Ajetet e agjërimit
Në kaptinën "el-Bekare", në lidhje me agjërimin janë pesë ajete që flasin për të, njëri pas tjetrit. Po që se studiohen mirë, atëherë do të del në pah një element tepër i rëndësishëm, që mund të quhet mrekulli në vete. I kam shqyrtuar të gjitha këto ajete, njërin tek tjetri dhe kam ardhur në këtë përfundim:
Ajeti i parë: Platforma e agjërimit
"O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm."
Në këtë ajet, Allahu shfaq platformën e agjërimit në tre hapa:
1). dedikimi (besimtarëve),
2). kontinuiteti dhe kronologjia e agjërimit (thuajse tek të gjithë popujt), dhe
3). synimi i agjërimit (devotshmëria-kalimi në një stad më të mirë dhe më të kënaqshëm, gjegjësisht ndryshimi i vetvetes).
Ajeti i dytë: Toleranca
"(jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompenzim, ushqim (ditor), i një të varfëri ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është më mirë për te. Mirëpo, po që se dini, agjërimi është më i mirë për ju."
Në këtë ajet, Allahu shfaq mëshirën e Tij që ka kapluar çdo gjë, duke treguar se bëhet fjalë vetëm për disa ditë të caktuara dhe se tregon edhe për (disa nga) grupet e liruara nga agjërimi. Me fjalë tjera tregon për tolerancën e agjërimit, duke lënë hapur derën ndonëse bëhet fjalë për një adhurim shumë të veçantë.
Ajeti i tretë: Privilegjet
"(ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramazanit që në te (filloi të) shpallet Kur'ani, që është udhërëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aqë ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështërsim për ju. (të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se u udhëzoi dhe që të falenderoni."
Ky ajet flet për mirësitë dhe privilegjet e mëdha të agjërimit, e si mund të ketë privilegj më të madh se ai që takimi i tokës me qiellin ndodhi në këtë muaj me zbritjen e Kur'anit, ku shkëndijat hyjnore nga qielli larguan errësirën e madhe të tokës?
Ajeti i katërt: Rezultati
"E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua."
Përmes këtij ajeti tregohet se lutja e robit është e pranuar dhe se Zoti është përherë afër robit të Vet. Ai është në gjendje përherë për t'iu përgjigjur robit të Tij. E, si mund të ndihet robi i anashkaluar përderisa qëndron pranë portës së Tij? E, si mund të jetë i vetmuar, gjersa është i shoqëruar me Të. Ndonëse ky ajet në mënyrë decidive nuk flet për agjërimin, ai ka hyrë në mes të ajeteve të agjërimit dhe tërthorazi ndërlidhet me agjërimin si adhurim diskret, ashtu siç është edhe lutja.
Ajeti i pestë: Normativat
"Natën e agjërimit u është lejuar afrimi të gratë tuaja, ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato. Allahu e di se ju e keni mashtruar vetveten, andaj ua pranoi pendimin tuaj dhe ua fali gabimin. Tash e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar Allahu dhe hani e pinin derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje. E kur jeni të izoluar (në i'tikafë) në xhamia, mos t'u afroheni atyre (për marëdhënie intime). Këto janë dispozitat e Allahut, pra mos i kundërshtoni. Ja kështu, në këtë mënyrë Allahu ua sqaron njerëzve argumentet e veta që ata të ruhen."
Ky ajet flet për rregulla, dispozita dhe norma dhe se ato vijnë krejtësisht në fund, pasi që të arrihen hapat tjerë. Jo e rastësishme, që normat, jo vetëm tek ky rast, por edhe tek rastet tjera, gjithnjë kanë ardhur në fund. Për dallim nga e tashmja, që njerëzit së pari vendosin normat, e pastaj elementet tjera mbesin pa kuptim. Kjo tregon se predikimi nuk po bëhet nga hapat e parë, por është filluar nga fundi, prandaj si të presim rezultate?
Autor: Ejup HAZIRI