Shehadeti - thelbi i jetës së muslimanit
"Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t'ua vënë veshin", (Ibrahim: 24-25).
Ky ajet e përngjet fjalën e mirë/kelimeh tajibbeh me shehadetin/dëshminë, ndërsa pemën e mirë me besimtarin. Dëshmia në brendinë e zemrës së besimtarit është e thellë ashtu siç janë të thella rrënjët e pemës në brendinë e tokës.
Besimi se Allahu xh.sh. është Zoti i botëve dhe Sundimtar i të gjithave, është vepër e zemrës. Por ky besim përfshin sjelljen, veprën dhe adhurimin. Prandaj, shehadeti, si shtyllë e parë e Islamit, është një dëshmi e hapur, ose manifestim i besimit. Për rrjedhojë për secilin është obligim deklarimi i tij. Këto fjalë të bukura janë themeli i Islamit dhe vetë esenca e tij. Ato e dallojnë muslimanin nga mosbesimtari, apo idhujtari, që krahas Allahut beson edhe zota të tjerë.
Shehadeti është fjalëkalimi me të cilin hyhet në jetë, jetohet në këtë botë dhe kalohet në botën tjetër. Ai është një kartë identiteti shpirtëror e fetar i çdo muslimani. Ai ishte, është dhe do të mbetet, himni i njeriut për Zotin.
Këto janë fjalët e para që i lexohen foshnjës të sapolindur, dhe fjalët e fundit që i thekson muslimani në çastet para vdekjes. Përsëriten më shumë se cilado fjalë tjetër, në cilëndo gjuhë. Ato janë në ezanin që këndon myezini për namaz, pesë herë gjatë ditës, nga çdo minare gjithandej botës. Secili, që e pranon vërtet kuptimin e tyre, është musliman.
Prandaj, shehadeti nuk është vetëm çështje formale. Ai është strumbullar dhe thelbi i jetës së muslimanit, i pranishëm në shpirtin e tij dhe vepër që nga lindja deri në vdekje.
Ai është e vërteta dhe adresa e Islamit, është fusha e gjerë e shtyllave të Islamit,është motivi dhe qëllimi, është fillimi dhe fundi.
I gjithë Islami përmblidhet pikërisht te dëshmia La ilahe il'la Allah: se nuk ka Krijues, Adhurues, Ligjdhënës dhe Gjykues përveç Allahut. Kjo nënkupton se duhet ta adhurojmë dhe të jemi robër vetëm të Tij, ta respektojmë dhe ta zbatojmë Ligjin e Tij dhe të përgatitemi për gjykim para Tij.
Emri Allah, që do të thotë i adhuruar, është i posaçëm vetëm për Të, nuk ka gjini dhe as trajtë. Ai është vetë Zoti, i Përhershmi, Krijuesi, Transcendenti. Atij s'i përngjan asgjë. Ai përgjithmonë është absolutisht i vetëm dhe nuk ka shokë, ortakë apo rivalë.
Dëshmia se nuk ka zot përveç Allahut është principi më revolucionar që i është kundërvënë atyre që kishin përvetësuar prerogativa hyjnore dhe që punonin sipas ligjeve që nuk i kishte shpallur Zoti.
Ajo është frazë e thjeshtë por shumë kuptimplote, e lehtë për t'u deklaruar, me domethënie të jashtëzakonshme dhe shumë e dashur për zemrën dhe shpirtin e njeriut. Me të mohohet politeizmi, mënjanohet dyshimi në gjuhë dhe zemër dhe shprehet përkatësia islame me bindje, përkushtim, sinqeritet e çiltërsi.
Dëshmia përbëhet nga dy deklarata: Deklarata e parë, "nuk ka zot, përveç Allahut", konfirmon që intelekti njerëzor pranon realitetin hyjnor. Kurse deklarata e dytë "Muhammedi është i dërguar i Zotit", konfirmon pejgamberinë e Muhammedit a.s..
Ebu Seid el Hudari tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: "Kush thotë me sinqeritet La ilahe il'la Allah do të hyjë në xhenet". Dikush pyeti: Ku konsiston ai sinqeritet? Pejgamberi a.s. iu përgjigj: "Ta ndalojë nga gjërat që janë të palejueshme".
