Vlerat e ditëve të para të muajit Dhul-Hixhe
Shumë libra janë shkruar për vlerat e dhjetë ditëve të para të Dhul-Hixhes, dhe, pothuajse, e gjithë është thënë në lidhje me ibadetet dhe vlerat e tyre në këtë muaj të bekuar. Dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes janë ditë të bekuara. Kjo tregon në madhështinë e ditëve të zgjedhur, vlera e ibadetit e kryer në to dhe madhësinë e shpërblimit të Allahut për veprimet e kryera në to.
Për shkak të vlerës së tyre dhe bekimit, Allahu xh.sh., në Kuran betohet në to dhe thotë: "Pasha agimin dhe dhjetë netët", (Fexhr, 1-2). Ky është tregues më i mirë i vlerës së jashtëzakonshme të këtij muaji dhe falënderimi Allahut të Madhëruar, i cili na dha një tjetër mundësi për të përfituar nga të mirat e kësaj dhurate të bekuar! Sipas mendimit të Ibn Abbasit, ditët me të cilat Allahu betohet janë dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes.
Disa hadithe të bukura në lidhje me këtë muaj të bekuar
Ibn Abbasi r.a., transmeton se Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: "Nuk ka ditë në të cilën veprat e mira janë më të dashura tek Allahu se sa veprat e mira në këto ditë" - duke iu referuar dhjetë ditëve të para të Dhul-Hixhes, (Buhariu).
Pejgamberi s.a.v.s., e theksoi rëndësinë dhe madhësinë e këtyre ditëve në hadith, ku thotë: "Ditët më të mira në këtë botë janë dhjetë ditët e para të DhulHixhes". Imam Ahmedi transmeton se Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: "Nuk ka ditë më të mëdha (më me vlerë) e më të preferuara të Allahut të Plotfuqishëm për të bërë vepra të mira se në këto ditë, për këtë arsye, përmendni shpesh tehlil (La ilaheil-la Allah), tekbir (Allahu Ekber), dhe tahmid (Elhamdulillah)".
Arefati dita më e mirë e vitit
Dita më e mirë e vitit është dita e Arafatit. Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: "Asnjëherë më shumë njerëz nuk lirohen nga zjarri i Xhehenemit se sa në ditën e Arafatit", (Muslimi).
Arafati është edhe dita më e mirë për leximin e Kuranit. Ata që janë në Arafat, atë ditë, duhet të maksimizojnë dhe të bëjnë sa më shumë lutje (dua) që është e mundur, sepse ai është vendi ku pranohen duatë. Për ditën e Arafatit, Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: "Haxhi është Arafati", (Ahmedi).
Pejgamberi s.a.v.s., po ashtu, rreth kësaj dite, ka thënë: "Duaja më e mirë është duaja në Arafat", (Tirmidhiu dhe Ahmedi).
Agjërimi është ibadeti më i vlefshëm
Agjërimi si një lloj i veçantë i adhurimit në këto ditë të bekuara ka rëndësinë dhe vlerën e veçantë. Bazuar në praktikat e Muhammedit s.a.v.s., agjërimi është një nga veprat më të lavdërueshme në këto ditë të shenjta. Është prej synetit që të agjërohen nëntë ditët e para të këtij muaji, sidomos ditën e Arafatit.
Muslimi shënon se Pejgamberi s.a.v.s., për agjërim në ditën e Arafatit, tha: "Unë besoj se Allahu, për agjërim në ditën e Arafatit, do i fal mëkatet e vitit të kaluar dhe të ardhshëm", (Muslimi).
Haxhi kryhet në muajin Dhul-Hixhe
Në dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes, Allahu ka bërë obligim edhe kryerjen e haxhit. Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: "Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhennetit", (Buhariu dhe Muslimi).
Nëse gjithë kësaj i shtojmë që hanxhinjtë, gjatë kryerjes së Haxhit kanë mundësinë për të bërë disa namaze në harem të Qabesë, dhe që një namaz i falur në harem të Qabesë është më e vlefshme se njëqind mijë namazet e kryera në vende të tjera, e që kjo bëhet një motiv i fuqishëm i cili te njeriun zgjon dëshirën për kryerjen e Haxhit. Hanxhinjtë, haxhi i të cilëve është mebrur, kthehen në shtëpitë e tyre pa mëkate.
Ebu Hurejre r.a., thotë: "E kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s., kur tha: 'Kush e kryen haxhin për Allahun, kështu që nuk do të fletë fjalë të shëmtuarae as që mëkaton, ai do të kthehet (i pastër nga mëkatet), siç ishte në ditën kur e lindie ëma e tij'", (Buhariu).
