Bisedë me dijetarin e shquar Shejh Shuajb Arnautin
Dhënë gazetës boshnjake "Muslim Monitor".
Modestia, përkushtimi, zelli dhe korrektësia ndaj punës, janë karakteristikat, sipas shumicës, të recensentit më të mirë të veprave klasike dhe njohësit më të spikatur të shkencës së hadithit në kohën tonë - Shejh Shuajb Arnaut.
Shejh Shuajb Arnaut ka lindur në Damask në vitin 1928. Babai i tij në vitin 1926 ishte shpërngulur prej Shqipërisë në Damask, ku ka qëndruar deri në vitin 1983. Po këtë vit qe shpërngulur në Aman, ku edhe sot vepron.
Dijetari Omer Hasan EI-Kijam në parathënien e librit "Sherh mushkileti asar" të imam Tahaviut, ka shkruar për shejh Shuajb Arnautin, se është njëri nga tre dijetarët e moshuar të kohës në të cilën jetojmë: Ahmed Muhamed Shakir, Muhamed Nasrudin Albani dhe Shuajb Arnauti, ndonëse ky i fundit i ka tejkaluar dy të parët me numrin e veprave, të cilave u ka bërë recensione dhe për arsyen e dytë, ndoshta më të rëndësishmen, e cila i përket metodës që përdor gjatë recensionit të veprave klasike. Dy të parët kanë kaluar në botën tjetër-Ahiret, ndërsa gjallë është vetëm shejh Shuajbi.
MM: Para disa muajsh kemi qenë dëshmitarë të një ndodhie, për të cilën besojmë që keni dëgjuar edhe Ju.
Pra, fjala është për Amine Vedudin, një grua që ka mbajtur një hutbe dhe më pastaj ka dalë imam i të tjerëve në namaz. Cili është komentimi juaj për këtë?
Shejh Shuajb Arnauti: Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim. I tërë falenderimi i takon vetëm Allahut xh.sh., salavatet dhe selamet për të Dërguarin e Tij, Muhamedin (a.s.).
Për sa na përket neve, themi se kjo nuk është në rregull nga pikëpamja e Islamit dhe nuk ka asnjë argument, që flet për rregullsinë e asaj që ka vepruar ajo grua. Njerëzit i udhëheq në namaz mashkulli dhe jo femra, kurse femrës i lejohet t'u bëhet imam vetëm grave të tjera dhe për këtë çështje ekziston ixhmai (konsensusi) i myslimanëve.
MM: Jo shumë kohë më parë, gruaja për të cilën po flasim, ka qenë edhe në Bosnjë, së bashku me disa intelektualë myslimanë të Perëndimit. Disave nuk u ka pëlqyer paraqitja e saj dhe ka pasur reagime të ashpra, disa prej të cilave kishin dalë nga kornizat e etikës islame të ndershmërisë. Cili është komenti juaj për këtë?
Shejh Shuajb Arnauti: Secili që nuk pajtohet, duhet ta shprehë në mënyrën më të mirë, si: "Ke gabuar për këtë", kurse sa u përket ofendimeve, përdorimit të fjalëve fyese këto në asnjë mënyrë nuk i përkasin kulturës islame të komunikimit me të tjerët.
MM: Mirëpo, shumica nuk kanë qenë të atij mendimi?
Shejh Shuajb Arnauti: Ne mund të themi në suaza të asaj që disponojmë (fjala është për mësimet e Kuranit dhe Synetit, shënim N.H.) dhe sipas të kuptuarit tonë të Islamit, ajo nuk është e drejtë dhe nuk është prej Islamit. Ashtu na mëson Kurani, sepse i Lartësuari thotë: "Dhe me ata diskuto në mënyrën më të mirë". Në mënyrën më të mirë do të thotë: "të përzgjidhet metoda më e mirë e pastaj të mos përdoren format e vrazhda dhe ofenduese në të shprehur". Pastaj thotë: "Dhe ti këshillo e këshilla do të jetë e dobishme, do të përgjigjet ai që i frikësohet Allahut". Në suren "Ta-Ha", Allahu i Lartësuar i drejtohet të Dërguarit (a.s.) dhe thotë: "Ta-Ha, nuk e shpallim Kuranin, që të mundohesh, por që të jetë këshillë për atë që frikësohet". Pastaj në një vend tjetër, Allahu i Lartësuar ka thënë: "Dhe flisni me fjalë të ëmbla". Pra, thirrja në fenë e Allahut duhet të bëhet gjithmonë në mënyrë të bukur. Nëse i përgjigjet falenderimi i qoftë Allahut të Lartësuar e nëse nuk i përgjigjet, nuk është kompetenca jonë, që t'i udhëzojmë njerëzit. Allahu i Lartësuar i drejtohet të Dërguarit (a.s.) e i thotë: "Nuk ta shpallëm Kuranin, që të mundohesh".
Nuk është detyra e thirrësit islam që të mundohet apo t'i shajë, t'i ofendojë e të ngjashme. "prandaj këshillo, këshilla do të jetë me dobi". Dialogu duhet të jetë akademik, bile edhe me ata që vijnë me qëndrime të çuditshme.
MM: Ju pasuakeni medhhebin e Ebu Hanifes?
Shejh Shuajb Arnauti: Po, i dua të gjitha medhhebet, por për vete gjithmonë them se jam i medhhebit hanefi.
MM: Sikur t'u kishte pyetur dikush, se a jeni selefi (tradicionalist), si do të ishit përgjigjur?
Shejh Shuajb Arnauti: Do t'u isha përgjigjur se jam selefi, por një selefi i tillë, që i respekton dhe i do selefinjtë e kohës së Ebu Hanifes, Malikut dhe dijetarëve të tjerë të mëdhenj. Por, ruajna Zot, në asnjë mënyrë nuk e konsideroj veten selefi, nëse mendoni tek ata që e quajnë veten selefinj sot. Për këta të sotmit konsideroj që në vete duhet të bëjnë parapërgatitje të mëdha apo korrigjim të parimeve, sipas të cilave veprojnë. Kuptimi im i Islamit është: "Mendimin në të cilin arrij, e konsideroj të drejtë dhe në të njëjtën kohë jam i vetëdijshëm, që ndoshta kam gabuar. Gjithashtu, nëse mendimi i të tjerëve dallon nga imi, atë e konsideroj jo të drejtë, por jam i vetëdijshëm që ata ndoshta kanë të drejtë, dhe mund të kem gabuar unë". Kurse këta të sotmit që dëshirojnë ta quajnë veten selefinj, thonë: "Mendimi ynë është i drejtë dhe nuk mund të jetë gabim. Mendimi i të tjerëve është i gabuar dhe në asnjë mënyrë nuk është i drejtë". askush në historinë e Islamit nuk e ka thënë këtë. Kjo është metodologji e gabuar e të kuptuarit të Islamit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të pranohet, por refuzohet.
MM: Me një rast, kur isha tek Ju, erdhi një femër, e cila ishte në studimet pasuniversitare në Universitetin e Jordanisë dhe ajo ju pati shtruar disa pyetje. Ju për shumëçka dalloheni nga dijetarët e tjerë. Jepni më shumë liri sesa të tjerët. Si i komentoni këto?
Shejh Shuajb Arnauti: Unë jam për liri aq sa jep Islami. As më shumë e as më pak nga ajo. Nëse Islami më ka dhënë të drejtë, që ta dëgjoj zërin e femrës dhe t'i përgjigjem pyetjes së saj, unë do ta bëj. Ne e japim lirinë në suazat e Islamit. Por ka ulema, që nuk e japin lirinë aq sa e jep Islami. Thuhet për imam Dhehebiun, se ka pasur më tepër se 55 femra shejhe (mësuese të hadithit), nga të cilat ka marrë dije. Kur i lexojmë librat e namazit dhe kapitullin që flet për safet (rendet në namaz), është sqaruar fare mirë se si renditen safet. A thua ka ndonjë libër, në të cilin të përmendet, se femrat duhet të jenë në katin e sipërm (të xhamisë, - shënim N.H.), kurse meshkujt në të poshtmin, siç është praktika e sotme. Por, përkundrazi, në të gjithë librat qëndron se të parët në saf renditen meshkujt, pastaj fëmijët dhe në fund femrat. Sot disa ulema nuk ia lejojnë femrës shkollimin dhe përgatitjen intelektuale, me arsyen se në universitet përzihen me meshkujt dhe kështu i edukojnë të rinjtë. "Ih-tilat" apo përzierja e meshkujve me femrat, nuk është haram. Ih-tilati haram është veçimi i një mashkulli dhe një femre në një dhomë, duke qenë të vetëm.
MM: Pra, a do të thotë kjo, se është e lejuar që në një dhomë të ulen së bashku meshkujt dhe femrat?
Shejh Shuajb Arnauti: Po, këtu nuk shoh asnjë pengesë, por normalisht duhet të jenë të veshur ashtu si kërkon Islami, si për mashkullin ashtu edhe për femrën.
MM: A duhet të jetë kjo përzierje me qëllim të ndonjë ligjërate apo edhe për gjëra të thjeshta?
Shejh Shuajb Arnauti: Po, për biseda të rëndomta, vizita e kështu me radhë. Aty nuk ka asnjë ndalesë dhe aty nuk ka asgjë të keqe. Kush ka thënë se ajo është haram? Tek i Dërguari (a.s.). vinin sahabije dhe i shtronin pyetje të ndryshme. Aisheja (r.a.) ka mësuar dhe sahabët e të Dërguarit të Allahut kanë marrë dituri prej saj për vite me radhë.
MM: Po, por disa do të thonë, se ajo u ishte e lejuar vetëm grave të të Dërguarit(a.s.).
Shejh Shuajb Arnauti: Jo, vëlla, ne duhet të jemi të vetëdijshëm, se Allahu i Lartësuar thotë: (Të lutem, dëgjo këtë ajet): "Besimtarët dhe besimtaret janë miq të njëri-tjetrit, disa të tjerëve u urdhërojnë të mira". Pra, në këtë ajet janë përmendur vetëm besimtaret. Mirë, pra, nëse kjo u është urdhëruar edhe femrave, si do ta dinë ato çka është ajo e mirë, për të cilën duhet të urdhërojnë, nëse nuk mësohen. Më parë e përmenda shembullin e imam Dhehebiut - që ka marrë mësim nga shumë femra.
MM: Ç'do të thotë fjala "shejhe".
Shejh Shuajb Arnauti: Ajo është femër, e cila lexon hadithin para nxënësit të saj, ky e dëgjon dhe shkruan atë që mëson nga ajo.
MM: Mirëpo para tyre kishte gardh - perde që i ndante.
Shejh Shuajb Arnauti: Jo, nuk kishte kurrfarë gardhi-perdeje. Ja, për shembull, hadithi: "Secila grua që do të kërkojë leje për shkurorëzim nga burri, nuk do ta shijojë erën e Xhenetit". Imam Dhehebiu këtë hadith e ka dëgjuar dhe e ka shkruar nga pesë gra-femra. Rasti i njëjtë ka ndodhur edhe me Hafiz ibn Asakirin dhe Hafiz ibn Haxherin. Tek ata ishte e përhapur dhe e ditur, që femra i kishte mësuar të tjerët për hadithin, fikhun dhe njohuri të tjera.
Përktheu: Nail HALIMI,
marrë nga: "Glas Islama", nr. 105, Novi-Pazar, gusht 2005.