Gjithashtu Pejgamberi a.s. ka thënë: "La ilahe il'la Allah është çelës i Qiejve dhe Tokës". Kjo Dëshmi është me kuptim madhështor, sepse tregon kategorisht se çdo gjë tjetër, përveç Allahut, është e krijuar dhe nuk është zot. Prandaj, kujtdo që i atribuohet cilësia e të qenit zot, pos Tij, është mashtrim dhe e pavërtetë.
Kur'ani e lufton shirkun/politeizmin, që është adhurim i zotave të rremë dhe e konsideron atë si një krim të rëndë të cilin Zoti nuk e fal: "Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush (apo diçka) tjetër veç Atij", (En-Nisa: 48). Kur është pyetur Pejgamberi a.s. për mëkatin më të madh ai ka thënë: "T'i bësh shok Allahut, sakaq që Ai të ka krijuar".
Shehadeti përmban dy elemente shumë të rëndësishme: Mohimin se ndonjë krijesë posedon cilësi hyjnore, dhe pohimin e këtyre cilësive vetëm për Allahun që është Një dhe i Vetëm.
Çdo qenie e gjallë, esencialisht, e di dhe e konfirmon ekzistimin e Allahut, Një dhe të Vetëm. Të gjithë të dërguarit e Zotit, gjatë epokave të ndryshme historike, kanë përkujtuar këtë të vërtetë dhe kanë ftuar në La ilahe il'la Allah. Prandaj, refuzohet çfarëdo robërimi ndaj tjetërkujt, sepse ky robërim është ekskluzivisht ndaj Allahut: "Ne nuk kemi dërguar asnjë të dërguar para teje, që të mos i kemi shpallur se: 'S'ka zot tjetër përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm) Mua'!", (El-Enbija: 25).
"Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): 'Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt'!", (En-Nahl: 36).
Thirrësi i njohur amerikan Hamza Jusuf tërheq vëmendjen për faktin se katër fjalët e "La ilahe il'la Allah" formulohen prej tre shkronjave "Elif", "Lam" dhe "Ha". Me këto tri shkronja shqiptohet edhe fjala "ilah". Fjala arabe ilah - Zot nënkupton qenien që, për shkak të fuqisë dhe madhështisë së saj, është e denjë të adhurohet dhe prej së cilës të tjerët janë të varur, kurse ajo nuk është e varur prej askujt dhe asgjëje. Ajo, po ashtu, përmban kuptimin e sekretit dhe fshehtësisë. Ilah është qenie e padukshme dhe e paperceptueshme.
Prandaj, kur Muhammedi a.s. iu tha idhujtarëve Kurejshë: "Thoni: La ilahe il'la Allah", ata u përgjigjën: "A mos kërkon ai, që të gjithë zotat t'i bëjë një ilah/Zot të Vetëm?", (Sad: 5). Populli i Hudit a.s. tha: "Ata thanë: 'A mos na ke ardhur që të adhurojmë vetëm Allahun, e t'i lëmë zotat që kanë adhuruar prindërit tanë'?!", (El-A'raf: 70).
Fjala ilah d.m.th edhe zot apo çdo gjë tjetër, qoftë njeri, kafshë, idhull apo ide që adhurohet nga frika apo dashuria. Të besuarit bindshëm në Allahun paraqet mohim dhe mosbesim ndaj tyre. Ky besim flak tutje mbeturinat dhe gjurmët e mosbesimit apo besimeve të kota. Kjo për shkak se zemra e muslimanit lirohet nga të gjitha format e idhujtarisë dhe politeizmit, nga bindja dhe besimet e rreme, nga veset dhe dëshirat e ulëta, nga shkuarja drejt hapave të shejtanit dhe dhënia pas pasioneve dhe epshit.
Ka njerëz që marrin për 'ilah' edhe nepsin e tyre: "A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për 'ilah' (zot)?", (El-Furkan: 43). Ibadeti përfshin çdo formë dhe lloj të adhurimit ndaj Allahut, që buron nga besimi me zemër, nëpërmjet bindjes, dashurisë së zjarrtë dhe përuljes.
Prandaj robi, çdo aspekt të ibadetit, duhet t'ia dedikojë vetëm Allahut, sikurse janë lutjet, frika, dashuria, mbështetja, respekti, sakrifica dhe therja e kurbanit, betimi, rukuja dhe sexhdja. Allahu ia ka vënë botën në shërbim njeriut sepse ajo i takon atij, kurse njeriu duhet t'i shërbejë Krijuesit sepse ai i takon Zotit.