Kurban bajrami dhe therja e kurbanit
Dita e dhjetë e Dhul-Hixhes është dita e parë e Kurban bajramit. Në ditët e Haxhit kryhet edhe një akt adhurimi e që është therja e kurbanit. Kurbanet i therin, sikur ata që kryejnë Haxhin, dhe ata që janë në shtëpitë e tyre. Therja e kurbanit daton nga paraardhësi jonë, babai në fe, Ibrahimi a.s., dhe përfaqëson një traditë të vazhdueshme që është praktikuar në të gjithë botën islame. Kush i afrohet Allahut xh.sh., atë ditë me prerjen (sakrificën) e kurbanit, me rënien pikëve të para gjaku nga kurbani i therur, Allahu xh.sh., i falë mëkatet tij dhe familjes së tij.
Veprat e mira që mund të bëjmë gjatë këtyre ditëve
1. Falja e namazeve nafile ditore dhe ato të natës.
Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: "Bëjë shumë sexhde, sepse nuk ka sexhde që do të bësh Allahut, e që Ai të mos të ngrit në derexhe (pozitë) më të lartë dhe të fshijë një gjynah". Seid ibn Xhubejri r.a., ka thënë: "Mos i fikni dritat tuaja në këto netë". Kjo tregon se këto netë kanë një vlerë të madhe, dhe se ibadeti në to ka shpërblim të posaçëm, siç është ndër to edhe falja e namazit vullnetar, leximi i Kuranit, etj., e që e gjithë kjo është traditë e të parëve tanë të pastër në fe.
2. Pendimi (Tevbe).
Edhe pse pendimi duhet të bëhet vazhdimisht, është veçanërisht e rëndësishme për të përfituar nga këto ditë të bekuara dhe sa më shumë duhet të pendohemi sinqerisht dhe t'i kthejmë zemrat tona ka adhurimi i Allahut Fuqiplotë dhe Falës i Madh.
3. Bamirësia ndaj prindërve.
4. Vizita e të afërmve, miqve, të sëmurëve.
5. Leximi i Kuranit dhe të mësuarit tjerëve Kuranin, veçanërisht në këto ditë.
6. Qëndrimi në xhami në mes të namazeve, sidomos qëndrimi në xhami pas namazit të sabahut e deri në agim, lindjen e diellit.
7. Bërja e dhikrit (të përmendurit e Allahut xh.sh., sidomos pas namazit, para gjumit, në mëngjes dhe mbrëmje, duke shqiptuar sa më shumë tehlila (la ilahe il-la Allah), Tekbir (Allahu Ekber), tahmid (Elhamdulillah).
8. Dhënie e sadakasë (lëmoshës).
9. Thirrja e njerëzve në fenë e Allahut, duke shpjeguar rregullat e fesë së Allahut për ata që kanë nevojë.
10. Ruajtja maksimale dhe largimi nga mëkatet, sidomos mëkateve të mëdha si: 'gibeti (thash e themnaja), gënjeshtra, shikimi në atë që nuk është e lejuar, kamata, ryshfeti, etj.'.
11. Shqiptimi i telbijes nga ana e haxhinjëve.
I pari i cili shqiptoi telbijen ka qenë Sumame ibn Usal r.a., sahabi i Pejgamberit s.a.v.s., i cili e pranoi islamin ne vitin e 6 hixhri, i cili ka qenë prijës i shquar dhe i pasur i fisit arab Benu Hanife. Ky para se të pranonte islamin para Pejgamberit s.a.v.s., u drejtua drejtë Mekës për të kryer umren, mirëpo rrugës e pranoi islamin, dhe kështu kërkoi leje nga Pjegamberi s.a.v.s., që të kryen umren për çka kishte bërë edhe nijet përpara. Pejgamberi s.a.v.s. ia mësoi rregullat e umres dhe ia lejoi kryerjen e saj. Kur arriti në Mekë filloi shqiptimin e telbijes (Lebbejke Allahumme lebbejke) në prani të mushrikëve të Mekës, dhe qe i pari mysliman që e shqiptoi telbijen.
Këto janë vetëm disa nga veprat që ne mundemi dhe duhet të bëjmë gjatë këtyre ditëve të bekuara. Gjëja më e rëndësishme në gjithë këtë është që ne të kemi qëllim të pastër për ta bërë këtë vetëm në emër të Allahut dhe kënaqësinë e Tij, me shpresë që të meritojmë mëshirën dhe faljen e Tij.
Autor: Azmir JUSUFI