Historia e Mevludit e përgjithshme edhe te Shqiptarët
Mevludi është: 'Historia e lindjes dhe biografia e Muhamedit a.s. e thurur në vargje'. Kjo formë e manifestimit e cila bëhet në ditët e sotme nuk ishte e njohur në kohën e Muhamedit a.s. e as në kohën e sahabëve e as në kohën e tabiinëve (tri gjeneratat e para të Islamit), por ka shenja të tjera që Muhamedi a.s. e kishte kujtuar atë ditë me agjërim dhe forma të tjera.
Për herë të parë Manifestimin për ditëlindjen e Muhamedit a.s. e kishin bërë udhëheqësit e Dinastisë së Fatimijëve në Kairo të Egjiptit në vitn 362 islamik (në shekullin 4 islamik). Por kjo formë nuk gjeti shumë përkrahje në botën islame, sepse në formën e manifestimit të tyre gjendej shumë elementi Shiit.
Ndërsa për herë të parë në mënyrë zyrtare, me përkrahje dhe organizim institucional u festua në qytetin Erbil të Irakut nga sundimtari i famshëm dhe shumë bujar si dhe humanist i madh i asaj kohe Mudhaffer Kevkeburi kah fundi i shekullit të gjashtë Islamik. I cili në mënyrë madhështore dhe me pjesëmarrjen e dijetarëve dhe prijësave të asaj kohe e organizon manifestimin e ditëlindjes së Muhamedit a.s.. Ai këtë e bëri vetëm atëherë pasi që dijetarët e asaj kohe e lejuan dhe e konstatuan se nuk është në kundërshtim me normat dhe parimet fetare.
Ky manifestim përmbante: Ligjerata, fjalime rreth jetës së Muhamedit a.s., shpërndante ushqim për pjesmarrësit, jepte sadaka dhe ushqim për të varfërit, i shtonin veprat e mira, etj.. Kjo mënyrë e manifestimit u përhap shumë shpejt në të gjitha vendet islame si në: Egjipt, Mekë, Azi, Afrikë, në Spanjën muslimane, pastaj në Indi, Turqi, etj.. Kjo nënkupton se tradita e manifestimit të ditëlindjes së Muhamedit a.s. daton rreth 1000 vite në forma jozyrtare, kurse rreth 700 vjet në mënyrë zyrtare dhe me organizime me përkujdesje institucionale shtetërore islame.
Prej asaj kohe e deri në ditët e sotme Ditëlindjen e Muhamedit a.s. e feston gati e tërë bota islame, dhe organizohet në mënyrë zyrtare nga institucionet kompetente fetare ose ministritë e fesë të shteteve Islamike. Kurse te Turqit Dita e Mevludit për herë të parë u festua në periudhën e sulltan Muratit të tretë (1574-1595 e.r.).
Kah fundi i shekullit 15. Për jetën dhe veprat e Muhamedit a.s. gjatë historisë u shkruan shumë vepra, proza, poezi, etj.. Vepra më e njohur në poezi kushtuar Muhamedit a.s. është poezia 'Kasidetul Burde' e Imam El-Busejri në shekullin e shtatë islamik (14 e.r.) e që përmban 182 vargje, në Egjipt. Pas kësaj e deri në ditët e sotme për Muhamedin a.s. u shkruan shumë Tekste si: 'Prozë, poezi, kaside, monologje e shumë të ngjashme'. Edhe vetë Muhamedi a.s. në kohën e tij e donte poezinë, e pelqente kur poetët e lavdëronin atë dhe e mbronin islamin me poezitë e tyre nga sulmet e idhujtarëve, dhe i inkurajonte të tjerët për poezi.
Muhamedi a.s. kishte poetin e tij personal Hasan ibn Thabit ku e mbronte Muhamedin a.s., Islamin dhe muslimanët nga sulmet e poetëve idhujtarë. Në Medine kur emigroi, ai u prit nga Medinasit dhe Mekasit e shpërngulur me këngën (kasiden) 'Taleal bedru alejna', e që ne e radhisim Ilahi. Është i njohur rasti i 'Kasidetul Burde' me poetin Ka'ab ibnu Zuhejr, të cilit i dhuroi xhyben e tij për lavdërimin që ia bëri Muhamedit a.s. me poezi. Muhamedi a.s. thotë për poezinë: Poezia është një gjë që të bukurën e bën më të bukur dhe të keqen e bën më të keqe.
Meqenë se ky manifestim i Mevludit nuk ishte i njohur në kohën e Muhamedit a.s. e as në kohën e Tabiinëve e as në kohën e gjeneratës së tretë pas Pajgamberit a.s., dijetarët islam sikur për çdo çështje që shfaqej me kohën, debatuan për zgjidhjen e çështjeve ku zbatuan metodologji shkencore që risinë (bidatin) e paraqitur ta vendosin mbi fundamentet e përgjithshme në harmoni me parimet e sheriatit. Vetëm atëherë konstatohej se risia ishte çështje e ligjësuar dhe legjitime, ku njëkohësisht konsiderohej adhurim dhe afrim tek Allahu xh.sh.. Ashtu pra bënë edhe për ditëlindjen e Muhamedit a.s. dhe dhanë mendimet e tyre duke krijuar edhe anën ligjore fetare për këtë manifestim.
Gjatë historisë islame dijetarët për çështjen e Mevludit u ndanë në tri grupe:
1. Ata që nuk e lejojnë Mevludin, në këtë grupë është Muhamed ibn Abdulvehab nga Arabia Saudite dhe bashkëmendimtarët e tij.
2. Ata që e lejuan Mevludin me disa vërejtje, në këtë grup është edhe dijetari Ibnu Tejmije, i cili e lavdëron Mevludin dhe tubimin ku lexohet Kur'ani dhe ku bëhet dua, dhe
3. Shumica dërmuese e dijetarëve islam të të gjitha kohërave që thonë se manifestimi për ditëlindjen e Muhamedit a.s. është jo vetëm i lejuar, por edhe i preferuar (Mustehab). Të gjithë këta dijetarë që lejuan manifestimin e ditëlindjes së Muhamedit a.s. si diçka e re në Islam, ata Bidatin e ndanë në dy grupe (dy lloje): Bidat i mirë dhe Bidat i keq. Kurse Mevludin e radhitën nga Bidatet e mira.
Argumentet e dijetarëve që e lejuan manifestimin e Mevludit
Të gjithë këta dijetarë që e lejuan manifestimin e Mevludit e argumentuan me argumente direkte dhe indirekte nga: Kur'ani, Hadithi, Ixhmai (Konsensusi i dijetarëve) dhe Kijasi (analogjia).
- Argumenti i parë: Ata Bidatin (Risinë, gjërat që janë paraqitur pas vdekjes së Muhamedit a.s.) e ndanë në Risi të mirë dhe Risi të keqe (Risi të pëlqyera dhe risi të papëlqyera). Imam Shafiu thotë: Bidati është dy lloje: Bidat i lavdëruar dhe Bidat i urrejtur. Ai Bidat që pëlqen me sunetin e Muhamedit a.s. është i lavdëruar, ndërsa ai Bidat që kundërshtohet me sunetin është bidat i papranuar. Mu për këtë Imam Shafiu mendon se ajo vepër që ka bazë në burimet e sheriatit nuk mund të konsiderohet e ndaluar edhe nëse atë nuk e ka zbatuar Muhamedi a.s. dhe as'habët e tij. Dr. Muhamed Said Ramadan El-Buti një dijetar bashkëkohor thotë për hadithin e Muhamedit a.s. (... Çdo bidat është (Dalalet) humbje), se te dijetarët e Usuli Fikhut komentohet për çdo veprim që klasifikohet si bidat e që është në esencën e fesë apo shtyllat fundamentale të fesë.
Veprimet e tilla, si mevludi e të tjera, konsiderohen si mjete ndihmëse legjitime, për të realizuar interesin e përgjithshëm fetar dhe jetësor, prandaj, edhe në bazë të hadithit të Pejgamberit a.s., konsiderohen si rrugë të mira dhe të dobishme, për të cilat Pejgamberi a.s. ka thënë: "Kush hap një rrugë të mirë në islam, ai ka shpërblimin e tij për këtë rrugë si dhe shpërblimin e atyre që pasojnë të veprojnë në këtë rrugë, pa iu pakësuar shpërblimi ...", (transmeton muslimi). Dijetarët në fjalë, Mevludin e radhitën në këtë përfshirje të hadithit, sepse askush nga besimtarët islam deri më sot, Mevludin nuk e trajtoi si çështje esenciale të besimit, apo si pjesë përbërëse të shtyllave islame.
- Argumenti i dytë: Manifestimi i Lindjes së Muhamedit a.s. është Falënderimi i Zotit për ngjarje të rëndësishme dhe për ditë të veçuara. Dijetari Ibnu Haxher El-Askalani këtë e argumenton me hadithin e agjërimit të ditës së ashurës, ku në shenjë falënderimi ndaj Zotit për shpëtimin e Pejgamberit Musa a.s., