë është transmetimi i Ibn Ebi Shejbes r.a. i cili ka thënë: "Na kanë treguar as'habët e të Dërguarit të Allahut se Abdullah ibn Zejd El-Ensariu ka ardhur te Pejgamberi a.s. dhe thotë: "O i Dërguari i Allahut, e kam parë në ëndërr se si një njeri me gunë të gjelbër qëndroi në mur dhe e këndoi ezanin - duke i përseritur fjalët nga dy herë, kurse pas ezanit e lexoi njësoj edhe ikametin"", (Bejhekiu dhe Ebu Davudi).

Edhe Tirmidhiu transmeton nga Abdullah ibn Zejdi se ka thënë: "Ezanin dhe ikametin Pejgamberi a.s. do ta këndonte duke i përseritur fjalët nga dy herë".

Gjithashtu hadithi të cilin e kanë shënuar pesë transmetues nga Ebu Mahzuri r.a. se ka thënë: "I Dërguari i Allahut më ka mësuar se në ikamet ka 17 fjali".

Porosi: Nëse dikush vjen u thotë dhe u mëson se është më saktë që ikameti të këndohet me numër më të vogël fjalësh nga të lartpërmendurat- forma e shkurtuar, thuani falemnderit, por edhe kjo që ne boshnjakët-muslimanët e bëjmë është e saktë dhe ka mbështetjen e saj në burime islame. وَ صَلَّىاللهُ عَلَى سَيِّدِناَ وَ نَبِيِّنا مُحَمَّدٍ وَ عَلَى آلِهِ وَ صَحْبِهِ وَ سَلِّم - "Ve sal-lahhahu ala sejjidina Muhammedin ve alihi ve sahbihi ve selim!!!".


Salatu - Tesbih

Imam Tirmidhiu në përmbledhjen e tij të haditheve e ka shënuar transmetimin vijues: "Na ka treguar Ahmed ibn Abdullahu se ia ka përcjellur Ebu Vehbi", të ketë thënë: "E kam pyetur Abdullah ibn Mubarekun mbi Namazin tesbih", e ai më ka thënë:

Pas tekbirit fillestar të namazit, lexohet: "Subhaneke Allahumme ve bihamdike ve tebarekesmuke ve teala xhedduke ve la ilahe gajruke". Pastaj lexohet 15 herë "Subhanallahi vel-hmdu lil-lahi ve la ilahe il-lallahu vallahu ekber ve la havle ve la kuvvete il-la bil-lahil alijjil-adhim".

Pastaj lexohet eudhu bil-lahi, bismil-lahi, Fatihaja dhe një sure dhe pastaj lexohet 10 herë "Subhanallahi vel-hmdu lil-lahi ve la ilahe il-lallahu vallahu ekber", atëherë bëhet rukuja (pozita në të cilën lexohet subhane rabbijel-adhim) dhe lexohet 10 herë "Subhanallahi vel-hmdu lil-lahi ve la ilahe il-lallahu vallahu ekber". Pastaj kthehemi nga rukuja dhe në pozitën në këmbë lexojmë 10 herë "Subhanallahi vel-hmdu lil-lahi ve la ilahe il-lallahu vallahu ekber", pastaj shkojmë në sexhde dhe po ashtu lexojmë 10 herë "Subhanallahi vel-hmdu lil-lahi ve la ilahe il-lallahu vallahu ekber".

Në këtë mënyrë falen katër rekate. Ashtu që në secilin rekat lexohet nga 75 herë "Subhanallahi vel-hmdu lil-lahi ve la ilahe il-lallahu vallahu ekber", dhe kështu kjo fjali gjatë namazit shqiptohet gjithsejt 300 herë. Nëse falet natën ky namaz është mirë që të jipet selam pas dy rekateve, e pastaj vazhdohen edhe dy rekate. Ndërsa, nëse falet ditën, atëherë është më mirë që këta katër rekate të falen me një selam. Këtë namaz Alejhisselami ia ka mësuar xhaxhait të tij Abbasit r.a. dhe i ka thënë: "Sikur të kesh mëkate sa pluhuri i shkretëtirës, Allahu xh.sh. do t'i falë". Dhe i ka thënë: "Nëse mundësh ta falësh këtë namaz për çdo ditë, atëherë fale, e nëse jo, atëherë së paku çdo të premte. Nëse nuk mundësh çdo të premte, atëherë përpiqu që një herë në muaj ta falësh këtë namaz; pastaj i numroi derisa tha së paku një herë në vit".

Nijjeti për këtë namaz është si vijon: Nevejtu en usal-lije lil-lahi teala salatet-tesbihi edaen mustakbilel-kibleti Allahu ekber.

Përkthyer nga libri: El-Edhkar nga El-Imam Hafidh Shejhul-islam Muhjiddin Zekerijja ibn Sheref, i njohur me emrin Imam Neveviu (631-676h).




Pjesa e tretë


Namazi i Pejgamberit a.s. në dritën e ixhtihadit të Medhhebit Hanefij

Hyrje

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve! Salavati dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhammedin a.s., mbi as'habët e ndershëm dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin udhëzimin e tij deri në Ditën e gjykimit.

Shkas i drejtpërdrejtë për shkrimin tim të kësaj broshure "Namazi i Pejgamberit a. s në dritën e ixhtihadit të Medhhebit Hanefij", është dukuria që disa njerëz të cilët hiqen se janë mirë të udhëzuar në shkencën e "Hadithit" thonë: "Medhhebi hanefij në një numër të madh të mes'eleve të tij vjen në kundërshtim me hadithet e Pejgamberit a.s. dhe në të i jepet përparësi kijasit (analogjisë) ndaj hadithit".

Sidomos kanë drejtuar gjithfarë akuzash në llogari të fikhut të imamit Ebu Hanife r.a. Nu'man ibn Thabit. Kështu kam dashur që me shkrimin e kësaj broshure, të sqaroj se ajo që kanë thënë dhe që konsiderojnë për medhhebin hanefij është e pavërtetë dhe e pa bazë. Pikërisht, është e kundërta në shumëçka nga ajo që flitet për medhhebin hanefij. Si p.sh.: hanefijtë madje i japin prioritet hadithit të dobët (daif) ndaj kijasit. Edhe hanefijtë sikur edhe medhhebet tjera si bazë dhe themel për medhhebin e tyre e marrin hadithi-sherifin. Allahu xh.sh. i ka shquar me dhunti të veçantë për të zbuluar si të vihet deri te zgjidhja nga situatat gati pa rrugëdalje.

Veçanërisht është interesante situata kur kemi më tepër hadithe të vërteta sa për dukje kontradiktore rreth një çështjeje, nga e cila pak kush prej dijetarëve mund të dalë me ndonjë zgjidhje të përshtatshme, Ebu Hanifja në situata të tilla, s'e kishte shoqin. Me shkathtësi e ka zbuluar të ashtuquajturën kontradiktë (tearud) iluzore. Përfaqësuesit e medhhebeve të tjera nganjëherë për shkak të situatës së tillë të paqartë i kanë hedhur poshtë hadithet, që nuk është rasti me medhhebin hanefij. Lirisht mund të thuhet për hanefijtë, se madje, më tepër nga dijetarët tjerë e kanë përdorur hadithin.

