Gjuha e paimitueshme e Kuranit



Dijetarët myslimanë dhe jomyslimanë e kanë pranuar, se Kurani, libri i shenjtë islam, është i paimitueshëm jo vetëm për sa i përket përmbajtjes, por edhe për gjuhën dhe stilin e tij. Në këtë artikull është bërë një përpjekje për të nënvizuar disa prej bukurive gjuhësore të Kuranit, duke marrë parasysh pikëpamjet dhe komentet e disa dijetarëve të shquar të Kuranit.


Kurani është një mrekulli linguistike

Kurani i shenjtë është unik jo vetëm për sa i përket kuptimit, mendimit dhe mesazhit të tij, por edhe në lidhje me formën, intonacionin dhe diksionin e tij. Ai iu shpall Muhamedit (a.s.) më shumë se 1400 vjet më parë dhe është pa dyshim një kryevepër e letërsisë. Forca dhe bukuria e pakrahasueshme e gjuhës, ritmit dhe intonacionit kanë frymëzuar dijetarët myslimanë, po ashtu dhe ata jomyslimanë. Dijetari francez Paul Casanova flet për gjuhën e mrekullueshme të Kuranit me këto fjalë: "Sa herë që Muhamedit i kërkohej një mrekulli, si provë e vërtetësisë së misionit të tij, ai përmendte përbërjen e Kuranit dhe përsosmërinë e tij të pakrahasueshme, si prova të origjinës së tij hyjnore. Faktikisht dhe për ata që nuk janë myslimanë, nuk ka asgjë më të mrekullueshme sesa gjuha e tij, e cila me një tërësi të kuptueshme dhe një tingullsi mbërthyese, i mahniti ato popuj primitivë shumë të dhënë pas gojëtarisë. Shumica e rrokjeve të tij me intonacion madhështor dhe ritëm të mrekullueshëm kanë pasur shumë rëndësi në konvertimin e njeriut më armiqësor dhe më skeptik". [1] Duke pasur parasysh stilin dhe strukturën e Kuranit dr. Fadl al-Rahman Ensari, teolog i shquar, shprehet: "Çështja mund të shikohet në tre dimensione: 1). tek intonacioni 2). diksioni 3). mendimi, dhe Kurani është i paimitueshëm dhe unik për secilën prej tyre". [2]

Ai vazhdon: "Intensiteti i Kuranit në dimensionin e kuptimit dhe lartësia e tij për sa i përket madhështisë së tij, janë thjesht të pamatshme nga aftësia njerëzore. Dijetari amerikan Harry Gaylord Dorman e konsideron stilin e Kuranit si një mrekulli: "Ai (Kurani) është një shpallje falë për fjalë nga Zoti, që iu diktua Muhamedit nga Xhibrili dhe është i përsosur në çdo shkronjë. Ai është një mrekulli e përhershme, që është dëshmitar për veten e tij dhe për profetin Muhamed. Cilësia e tij e mrekullueshme gjendet pjesërisht në stilin e tij, që është kaq i përsosur dhe i lartë, saqë as njerëzit dhe as xhindet nuk mund të krijojnë qoftë dhe një kapitull të vetëm që të krahasohet me kapitullin e tij më të shkurtër, dhe pjesërisht në përmbajtjen e mësimeve, profecive për të ardhmen dhe tek të dhënat e tij të sakta, që Muhamedi, i cili nuk dinte shkrim e këndim, nuk mund t'i mblidhte asnjëherë vetë"". [3]


Gjuha e paimitueshme e Kuranit

Nga ana gjuhësore, Kurani nuk është as poezi, as prozë, por ai i ka të dyja këto cilësi në një mënyrë të shkëlqyer, saqë është më i bukur se poezia dhe më i rrjedhshëm se proza. Në hyrjen e përkthimit të tij të Kuranit, Ahmed Ali e përshkruan bukurinë e gjuhës kuranore me këto fjalë: "Arabishtja e Kuranit dallohet nga madhështia dhe përsosmëria e tingullit dhe elokuencës, e retorikës dhe metaforës, asonancës dhe aliteracionit, onomatopesë dhe rimës, elipsit dhe paralelizmit. Kadenca dhe ritmi i tij, ndalesat dhe pushimet, nënkuptojnë fjalën e tij shprehëse dhe kohëzgjatjen". [4]

