Islami dhe terrorizmi
Fjala terrorizëm nga Franca kaloi edhe në gjuhët dhe vendet tjera, e madje edhe në gjuhën arabe. Kështu në gjuhën arabe kemi disa shprehje për të përcaktuar dukurinë e terrorizmit: ihrab, fetk, guluv, etj..
Fjala irhab ( إرْهاب ) domethënë frikësim, tmerrim, kërcënim, dhunë politike dhe nuk e gjejmë në literaturën islame përveç kohëve të fundit. Në Kur'an dhe Sunnet e hasim fjalën tarhib, e cila do të thotë nxitje e frikës dhe ka karakter prevencioni. Në Kur'an thuhet: "Dhe kundër tyre përgatitni sa të mundeni forcë e kuaj për betejë, që t'i tmerroni me këtë armiqët e Allahut dhe të tuajit edhe të tjerët, ...", (El-Enfal, 60). Pra, frikësojini armiqtë tuaj me forcën mbrojtëse në mënyrë që ata mos të marrin guxim t'ju sulmojnë juve. Sipas kësaj, termi tahrib nuk mund të identifikohet me terrorizmin.
Edhe shprehjet tjera si fetk, guluv dhe muharib janë shprehje që refuzohen tërësisht. Fetk ( فتكٌ ) në gjuhën arabe përcakton mbytjen nga prita, mbytjen neveritëse, e kjo është vepra e papranueshme nga aspekti islam. Në Kur'an nuk gjejmë ndalesë shprehimore të kësaj dukurie, por këtë e gjejmë në Sunnet të Pejgamberit a.s., që në përkthim të përfolur do të ishte: "Besimi nuk lejon dhunën, besimtari nuk mbyt në prit".
Në një transmetim tjetër të Pejgamberit a.s. theksohet se fetk është një prej shenjave të Fundit të kohës (ahiri zemanit). Ai thotë: "Kur isha në Mi'raxh, pashë diçka dhe pyeta: "Ç'është kjo?". M'u tha: "Këto janë shenjat e Fundit të kohës". "Kam pyetur se kur do të ndodh kjo"?, në çka ka marrë përgjigje: "Fundi i kohës do të bëhet atëherë kur dija dhe dituria nuk do të dominojnë në shoqëri ... dhe kur injorantëve t'i krijohet mundësia e veprimit dhe kur të rritet numri i vrasjeve nga prita"". Sikur që mund të përfundohet nga përvoja e Muhammedit a.s. dhe e shokëve të tij, Islami nuk e pranon kurrsesi fetkun, terrorin, vrasjen nga prita. Fjala guluv ( غُلُوٌّ ) mund të konsiderohet sinonim i fjalës fetk.
Në Fjalorin El-Munxhid guluv ka këto domethënie: "gënjim, mashtrim, dinakëri, mbytje e befasishme, terror, terrorizim". Në fjalorin e Larosit guluv domethënë: "mashtrim, dinakëri dhe vrasje e papritur". Në fjalorin e T. Muftiqit fjala guluv domethënë: "tejkalim, teprim, stërmadhim, atak, etj.".
Mund të përfundohet se fjala guluv deri diku ka përmbajtjen e terrorit, kurse kjo dukuri ndalohet me Islam. Kemi edhe fjalën muharib, e cila do të thotë frikësim të hapur të njerëzve me armë me qëllim të nxitjes së rrëmujës dhe prishjes së rendit. Në përkufizimin e këtij nocioni përdoret fjala nas (njerëzit), qoftë muslimanë apo jomuslimanë, dhe nëse dikush e përdorë këtë lloj frikësimi të muslimanëve apo jomuslimanëve, konsiderohet muharib. Kuptimi i fjalës muharib, si sinonim i el-mufsid fi al-ard (ai që bën rrëmujë të Tokë), ka përputhshmëri me nocionin terror.
Në bazë të kësaj, terroristi është muharib, kurse Kur'ani është qartë e përkufizon dënimin për këtë vepër: "Merita e atyre të cilët bëjnë luftë kundër Allahut dhe të dërguarit e Tij dhe që bëjnë çrregullime në tokë, është: të vriten ose të gozhdohen, ose t'u priten duart dhe këmbët tërthorazi, ose të përzihen prej andej. Ajo është poshtërim në këtë botë, kurse në botën tjetër i pret dënim i madh", (El-Ma'ideh, 33). Është e qartë se Islami kundërshton ashpër dhe përcakton dënime të rrepta për format e ndryshme të dhunës dhe nuk mund të flitet për Islamin si sponzorues të dhunës. Pohimet e tilla nga qarqe të caktuara janë qëllimkëqija dhe me prapavijë fetare dhe politike.
Autor: Nexhat Ibrahimi