E lus Allahun xh.sh. që këtë vepër të ma bëjë të sinqertë në emër të Tij dhe t'ua ndriçojë rrugën atyre që e kanë humbur ate. Amin!

Autor: Abdul-Wehhab El-Meshhedaniî




Imam Ebu Hanife - Nu'man ibn Thabit (80-150 h.)

Ebu Hanifja - tabiîn:

Te shumica e muhaddithëve, tabiîj konsiderohet ai i cili e ka parë dhe është takuar së paku me një sahabij. Nuk kushtëzohet që dikush të jetë shoqëruar me të apo të ketë përcjellur ndonjë transmetim (hadith, haber, etj.).

Imam Ebu Hanifja pa dyshim i takon gjeneratës së tabiînëve, kështu që mund të thuhet se edhe ndaj tij vlen mesazhi i Allahut xh.sh. në ajetin: وَ السَّابِقُونَ اْلأَوَّلُونَ مِنَ الْمُهاَجِرِينَ وَ اْلأَنْصاَرِ وَ الَّذِينَ اتَّبَعُوهُمْ بِإِحْساَنٍ رَضِىَ اللهُ عَنْهُمْ وَ رَضُوا عَنْهُ ... - "Allahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) dhe prej ensarëve(vendasve ndihmëtarë) dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira, e edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij ...", (Et-Tevbe, 100).

Imam Ali El-Kari' në veprën e tij "Tabekat" ka thënë: "Është vërtetuar se Ebu Hanifja i ka parë disa as'habë, ndërsa për faktin e transmetimit të tij të haditheve prej tyre është çështje për të cilën dijetarët kanë mendime të ndryshme. Dominon mendimi (raxhih) se ai prej disa as'habëve drejtpërdrejt ka dëgjuar hadithe".

Transmeton Abdullah ibn Xhafer Err-Rrazi Ebu Ali El-Imami nga Ebu Jusufi: "E kam dëgjuar Ebu Hanifen ka thënë: "E kam kryer haxhxhin me babain tim vitin 96-të. Unë kisha atëherë 16 vjet. E kam parë një plak rreth të cilit ishin tubuar njerëzit". E pyeta babain: "Kush është ky plaku"? Babai tha: "Ai është njeriu që është shoqëruar me Pejgamberin a.s. - quhet Abdullah ibn Harith ibn Xheziî". Pyeta më tutje: "Çka ka tek ai që rreth tij janë mbledhur njerëzit"? Babai u përgjigj: "Ai di hadithe të cilat i ka dëgjuar nga Pejgamberi a.s.". Iu luta babait të më afrojë të dëgjoj. Më afroi tek ai, kurse babai m'i largonte njerëzit ashtu që munda të shoh dhe të dëgjoj mirë. Thoshte: "I dërguari i Allahut ka thënë": "Kush në fe e mëson fikhun, Allahu xh.sh. do t'ia largojë çdo brengë dhe do ta furnizojë prej nga nuk shpreson"".

Havarizmi ka thënë: "Prej cilësive dhe virtyteve të cilat e kanë stolisur Ebu Hanifen, në të cilat asnjëri nga themeluesit e medhhebeve nuk është barazuar me të, është fakti se drejtpërdrejt ka transmetuar hadithe nga as'habët e Pejgamberit a.s.. Të gjithë dijetarët në këtë aspekt pajtohen edhe pse ekzistojnë mendime të ndryshme se prej sa as'habëve ka transmetuar".

Nëse dikush edhe pas kësaj e mohon faktin e përkatësisë së tij gjeneratës së tabiînëve, atëherë ai, ose është injorant i madh, ose kundërshtar zemrak kokëfortë.


Ebu Hanifja - Dijetari më i madh i kohës së tij

Mekiî ibn Ibrahimi me një rast e ka përmendur Ebu Hanifen dhe ka thënë: "Ebu Hanifja ka qenë dijetari më i madh i kohës së tij".

Ky Mekiî ibn Ibrahim ka qenë dijetari i njohur para të cilit ka mësuar shkencëtari më i madh i hadithit imam Buhariu r.a.. Shumica e haditheve në të cilat përmenden tre ravij (transmetues) janë transmetime në të cilat përmendet emri i Mekiî ibn Ibrahimit.

Transmetohet se ibn Mubareku ka thënë: "E kam parë Hasan ibn Ammareh se si e ka kapë Ebu Hanifen për krahu dhe i ka thënë: "Pasha Allahun, nuk e kemi pritur (takuar) askë që flet në mënyrë më të përkryer mbi fikhun se sa ty, e as që jep përgjigje më precize se ti. Ti je personaliteti kulminant për të cilin kanë folur në kohën tënde e që nuk je mbrojtur. Për ty kanë mundur të flasin vetëm nga xhelozia"".

Transmeton El-Hatibi nga Muhammed ibn Seiîd el-Katibi se ka thënë: "E kam dëgjuar Abdullah ibn Davud el-Hurejbij duke thënë: "Pjesëtarët e Islamit do të duhej t'i bëjnë dua Ebu Hanifes në namazet e tyre". Pastaj ka thënë: "E ka njohur fikhun dhe hadithin si pakkush"". Këtë e ka shënuar Sujutiu në veprën "Tebjidu Suhufijje", fq. 17-25, (U mor nga pjesa hyrëse e veprës I'lau Sunen).


Lavdatat e Muhaddithinëve për Ebu Hanifen r.a.

Transmeton El-Hatibi nga Muhammed ibn Bishri, e ky te muhaddithët është i besueshëm (thika) hafidh. Nga ai ka transmetuar Ali ibn El-Medini dhe Is'hak ibn Ravejh, Ebu Davudi ka thënë: "Ebu Hanifja është më i njohuri në Kufe për nga fuqia e të mbajturit në mend".

Këtë e ka theksuar edhe Hafidhi në "Tehdhib". Ka qenë edhe nxënës te Ebu Hanifja. Ka thënë: "Kam shkuar në ligjërata te Ebu Hanifja dhe Sufjani. Kur vinte Ebu Hanifja më pyeste: "Prej nga po vjen"? I thoja: "Prej Sufjanit". Atëherë tha: "Ke ardhur nga njeriu, sikur të paraqiteshin Alkame dhe El-Esvedi, do të kishin nevojë për njeriun me dituri i rangut të tij". Kur shkoja te Sufjani më pyeste: "Prej nga po vjen"? I thoja: "Prej Ebu Hanifes r.a.". Ai ma kthente: "Ke ardhur nga fakihu më i dijshëm në rruzullin tokësor"",(Tebjidus-sahife nga Sujutiu, fq. 16-17).

Muhammed ibn Muzahimi ka thënë: "E kam dëgjuar Ibn Mubarekun duke thënë: ", (Ibid).

Transmeton Rebia se imam Shafiu ka thënë: "Njerëzit kanë nevojë për fikhun e Ebu Hanifes r.a.", (Tehdhibu - tehdhib).

Ebu Neim ka thënë: "Ebu Hanifja është mjaftë i thellë në çështjet e fikhut", (Ebu Neimi ka qenë mësues i Buhariut).

