Nga misionar i krishterë në thirrës musliman



Dr. Garry Miller - Nga misionar i krishterë në thirrës musliman

Miller e donte shumë matematikën. Kjo ishte arsyeja pse ai e pëlqente logjikën. Një ditë ai vendosi që ta lexonte Kur'anin në përpjekje për të gjetur gabime që do t'ia forconin pozitën në misionarizmin e tij për t'i kthyer muslimanët në Krishterizëm.

Ai kishte pritur ta gjente Kur'anin si një libër të vjetër, të shkruar 14 shekuj më parë, që fliste për shkretëtirën ... Por ai ishte habitur nga ajo që kishte hasur në të.

Ai kuptoi se Kur'ani kishte atë që s'e kishte asnjë libër tjetër në botë. Ndonëse kishte pritur të gjente në Kur'an tregime për situatat e vështira me të cilat qe ballafaquar i Dërguari i Zotit, Muhammedi a.s. (paqja e Zotit qoftë mbi të), si vdekja e bashkëshortes (Hadixhes), apo vdekja e djemve dhe vajzave të tij, ai nuk kishte gjetur diçka të tillë.

Dhe ajo që atë e habiti edhe më shumë ishte fakti se në Kur'an kishte një kaptinë të tërë (sure) të emëruar Merjem (Maria), në të cilën shprehej shumë respekt për të dhe e cila nuk kishte paralele as në librat e shkruar nga të krishterët në Biblat e tyre.

Miller nuk gjeti në Kur'anin fisnik asnjë kaptinë të emëruar me emrin e bashkëshortes së Muhammedit a.s., Aishes, apo me emrin e bijës së tij, Fatimes.

Ai, gjithashtu, mësoi se emri i Isait a.s. (Jezusit) në Kur'an ishte përmendur 25 herë, ndërsa emri "Muhammed" a.s. ishte përmendur vetëm 4 herë, kështu që ai u habit.

Ai filloi leximin e Kur'anit me kujdes, duke shpresuar të gjente gabime, por mbeti i habitur kur lexoi vargun e mrekullueshëm kur'anor: "A nuk përsiatin ata për Kuranin?! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie!", (En Nisa: 82).

Dr. Miller, në lidhje me këtë ajet, thotë: "Një nga parimet e njohura shkencore është parimi për të gjetur gabime, ose për të kërkuar gabime në një teori, deri sa të provohet se ajo është e drejtë (Falsifikimi i Testit). Ajo që të mahnit është se Kur'ani i Shenjtë kërkon prej muslimanëve dhe jomuslimanëve të përpiqen të gjejnë gabime në të dhe u tregon atyre se ata kurrë nuk do të gjejnë ndonjë gabim".

Miller vazhdon: "Asnjë shkrimtar në botë nuk merr guximin të shkruaj një libër dhe pastaj të thotë se libri im është pa gabime. Ndërkaq Kur'ani, përkundrazi, ju tregon se nuk ka gabime dhe kërkon nga ju që të përpiqeni për të gjetur në të ndonjë gabim dhe se ju nuk do të gjeni asnjë".

Një tjetër varg kur'anor, tek i cili dr. Miller është ndalur për një kohë të gjatë, është ajeti: "A nuk e dinë mohuesit se qiejt dhe toka kanë qenë një e tërë (retk)? Pastaj Ne i ndamë ato (fe-fetaknahuma) dhe bëmë nga uji çdo gjë të gjallë! Akoma nuk besojnë?!", (El-Enbija: 30).

Fjala arabe "Retk" e përdorur në këtë ajet kur'anor është 'një gjë e ngjitur', kurse "fetk" 'një gjë e ndarë'.

Ai thotë: "Ky ajet është pikërisht objekt i zbulimit shkencor që fitoi Çmimin Nobel në vitin 1973 për teorinë "Shpërthimi i Madh". Sipas kësaj teorie, universi është rezultat i një shpërthimi të madh që çoi në formimin e universit, me qiejt dhe planetët e tij".


Kush është autor i Kur'anit fisnik?!

Dr. Miller thotë: "Tani kemi ardhur në atë që është e mahnitshme rreth pejgamberit Muhammed a.s.. E ai është pretendimi në lidhje me ndihmën që djalli i ka 'dhënë' atij". Allahu i Lartësuar thotë: "Atë (Kur'anin) nuk e kanë zbritur djajtë. Jo vetëm që kjo s'u takon atyre, por as nuk kanë fuqi të bëjnë një si ai", (Esh-Shuara: 210-211).

