Nata e madhe e Regaibit



Fillim i tre muajve të dalluar - "O Zoti ynë, na begato në (muajt) Rexheb dhe Sha'ban dhe mundësona ta arrijmë Ramazanin", (Hadithi sherif).

Është më se e ditur se Allahu i Lartmadhërishëm ndër muajt më të mirë të vitit, ka zgjedhur muajin e Ramazanit, ndër netët më të mira, e ka zgjedhur Natën e Kadrit, ndër ditët e vitit, e ka zgjedhur ditën e Xhuma, ndër vendet më të bekuara, e ka zgjedhur Mekën, kurse ndër njerëzit e ka zgjedhur Hzr. Muhamedin (a. s.).

Kur jemi te netët e mëdha, ose të mira, duhet të konstatojmë se ato janë: Nata e Regaibit, Nata e Beratit, Nata e Israsë e Miraxhit dhe Nata e Kadrit.

Në vazhdim, shkurtimisht, do të shkruajmë për Natën e Regaibit.

Ç'është Nata e Regaibit?

Në gjuhën arabe "Regaib" është shumësi i fjalës "ragibe", që do të thotë: "dëshirë, gjë e dëshiruar, dhunti, dhuratë, shpërblim, nxitëse për vepra të mira", mbase ka edhe kuptime të tjera.

Në aspektin fetar fjala është për Natën e Madhe, e cila i paraprin xhumasë së parë të muajit hënor Rexheb, kur edhe fillojnë tre muajt e mëdhenj.

Sipas kalendarit hënor, Nata e madhe e Regaibit bie në natën e xhumasë së parë (nata që lidh ditën e enjte me të premten) të muajit Rexhep, i cili është edhe muaji që iu paraprin muajve Sha'ban dhe Ramazan. Në fakt, çdo natë e xhuma është e madhe dhe e bekuar, por kur këto dy net bien bashkë, siç është rasti me Regaibin, atëherë ajo natë bëhet ku e ku më e mirë, më e madhe, më e bekuar, më e rëndësishme dhe më e dobishme.

Sipas mendimeve të dijetarëve islamë, në këtë natë Allahu i madhëruar e ka begatuar hazreti Muhamedin (a. s.) me dhunti dhe dhurata shpirtërore shumë të çmuara. Edhe i Dërguari ynë i dashur, në këtë natë, e ka lavdëruar dhe falënderuar Allahun (xh.sh.) me lutje, teube, kërkim falje (istigfar) dhe me namaz. Ekziston edhe një mendim sipas të cilit tregohet se në këtë natë të bekuar, nëna e Pejgamberit tonë Emineja e kishte ndierë veten se kishte ngelur shtatzënë dhe se do të ishte nëna e më të dashurit të Allahut (xh.sh.), e më të zgjedhurit të njerëzimit.

Myslimanët e mëhershëm, kësaj Nate të madhe të Regaibit i kanë kushtuar kujdes meritor. Me ligjëratat dhe vazet e tyre popullit ia kanë bërë me dije se cila është rëndësia dhe vlera e kësaj nate, duke e ilustruar me praktikën e Pejgamberit (a.s.). Nuk ka dyshim se në këtë natë, falë mëshirës së Mëshiruesit, pranohen lutjet, kërkim faljet, pendesat e robërve besimdrejtë.


Regaibin duhet begatuar me ibadete e sadaka

Në një hadith të transmetuar nga Enesi (r.a.), Pejgamberi kishte thënë: "Kujdes, përpiqu të rrish zgjuar natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep, të mos e kalosh atë në shkujdesje, sepse melaqet asaj nate ia kanë vënë emrin Regaib"! Ndërsa në disa hadithe të tjera për rëndësinë e kësaj nate, Pejgamberi (a. s.) thotë: "Atë që e vlerëson natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep (pra Natën e Regaibit), Allahu i madhëruar nuk e dënon në varr". Pastaj: "Lutja që bëhet në këto pesë net nuk kthehet mbrapsht: Në natën e Regaibit, natën e 15 të Sha'banit, natën e Xhuma, natën e Bajramit të Ramazanit dhe natën e Kurban Bajramit"!