Jahja ibn Muajen ka thënë: "E kam dëgjuar Jahja ibn Seid el-Kattanin duke thënë: "Betohemi në Allahun se nuk kemi dëgjuar që dikush flet më bukur dhe më drejtë se Ebu Hanifja r.a.. I kemi pranuar shumicën e mendimeve të tij"", (Tehdhibu - tehdhib, 10/450).


Namazi i Pejgamberit a.s. sipas Medhhebit Hanefij

بسم الله الرحمن الرحيم - "Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit" صَلُّوا كَمَا رَأَيْتُمُونِي أُصَلِّي - "Faluni ashtu siç më shihni mua duke u falur"! (Hadith).

I dërguari i Allahut Muhammedi a.s., kur hynte në namaz, së pari e bënte nijjet (vendoste), cilin namaz do ta falë. Pastaj së pari i ngriste duart, të kthyera me shuplaka kah kibla dhe e shqiptonte Allahu ekber. E prekte me maje të gishtrinjëve të mëdhenj, me pjesën e brendshme, pjesën e butë të veshëve. Me rastin e ngritjes së duarve, gishtat e duarve pak i hapte por jo plotësisht. As nuk i ka hapur plotësisht e as nuk i ka shtrënguar njëri për tjetrin. I ka mbajtur në gjendjen normale. Shuplakat e duarve i kthente në drejtim të kiblës.

Pastaj e lidhte dorën e tij të djathtë mbi nyjen e dorës së majtë, duke i mbështetur në pjesën e përparme të trupit, nën kërthizë. Brendinë e shuplakës së djathtë e mbështette në pjesën e jashtme të dorës së majtë, ashtu që e mbështillte nyellin e dorës së majtë me shuplakën e djathtë, duke e lidhur me gishtin e vogël dhe të madh.

Pastaj lexonte: "Subhanekell-llahumme ve bi hamdike ve tebareke smuke ve teala xhedduke ve la ilahe gajruke". Atëherë poashtu në vetvete do ta lexonte eudhubil-lahin dhe bismil-lahin. Pastaj Fatiha-në dhe pas saj një sure osetri ajete nga sureja që ka dëshiruar. Pas leximit të Fatiha-së në vetvete (jo me zë) thonte amin.

Pastaj shqiptonte tekbirin dhe bënte ruku' (përkuljen). Me shuplaka i kapte kapakët e gjunjve ashtu që gishtat pak i mbante të hapur. E rrafshonte shpinën duke mos lëshuar as ngritur kokën. Tri herë thoshte: "Subhane rabbijel-adhim" - ky është numri më i vogël të cilin e shqiptonte.

Pastaj duke u drejtuar në pozitën në këmbë thoshte: "Semiall-llahu limen hamideh", vetëm këtë. Kur të drejtohej në pozitën në këmbë shqiptonte: "Rabbena lekel-hamdu" dhe tekbir dhe pastaj do të bënte sexhde. Nuk i ka ngritur duart.

Së pari i ka lëshuar gjunjtë në tokë, pastaj duart, pastaj ballin, dhe atë në tokë ndërmjet shuplakave të tij. E çitte shpinën dhe e ndante stomakun prej kofshave. Në sexhde i shqiptonte së paku tri herë: "Subhane rabbijel-e'ala". Pastaj e ngrinte kokën nga sexhdeja e parë, ulej në pozitë të drejtë dhe nganjëherë në këtë qëndrim të shkurtër ndërmjet dy sexhdeve lexonte: "Rabbi gfir verhamni vexhburni verfe'ni verzukni vehdini". Ulej në këmbën e majtë, kurse të djathtën e drejtonte. Kur qetësohej në atë pozitë dhe kur të qetësohej secili organ i trupit të tij, e shqiptonte tekbirin dhe e bënte sexhden e dytë. Pasi ta kryente sexhden e dytë, ngritej me maje të këmbëve (shputave), nuk ulej e as nuk mbështetej me duar në tokë gjatë ngritjes, vetëm mbështetej në gjunjë.

Në atë mënyrë vepronte edhe për rekatin e dytë, me fjalë dhe vepra, por duke mos i ngritur duart me rastin e tekbirit, as nuk e ka lexuar eudhubil-lahin. Duart i ngritte vetëm gjatë tekbirit fillestar.

Kur e ngriste kokën nga sexhdeja e dytë në rekatin e dytë, e shtrinte këmbën e majtë dhe ulej në të. Shputën e këmbës së djathtë e drejtonte në majë të gishtrinjëve, të kthyer kah kibla. Duart i vinte në gjunjë (kofsha) dhe lexonte "Ettehijjatu lil-lahi vessalavatu ve ttajjibatu esselamu alejke ejjuhennebijju ve rahmetull-llahi ve berekatuhu, esselamu alejna ve ala ibadil-lahis-salihin. Eshhehu en la ilahe il-lallahu ve eshhedu enne muhammeden abduhu ve resuluhu".Në uljen e parë Muhammedi a.s. në këtë lexim nuk shtonte asgjë.

Muhammedi a.s. kur e lexonte Ettehijjatu dhe vinte deri te Eshhehu en la ilahe, e shtrëngonte grushtin e dorës së djathtë dhe e shtrinte gishtin tregues, kurse gishtin e mesëm e ngjitte me të madhin. Gishtin tregues e ngriste lartë te fjalët en la ilahe (dhe dëshmoj se nuk ka zot) - kurse e lëshonte te shqiptimi i fjalëve il-lallahu (përveç Allahut).

Muhammedi a.s. e ka mbajtur gishtin tregues në pozitën e drejtë dhe nuk e kthente në rreth. Shiqimi nuk i tejkalonte përtej gishtit tregues.

Muhammedi a.s. asgjë nuk i shtonte kësaj që u theksua për uljen e parë, kur e përfundonteteshehhudin në mes të namazit, ngritej në rekatin e tretë. Me duar nuk është mbështetur për toke gjatë ngritjes. Në dy rekatet e fundit (në namazet katërrekatëshe) e lexonte vetëm Fatiha-në.

Kur ulej në fund të namazit Alejhisselami ulej sikur që ulet në uljen e parë, i lexonte salavatet, kërkonte falje (istigfar) për vete, për prindërit e tij, për besimtarët e besimtaret dhe pastaj do të lexonte lutjet që janë përfshirë në Kitab dhe Sunnet. Lexonte duatë që i përngjajnë përmbajtjes kur'anore, e nuk lutej me fjalë që i përngjajnë të folurit të njerëzve.

I Dërguari i Allahut kur të përfundonte me leximin e lutjeve pas teshehhudit, jepte selam në anën e djathtë me këto fjalë: Esselamu alejkum ve rahmetull-llahi, e po kështu ka vepruar edhe duke dhënë selam në anën e majtë.

(Përkthim i veprës: "Kejfijjetu salatin-nebijji ala dav ixhtihadi medhhebil-hanefijj", Abdul-Wehhab el-Meshhedani, fq. 15-19).