Adhurimi dhe bindja ndaj Zotit e mbron njeriun nga përulja dhe robëria ndaj të tjerëve. Shehadeti e ndalon njeriun që të besojë në çfarëdo zoti, përveç Zotit të vërtetë, apo që të përulë kokën apo t'i përshkruajë ndonjë krijese cilësi hyjnore. Kjo i jep njeriut pavarësi dhe dinjitet. Njeriu i nënshtrohet vetëm Zotit dhe ai nuk u krijua që të ngrejë krye dhe të jetë rival me Krijuesin, por ta adhurojë Atë.
Dëshmia e parë
Dëshmia e parë "La ilahe il'la Allah" - bën dallimin e të Vërtetit nga e pavërteta; të Absolutit nga relativja, të Allahut nga çdo gjë tjetër ekzistuese. Kjo dëshmi ka Zotin e vet, i Cili është Një dhe i Vetëm dhe s'ka qenie tjetër, pos Tij, që ka fuqi hyjnore. Ajo përmban njëkohësisht mohim dhe pohim, besnikëri e përbuzje, lojalitet e mospërfillje. Lojalitet ndaj Allahut që është Zoti i gjithësisë dhe mospërfillje ndaj çdo sendi dhe çdo gjëje që adhurohet përveç Allahut: "Ndiqni atë që ju është zbritur nga Zoti juaj e mos ndiqni mbrojtës të tjerë, përveç Tij", (El-Araf: 3). Ajo i zhvleftëson pseudoforcat dhe pseudoatributet që u përshkruhen idhujve.
Pjesa mohuese
Pjesa mohuese "La ilahe" nuk ka zot mohon që krijesat të kenë realitet thelbësor dhe të pavarur dhe flak tutje nga i Vërteti realitetet false dhe zotat e rremë. Ajo është të folurit negativ që e largon zemrën prej idhujve, prej prirjeve negative e egoiste (nefsani) që e çojnë atë në indiferentizëm dhe hutim.
Ndërmjet "la" (nuk ka) dhe "il'la" (përveç), ndërmjet mohimit dhe pohimit që janë në maksimën e shehadetit, gjendet i tërë besimi. Me "la" mohuese mohohet hyjnia e çdo gjëje që na mashtron dhe na josh nga të mirat e kësaj bote, si: pasuria, dinjiteti, pozita, sundimi, çdo formë e kënaqësisë, luksi, gratë, krenaria. U themi "Jo!" të gjithë atyre që kërkojnë nga ne t'i adhurojmë në vend të Zotit.
Fjala "ilahun" është "failun", ndërsa "failun" do të thotë ai i cili vepron. Te ne ai që vepron është Zoti, kurse çdo gjë tjetër është mjet.
Pjesa pohuese
Pjesa pohuese "il'la Allah" - përveç Allahut pohon që realiteti hyjnor është ekzistenca thelbësore dhe absolute. Të qenit e Zotit është thelbësor e i vetvetishëm dhe vetëm Ai i jep ekzistencë të tjerëve. Faktin se s'ka zota të tjerë përveç Allahut e vërtetojmë me pjesëzen "il'la". Ajo tregon se askush tjetër, përveç Allahut, nuk e gëzon të drejtën e adhurimit. Prandaj të qenit zot (hyjnia) i përket vetëm Allahut dhe kjo prerogativë i mohohet çdo gjëje përveç Tij. Një bindje e këtillë e mbush zemrën e besimtarit me nurin e imanit dhe e bën të kuptojë madhështinë e Krijuesit dhe vogëlsinë e tij para Zotit.
Pejgamberi a.s. ka thënë: "Allahu ishte, e asgjë nuk ishte me Të". Kjo do të thotë se e gjithë ekzistenca është e krijuar dhe e ndarë si diçka tjetër nga Zoti.
Dëshmia e dytë
Dëshmia e dytë "Muhammedun resulullah" - Muhammedi është i dërguar i Allahut do të thotë të pranuarit e sistemit hyjnor që ka shpallur Krijuesi për besimtarët. Muslimanët duhet ta ndjekin ligjin e Krijuesit (sheriatin) dhe të përpiqen ta realizojnë atë në jetën e tyre të përditshme. Me këtë mision erdhi Muhammedi a.s..
