A ka filluar me të vërtetë Ramazani?



Përcaktimi i ramazanit bëhet kryesisht në bazë të dy metodave:

1. - Me anë të syrit.

2. - Me anë të mjeteve astronomike (teleskopit e të ngjashme).

Shtetet arabe kanë përzgjedhur metodën e parë, përderisa Turqia të dytën.

Ata të cilët dje deklaruan se ramazani fillon të ejten, në njoftimet zyrtare (qoftë të Saudisë, Kuvajtit apo shteteve tjera) nuk e kanë parë fare hënën (as të plotë e as të re), në të gjitha njoftimet e tyre, thuhet: "Është pamundësuar pamja e hënës"! Kjo është një mundësi probabiliteti ku gjasat janë 50 me 50, ndoshta ka qenë hëna e re, por është pamundësuar pamja e saj, për shkak të specifikave të ditës së parë, por ndoshta ka qenë dita e fundit e muajit (Shaban). Arabia Saudite disa vite nuk e ka parë hënën në ditën e parë të Ramazanit, por kanë vepruar në bazë të plotësimit të 30 ditëshit të muajit Shaban.

Ata të cilët kanë deklaruar se ramazani fillon të mërkurën, janë bazuar në mjetet astronomike, ku fundi i muajit (Shaban) mbaron të martën afërsisht me namazin e ikindisë. Mjetet teleskopike janë më efikase me qindra herë se sa syri i njeriut. Ato janë në gjendje ta përcaktojnë saktësisht mbarimin e muajit hënor, jo vetëm me ditë e me orë, por edhe me minuta.

Shkencëtarët turq që kanë përdorur mjetet astronomike (lexo: teleskopike) për shënimin e fillimit të muajit Ramazan, kanë potencuar se muaji Ramazan, fillon të mërkurën, ngase hëna e re fillon ditën e martë saktësisht në ora 3:48 minuta me kohën e Mekkës, apo 4 orë e katër minuta para namazit të akshamit. Gjatë viteve të fundit, shkencëtarët turq nuk kanë bërë asnjë huqje në (për)caktimin e muajve hënor, madje preciziteti ka qenë edhe me minuta.

Problemi: 'Hëna e re gjatë ditës-natës së parë mund të shihet vetëm dy minuta, jo më tepër se aq, prandaj kjo çështje është komplekse në vete'. E, nëse për aq minuta nuk mund ta specifikojnë mjetet e avancuara si teleskopi e të ngjashme, çfarë të themi për syrin e rëndomtë të njeriut?

Zgjidhja: Hadithi: "Agjëroni kur e shihni hënën ..." nuk nënkupton patjetër syrin e rëndomtë, e as që nënkupton mos-marrjen për bazë të mjeteve astronomike, sidomos në kohën kur shkenca me mjetet astronomike është në gjendje të përcakton edhe detajet më të vogla rreth kësaj çështje.

Është koha për dalje nga rrethi vicioz klasik dhe për një reflektim aktual!



Autor: Ejup HAZIRI, 2018 Darusselam.



Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...