Përgaditjet për Namaz

Para se të fillohet me faljen e namazit nevojitet të kryhen përgatitjet vijuese:

1. Të jetë i pastër trupi, petkat dhe vendi ku do të falemi
Këtu para së gjithash nënkuptohet se në trup, në petka apo në vendin ku do të falemi, nuk guxon të ketë kurrfarë lloji të ndytësisë. Në ndytësira numërohen: alkooli, gjaku, produktet e derrit, etj.. Nëse diçka nga të përmendurat gjendet në trup, në petka apo në vendin e faljes, atëherë me ato raste nuk mund të falet namazi. P.sh.: nëse dikush parfumoset me aromë që përmban alkool, ai si i tillë nuk mund të falet, sepse në vete ka papastërti

2. Të merret abdest dhe sipas nevojës të pastrohemi (të lahemi) Abdesti është pastrim ritual fetar i cili merret para faljes së namazit, leximit të Kur'anit dhe sjelljes rreth Qabes (tavaf).

Abdesti ka katër farze:

- 1. Larja e fytyrës një herë.
- 2. Larja e duarve deri pas bërrylave.
- 3. Mes'hi (fërkimi me dorë të lagur) mbi kokë.
- 4. Larja e këmbëve deri te zokthi.

Të gjitha të përmendurat farz është të lahen nga një herë. Të tjerat që kryhen si pjesë përbërëse të abdestit janë sunnete. Dhe ato kryhen me këtë renditje:

Larja e duarve deri te nyjet (e shuplakave) tri herë. Pastaj lahet goja dhe hunda nga tri herë. Pastaj lahet fytyra tri herë, duart deri pas bërrylave tri herë, mes'h mbi kokë një herë, fërkimi i qafës deri pas veshëve një herë dhe larja e këmbëve deri te zokthi tri herë. Mirë është që pas marrjes së abdestit të lexohet sureja Kadr, (Inna enzelnahu fi lejletil-kadri).

Abdesti merret me ujë të pastër. Në rastet kur nuk ka ujë, atëherë merret tejemum.

Ç'është tejemumi?

Tejemumi është pastrim simbolik me dhé të pastër të terur apo edhe me lëndë a sende të ndërtuara prej dheu.

Tejemumi ka tri sharte:

- 1. Nijjeti (vendosja).
- 2. Fërkuarja e fytyrës me shuplaka pasi të kemi fërkuar dheun e terur e të pastër apo objektin nga dheu.
- 3. Fërkuarja e duarve deri pas bërrylave pasi të kemi fërkuar me shuplaka dheun e terur e të pastër apo objektin nga dheu.

Tejemumi e zëvëndëson abdestin dhe larjen.

Sa i përket larjes fetare, ajo është e detyrueshme në situatat vijuese:

- Pas marrëdhënies intime të burrit dhe gruas.
- Pas polucionit në ëndërr.
- Pas kalimit të larjes mujore te gratë - menstruacioni (hajd).
- Pas lindjes së gruas (nifas).

Këto janë situatat në të cilat parashihet larja e detyrueshme (gusl). Që larja fetare të jetë e vlefshme duhet të plotësohen këto kushte-sharte:

- 1. Larja e gojës dhe e fytit.
- 2. Larja e brendisë së hundës.
- 3. Larja e tërë trupit që askund të mos mbetët i terur.

Muslimani dhe muslimanja duhet gjithmonë të jenë të pastër që të mund të bëjnë ibadet.

3. Veshja sipas dispozitave dhe në mënyrë të hieshme

Meshkujt janë të detyruar ta mbulojnë trupin prej belit deri nën gjunjë. Pjesa e trupit prej nënbelit deri nën gjunjë konsiderohet avret. Mirë është që të jenë të veshur në rregull dhe si ka hije. Mirëpo, namazi do të jetë i rregullt nëse dikush në namaz e mbulon atë pjesë që quhet avret. Gruaja muslimane është e detyruar ta mbulojë tërë trupin përveç fytyrës dhe shuplakave. Vetëm me veshje të këtillë ajo është e gatshme për namaz. Kjo është veshje e obligueshme për gruan muslimane edhe jashtë namazit nëse paraqitet para njerëzve, të cilët nuk i ka të familjes së ngushtë. Rrobat nuk guxojnë të jenë të ngushta, të tejdukshme, të papastërta. Posaçërisht, për namaz duhet zgjedhur rrobat më të bukura që janë në dispozicion.

4. Njohja e kohëve të namazit dhe falja e namazit me kohë

Secili namaz e ka kohën e tij të caktuar nga ana e Allahut xh.sh.. Ja pasqyra e kohëve të namazit:

- Sabahu: Nga agimi deri në lindje të diellit.
- Dreka: Kur dielli e kalon mesin e qiellit.
- Ikindia: Kur hija e një objekti rritet për dy herë në krahasim me madhësinë e saj kur dielli ka qenë në zenit.
- Akshami: Kur të perëndojë dielli.
- Jacia: Kur të bjerë plotësishtë errësira në tokë.

Asnjë namaz nuk mund të falet para hyrjes së kohës së tij. Nëse dikujt i kalon koha e namazit, ai është i obliguar atë namaz ta falë më vonë.

5. Të kthyerit kah kibla - Qabeja

6. Nijjeti - të vendosurit me zemër se cili namaz falet

Është obligim-farz që nijjeti të bëhet me zemër, ndërsa shqiptimi i nijetit me fjalë është mustehab (e rekomanduar) te shumica e dijetarëve përveç malikijve dhe selefijve të cilët "shqiptimin e nijjetit me gjuhë e konsiderojnë bid'at - novatori". Shkencëtarët e medhhebit hanefij thonë se shqiptimi me gjuhë i nijjetit nuk është praktikë e Muhammedit a.s., por është praktikë e shkencëtarëve të mëvonshëm, dhe kjo konsiderohet mustehab - veprim i rekomanduar, sepse kur dikush edhe me gjuhë e konfirmon nijjetin e zemrës më lehtë do t'i largojë vesveset e shejtanit (mendimet e këqija). Autori i veprës hanefite "El-Ihtijar" thekson se shqiptimi i nijjetit me fjalë është sunnet dhe mustehab. Gjithashtu për këtë thekson dr. Wehbe Zuhejli në Fikhul-islamij, fq. II-613, si dhe autori i veprës "Fikh ala medhahibil-erbeati", I, fq. 190. Nëse dikush e lë nijjetin me gjuhë e këtë e ka bërë me zemër namazi do të jetë i vlefshëm por është më mirë që nëse nijjetin e zemrës e vërteton edhe me gjuhë.

Nëse lëshohet cilado nga përgatitjet e obligueshme të namazit të cilat i theksuam dhe nëse e falë namazin, namazi i tillë do të jetë i prishur dhe duhet falur përsëri me kompensimin e asaj që është lëshuar. Andaj besimtarët dhe besimtaret duhet të kenë kujdes që t'i kryejnë të gjitha përgatitjet e theksuara para se të hyjnë në namaz.