Kurani është i pakrahasueshëm në stilin e tij. Në të gjitha llojet e shprehjes dhe adresimit si të inkurajimit, lavdërimit, censurimit, demonstrimit, shpjegimit dhe interpretimit të Kuranit, ai është i shkallës më të lartë. Ai ka kaq shumë ëmbëlsi dhe bukuri, saqë asnjë gjuhë e njeriut nuk mund t'i ngjasojë. Është fakt i pranuar, se Kurani nuk ndoqi stilin e panatyrshëm që ishte i përhapur në kohën e shpalljes së tij. Në vend që të ndiqte temat më të preferuara të kohës së romancës dhe ekspeditave ushtarake të kohës, Kurani prezantoi një varg të gjerë temash që lidhen me aspekte të ndryshme të jetës individuale dhe kolektive si ajo: shpirtërore, etike, sociale, ekonomike, politike dhe ligjore, etj..


Ndikimi i Kuranit në gjuhën arabe

Madhështia e pakrahasueshme e gjuhës së Kuranit ka pasur një ndikim të fortë në gjuhën arabe dhe i ka dhënë asaj një pozicion unik mes gjuhëve të tjera. Sipas orientalistit francez Ernest Renan (1823-1894): "Gjuha arabe është ngjarja më mahnitëse e historisë njerëzore. E panjohur gjatë periudhës klasike, ajo u shfaq papritur si një gjuhë e plotë. Pas kësaj, ajo nuk pësoi ndryshime të dukshme, prandaj nuk mund të përcaktojmë për të një etapë të hershme apo të mëvonshme. Ajo është e njëllojtë sot, po ashtu si ishte kur u shfaq". [5] Faktikisht ky është një pranim i natyrës së mrekullueshme të Kuranit, që është njohur nga dijetarët e të kaluarës dhe të tashmes. Xhurxhi Zejdan (1861-1914) për shembull, thotë "Asnjë libër fetar nuk ka pasur një ndikim të tillë në gjuhën në të cilën është shkruar, ashtu siç kishte Kurani në letërsinë arabe". [6]

Autori dhe historiani i njohur amerikan i librit të famshëm "The 100", Michael Hart e jep mendimin e tij me fjalët e mëposhtme: "Pozicioni qendror i Kuranit në fenë myslimane dhe fakti se është shkruar në arabisht, ndoshta e kanë parandaluar gjuhën arabe që të ndahet në dialekte të pakuptueshme, të cilat në rastin e kundërt mund të kishin ndodhur gjatë trembëdhjetë shekujve". [7] Gorge Sale, orientalist i njohur dhe përkthyes i Kuranit, e konsideron gjuhën e Kuranit si "standardi i gjuhës amtare arabe". [8]


Një sfidë për jobesimtarët

Kurani i ka sfiduar jobesimtarët, sepse nëse ndonjë njeri mendon se është prodhim i imagjinatës së njeriut dhe jo një libër hyjnor, atëherë ai duhet të bëjë të pamundurën dhe të përpiqet shumë që të krijojë dhjetë sure, ose një të vetme, që të ketë të njëjtën meritë. Sfida shfaqet në katër vende të ndryshme: 2:23-24, 10:38, 11:13-14 dhe 17:88.

1. - "E në qoftë se jeni në dyshim në atë që Ne ia shpallëm gradualisht robit tonë, atëherë silleni ju një kaptinë të ngjashme si ai (Kurani) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj(zotërat) pos Allahut, nëse jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kurani nuk është prej Zotit). E mos e paçit bërë (deri më tash), e as që do ta bëni kurrë (edhe në të ardhmen), atëherë ruajuni zjarrit, lëndë e të cilit janë njerëzit dhe gurët, që është i përgatitur për mosbesimtarët", (2:23-24).

2. - "Përkundër kësaj, ata (idhujtarët) thonë, se atë e trilloi ai (Muhamedi). Ti thuaj: "Silleni pra ju një kaptinë të ngjashme me këtë, madje thirrni kë të doni në ndihmë, pos Allahut, po qe se jeni të drejtë në atë që thoni", (10:38).

