Si ndihmoi sionizmi në formimin e mbretërisë Saudite



Aleanca e fshehtë mes Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe entitetit sionist të Izraelit nuk duhet të jetë surprizë për asnjë student të imperializmit britanik. Problemi është se studimi i imperializmit britanik ka shumë pak studentë. Në të vërtetë, mund të lexoni ndonjë prospekt universitar ose pasuniversitar britanik dhe rrallë të gjeni ndonjë modul në shkallë Politike për Perandorinë Britanike, lëre pastaj ndonjë gradë shkencore të dedikuar apo diplomë Masteri. Sigurisht nëse masakra imperialiste e udhëhequr nga Evropa në vitet 1914-1918 ju ngacmon trurin, atëherë nuk është shumë e vështirë për të gjetur një institucion të përshtatshëm për të mësuar këtë temë, por në qoftë se ju do të donit të gërmonit nëpër libra për mënyrën si dhe arsyen pse Perandoria Britanike zhvilloi luftëra kundër njerëzimit për gati katërqind vjet, ju jeni praktikisht vetëm në këtë përpjekje. Kushdo duhet ta pranojë se, për perspektivën e establishmentit britanik, kjo është një arritje e vështirë dhe e shquar.

Në fund të vitit 2014, sipas revistës amerikane Foreign Affairs, ministri saudit i naftës, Ali al-Naimi ka thënë: "Madhëria e Tij Mbreti Abdullah ka qenë gjithmonë një model për marrëdhëniet e mira mes Arabisë Saudite dhe shteteve të tjera, dhe shteti hebre nuk bën përjashtim". Kohët e fundit, pasardhësi i Abdullahut, mbreti Selman shprehu shqetësime të ngjashme me ato të Izraelit për marrëveshjen ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit lidhur me programin bërthamor të këtij të fundit. Kjo shkaktoi disa raportime se Izraeli dhe Arabia Saudite kanë formuar një "front të bashkuar" në kundërshtimin e tyre ndaj marrëveshjes bërthamore.

Kjo nuk është hera e parë që sionistët dhe sauditët e gjejnë veten në të njëjtën qoshe në trajtimin e një armiku të perceptuar të përbashkët. Në veri të Jemenit në vitin 1960, sauditët financonin një fushatë mercenare të udhëhequr nga Britania imperialise kundër republikanëve revolucionarë që pretendonin pushtet pas përmbysjes së autoritarit, Imamit. Gamal Abdul-Naseri i Egjiptit mbështeti ushtarakisht republikanët, ndërsa britanikët i detyruan sauditët për të financuar dhe armatosur mbështetësit e mbetur të Imamit. Për më tepër, Britania organizoi izraelitët për të armatosur përfaqësuesit britanikë në veri të Jemenit 14 herë. Britanikët, në fakt, ushtarakisht por fshehurazi, bashkuan sionistët dhe sauditët në vitin 1960 në Jemenin verior kundër armikut të tyre të përbashkët.

Megjithatë, duhet të kthehemi në vitet '20 për të vlerësuar plotësisht origjinën e kësaj aleance informale dhe indirekte midis Arabisë Saudite dhe entitetit sionist. Një studim i ndriçuar nga Dr. Askar H. el-Enazy me titull Krijimi i Arabisë Saudite: Ibn Saudi dhe Politika Imperiale britanike, 1914-1927, i ka ofruar në mënyrë unike çdo studenti të imperializmit Britanik burimet primare mbi origjinën e kësaj aleance. Ky studim nga Dr. Enazy ndikon në vazhdimësinë e kësaj analize. Mundja e Perandorisë Otomane nga imperializmi britanik në Luftën e Parë Botërore, la tre autoritete të dalluara në Gadishullin Arabik: Hussain bin Aliun e Hixhazit (në perëndim), Ibn Rashidin e Hāilit (në veri) dhe Emir Ibn Saudin e Nexhdit (në lindje), si dhe pasuesit e tij fetarë fanatikë, vehabitë.

Ibn Saudi kishte hyrë në luftë herët në janar 1915 në anën e britanikëve, por u mund shpejt dhe stërvitësi i tij britanik, Uilliam Shekspir u vra nga aleati i Perandorisë Otomane, Ibn Rashidi. Kjo humbje pengoi në masë të madhe shërbimet e Ibn Saudit ndaj Perandorisë dhe e la atë ushtarakisht të paralizuar për një vit. Sharifi ka kontribuar më shumë për humbjen e Perandorisë Otomane duke udhëhequr të ashtuquajturën "Revolta arabe" në qershor të vitit 1916, e cila largoi praninë turke nga Arabia. Ai ishte i bindur për të ndryshuar totalisht qëndrimin e tij, për shkak se britanikët e kishin detyruar atë me forcë për të besuar, nëpërmjet korrespondencës me Henry McMahon, Komisionerin e Lartë britanik në Egjipt, që do të krijohej një vend i bashkuar arab nga Gaza në Gjirin Persik me humbjen e turqve. Letrat e shkëmbyera mes Sharif Hussainit dhe Henry McMahonit janë të njohura si korrespondenca McMahon-Hussain.

Kuptohet, Sharifi sapo mbaroi lufta u kërkoi britanikëve që të mbanin premtimet e tyre të kohës së luftës, ose ato që ai i kishte perceptuar si premtime të kohës së luftës, siç shprehet në korrespondencën e lartpërmendur. Britanikët, në anën tjetër, donin që Sharifi të pranonte realitetin e ri të Perandorisë, e cila ishte një ndarje e botës arabe midis tyre dhe francezëve (marrëveshja Sykes-Picot), dhe zbatimin e Deklaratës së Balfurit, e cila garantonte "një shtetësi për popullin hebre" në Palestinë nga kolonizimi me çifutët e Evropës. Ky realitet i ri përfshihej në Traktatin Anglo-Hixhaz, që Sharifi ishte thellësisht kundër nënshkrimit. Në fund të fundit, revolta e vitit 1916 kundër turqve u quajt "Revolta Arabe", jo "Revolta e Hixhazit".

Në fakt, Sharifi e bëri të ditur se ai kurrë nuk do e shiste Palestinën për Deklaratën e Balfurit; ai kurrë nuk do e pranonte në heshtje themelimin e sionizmit në Palestinë, apo të pranonte kufijtë e rinj në Arabi të caktuar nga imperialistët britanikë dhe francezë. Nga ana e tyre britanikët filluan duke iu referuar atij si një "shkatërrues", një "telash" dhe me një sjellje "kokëfortë".

Britanikët ia bënë të ditur Sharifit se ata ishin të përgatitur të ndërmerrnin masa drastike për të marrë miratimin e tij për realitetin e ri, pavarësisht shërbimit që ai u kishte dhënë gjatë luftës. Pas Konferencës së Kajros në mars të vitit 1921, ku Sekretari i ri kolonial Uinston Churchill u takua me të gjithë operativët britanikë në Lindjen e Mesme, T.E. Lawrence ishte dërguar për t'i dhënë Sharifit rryshfet dhe për ta detyruar atë që të pranonte projektin kolonial sionist të Britanisë në Palestinë. Fillimisht, Lawrence dhe Perandoria ofruan 80.000 rupi. Sharifi kundërshtoi rreptësisht. Lawrence më pas ofroi një pagesë vjetore prej 100.000 paundësh. Sharifi refuzoi të bënte kompromis dhe t'ia shiste Palestinën sionizmit britanik.

Kur rryshfeti financiar nuk arriti ta bindë Sharifin, Lawrence e kërcënoi atë me ndërsimin e Ibn Saudit. Lawrence pohoi se "politikisht dhe ushtarakisht, mbijetesa e Hixhazit si një mbretëri e qëndrueshme e pavarur Hashemite ishte tërësisht e varur nga vullneti politik i Britanisë, e cila kishte mjetet për të mbrojtur dhe për të ruajtur sundimin e saj në rajon". Në mes të negocimeve me Sharifin, Lawrence gjeti kohë për të vizituar udhëheqësit e tjerë në gadishullin Arabik dhe i informoi ata se në qoftë se nuk e tërhiqnin kufirin britanik dhe të shmangnin hyrjen në aleancë me Sharifin, Perandoria do të ndërsente Ibn Saudin dhe vahabitë e tij, që tek e fundit ishin hazër ndaj Britanisë.

Njëkohësisht, pas Konferencës, Churchill udhëtoi për në Jeruzalem dhe u takua me djalin e Sharifit, Abdullahun, i cili ishte bërë sundimtar, "Emir", i një territori të ri të quajtur "Transjordani". Churchilli e informoi Abdullahun se ai duhet ta bindte "të atin që të pranonte mandatin e Palestinës dhe të nënshkruante një traktat për një efekt të tillë", që "britanikët të mos lëshonin Ibn Saudin kundër Hixhazit". Ndërkohë britanikët po planifikon të ndërsenin Ibn Saudin ndaj sundimtarit të Hāilit, Ibn Rashidit.

Ibn Rashidi i kishte refuzuar të gjitha propozimet nga Perandoria Britanike të bëra atij me anë të Ibn Saudit, që të ishte një tjetër kukull e saj. Për më tepër, Ibn Rashidi e zgjeroi territorin e tij në veri të kufirit të ri të mandatuar palestinez, si dhe në kufijtë e Irakut në verën e vitit 1920. Britanikët u shqetësuan se mos ndoshta po lindte një aleancë mes Ibn Rashidit, i cili zotëronte pjesën veriore të gadishullit dhe Sharifit, i cili zotëronte pjesën perëndimore. Për më tepër, Perandoria donte që rrugët tokësore ndërmjet porteve palestineze në Detin Mesdhe dhe Gjirin Persik të ishin nën sundimin e një partie miqësore.

Në konferencën e Kajros, Churchill u pajtua me një oficer perandorak, Sir Percy Cox se "Ibn Saudit i duhej dhënë mundësia për të okupuar Hailin". Në fund të vitit 1920, britanikët i garantonin Ibn Saudit një pagesë mujore prej 10.000 paundësh në ar. Ai gjithashtu ka marrë furnizime të bollshme me armë, që arrinin në më shumë se 10.000 pushkë. Së fundmi, në shtator 1921, britanikët e vërsulën ​​Ibn Saudin në Hāil, i cili u dorëzua zyrtarisht në nëntor 1921. Pas kësaj fitoreje britanikët i dhanë një titull të ri Ibn Saudit. Ai nuk do të ishte "Emir i Nexhdit dhe prijës i fiseve të tij", por "Sulltan i Nexhdit dhe varësve të tij". Hāili ishte katandisur në varësi ndaj Sulltanit të Perandorisë së Nexhdit.

Nëse Perandoria mendoi se Sharifi, me Ibn Saudin tashmë në territorin e tij dhe të armatosur deri në dhëmbë nga britanikët, do të bëhej në fund më elastik për ndarjen e Arabisë dhe projektin sionist kolonial të Britanisë në Palestinë, e kishte gabim. Një raund i ri i bisedimeve mes djalit të Abdullahut - që vepronte në emër të babait të tij në Transjordani - dhe Perandorisë, rezultoi në një projekt-traktat që e pranonte sionizmin. Kur ai i ishte dorëzuar Sharifit me një letër përcjellëse nga djali i tij, ku i kërkonte që "të pranonte realitetin", ai as nuk e lexoi traktatin dhe në vend të kësaj kompozoi vetë një projekt-traktat, duke refuzuar ndarjet e reja të Arabisë si dhe Deklaratën e Balfurit, dhe e dërgoi atë në Londër për t'u ratifikuar!

Që nga viti 1919, britanikët e kishin zvogëluar gradualisht subvencionin e Husainit në atë masë, saqë në vitin 1920 e kishin pezulluar fare atë, ndërsa në të njëjtën kohë vazhdonin subvencionimin e Ibn Saudit. Pas tre raundesh të bisedimeve në Aman dhe Londër, në Perandori u tha që Hussaini kurrë nuk do të hiqte dorë nga Palestina për projektin sionist të Britanisë së Madhe, apo të pranonte ndarje të reja në vendet arabe. Në mars të vitit 1923, britanikët informuan Ibn Saudin që do të pezullonin subvencionimin e tij, por jo pa dhënien e një "garancie" prej 50.000 paundësh si paradhënie, e cila llogaritej sa një subvencion vjetor.

Në mars të vitit 1924, një vit pasi britanikët i dhanë "garancinë" Ibn Saudit, Perandoria njoftoi se kishte ndërprerë të gjitha diskutimet me Sharif Hussainin për të arritur një marrëveshje. Brenda pak javësh forcat e Ibn Saudit dhe pasuesit e tij vahabistë filluan të administronin atë që sekretari i jashtëm britanik, Lord Curzon e quajti "goditja e fundit" për Sharif Hussain, dhe sulmuan territorin Hixhazi. Deri në shtator të vitit 1924, Ibn Saudi e kishte pushtuar kryeqytetin veror të Sharif Hussain, Taifin. Perandoria më pas u shkroi bijve të Sharifit, të cilëve u ishin dhënë mbretëritë në Irak dhe Transjordani, që të mos i jepnin asnjë ndihmë atit të tyre të rrethuar, që në aspektin diplomatik nënkupton se ata ishin informuar "për të mos bërë asnjë ndërhyrje në Hixhaz".

Në Taif, vehabitë e Ibn Saudit kryen masakrat e tyre zakonore duke therur gratë dhe fëmijët, si dhe duke shkuar në xhami dhe duke vrarë dijetarët tradicionalë islamë. Ata kapën vendin e shenjtë në Islam, Mekën, në mes të tetorit 1924. Sharif Hussaini u detyrua të heqë dorë dhe shkoi në mërgim në portin Akaba të Hixhazit. Ai u zëvendësua si monark nga djali i tij Aliu, i cili e bëri Xhedën bazën e tij qeveritare. Pasi Ibn Saudi u zhvendos për të rrethuar pjesën tjetër të Hixhazit, britanikët gjetën kohë për të filluar përfshirjen e portit verior të Akabas në Transjordani. Nga frika se Sharif Hussaini mund të përdorte Akaban si një bazë për të mbledhur arabët kundër Perandorisë së Ibn Saudit, Perandoria bëri të ditur se ai duhet të largohet nga Akaba, ose Ibn Saudi do të sulmojë portin. Nga ana e tij, Sharif Hussaini u përgjigj se ai nuk kishte "pranuar kurrë mandatet në vendet arabe", dhe ende protestoj kundër qeverisë britanike, e cila ka bërë Palestinën një shtëpi kombëtare për hebrenjtë.

Sharif Hussaini u detyrua të largohej nga Akaba, një port që e kishte çliruar nga Perandoria Osmane gjatë "Revoltës Arabe", më 18 qershor 1925.

Ibn Saudi kishte filluar rrethimin e tij të Xhedës në janar 1925, dhe qyteti më në fund u dorëzua në dhjetor 1925 duke i dhënë fund sundimit mbi 1.000 vjecar të saj nga pasardhësit e Profetit Muhamed. Britanikët zyrtarisht e njohën Ibn Saudin si Mbretin e ri të Hixhazit në shkurt të vitit 1926, me fuqitë e tjera evropiane që bënë të njejtën gjë brenda pak javësh. Shteti i ri i unifikuar vehabi doli nga Perandoria në vitin 1932 si "Mbretëria e Arabisë Saudite". Një farë Xhorxh Rendel, një oficer që punonte në tavolinën e Lindjes së Mesme në Ministrinë e Jashtme në Londër, mori meritat për emrin e ri.

Në nivelin e propagandës, britanikët shërbyen për marrjen vehabiste të Hixhazit në tre fronte. Së pari, ata portretizuan dhe argumentuan se pushtimi i Hixhazit nga Ibn Saudi u motivua nga fanatizmi fetar dhe jo nga konsideratat gjeopolitike të imperializmit britanik. Ky mashtrim është paraqitur në këtë ditë, më së fundmi në dokumentarin e Adam Curtis, "Bitter Lake", ku ai thotë se "vizioni i ashpër intolerant i vehabizmit" përzuri "beduinët" për të krijuar Arabinë Saudite. Së dyti, britanikët i portretizuan fanatikët vehabi të Ibn Saudit si një forcë e mirë dhe e keqkuptuar, që vetëm donte të sillte Islamin përsëri në formën e tij të pastër.

Në këtë ditë, këta xhihadistë islamikë portretizohen në mënyrën më dashamirëse, kur kryengritjet e tyre të armatosura mbështeten nga Britania dhe Perëndimi, të tilla si ato në Afganistan në vitin 1980 apo në Siri sot, ku ata përmenden në mediat perëndimore si "rebelët e moderuar". Së treti, historianët britanikë e portretizojnë Ibn Saudin si një forcë e pavarur dhe jo si një instrument britanik. Për shembull, studimi i fundit i Profesor Eugene Rogan mbi historinë e arabëve pretendon se "Ibn Saudi nuk kishte asnjë interes në luftimin" e Perandorisë Osmane. Kjo është larg të vërtetës, pasi Ibn Saudi u bashkua me luftën në vitin 1915. Ai më tej rrejshëm pretendon se Ibn Saudi ishte i interesuar vetëm në avancimin e "objektivave të tij", të cilat rastësisht gjithmonë përputheshin me ato të Perandorisë Britanike.

Në përfundim, një nga aspektet më të neglizhuara të Deklaratës së Balfurit është angazhimi i Perandorisë Britanike për të "përdorur përpjekjet e tyre më të mira për të lehtësuar" krijimin e "një shtëpie kombëtare për popullin hebre". Natyrisht, shumë vende në botë sot janë krijuar nga Perandoria, por ajo që i dallon kufijtë e Arabisë Saudite, është se kufijtë e saj veriorë dhe veri-lindorë janë produkt i Perandorisë në lehtësimin e krijimit të Izraelit. Prandaj, është shumë e qartë se makina e Perandorisë Britanike për të imponuar sionizmin në Palestinë është e ngulitur në ADN-në gjeografike të Arabisë Saudite bashkëkohore. Ka ende më tej ironi në faktin se të dy vendet e shenjta në Islam sot qeverisen nga klani saudit dhe mësimet vahabiste, sepse perandoria i kishte shtrirë themelet për sionizmin në Palestinë në vitin 1920. Njëkohësisht, nuk është çudi që Izraeli dhe Arabia Saudite janë të prirur të ndërhyjnë ushtarakisht në anën e "rebelëve të moderuar", dmth xhihadistëve, në luftën e tanishme në Siri, një vend i cili fshehurazi dhe haptazi kundërshton kolonizimin sionist të Palestinës.

Ndërsa SHBA, "pasardhësi" i Perandorisë Britanike në mbrojtjen e interesave perëndimore në Lindjen e Mesme, është perceptuar të jetë më shumë në mëdyshje në angazhimin ushtarak në Lindjen e Mesme, ka një pashmangshmëri se dy vendet e rrënjosura në Deklaratën Balfurit, Izraeli dhe Arabia Saudite, do të zhvillojnë më haptazi një aleancë për të mbrojtur interesat e tyre të përbashkëta.



Autor: Nu'man ABD AL-WAHID

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...