Besimet e korruptuara dhe të shtrembëruara, që besonin zota të rremë, e kishin katandisur shoqërinë dhe kishin topitur mendjen e njerëzve. Idhujt dhe putat ishin vendosur padrejtësisht në brendi të Qabesë dhe kishin pushtuar mendjet dhe çoroditur imagjinatën e njerëzve.
Muslimanët e parë, pasi që rrënuan idhujt e rremë në zemrat e tyre, me rastin e çlirimit të Mekës, i thyen idhujt dhe putat që ishin vendosur nga idhujtarët brenda Qabesë.
Prandaj shehadetin duhet ta pranojmë me vetëdije të plotë, në mënyrë që ai të ndikojë plotësisht duke zbrazur tërësisht zemrën, mendimet dhe sjelljet tona nga çdo nuancë e mosbesimit, politeizmit apo besimeve të rreme dhe feve të shpikura a të devijuara.
Zemrën e njeriut, në të cilën ka depërtuar dhe është qëndisur "La ilahe il'la Allah", mund ta krahasojmë me pasqyrën tek e cila arrin drita dhe që e reflekton atë tek çdo gjë që e rrethon. Zemra e muslimanit është si zemra e trëndafilit që shpërndan aromën tek ata që janë rreth tij. Dëshmia e Zotit Një e të Vetëm, Krijuesit të gjitha botëve, është ruajtur në thellësi të zemrës së bijve të Ademit.
Për babanë dhe nënën e njerëzimit, kjo dëshmi ishte një realitet i plotë që nga momenti i krijimit të tyre. Ademi a.s. pati mundësinë të jetojë në njohjen direkte të Zotit. Ai u ngarkua që këtë dije direkte t'ua përcjellë bijve të tij. Edhe Hazreti Hava kishte qëndruar me bashkëshortin e saj në xhenet. Ne bijtë e Ademit, përveç pejgamberëve, nuk patëm fatin të jetojmë në njohjen direkte të Zotit.
Megjithatë, edhe ne, trashëguesit e tyre, kemi qenë dëshmitarë në 'alemu dherr'. Njeriu, vetja e tij, shpirti i tij, tashmë e ka pranuar Allahun si Zot të vetin, madje qysh para ekzistencës së tij si njeri. Prandaj, ai, si i tillë, do ta njohë dhe do ta pranojë Krijuesin e tij, Jetëdhënësin dhe Furnizuesin e tij. Kemi pranuar amanetin e fesë dhe përgjegjësinë që nuk e pranuan toka dhe qiejt.
Fitrah
Fitrah, që është besimi në ekzistencën e Zotit dhe pranimin e hyjnisë së Tij, është ngulitur dhe qëndisur në shpirtin e secilit njeri. Muhammedi a.s. thotë: "Çdo foshnje lind me natyrë të pastër (fitrah), prindërit pastaj e bëjnë atë çifut, të krishterë, etj., ...". Ebu Hurejre thotë nëse doni lexoni: "fitretallah el leti fatare en nase alejha ... natyrën (e pastër) fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit ...", (Er-Rum: 30).
Mu për këtë tevhidi është i hershëm sa vetë njeriu. Ai është fitrah, diçka e lindur dhe e natyrshme prandaj nuk mund të fshihet, por mund të turbullohet, të mbulohet me simptomat e mosbesimit dhe politeizmit. E nëse largohen këto simptome dhe shkaqet e tyre, njeriu kthehet prapë në natyrën e tij dhe e beson Zotin.
Në një hadith kudsi, Allahu i Madhërishëm thotë: "I krijova robërit e Mi të pastër. U erdhën djajtë dhe i larguan nga feja e tyre, ua lejuan atë që ua kisha ndaluar dhe i urdhëruan që të më bëjnë shok, ndonëse për këtë nuk u kisha zbritur kurrfarë argumenti",(transmeton: Ahmedi).
Politeizmi është si pasojë e defektit të natyrës së njeriut dhe besimit të rremë në zota të supozuar. Me kalimin e kohës, për fat të keq, pas Ademit a.s., shumë njerëz, nën ndikimin e shejtanit, u mashtruan, u larguan nga rruga e drejtë dhe e thyen zotimin e dhënë. Kjo çoi në traditën dhe praktikën e politeizmit.