Duke u bazuar nga sa u tha më sipër, nga besimtarët tanë kërkojmë që këtë Natë të Madhe të Regaibit ta kalojmë sa më shumë me ibadet-adhurim, duke agjëruar ditën e enjte dhe duke vazhduar më pas me namaz nafile, duke dhënë sadaka e duke ndihmuar edhe të afërmit po edhe nevojtarë, duke i dërguar salavate e selame Pejgamberit (a.s.) pa ja ndarë, duke gëzuar anëtarët e familjes e në veçanti fëmijët.

Nuk duhet harruar traditën e të parëve tanë që këtë natë, si dhe netët e tjera të mëdha, e kanë shënuar edhe me pak hallva apo ëmbëlsirë tjetër, të cilën ua kanë ndarë edhe fqinjëve të tyre. Besimtari duhet që në çdo kohë, por sidomos në netët e mëdha (të mira) të bëjë përpjekje që, edhe nëse ka qenë i hamendësuar, t'i kthehet Krijuesit, ta braktisë rrugën e gabuar dhe të pendohet sinqerisht. Kur njeriu është i vetëdijshëm për rrugën e gabuar që ka ndjekur, pendohet dhe bënë kërkim falje, s'ka dyshim se Allahu është "Gafurrun Rrahim" - "Falës dhe Mëshirues".

Prandaj, ditët dhe netët e mëdha janë rast i volitshëm për ta përmirësuar gjendjen e padëshirueshme në të cilën kemi qenë dhe përfundimisht të largohemi nga gjynahet dhe të hedhim hapa të rëndësishëm drejt mirësive. Natën e madhe të Regaibit, sikundër edhe netët e tjera të mëdha, duhet begatuar me vizitat që u bëhen në këto kohë të afërmve, fqinjëve, të sëmurëve, apo shoqërisë, duke e uruar dhe lutur Allahun për mirëqenie të përgjithshme.

Leximi ose dëgjimi i Kuranit, - duke u angazhuar që sa më shumë të veprojmë sipas mësimeve dhe rekomandimeve të tij, - është një tjetër dimension që e begaton këtë natë të madhe. Edhe agjërimi i ditës së enjte, që i paraprin kësaj nate të madhe, është me përplot sevape, sikurse edhe falja e namazeve kaza dhe të luturit e Allahut të Lartësuar për të na falur neve, prindërit tanë, trashëgimtarët tanë dhe të gjithë besimtarët. Në këtë natë të madhe, shpërndarja e sadakasë jetimëve e nevojtarëve, është shumëfish e shpërblyer nga ana e të Madhit Zot.

Transmeton Ebu Hurejreja se si Pejgamberi (a.s.) me një rast ka thënë: "Allahu (xh. sh.) në një hadith kudsij ka thënë: "I kam shpallur luftë atij që bëhet armik i mikut tim. Për Mua vepra më e dashur me të cilën robi Im mund të më afrohet, janë farzet. Robi im më afrohet me nafile deri sa ta dua, e kur ta dua bëhem dëgjimi (veshi) i tij me të cilin dëgjon, shikimi i tij (syri) me të cilin sheh, dora e tij me të cilën merr (kap) dhe këmba e tij me të cilën ecën. Nëse më lutet, do t'i përgjigjem, e nëse e kërkon mbrojtjen Time, do ta mbroj".

Prandaj, të lutemi të gjithë, ditë e natë dhe pa ja ndarë, që Allahu (xh.sh.) të na begatojë në muajt Rexheb dhe Shaban dhe të na mundësojë që ta arrijmë muajin Ramazan. Ta përjetojmë në shpirt kënaqësinë e netëve të mira dhe të muajit të Ramazanit e të angazhohemi për të merituar mëshirën e Krijuesit. Ai, Allahu vërtet është i Mëshirshëm!



Autor: Resul ef. REXHEPI



_________________________

[Marr nga libri: Tema islame (festat, ditët dhe netët e mëdha), të autorit Resul Rexhepi, botuar nga Shtëpia botuese "Dituria Islame", Prishtinë 2020.]

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...