Pesë Namazet e Obliguara

Allahu xh.sh. ummetin e Muhammedit a.s. e ka obliguar me 50 namaze të domosdoshme gjatë ditës dhe natës. Sipas këshillës së Musait a.s. drejtuar Pejgamberit tonë se ummeti i tij nuk mund të përballojnë këtë, Muhammedi a.s. kërkon lehtësim nga Allahu xh.sh., Allahu xh.sh. i jep lehtësim ummetit të Muhammedit a.s. dhe ia zbret prej 50 në 5 namaze. Me gjithë premtimin se Allahu xh.sh. atyre që do t'i kryejnë 5 namazet do t'u japë shpërblim si t'i ketë falur 50. Kjo na është e ditur nga hadithi mbi miraxhin e Muhammedit a.s., me ç'rast dhe është urdhëruar obligueshmëria e namazit. Namazi i parë i obliguar të cilin e ka falur Pejgamberi a.s. pas miraxhit është namazi i drekës.

Pesë namazet të cilat duhen falur gjatë ditës dhe natës janë:

- Salatul-fexhri - Namazi i Sabahut.
- Salatudh-dhuhri - Namazi i Drekës.
- Salatul-asri - Namazi i Ikindisë.
- Salatul-magribi - Namazi i Akshamit.
- Salatul-ishai - Namazi i Jacisë.

Tabala 1

- Sabahu: 2 rekate Sunnet, 2 rekate Farz.
- Dreka: 4 rekate Sunnet, 4 rekate Farz, 2 rekate Sunnet i mbramë.
- Ikindia: 4 rekate Sunnet, 4 rekate Farz.
- Akshami: 3 rekate Farz, 4 rekate Sunnet.
- Jacia: 4 rekate Sunnet, 4 rekate Farz, 2 rekate Sunnet i mbramë, 3 rekate Vitër.

Rekatet farze

Rekatet farze janë të detyrueshme. Për to secili njeri do të japë llogari para Allahut xh.sh. Ato janë si vijon:

- Farzi i sabahut, 2 rekate.
- Farzi i drekës, 4 rekate.
- Farzi i ikindisë, 4 rekate.
- Farzi i akshamit, 3 rekate.
- Farzi i jacisë, 4 rekate.

Këto gjithsej janë 17 rekate farz gjatë ditës dhe natës.

Rekatet Sunnete

Këto janë rekate nafile, vullnetare të namazit, të cilat nëse dikush i falë do të ketë shpërblim të posaçëm nga Allahu xh.sh. Këto janë rekatet të cilat Pejgamberi a.s. i ka falë dhe pjesëtarëve të tij ua ka rekomanduar që t'i falin. Ata të cilët e duan dhe e ndjekin Pejgamberin a.s., ata me dashuri i falin rekatet sunnete të secilit namaz.

Këto rekate vullnetare (nafile) të namazit në medhhebin hanefij ndahen në dy grupe:

1. Sunnete dhe
2. Mendube.

Sunnetet e Përforcuara

Me sunnet nënkuptohen ato rekate nafile të cilat Pejgamberi a.s. i ka falur rregullisht dhe gati kurrë nuk i ka lënë.

Ato janë:

1. Dy rekate të namazit të sabahut para farzit. - Muhammedi a.s. ka thënë: "Dy rekate të sunnetit të sabahut janë më të vlefshme se e gjithë dunjaja dhe çka ka në te", (Ahmedi, Muslimi dhe Tirmidhiu).
2. Katër rekate para farzit të drekës. - Transmeton h. Aisheja r.a. se Pejgamberi a.s. asnjëherë nuk i ka lëshuar 4 rekate para farzit të drekës si dhe dy rekate para farzit të sabahut, (Buhariu).

Tabela 2

Namazi i Sabahut

Sunneti
- Rekati i parë: Subhaneke, Eudhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sureja.
- Rekati i dytë: Bismil-lahi, Fatiha, sureja.

Farzi
- Rekati i parë: Subhaneke, Eudhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i dytë: Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Namazi i Drekës

Sunneti
- Rekati i parë: Subhaneke, Eudhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i dytë: Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i tretë: Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i katërt: Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Farzi
- Rekati i parë: Subhaneke, Eudhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i dytë: Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i tretë: Bismil-lahi, Fatiha.
- Rekati i katërt: Bismil-lahi, Fatiha.

Sunneti i mbramë
- Rekati i parë: Subhaneke, Eudhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i dytë: Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Namazi i Ikindisë

Sunneti
- Rekati i parë: Subhaneke, Eudhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i dytë: Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i tretë: Subhaneke, Eudhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i katërt: Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Farzi
- Rekati i parë: Subhaneke, Eudhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i dytë: Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i tretë: Bismil-lahi, Fatiha.
- Rekati i katërt: Bismil-lahi, Fatiha.

Namazi i Akshamit

Farzi
- Rekati i parë: Subhaneke, Eudhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i dytë: Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i tretë: Bismil-lahi, Fatiha.

Sunneti
- Rekati i parë: Subhaneke, Eudhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i dytë: Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Namazi i Jacisë

Sunneti
- Rekati i parë: Subhaneke, Eudhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i dytë: Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i tretë: Subhaneke, Eudhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i katërt: Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Farzi
- Rekati i parë: Subhaneke, Eudhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i dytë: Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i tretë: Bismil-lahi, Fatiha.
- Rekati i katërt: Bismil-lahi, Fatiha.

Sunneti i mbramë
- Rekati i parë: Subhaneke, Eudhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i dytë: Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Vitri
- Rekati i parë: Subhaneke, Eudhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i dytë: Bismil-lahi, Fatiha, sure.
- Rekati i tretë: Bismil-lahi, Fatiha, sure, duaja e kunutit.

Muhammedi a.s. ka thënë: "Kush i falë 12 rekate (namaze vullnetare) gjatë ditës dhe natës, Allahu xh.sh. do t'i ndërtojë shtëpi në xhennet, katër rekate para farzit të drekës, dy pas farzit, dy rekate pas farzit të akshamit, dy pas farzit të jacisë dhe dy para farzit të sabahut", (Tirmidhiu).

Sunnetet e Papërforcuara (Gajru-Mekkede) ose Mendubet

Këto sunnete Pejgamberi a.s. më shumë i ka falur, por nganjëherë edhe i ka lëshuar.

Ato janë:

1. Katër rekate para farzit të ikindisë. - Muhammedi a.s. ka thënë: "Do ta mëshirojë Allahu xh.sh. atë njeri i cili i falë katër rekate para farzit të ikindisë", (Ahmedi, Ebu Davudi dheTirmidhiu).

2. katër rekate para farzit të jacisë. - Transmeton h. Aisheja r.a. se Pejgamberi a.s. i ka lëshuar 4 rekate para farzit të jacisë, (Ahmedi, Ebu Davudi dhe En-Nesaiu).


Farzet e Namazit sipas Medhhebit Hanafij

Ato janë gjashtë dhe atë:

1. Iftitah tekbir - duke qenë në këmbë të shqiptohet tekbiri fillestar në namaz.
2. Kijam - qëndrimi në këmbë.
3. Kiraet - leximi i Kur'anit në namaz.
4. Rukuu - përkulja-kërrusja e shpinës në namaz.
5. Suxhud - sexhdja.
6. Ka'dei ehire - qëndrimi ulur në namaz.

Për të qenë namazi i vlefshëm, patjetër duhet të kryhen këto gjashtë farze. Nëqoftëse ndonjëri prej këtyre farzeve lëshohet, namazi është i prishur, (Fikhul-islamijj ve edil-letuhu, fq. 1/623).


