Islami dhe Perëndimi - armiqësi apo respekt i ndërsjellë
Islami rrjedh nga dy burime: teslim, që do të thotë dorëzim, nënshtrim dhe adhurim vetëm ndaj Allahut dhe selam, që do të thotë, paqe me Krijuesin, vetveten, shoqërinë dhe natyrën. Ai harmonizon lidhjet mes trupit dhe shpirtit, si dhe lidhjet e njeriut me familjen, shoqërinë, natyrën dhe Zotin e gjithëpushtetshëm.
Fundi i luftës së ftohtë ka pakësuar rrezikun prej armëve bërthamore mes superfuqive. Por njëkohësisht ai ka nxjerrë në pah tensione të reja. Pas përfundimit të luftës së ftohtë kemi skenarë të shkruar dhe libra për mundësinë e konfliktit mes qytetërimeve, me theks të veçantë atij me burim fetar. Kohëve të fundit në qarqe të caktuara këto hipoteza për përplasjen e Perëndimit dhe botës islame kanë fituar peshë.
Sot islami është një nga temat më të përfolura në rang botëror. Rreth tij çdo ditë shkruhen shkrime të shumta. Arsyet janë të ndryshme dhe njëra prej tyre është se kjo fe madhështore përbën një të katërtën e popullsisë së botës dhe se popujt e kësaj feje zënë pozita të rëndësishme gjeostrategjike dhe janë vende që posedojnë pasuri të shumta nëntokësore. Popullata muslimane përbën shumicën absolute prej brigjeve të oqeanit Atlantik deri në ishujt e Paqësorit. Ajo është e pranishme edhe në të gjitha pjesët e tjera të botës.
Ishte një kohë kur shumica e vendeve islame ishin koloni dhe jetonin nën zgjedhën e vendeve perëndimore. Pra ishte një kohë kur "Luani i plagosur" ishte në gjendje patetike dhe trishtuese, mirëpo ai tashmë ka filluar të ngrihet dhe të marr veten. Pamvarësisht nga përpjekjet gjigante që kanë bërë vendet islame dhe që kanë arritur të çlirohen nga kolonializmi dhe kanë formuar Konferencën Islamike, megjithatë bota islamike mbetet një hapësirë gjeografike që rrjedh gjak. Në Palestinë po ndodhin krime dhe akte terrori të tmerrshme. Çeçenia është shndërruar në një burg të mbyllur, e përmbytur në gjak. Përleshje të armatosura ka në Kashmir, Filipine, Afganistan, Irak, Sudan, Somali.
Për shkak të intervenimeve të jashtme dhe në mungesë të një strategjie të përbashkët unifikimi mes vendeve muslimane, si rezultat i qeverive të korruptuara dhe autoritare, shumë prej tyre po shtyhen drejt shkatërrimit, vrasjes së njerëzve të pafajshëm dhe drejt paqëndrueshmërisë.
Pas sulmeve të 11 shtatorit kemi një tendencë qëllimkeqe për të afruar së bashku fjalët Islam dhe terrorist, prandaj shpeshherë lexojmë për "Terrorizmin islamik"! Kjo është bërë dhe vazhdon të bëhet nga qarqe destruktive, pasi veprimet terroriste nuk mund t'i vishen një feje hyjnore, e aq më pak Islamit, njashtu sikurse që nuk mund t'i vishen krishterizmit krimet që ka bërë njeriu i bardhë i Evropës ndaj të tjerëve, ose hebraizmit krimet që bëjnë çifutët ndaj palestinezëve, ose ortodoksizmit krimet që ka bërë Serbia në Ballkan dhe Rusia me popujt muslimanë të Kaukazit. Edhe pse vrasje me përmasa të tilla muslimanët nuk kanë bërë asnjëherë.
Edhe në botën islame, edhe në Perëndim, ka njerëz që besojnë se armiqësia dhe papajtueshmëria janë më të besueshme se sa respekti dhe bashkëpunimi i ndërsjellë. Por duhet të punohet që dallimet të mos jenë shkas për armiqësi, por të avancohen elementet dhe interesat e përbashkëta që do të mundësonin zhdukjen e padrejtësive që u janë bërë dhe vazhdojnë t'u bëhen muslimanëve.
