A mund të urohet-shënohet viti i ri



Lexova, ndonëse pa ndonjë vullnet, disa reagime në fb lidhur me festimin e festave jomuslimane nga ana e muslimanëve, të nxitura nga një tekst shumë përmbajtësor i dijetarit shumë të talentuar Rezart Bekës. U mërzita nga fakti që aso qëndrimesh të palogjikshme përsëriten, pa u eliminuar asnjëherë "sprovat e gabueshme", sikundër i emërton Karl Poperi, gabimet në procesin e kuptimit/zbulimit të së vërtetës.

E pra, "sprova të gabueshme" janë thirrjet në disa dijetarë të shekujve të largët, si gjoja argument edhe për këtë debat. Si është e mundshme të mendohet se disa dijetarë të kohëve të largëta mund të kenë ditur më mirë se sa ne për realitetet dhe sensibilitetet e kohës në të cilën ne jetojmë e për të cilën ata as që kanë mundur të imagjinonin?

1. Të gjithë ne muslimanët që i përkasim kësaj hapësire gjeografike shqiptare dhe kësaj gjeokulture evropiane, me këtë kalendar e mbajmë evidencë jetën tonë, që nga lindja e deri në vdekje. Secili prej nesh. Prandaj, do të ishte hipokrizi po qe se gjatë tërë vitit orientohemi me këtë kalendar e vetëm në një ditë, në ditën e fundit të vitit, e mohojnë realitetin se administrohemi me këtë kalendar.

2. Kalendari diellor, bashkë me atë hënor, si edhe gjatësia e vitit prej 12 muajsh, janë të shpallura nga Zoti i Botëve, në Kuranin famëlartë. Pra, matja e kohës me kalendar diellor është matje e lejueshme nga Zoti.

3. Viti i ri ndër ne nuk është festë fetare. Është festë shtetërore. Administrata shtetërore shpall ditë feste dhe pushimi dhe shtetasit detyrohen ta respektojnë formalisht.

4. Bredhi është lodër, nuk është simbol fetar. Pak a shumë si kukulla. Fëmijët luajnë me të e rreth tij, por nuk e adhurojnë, askush nuk bën rituale fetare rreth bredhit. Pothuajse askush nuk mirret me gjenezën e tij, e cila me kohë ka rezultuar e desemantizuar dhe e transformuar.

5. Njerëzit që gjatë një viti kalendarik kanë pasur suksese e fitime, kanë të drejtë të gëzojnë në fundin e vitit, kur mbyllin bilancet e atij viti. Mënyra se si festojnë është përgjegjësi e tyre personale. Nëse festojnë në mënyrë joadekuate, ata personalisht ngarkohen para Zotit, jo para nesh. Askush prej nesh nuk ka asnjë kompetencë ta marrë në përgjegjësi askend. Secili prej nesh e kemi boll nëse arijmë veten ta mbajmë në rrugën e duhur.

6. Paçit një vit të ri të mbarë, të gjithë! Dhe qofshim nën mbrojtjen dhe mëshirën e Zotit! Sigurisht, për të qenë nën mbrojtjen e Tij, duhet të punojmë sipas udhëzimeve të Tij, çdo ditë, çdo vit, gjatë tërë jetën sonë në këtë botë.



Autor: Prof. Milazim KRASNIQI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...