Gjithashtu, Allahu i Gjithëfuqishëm thotë: "Kur dëshiron të lexosh Kur'anin, kërko mbrojtjen e Allahut kundër djallit të mallkuar", (En-Nahl: 98).

Shikoni! A mund të jetë kjo një mënyrë e djallit për të shkruar një libër?! Si mund të shkruajë ai një libër dhe pastaj t'iu thotë që të kërkoni mbrojtjen e Zotit ndaj tij (djallit) para se ju ta lexoni atë libër? Këto janë ajete të mrekullueshme të këtij libri impozant! Dhe ka një përgjigje logjike për ata të cilët pretendojë se ky libër është nga "djalli".


Ebu Lehebi - kundërshtar i Islamit

Në mesin e tregimeve që e kanë habitur dr. Millerin është edhe historia e Pejgamberit a.s. me Ebu-Lehebin. Miller thotë: "Ebu Lehebi e urrente aq shumë Islamin, sa që shkonte kudo pas Pejgamberit për ta fyer atë. Nëse e shihte Pejgamberin a.s. duke folur me njerëz të panjohur, ai priste deri sa të përfundonte dhe pastaj i pyeste ata: 'Çfarë ju tha Muhammedi? Nëse Muhammedi u thotë e bardhë, në realitet ajo është e zezë, e nëse ju thotë natë ajo është ditë'! Qëllimi i tij ishte të kundërshtonte çdo gjë që thoshte Pejgamberi a.s. dhe t'i bënte njerëzit të dyshonin lidhur me të".

Dhjetë vjet para vdekjes së Ebu Lehebit, Pejgamberit i shpallet në Kur'an kaptina e quajtur El-Mesed: "Ju thafshin duart Ebu Lehebit dhe u thaftë në gjithçka! Nuk do ta ndihmojë atë as pasuria dhe as fitimet e tjera. Ai, me siguri, do të hidhet në zjarrin me flakë të tërbuara. Po ashtu edhe gruaja e tij, që bart drutë e zjarrit, në qafën e saj do të ketë një litar prej fijesh palme", (El-Mesed: 1-5).

Kjo kaptinë tregon se Ebu Lehebi do të shkojë në ferr. Me fjalë të tjera, ajo thotë se Ebu Lehebi nuk do ta pranonte Islamin. Gjatë një dekade, Ebu Lehebi mund të kishte thënë: "Muhammedi ka thënë se unë nuk do të bëhem musliman, se unë do të shkoj në ferr, por ja unë tani ju them se dua të hyj në Islam dhe të bëhem një musliman! Çfarë mendoni rreth Muhammedit tani? A është ai duke e thënë të vërtetën, apo jo? A është frymëzimi i tij nga Zoti"?

Por Ebu Lehebi nuk e bëri këtë, pavarësisht nga fakti se të gjitha veprimet e tij ishin në kundërshtim me atë që thoshte Muhammedi a.s. Mirëpo ai nuk e kundërshtoi Pejgamberin a.s. në këtë çështje. Me fjalë të tjera, kjo ishte sikur Pejgamberi a. s t'i kishte dhënë Ebu Lehebit një shans për ta nxjerrë (provuar) atë të gabuar! Por Ebu Lehebi nuk e bëri gjatë tërë 10 viteve! Ai nuk u konvertua në Islam dhe as nuk pretendoi madje të shtirej si musliman! Gjatë 10 vjetëve, ai e kishte mundësinë për të shkatërruar Islamin në një minutë!

Por kjo nuk ndodhi, sepse ato nuk janë fjalët e Muhammedit a.s., por fjalët e Zotit që e di të fshehtën dhe që e dinte se Ebu Lehebi nuk do të bëhej musliman.

Si mund ta dinte Muhammedi a.s. se Ebu Lehebi do ta vërtetonte atë që ishte thënë në kaptinën "El Mesed", në qoftë se ajo nuk do të ishte frymëzim prej Zotit?

Si mund të ishte i sigurt Muhammedi a.s. gjatë 10 viteve se ajo që thoshte Kur'ani ishte e vërtetë, nëse ai nuk do ta dinte se ai ishte frymëzim nga Zoti?


Kur'ani sfidon të ardhmen

Dr. Miller, në lidhje me një ajet tjetër që e ka habitur, thotë: Një nga mrekullitë e Kur'anit është se Kur'ani e sfidon të ardhmen me gjëra të cilat njerëzit nuk mund t'i parashikojnë dhe për të cilat vlen "Falsifikimi i Testit". Për shembull, le të shohim se çfarë thotë Kur'ani për raportet mes muslimanëve dhe hebrenjve:

"Me siguri do të vëresh se armiqtë më të ashpër të besimtarëve janë hebrenjtë dhe idhujtarët dhe se miqtë më të afërt të tyre janë ata që thonë: 'Ne jemi të krishterë'. Kjo për shkak se ndër ta ka priftërinj (të dhënë mbas dijes) e murgj (të përkushtuar ndaj adhurimit) dhe se ata nuk janë kryelartë (ndaj të vërtetës)", (El-Maide: 82-84).