Për shkak të devijimit të tyre nga Rruga e Vërtetë, njerëzit, nga padija, adhuruan si zot diellin, hënën, idhujt prej druri dhe guri, zjarrin, kafshët, njerëzit e shenjtë sikurse budistët, lopën sikurse hindusët, pejgamberët sikurse hebrenjtë Uzejrin, dhe të krishterët Isain a.s..
Por, i dashuri Allah, me urtësinë e Tij të përsosur dhe mëshirën e pafund ndaj pasardhësve të Ademit, në intervale të caktuara kohore, ka përzgjedhur pejgamberë dhe përmes tyre ka shpallur libra që kanë pasur një qëllim të vetëm: t'iu kërkojnë njerëzve t'i kthehen Allahut dhe t'i binden vetëm Atij. Në këtë kanë insistuar Suhufet e Ibrahimit, Tevrati, Zeburi, Inxhili dhe Kurani fisnik.
Imani në Allah është gjëja më fisnike dhe më e madhërishme në këtë botë. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Gjëja më me vlerë që kam thënë unë dhe pejgamberët para meje është: Nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Atij i përket i gjithë pushteti dhe falënderimi dhe Ai cakton fatin e të gjithëve". Mendimtarët më të njohur të botës pohojnë se harmonia universale e universit tregon qartë për Zotin i cili i di dhe i sheh kufijtë e gjithësisë, fillimin dhe fundin e saj. Prandaj dijetarët, duke e soditur dhe studiuar botën, arrijnë te dëshmia e vërtetë dhe e drejtë: "Allahu dëshmon, e po ashtu edhe melekët, dhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë", (Ali Imran: 18).
Fjala më e rëndë në peshore
Muhammedi a.s. thotë: "Pa dyshim, ditën e kiametit Allahu do të nxjerrë në shesh një person nga ummeti im, pastaj do të hapen para syve të tij plot nëntëdhjetë e nëntë regjistra (me veprat e tij), secili aq i madh sa mezi ta rrok syri ... dhe do t'i nxjerrë atij një letër ku është shkruar: "La ilahe il'la Allah, Muhammedun resulullah" ... Në njërën anë të peshores do të vihen regjistrat e në anën tjetër letra me shkrimin e Dëshmisë. Ana me letrën do të rëndojë më shumë se gjithë ai numër regjistrash! Sepse emrin e Allahun nuk mund ta masë asnjë peshore", (Tirmidhi).
Gjithashtu Muhammedi a.s. tregon se Allahu xh.sh. i ka thënë Musait a.s.: "O Musa, po qe se shtatë kate qiej e shtatë kate tokë vihen në një anë të peshores dhe 'La ilahe il'la Allah' të vihet në anën tjetër, 'La ilahe il'la Allah' peshon më rëndë se to!", (Nesai).
Besimi islam e pohon robërinë, por vetëm ndaj Allahut xh.sh., sepse në realitet kjo është çlirim i vërtetë ndaj çdo nënshtrimi tjetër pos Allahut. Maksima kur'anore 'La ilahe il'la Allah' kërkon që njeriu ta rregullojë jetën e vet sipas saj, dhe jo vetëm ta përsërisë me gjuhë. Ajo është program i jetës.
E drejta e Allahut është që të kërkojë nga robërit e Vet që ta adhurojnë vetëm Atë. Allahu është më i madhi, më i madh se gjithësia e dukshme, më i madh se të gjitha hapësirat e fshehta të universit. Prandaj kordat e zemrave të muslimanëve e përsërisin: Ti, Ti je Allahu, i Madhi, Furnizuesi, i Gjithëmëshirshmi, Fuqiploti, i Përhershmi, i Bukuri, Madhështori. Ti, Ti je Allahu që nuk ka Zot tjetër përveç Teje. O, Zot bëje zjarrin e ndaluar për atë që e beson dhe e lexon këtë dhe vendose në vendin më të lartë në Firdeus!
Allahu është gjithmonë një Zot, nuk ka tjetër pranë Tij: "Thuaj Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm." Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!", (El-Ihlas: 1-4).
Lavdëruar qofsh o Allah i Madhërishëm që, me mirësinë Tënde, na dërgove Muhammedin a.s. të na nxjerrë nga terri në dritë, nga errësirat e mosbesimit dhe adhurimit të krijesave në dritën e adhurimit Tënd, Një dhe të Vetëm! Lavdëruar qofsh o Krijuesi ynë dhe të i gjitha krijesave!
Autor: Mr. Ajni SINANI