Vaxhibet e Namazit sipas Medhhebit Hanefij

Ato janë 18. Nëse lëshohet ndonjë vaxhib, ai mund të kompensohet me kryerjen e sehvi sexhdes, nëse dikush e ka lëshuar vaxhibin me harresë, ndërsa nëse vaxhibi është lëshuar me qëllim, atëherë namazi është i prishur dhe duhet të përseritet.

Vaxhibet e namazit janë:

1. Të fillohet namazi me fjalët "Allahu ekber".
2. Leximi i Fatihas në secilin rekat.
3. Leximi i sures pas Fatihas ose leximi i ajetit i cili përmban së paku 30 shkronja.
4. Leximi i sures pas Fatihas në rekatin e parë dhe të dytë të namazit farz.
5. Që Fatiha të lexohet para sures.
6. Të vehet hunda dhe balli në sexhde.
7. Të kihet kujdes në renditjen e veprimeve që kryhen në namaz.
8. Qetësimi në disa pjesë të namazit siç është rukuja, sexhdeja, ulja, etj..
9. Ulja e parë në namazet prej tri dhe katër rekatëshe.
10. Leximi i ettehijjatit në uljen e parë deri te shehadeti.
11. Leximi i ettehijjatit në uljen e fundit në namaz.
12. Ngritja në rekatin e tretë menjëherë pas teshehudit, e nëse dikush e vazhdon leximin e salavatit duhet të bëjë sehvi sexhde.
13. Shqiptimi i fjalës "selam" gjatë dhënies së selamit, pa "alejkum ve rahmetullahi", e cila është sunnet.
14. Leximi i imamit me zë në namazet, farz të sabahut, dy rekatet e para të farzit të akshamit dhe jacisë (qoftë edhe nëse i falë namaze të kaluara), pastaj në xhuma, në bajram, në teravih dhe në namaz të vitrit (në Ramazan), sepse këtë Pejgamberi a.s. këtë rregullisht e ka bërë.
15. Leximi i imamit në vetvete në farze të namazit të drekës dhe të ikindisë.
16. Duaja e kunutit në namazin e vitrit.
17. Tekbirët në namazin e bajramit (gjashtë tekbire).
18. Që muktedijtë të heshtin dhe ta ndjekin imamin në namazet me xhemat.


Veprimet që e prishin Namazin

1. Çfarëdo të folur në namaz.
2. Të qeshurit ose të vajtuarit me zë në namaz.
3. Ngrënia e diçkahit në namaz.
4. Të kthehet gjoksi (në drejtim tjetër e jo) nga kibla në namaz.
5. Të bëhen veprime të pazakonshme në namaz, ashtuqë nëse dikush nga anash shiqon, do të mendojë se personi në fjalë nuk është në namaz (p.sh. nëse kruhemi tri herë pandërprerë në një vend).
6. Prishja e abdestit.
7. Para hohe me qëllim nëse jepet selam.
8. Të shkohet përpara sa janë dy safë.
9. Qëndrimi baras me gruan në një saf.
10. Lëshimi i cilitdo rukën (farz) të namazit.


Sunnetet e Namazit sipas Medhhebet Hanefij

1. Ngritja e duarve gjatë tekbirit fillestar për meshkujt deri te veshët, kurse për femrat deri në lartësi të supëve (krahëve).
2. Mbajtja e gishtave në gjendje normale, as të shtrënguar e as shumë të hapur.
3. Që muktediu ta harmonizojë tekbirin fillestar me atë të imamit.
4. Vendosja e dorës së djathtë mbi të majtën nën kërthizë - për meshkujt, kurse në gjaks për femrat.
5. Leximi i subhanekes.
6. Leximi i Eudhubil-lahit.
7. Leximi i Bismil-lahit.
8. Të thuhet Amin.
9. Të thuhet "Rabbena lekel-hamd".
10. Subhanekja, Eudhubil-lahi, Bismil-lahi dhe Amin-i - të lexohen në vetvete (pa zë).
11. Të mirret qëndrim gatitu me rastin e fillimit të namazit, sidomos të mos tundet koka.
12. Që imami me zë ta shqiptojë tekbirin, "semiallahu limen hamideh" dhe selamin.
13. Të ndahen shputat e këmbës njëra prej tjetrës në largësi prej katër gishtave.
14. Në namazin e sabahut dhe të drekës në farz të lexohet pas Fatihas sure më e gjatë, ndërsa në ikindi dhe jaci sure të mesme, kurse në aksham sure më e shkurtë.
15. Sureja më e gjatë të lexohet në rekatin e parë.
16. Shqiptimi i tekbirit në secilin kalim prej kijamit në ruku dhe sexhde.
17. Tri herë në ruku' të thuhet "subhane rabbijel-adhim" dhe në sexhde tri herë "subhane rabbijel-a'la".
18. Në ruku' të kapet me duar kapaku i gjurit.
19. Në ruku' meshkujt pak t'i hapin gishtat e duarve, kurse femrat jo.
20. Të rrafshohet shpina në ruku'.
21. Në rast mosmundësie (sëmundjeje) të përkulet koka.
22. Të drejtuarit i qetë, ndërmjet rukus dhe sexhdes dhe ndërmjet sexhdeve.
23. Të lëshohen në sexhde së pari gjunjtë, duart e pastaj fytyra dhe renditja e kundërt bëhet me rastin e ngritjes nga sexhdja.
24. Të bëhet sexhdja ndërmjet dy duarve.
25. Burrat t'i ndajnë stomakun nga kofshat dhe bërrylat e llërat nga toka me rastin e bërjes së sexhdes.
26. Që gratë t'i mbështesin stomakun për kofsha në sexhde.
27. Të ulurit pak ndërmjet dy sexhdeve.
28. Të mbahen duart në gjunj gjatë uljes ndërmjet dy sexhdeve.
29. Që mashkulli ta shtrijë këmbën e majtë gjatë uljes në teshehud; ndërmjet dy sexhdeve, të djathtën e vendos ashtu që e mbështet në gishta të kthyer kah kibla.
30. Gruaja ulet në mënyrë që të dy këmbët çiten nga ana e djathtë.
31. Ngritja e gishtit tregues vetëm te teshehudi - ngritet te la ilahe, kurse gishti lëshohet te il-lallah.
32. Leximi i Fatihas në rekatin e dytë dhe të tretë.
33. Leximi i salavateve në uljen e mesme.
34. Leximi duas kur'anore "Allahumme rabbena atina fiddunja ..." pas salavatit.
35. Kthimi gjatë selamit nga ana e djathtë pastaj nga e majta.
36. Që imami ta bëjë nijjet dhënien e selamit të gjithëve pas tij, nga njerëzit, engjejt dhe xhinët.
37. Që muktedijtë të bëjnë nijjet kthimin e selamit imamit.
38. Kur dikush falet vetëm të bëjë nijjet dhënien (selam) vetëm engjejve, sepse nuk ka askë tjetër.