Kur'ani, në këto ajete, thotë se çifutët janë armiqtë më të ashpër për muslimanët dhe kjo është e vërtetë, sepse armiqtë kryesor për muslimanët janë çifutët.

Dr. Miller vazhdon e thotë: "Kjo ishte si një sfidë e madhe, pasi çifutët kishin mundësi që ta prishnin Islamin thjesht duke i trajtuar muslimanët në një mënyrë miqësore për disa vjet e pastaj të thoshin: 'Ne jemi duke ju trajtuar juve si miq, kurse Kur'ani thotë se ne jemi armiqtë tuaj më të mëdhenj, pra Kur'ani duhet të jetë i gabuar'! Por kjo nuk ndodhi gjatë 1400 viteve! Dhe kjo kurrë nuk do të ndodhë sepse këto janë fjalët e Atij (Zotit) që e di të fshehtën. A mund ta shihni se si ajeti që flet për armiqësi mes muslimanëve dhe hebrenjve përbën një sfidë për mendjen e njeriut"?

Këto ajete ndikuan tek dr. Miller. Ai, edhe pse ishte një i krishterë, kur e njohu të vërtetën, e besoi atë dhe u kthye në Islam, duke u bërë një thirrës i madh musliman.


Stili unik i Kur'anit

Dr. Miller thotë se stili unik i Kur'anit është i mrekullueshëm: Nuk ka dyshim që është diçka unike dhe e mahnitshme në Kur'an, që nuk është e pranishme kudo tjetër, sepse Kur'ani iu jep një informacion të veçantë dhe iu tregon se ju nuk e keni ditur këtë më herët. Për shembull:

"Këto janë lajme të fshehta, që po t'i shpallim ty (o Muhammed). Ti nuk ishe i pranishëm kur ata hodhën short se kush prej tyre do të merrte nën kujdes Merjemen dhe nuk ishe i pranishëm kur ata diskutonin", (Ali Imran: 44).

"Këto janë (disa) nga lajmet e fshehta që Ne t'i shpallim ty. Këto nuk i ke ditur as ti, as populli yt para kësaj (shpalljes së Kur'anit). Andaj duro! Se vërtet, në fund, fitorja është e besimtarëve", (Hud: 49).

"Këto janë disa nga historitë e fshehta, të cilat Ne po t'i shpallim ty (o Muhammed). Ti nuk ke qenë me ata, kur vendosnin për punën e tyre dhe kurdisnin dredhira", (Jusuf: 102).

Dr. Miller thotë: "Nuk ka libër tjetër të shenjtë që e përdor këtë stil. Të gjithë librat e tjerë përbëhen nga informacioni që iu tregon se ky informacion ka ardhur nga ... Për shembull, kur Bibla flet në lidhje me tregimet e popujve të lashtë, ajo tregon se ky mbret jetonte në këtë vend, se ai udhëheqës luftonte në atë betejë dhe se një person i caktuar ka një numër të caktuar fëmijësh dhe se emrat e tyre janë ... Por Bibla gjithmonë tregon se nëse doni të dini më shumë, ju mund të lexoni një libër të caktuar, ngase informacioni vjen nga ai libër".

"Kjo është në kundërshtim me Kur'anin, i cili iu jep informacion dhe iu tregon se ai informacion është i ri! Dhe ajo që është e mahnitshme është se populli i Mekës, në atë kohë (në kohën e shpalljes së këtyre ajeteve), i dëgjonte ato ajete sfiduese ku thuhej se të dhënat në ajete ishin të reja dhe nuk ishin të njohura nga Muhammedi a.s., e as nga bashkëkohësit e tij dhe, pavarësisht kësaj, ata kurrë nuk thanë: 'Ne i dimë ato dhe ato nuk janë diçka e re'. Ata gjithashtu nuk thanë: 'Ne e dimë se nga erdhi Muhammedi (a.s.) me këto ajete'. Kjo nuk ndodhi kurrë! Por ajo që ndodhi ishte se askush nuk guxoi të thoshte se ai kishte gënjyer për ato, sepse ato ishin me të vërtetë informacione të reja, që nuk vinin nga mendja e njeriut, por prej Zoti që e di të fshehtën në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen".



Përktheu: Mr. Ajni SINANI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...