Neo-selefizmi
Pak më parë përmendëm se iniciator i selefizmit konsiderohet Ahmed ibn Hanbeli. Megjithatë, mund të themi se fillimi i neo-selefizmit me siguri ka qenë në Egjipt në kohën e okupimit të Anglisë, si dhe në ditët e lëvizjes reformatore fetare të cilën e udhëhoqën Xhemaludin Afgani dhe Muhammed Abduhu. Paraqitja e kësaj lëvizjeje e afirmoi fenomenin e neo-selefizmit.
Shkaku i kësaj qëndron në rrethanat të cilat kishin pushtuar Egjiptin. Edhe krahas së Ekzistimit të Az'harit dhe dijetarëve të tij dhe lëvizjes aktive të dijetarëve përreth, madje edhe në vet Egjiptin, kishte lloje të shumta të risive dhe legjendave të cilat u përhapën në të gjitha territoret, por edhe në vet Az'harin, nën emrin e tesavvufit dhe nën patronazhin e tarikateve të shumta sufiste të cilat nuk kanë asnjë bazë fetare, porse janë absurditete dhe nihilizma.
Ndërsa sa i përket zhvillimit brenda Az'harit, aktivitetet shkencore ishin shndërruar në plane formale, gojëdhëna të çuditshme dhe destruktive dhe fraza të përsëritura të cilat nuk kishin asnjë lidhje me jetën dhe realitetin e njerëzve. Az'hari nuk ishte vetëm i shkëputur nga bashkësia, por nuk ndjente as barrën e mesazhit për ringjallje dhe ndryshim.
Andaj, sipas kësaj njerëzit vepruan në dy mënyra: njëri grup iu bashkëngjit civilizimit perëndimor, duke u çliruar nga vendimet dhe parimet, madje edhe nga idetë islame, dhe grupi i tjetër i cili dëshironte përmirësimin e gjendjes së muslimanëve dhe nxjerrjen e tyre nga dezintegrimi deri te i cili i çuan shumë dijetarë të Az'harit, dhe kthimin e tyre në islamin autentik dhe të drejtë, larg legjendave, iluzioneve dhe risive. Ata dëshironin që islamin ta vendosnin në rrethin e jetës moderne dhe gjetjen e rrugës së bashkëjetesës me qytetërimet e tjera. Përfaqësuesit e këtij grupi ishin Muhamed Abduhu dhe Xhemaludin Afgani të cilët denjësisht dhe guximshëm ftuan në rilindjen islame.
Duke e pasur parasysh që çdo lëvizje reformuese duhet të ketë një moto me anë të së cilës do ta mishëronin formën dhe thelbin e lëvizjes në masë, moton të cilën e zgjodhën udhëheqësit e kësaj lëvizjeje ishte selefizmi. Kjo thirrje u shqua për puritanizëm dhe spastrim të turbullirave, të cilat e kishin mbuluar pastërtinë dhe kthjelltësinë islame nëpërmes risive dhe legjendave, në mënyrën e kthimit të muslimanit në të kuptuarit e drejtë të islamit ashtu sikurse e kuptuan të parët e ndershëm. Kthimi në periudhën e selefizmit nënkuptonte çlirimin nga risitë, iluzionet dhe legjendat të cilat mundeshin të gjenden në shumë shoqëri dhe vende të ndryshme islame.
Gjithashtu, kjo ka nënkuptuar marrjen e islamit si fe e punës, aksionit dhe xhihadit, e jo e dekadencës, përgjumjes dhe injorimit të luftës jetësore. Këtë esencë të lëvizjes, që është e drejtë dhe e lartësuar për shkak se nënkupton realitetin e islamit në çdo kohë, kanë mundur që krahas selefit dhe selefizmit ta emërtojnë me ndonjë emër tjetër.
Pyesim nëse këto fjalë janë më të vërteta se sa vet fjala islam?! Mendojmë mbi islamin i cili është i pastër nga të metat e involvuara dhe absurditetet e shtuara. Mirëpo prijësit e kësaj lëvizjeje në këtë mënyrë dëshironin që të stimulojnë dëshirën e njerëzve për islamin dhe ndryshimin e fotografisë së islamit, pasi që njerëzit kishin bërë tok gjendjen e muslimanëve të shekujve të parë me gjendjen e mjerueshme të muslimanëve të sotshëm. Dëshironin që thirrja islame gjatë kohës së selefëve të bëhet model i fatit, përparimit dhe mirësisë.
Pra, për këtë lëvizje reformatore motoja e selefit dhe selefizmit, qe pozitive për ata njerëz që lavdëronin heronjtë e islamit dhe që ishin krenarë për gjeneratat e para të islamit. Në atë periudhë u paraqit ideja e selefizmit që e ndërtuan dhe ftuan në të grupi i parë i lëvizjes reformatore-fetare në krye me Muhammed Abduhunë, Xhemaludin Afganin, Reshid Ridanë dhe Abdurrahman El-Kevekibiun.
Por, ta kemi parasysh që kjo ide nuk kishte formë të medhhebit islam, i cili i posedon ithtarët dhe parashenjat e tij, porse ajo ishte adresë misionare dhe parashenjë e metodës së drejtë, si dhe pasqyrë e të kuptuarit të ndryshëm të islamit, përkundër atyre të cilët ishin zhytur në risi dhe legjenda dhe ishin larg nga islami me të cilin ishin stolisur të parët e ndershëm, r.a..
Të kuptuarit e selefizmit më së miri e shpjegon dijetari Jusuf El-Kardavi kur përshkruan idenë e lëvizjes së "Vëllezërve Muslimanë", i cili thotë se ajo është: "thirrje selefiste, rrugë e Ehli Sunnetit, esencë e sufizmit, ndërmarrje ekonomike, institucion sportiv, organizatë politike, institucion kulutoro-arsimor dhe organizim shoqëror".
Duhet ditur që, edhe përkrah parashenjës kryesore të selefizmit të cilën e kishte përvetësuar kjo lëvizje duke luftuar kundër risive dhe legjendave, nga ana tjetër përsëri u largua nga selefi i parë, sepse protagonistët kryesor të saj herë-herë dhanë fetva dhe e komentuan Kur'anin në mënyrë të palejueshme.
Kjo lëvizje reformatoro-fetare kishte një rol të madh në të vendosurit në qarkullim të fjalëve selef dhe selfijje në qarqet publike dhe intelektuale, edhe pse këto fjalë kishin domethënie të ndryshme të cilat shfrytëzoheshin vetëm në rrethe të vogla shkencore.
Me fillimin e këtij shekulli pamë se si këto fjalë dolën nga rrethet e vogla shkencore në titujt kryesorë të revistave, emrave të shtypshkronjave dhe librarive. Shembulli më i mirë i kësaj është Egjipti. Kjo fjalë u përhap në publik me tonin e shquar të cilin e shoqëroi konsolidimi i lëvizjes fetaro-refomatore mbi duart e protagonistëve të saj të parë. Në këtë periudhë, siç e përmendëm, ishte përhapur medhhebi të cilin e themeloi Muhammed ibn Abdulvehhabi në Nexhd dhe në pjesët ujore arabe.
Midis medhhebit vehabij dhe thirrjes të cilën e udhëhoqën protagonistët e rilindjes fetare në Egjipt, ekzistonte lidhja reciproke e cila pasqyrohej në luftën kundër risive dhe legjendave, dhe sidomos atyre sufiste, ashtu që këto fjalë, selef dhe selefijje, u futën në vokabularin e medhhebit dhe thirrjes vehabiste, ndërkaq zgjuan vëmendjen tek ato njerëz të cilët neveriteshin nga vehabizmi.
Për to kjo do të thoshte që selefizmi nuk ishte medhheb dhe fryt i Muhammed ibn Abdulvehhabit, por i të parëve të ndershëm, andaj dhe ky ndërrim i fjalës u mirëprit. Sipas themeluesve të këtij medhhebi, selefistët janë ruajtës të akidës së selefit, ideve të tyre, metodave gjatë të të kuptuarit dhe të praktikuarit të islamit. Ky është emërtimi i ri i lëshuar në qarkullim në vend të atij të vjetrit.
Autor: Rexho XHEMATOVIQ
Përktheu: Mehas ALIJA
_________________________
Shkëputur nga Artikulli: "Thirrja vehabiste në selefizëm".
Literatura:
- Tej-jaratu-l-fikri-l-islami, Dr. Muhammed Imara.
- Es-Selefijje, merahaletun zemenijje mubarekeh, la medheb islami, Ramadan El-Buti.
- Vehabizam, šta je to? (Vehabizmi, çfarë është ky?), Fikret Arnaut.
- Dva lica islama (Dy fytyra të islamit), Stephen Schwarz.