3. - "Apo, pse ata thonë: "Ai (Muhamedi) e trilloi atë (Kuranin)". Thuaj: "Formuloni pra dhjetë kaptina si ai (Kurani) ashtu të trilluara (siç thoni ju) dhe thirrni, pos Allahut, po qe se jeni të drejtë (çka thoni), kë të mundeni për ndihmë"! E nëse nuk u përgjigjen juve, atëherë pra ta keni të qartë se ai (Kurani), është i zbritur me dijen e Allahut dhe se nuk ka zot pos Tij. A jeni pra muslimanë"? (11:13-14).

4. - "Thuaj: "Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky, sado që do ta ndihmonin njëri - tjetrin"". (17:88).

Shumë njerëz si Musejlemeh ibn Habib, Tulejhah ibn Huvejlid, Nadhr ibn el-Harith, Ibn el-Rauandi, Ebu el-'Ala el-Ma'arri, Ibn el-Mukafa', el-Mutenabi janë përpjekur të krijojnë një libër të ngjashëm me Kuranin, por ata dështuan dhe përfundimisht iu desh të pranojnë, se nuk ishte e mundur të krijohej një libër i ngjashëm me librin hyjnor. F.F. Arbuthnot vëren: "Nga pikëpamja letrare, Kurani konsiderohet si një shembull i arabishtes së pastër, i shkruar si gjysmë poezi dhe gjysmë prozë. Thuhet se në disa raste gramatikanët kanë përvetësuar rregullat e tyre, për të përshtatur disa shprehje dhe fraza të përdorura në të, dhe se janë bërë shumë përpjekje për të krijuar një vepër të ngjashme me të, por asnjëri nuk ka qenë i suksesshëm". [9]

Në komentin e tij për Kuranin, Sheikhu Tantavi Xhauhri tregon një histori mahnitëse, e cila dëshmon paimitueshmërinë e Kuranit. Ai tregon se një shkrimtar egjiptian Xhemil Gilani i tha se një ditë kishte qenë me një orientalist amerikan të quajtur Finkle, me të cilin kishte një marrëdhënie të thellë intelektuale. "Më trego! Akoma je nga ata të cilët e konsiderojnë Kuranin si mrekulli"? - pëshpëriti Finkle në veshin e Gilanit dhe pastaj qeshi për të treguar se një gjë e tillë është qesharake. Ai mendonte se myslimanët nuk mund ta bazonin këtë besim në arsye objektive dhe të fortë: "Para se të bëjmë ndonjë deklaratë për stilin e Kuranit", - tha Gilani, - "fillimisht duhet të shikojmë nëse mund të krijojmë ndonjë gjë që mund të krahasohet me të". Atëherë Gilani e ftoi Finkle-n të bashkohej me të për të paraqitur një ide të Kuranit me fjalë arabe. Ajo që ai zgjodhi ishte: "Ferri është shumë i gjerë"? Finkle pranoi dhe të dy u ulën. Ata shkruan rreth njëzet fjali në arabisht. "Ferri është shumë i gjerë", "Ferri është më i gjerë se ç'mund ta imagjinoni", "Intelekti i njeriut nuk mund ta kuptojë gjerësinë e ferrit", ishin disa nga fjalitë që ata shkruan. Ata u përpoqën derisa nuk mund të mendonin më asnjë fjali tjetër për ta shprehur atë ide. Gilani e pa Finkle-n si fitimtar. "Tani ne kemi bërë të pamundurën, do të shohim se Kurani qëndron mbi çdo vepër të njeriut", - tha ai. "Çfarë? Përse Kurani e ka shprehur këtë ide në mënyrë më të qartë"? Pyeti Finkle. "Në krahasim me Kuranin ne jemi si fëmijë të vegjël", - i tha Gilani. I habitur, Finkle e pyeti se çfarë kishte në Kuran. Gilani i lexoi ajetin 30 nga surja Kaf: "Atë Ditë Ne do ta pyesim Xhehenemin: "A u mbushe"? E ai do të përgjigjet: "A ka edhe më"?".

Finkle u befasua kur e dëgjoi këtë ajet. I habitur nga elokuenca e lartë e Kuranit, ai e pranoi hapur humbjen. "Që ti ta pranosh të vërtetën, - iu përgjigj Gilani, - nuk është e çuditshme, sepse ti je njeri i shkronjave dhe ke dijeni për stilin e gjuhës". Ky orientalist fliste rrjedhshëm anglishten, gjemanishten, hebraishten dhe arabishten dhe e kishte kaluar gjithë jetën e tij duke studiouar literaturën e këtyre gjuhëve". [10]


Kurani është i papërkthyeshëm

Gjuha e Kuranit është kaq e pakapërcyeshme në shprehjen e saj, saqë nuk është e mundur që një përkthyes apo komentues ta përkthejë atë plotësisht në një gjuhë tjetër. E vërteta është, se është thjesht e pamundur që një qenie njerëzore e vdekshme të përfshijë fjalën e përhershme të Zotit. Kjo pikëpamje ndahet nga të gjithë dijetarët dhe përkthyesit e Kuranit. Marmaduke Pickthall, përkthyesi i njohur anglez i Kuranit, shkruan në parathënien e përkthimit të tij: "Kurani nuk mund të përkthehet. Ky është besimi i dijetarëve klasikë dhe pikëpamja e shkrimtarit aktual. Libri është përkthyer pothuajse fjalë për fjalë dhe është bërë çdo përpjekje, që të zgjidhet gjuha më e përshtatshme. Por rezultati nuk është Kurani i lartë, ajo simfoni e paimitueshme, tingulli i vërtetë që i bën njerëzit të qajnë dhe që i ngazëllen ata. Kjo është vetëm një përpjekje për të paraqitur kuptimin e Kuranit në gjuhën angleze. Ai nuk mund ta ketë asnjëherë vendin e Kuranit në gjuhën arabe dhe as nuk është ky qëllimi". [11]

Muhamed Esad, një prej përkthyesve më të mëdhenj të Kuranit, komentues dhe dijetar bashkëkohor, e konsideron Kuranin si "të pamundur që të "riprodhohet" në ndonjë gjuhë tjetër". [12] Për përkthimin e tij ai thotë: "Jam shumë i vetëdijshëm se përkthimi im nuk mund "të bëjë drejtësi" për Kuranin dhe kuptimet e tij". [13] Ai thotë më tej që "lexuesi duhet ta kujtojë, se veçantia e Kuranit gjendet në faktin, se sa më shumë të rriten njohuritë tona tokësore dhe përvoja historike, më shumë kuptime, deri në atë moment të padyshuara, shfaqen në faqet e tij". [14] Dhe "Sa më shumë punoja me këtë detyrë të shenjtë, aq më shumë e kuptoja sa larg është intelekti i njeriut - dhe do të jetë gjithmonë - nga kuptimi i plotë i fjalës së Zotit". [15] Abdullah Jusuf Ali komentuesi i njohur anglez i Kuranit, tregohet se ka thënë: "Përkthyesi më i mirë i Kuranit është koha". [16] Një përkthyes tjetër bashkëkohor i Kuranit, Artur J. Arberry, ka bërë komente të ngjashme: "Gjatë përpjekjes për të bërë diçka që mund të pranohej sado pak si pasqyruese e retorikës sublime të Kuranit arabisht, jam munduar shumë të studioj ritmin e ndryshëm, që përveç mesazhit përbën faktin e pamohueshëm që ai radhitet mes kryeveprave më të mëdha të njerëzimit ...".

Ky tipar karakteristik, "ajo simfoni e paimitueshme" ashtu si e përshkroi Pictkhall librin e shenjtë - është injoruar plotësisht nga përkthyesit e mëparshëm, prandaj nuk është e habitshme, që puna e tyre duket e mërzitshme dhe monotone në krahasim me origjinalin e shkëlqyer". [17] Dijetari francez Eduard Monet deklaron: "Kurani ... madhështia e formës së tij është kaq sublime, saqë asnjë përkthim në gjuhën evropiane nuk mund të na e bëjë të mundur ta vlerësojmë atë". [18] John Naish, klerik i krishterë, e pranon të vërtetën me fjalët e mëposhtme: "Kurani në petkun e tij origjinal në arabisht ka një bukuri joshëse dhe një hijeshi të veten. Me një stil të lartë dhe të saktë, fjalitë e tij të plota dhe të shkurtra, shpesh me rimë, zotërojnë një force shprehëse dhe energji shpërthyese, që është shumë e vështirë të përçohen nga përkthimi i tij fjalë për fjalë". [91]

Në shumë vende Kurani paraqitet si një libër udhëzimi për gjithë njerëzimin si për shembull në Suren Bekare: "(Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramazanit që në të (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)".