Mekruhet e Namazit sipas Medhhebit Hanefij

1. Mekruh tahrimen (çështje e qortuar rreptë) është nëse me qëllim lëshohet ndonjë vaxhib i namazit, si p.sh.: leximi i Fatihas, ose leximi i sures pas Fatihas, ose leximi me zë në namazet ku duhet të lexohet pa zë (dreka dhe ikindia) ose e kundërta, nëse lexohet pa zë (akshami, jacia dhe sabahu). Për këto lëshime duhet përsëritur namazin, nëse lëshimi është bërë me qëllim.
2. Ngritja e duarve para shkuarjes në ruku dhe pas kthimit nga rukuja.
3. Lëshimi me qëllim i ndonjë sunneti në namaz, si p.sh. leximi i subhanekes, leximi në ruku' i subhane rabbijel-adhim ose i leximit në sexhde i subhane rabbijel-a'la, ose semiallahu limen hamideh, ose rabbena lekel-hamd. Si dhe lëshimi i kthimit të gishtave të duarve dhe të këmbëve kah kibla.
4. Leximi i sures më të shkurtër ose i numrit më të madh të ajeteve në rekatin e dytë në krahasim me të parin.
5. Që dikush t'i caktojë vetes vetëm një sure dhe atë ta lexojë gjithmonë në namaz.
6. Leximi i sureve ose ajeteve të Kur'anit në anën e kundërt të renditjes që kanë në mus'haf. Si p.sh.: në rekatin e parë të lexohet sureja Ihlas, kurse në të dytin Tebbet jeda ebi leheb, etj..
7. Përfundimi i leximit të sures apo i ajetit në ruku'.
8. Bërja e lëvizjeve me dorë çfarë nuk kanë hije në namaz (abeth), si p.sh. luajtje me rrobat, prekja me dorë nëpër trup, prekja e mjekrës, vënia e dorës në gojë, zënia e hundës, ose luajtja me kokrra të tesbihve, ose krisja e gishtave në namaz.
9. Mekruh është gruaja ta mbulojë fytyrën në namaz (me nikab) sepse fytyra e femrës nuk është avret.
10. Mekruh është lidhja e gishtave të njërës dorë me gishtat e dorës tjetër dhe vënia e duarve në ije. Kjo e fundit është e qortuar edhe jashtë namazit.
11. Rregullimi i rrobave në trup në namaz apo rregullimi i flokëve.
12. Mbyllja e syve në namaz.
13. Shikimi rreth e rrotull pa nevojë.
14. Ngritja e shikimit kah qielli.
15. Qëndrimi në një këmbë në kijam ose ngritja me radhë e këmbëve, pa nevojë.
16. Falja e namazit duke e duruar nevojën e madhe ose të vogël, ose mbajtja e erërave në namaz. Si dhe të falurit në prani të ushqimit të gatshëm.
17. Pështymja në namaz para vetes ose në anën e djathtë - kjo është e qortuar edhe jashtë namazit.
18. Gogësimi në namaz.
19. Mbështetja në duar me rastin e uljes në namaz.
20. Kthimi i selamit me gjest të dorës ose kokës, ose në teshje të përgjigjurit me elhamduli-lah.
21. Leximi i sures në dy rekatet e fundit të namazeve farze katërrekatëshe pas Fatihas.
22. Mbetja pas safit - duke patur vend në safin më përpara.
23. Mekruh është që imami të falet në vend më të lartë se muktediu.
24. Ngjitja e trupit për tokë gjatë sexhdes.
25. Të falurit me petka të papëlqyeshme; si petkat e punës, pixhamat nëse falemi në shtëpi.
26. Të falurit pa kapuq.
27. Të falurit me petka ku ka fotografi të qenieve të gjalla.
28. Të falurit në lokal ku ka statuja ose fotografi.
29. Të falurit në vendin ku njerëzit bisedojnë, bëjnë diçka apo flejnë, për të mos dëgjuar falësi diç që do ta bënte të qeshë.
30. Të falurit në drejtim të zjarrit të ndezur.
31. Shqiptimi i leximit të paraparë (të tekbirit, tahmidit dhe tesmi'it) në vendin ku nuk është paraparë për të, p.sh. leximi i tekbirit për ruku' pasi të bëhet rukuja, ose të thuhet semiallahu limen hamideh pasi të jemi drejtuar në kijam. Sepse sunnet është që ky lexim të bëhet në fillim të kalimit prej një pozite në tjetrën.
32. Mos vendosja e perdes (sutra), ai që falet jashtë (në fushë).


Hadithe mbi Namazin

1. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Vepra më të dashura tek Allahu janë: Falja e namazit me kohë, bamirësia ndaj prindërve, lufta në rrugën e Allahut", (Transmeton Muslimi).

2. "Çka mendoni (i kishte pyetur Alejhisselami as'habët), sikur dikush prej jush ta kishte lumin para derës, dhe në të, të lahej pesë herë në çdo ditë, a do të mbetej në të papastërti? Të pranishmit i përgjigjen: "Nuk do të mbetej, o i Dërguar i Allahut". Atëherë Alejhisselami shton: "Ashtu është edhe me pesë namazet e ditës, Allahu me te ua pastron mëkatet"", (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).

3. Muhammedi a.s. ka thënë: "Çështja e parë për të cilën njeriu në Ditën e gjykimit do të japë llogari, është namazi, andaj, nëse namazi është i mirë, do të jenë të mira edhe veprat tjera, e nëse namazi nuk do të jetë i mirë, nuk do të jenë të mira edhe veprat tjera", (Transmeton Taberani).


Fetvaja e Reisul-Ulemasë

Sarajevë, 29, xhumadel-uhra, 1414 h. 13, dhjetor 1993 vit.

بسم الله الرحمن الرحيم - (Bismil-lahi rrahmani rrahim)

Duke patur parasysh faktin historik se muslimanët në Bosnje që nga ardhja e Islamit në këto troje janë sunnij të (shkollës juridike) medhhebit hanefij, të cilët përkatësinë e tyre këtij medhhebi asnjëherë nuk e kanë vënë në pyetje, duke ditur për dukuritë jo të rralla të shmangjes nga medhhebi hanefij në kryerjen e disa riteve fetare, veçmas në kohët e fundit, shkak i së cilës është ardhja në kontakt e muslimanëve tonë me vëllezërit - pjesëtarë të medhebeve tjera- si në vend ashtu edhe në mërgatë (muhaxhirlluk), duke ndjekur rregullin e sheriatit se medhhebet e pranuara janë të barabarta dhe se nuk lejohet që me vetiniciativë të përzihen dispozitat e tyre në lëminë e ibadetit dhe më në fund, duke u nisur nga dispozitat e vendimit kushtetues të BI në RBeH, naibu reisi i Bashkësisë Islame në RBeH dr. Mustafa ef. Ceriq lëshon këtë:


Fetva

Mbi detyrueshmërinë e ndjekjes së dispozitave të medhhebit hanefij në mënyrën e kryerjes së riteve fetare në xhami, mesxhide, teqe dhe në të gjitha llojet e tubimeve islame.

1. Muftitë, imamët, eprorët e tarikatit dhe të gjithë nëpunësit fetarë në muftini, në këshilla, institucione dhe ente të Bashkësisë Islame në vend, në botën e jashtme dhe në mërgatë janë të obliguar që me përpikëri t'u përmbahen dispozitave të medhhebit hanefij në kryerjen e riteve fetare në xhami, mesxhide, teqe dhe në të gjitha llojet e tubimeve islame.

2. Muftitë, imamët, eprorët e tarikatit dhe të gjithë nëpunësit fetarë janë të obliguar ta mësojnë masën se nuk është e lejuar që në lëminë e ibadatit me vetiniciativë të përzihen dispozitat e medhhebeve të pranuara, dmth. në disa raste të veprohet sipas dispozitave të një medhhebi, kurse në rastet tjera me dispozitat e medhhebit tjetër.

3. Gjatë hartimit të teksteve nga lëmia e ibadatit t'i kushtohet kujdes që mos të shkilen parimet e medhhebit hanefij.



Reisul-ulema: Prof. Dr. Mustafa Ceriq



Indeksi i Shprehjeve:

Abdest - pastrim ritual fetar para namazit.
Ahiret - bota e ardhme.
Ahkam - dispozita.
Akideh - besimi islam.
Amin - pranoje o Zot!
Arefat - vend jo larg Mekkes ku kryhet ceremonia e haxhxhit (vukuf).
As'habë - shokë të Muhammedit a.s..
Bid'at - novatori, risi.
Daif - i dobët.
Delil - argument, dëshmi.
Dirajet - degë e shkencës së hadithit, e cila merret me tekstin e hadithit.
Ezan - thirrje për namaz.
Farz - urdhër i rreptë i Allahut xh.sh..
Fetva - qëndrimi islam për ndonjë çështje.
Fikh - shkenca mbi dispozitat islame.
Gusul - larja e obligueshme islame.
Hafidh - ai që e di Kur'anin përmendsh.
Hajd - cikli mujor te femrat.
Halif - sundimtari islam.
Haram - ndalim kategorik i Allahut xh.sh..
Hedije - dhuratë.
Haxhxh - kushti i pestë i Islamit, vizita e Qabes.
Hukm - dispozitë islame.
Ikamet - lajmërimi i namazit farz (me fjalë të ngjashme me ezanin).
Imam - personi që prinë në namaz.
Istigfar - kërkim i faljes për mëkate.
Istihsan - kur muxhtehidi për të ardhur deri te pyetja vepron në kundërshtim me kijasin.
Ixhma' - konsenzusi i dijetarëve për një çështje.
Ixhtihad - dhënia e angazhimit për të ardhur deri te nxjerrja e dispozitës.
Kadi - gjykatës.
Kijas - analogji.
Kiraet - lexim i Kur'anit.
Medhheb - rrugë, drejtim ose metodë.
Mejjit - i vdekur.
Mekruh - e qortuar, e keqe.
Merfu' - hadithi që e ka zingjirin e transmetuesve të pandërprerë prej transmetuesit deri te Muhammedi a.s..
Mes'ele - pyetje, çështje, dukuri në të cilën duhet dhënë qëndrimin e sheriatit.
Mesbuk - personi që vonohet në ndonjë pjesë të namazit.
Metn - teksti i hadithit.
Metruk - hadithi i cili lëhet, i parregullt.
Mevdu' - hadith i rrejshëm.
Mubah - e lejuar.
Mubtedii - novator (personi i cili çpikë risi në fe).
Muderris - mësues.
Mufti - person fetar i cili jep përgjigje në pyetjet dhe problemet e shtruara.
Munker - hadith i rrejshëm, i trilluar.
Musafir - udhëtar.
Mustehab - e mirë, e lavdëruar.
Mustekil - i pavarur.
Mut'a - martesë për kohë të caktuar (e pranuar te shiijtë si legjitime, kurse te sunnijtë e ndaluar).
Mutevatir - transmetimi që e transmeton numër mjaft i madh njerëzish dhe nuk ekziston dyshim për autentitetin e tij.
Muxhtehid - shkencëtar i cili nxjerr dispozita në bazë të Kur'anit, Sunnetit dhe burimeve tjera islame.
Muzdelife - vend ndërmjet Arefatit dhe Mekkes.
Nafile - namaz vullnetar.
Nifas - periudha te femrat pas lindjes.
Nijjet - qëllimi, vendosja.
Ramazan - muaji i zgjedhur, i bekuar i agjërimit.
Rivajet - transmetim.
Saff - rresht në namaz.
Salih - e mirë, e vlefshme.
Selef - i mëparshëm.
Selimeh - e drejt, e shëndoshë.
Sened - zingjir i transmetuesve.
Softa - nxënës i medresesë.
Sunen - përmbledhje e haditheve.
Sunnet - ajo që ka vepruar Pejgamberi a.s..
Shart - kusht.
Shehid - dëshmor që ka dhënë jetën në rrugë të Allahut.
Shejh - udhëheqës, plak, prijës.
Sherh - komentim.
Sheriat - ligji islam.
Tabiîn - gjeneratë që vjen pas as'habëve.
Tahmid - shqiptimi në namaz i elhamdu lil-lahi dhe rabbena lekel-hamd.
Talak - shkurorëzim.
Ta'lik - hadithet që gjenden në përmbledhjet e haditheve por që nuk kanë senedet e tyre.
Tehexhud - namazi vullnetar i natës.
Tejemum - pastrim simbolik fetar.
Tekbir - madhërim i Allahut me fjalën Allahu ekber (Allahu është më i madhi).
Teravih - namazi nafile që falet netëve të ramazanit.
Terxhih - mbizotërim, epërsi.
Tesmiî - shqiptim i fjalëve semiallahu limen hamideh.
Thika - i besueshëm, i verifikuar.
Ulema - dijetarët.
Ummet - popull, komb.
Usuli fikh - shkenca mbi metodologjinë e fikhut.
Vaxhib - obligim, detyrë.
Xhem'i - bashkim i namazeve.
Xhema'at - bashkësi.
Xhenaze - namazi që i falet personit të vdekur.



Literatura:

1. Fikhul-islamijj ve edil-letuhu, dr. Wehbe Zuhejli, botimi dytë, 1987, Darul-kalem.
2. Ebu Hanifa En-Nu'man, Wehbi Sulejman Gavoxhi, botimi IV, 1987, Darul-kalem.
3. I'lau sunen, Dhafer Ahmed Osmani Et-Tehanevijj, Idaretul-Kur'ani vel-ulumil-islamijje.
4. Mukarenetul-medhahib fil-fikh, Shejh Mahmud Muhammed Sheltut dhe Shejh Muhammed Es-Sajis, 1986, Darul-mearif.
5. El-la medhhebijjetu, dr. Seid Ramadan El-Buti, 1987, Mektebetul-furkan.
6. Tarihul-fikhil-islamijj, dr. Omer Sulejman El-Eshkar.
7. El-Vexhiz fi usuli teshriil-islamijj, dr. Muhammed Husein Hito.
8. Kejfijjetu salatin-nebijji 'ala dav ixhtihadi medhhebil-hanefijj, Abdul-Wehhab El-Meshedani.



Autor: Fikret ARNAUT
Përktheu: Miftar AJDINI



Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...