Paraqitja dhe prezantimi i gabuar i Islamit përmes stereotipave armiqësore ose studimeve tendencioze të orientalistëve kanë bërë që të ketë shumë pak njohje rreth kontributit madhështor që muslimanët kanë dhënë në të kaluarën, por edhe për kontributin pozitiv që muslimanët mund të japin sot në shoqërinë perëndimore.
Si pasojë e të pavërtetave historike, edukimit eklektik, qëndrimit evrocentrist, gjë për të cilën përgjegjësinë e mbajnë veçanërisht qarqet ekstreme fetare, shtypi dhe mediat, në Perëndim është formuar një imazh i shtrembëruar dhe tejet i errët për Islamin. Mungojnë informacionet e sakta për islamin, kurse pjesa më e madhe e informacionit që qarkullon në Perëndim, s'është tjetër veçse një mori paragjykimesh negative për Islamin.
Është e vështirë të besohet se si në kohën e komunikimit kaq masiv dhe udhëtimeve të shumta të përditshme në të dy drejtimet të ketë kaq shumë dyshime mes këtyre dy botëve. Disa intelektualë në Perëndim shkojnë deri aty sa Islamin ta paraqesin si rrezik për Perëndimin dhe të parashohin konfrontim të pashmangshëm mes këtyre dy qytetërimeve. Në realitet për Perëndimin dhe shoqërinë bashkëkohore nuk është rrezik dhe kërcënim Islami, por degradimi shpirtëror dhe shthurja morale.
Megjithëse Islami gjatë historisë ka qenë tolerant ndaj të tjerëve, është tentuar dhe tentohet që ai të fajësohet me faje të rënda dhe kjo bëhet për arsye qëllimkëqija. Ekstremizmi nuk është karakteristikë e Islamit dhe as ekskluzivitet i muslimanëve. Lëvizjet raciste, fanatike religjioze dhe ideologjike gjenden në Lindje dhe në Perëndim, në Jug dhe Veri. Duhet bërë dallim mes atyre që e praktikojnë fenë e tyre me devotshmëri dhe ekstremistëve që e përdorin fenë si instrument për realizimin e qëllimeve të tyre.
Pikërisht për këtë duhet të bëhen përpjekje që t'i kontribuohet dialogut ndërkulturor duke prezantuar imazhin e vërtetë të kulturës dhe civilizimit islam para gjithë botës.
Muslimanët duhet të punojnë për ta bindur Perëndimin se Islami posedon shumë gjëra të domosdoshme që mund ta ndihmojnë atë për të dal nga kriza kërcënuese ekzistenciale, patologjitë e tmerrshme, degradimi moral, shkatërrimi i familjes, hedonizmi, egoizmi, plakja e popullatës, etj.. Asnjëra nga fetë qiellore apo nga pseudo-religjionet, përvec Islamit, nuk mund të kontribuojnë në lirimin e forcave që do të mundësonin tejkalimin e egoizmit qoftë të individit, apo të masës së gjerë.
Degradimi dhe shthurja masive në Evropë filloi aty diku para 250 vjetëve kur Perëndimi u dha ekstremisht pas racionalizmit duke injoruar plotësisht transcendenten. Nëse Perëndimi fillon t'i kthehet transcendentes, mund ta ndërpresë vetëvrasjen racionaliste. Në këtë drejtim, Krishterizmi nuk mund të ofroj shumë. Për shkak të korruptimit dhe devijimit ai ka humbur besueshmërinë, prandaj nuk është në gjendje që të ketë ndikimin e duhur në shoqëri. Triniteti dhe zoti i humanizuar është i papranueshëm për arsyen e perëndimorit.
Në islam nuk ekzistojnë enigma ose koncepte të palogjikshme që e hutojnë mendjen dhe e brejnë ndërgjegjen e njeriut. Islami si fe e pastër monoteiste pajtohet me arsyen e shëndoshë. Prandaj, ai ofron përgjigje dhe zgjidhje ndaj pyetjeve dhe fatkeqësive të shoqërisë bashkëkohore. Parimet islame janë të orientuara nga arritja e dobisë, mirëqenies dhe të mirës jo vetëm për muslimanët, por për mbarë njerëzimin.
Mu për këtë, Islami si fe me anë të mesazhit të tij hyjnor i jep njeriut shpresën për lumturi dhe është shpëtim për mbarë njerëzimin.
Autor: Ajni SINANI