Prandaj është detyrë e çdo myslimani ta lexojë, ta kuptojë dhe t'ua komunikojë të tjerëve mesazhin e tij sipas kapacitetit të tij ose të saj. Përkthimi i Kuranit nuk është i barasvlershëm me Kuranin, por është një mënyrë për t'iu afruar mesazhit në tij, nëse nuk e njohim gjuhën arabe. Për këtë arsye dijetarët e tij janë përpjekur ta përkthejnë mesazhin e Kuranit në gjuhë të tjera dhe ai është përkthyer pothuajse në të gjitha gjuhët kryesore të botës. Vetëm në gjuhën angleze deri sot ekzistojnë më shumë se tridhjetë përkthime të Kuranit, të cilat janë bërë nga myslimanët dhe jomyslimanët. Hamilton Gibb është shprehur: "Kurani është i veçantë si një monument letrar. Ai është një prodhim unik i letërsisë arabe dhe në shprehjen e tij idiomatike nuk ka as pararendës dhe as pasardhës. Myslimanët e të gjitha moshave janë bashkuar për të deklaruar paimitueshmërinë e përmbajtjes dhe gjithashtu të stilit të tij". [20]



Autor: Dr. Dildar Ahmed



Referenca:

[1] - Paul Casanova, L'Enseignement de I'Arabe au College de France (Mësimi i arabishtes në kolegjin e Francës), në Lecon d'overture, 26 prill 1909.
[2] - Fadl al-Rahman Ansari, The Qur'anic Foundation and Structure of Muslim Society, vol.1 (Karachi: Indus Educational Foundation), 85.
[3] - Harry Gaylord Dorman, Towards Understanding Islam (Nju Jork: 1948), 3.
[4] - Ahmed 'Ali, Al-Qur'an: A Contemporary Translation (Karachi: Akrash Publication, 1993), 7.
[5] - Mevlana Wahiduddin Khan, Qur'an: the Miracle of Prophet, në: www.alrisala.org/Articles/quranworld/quran_prophets_miracle.htm.
[6] - E njëjtë.
[7] - Michael Hart, The 100 (: Londër: Simon dhe Schuster, 1993), 9.
[8] - George Sale, The Koran: The Preliminary Discourse (Londër dhe Nju Jork: 1891), 47.
[9] - F. F. Arbuthnot, The Construction of the Bible and the Koran (Londër: 1985), 5.
[10] - Sheikh Tantaui Jawhari, al-Jawahir fi Tafsir al-Qur'an al-Karim, vol. 23, 111.
[11] - Marmaduke Pickthall, The Meaning of the Glorious Koran: An Explanatory Translation (New York: 1961), VII.
[12] - Muhammad Asad, parathënie, The Message of the Qur'an (Gibraltar: Dar al-Andalus Limited, 1980), v.
[13] - E njëjta, VIII.
[14] - E njëjta, VII.
[15] - Malise Ruthven, Muhammad Asad: Ambassador of Islam, 62, cf. Islamic Studies, vol. 39 (Islamabad: IRI), 186.
[16] - Isma'il Ibrahim Nauab, A Matter of Love: Muhammad Asad and Islam, Islamic Studies, vol. 39 (Islamabad: IRI), 186.
[17] - Arthur J. Arberry, The Koran Interpreted (London: Oxford University Press, 1964), x.
[18] - Edward Montet, Traduction Francaise du Coran (Paris: 1929), 53.
[19] - John Naish, M. A. (Oxon), D. D., The Wisdom of the Qur'an (Oxford: 1937), VIII.
[20] - H. A. R. Gibb, Arabic Literature-An Introduction (Oxford: Clarendon Press, 1963), 36.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...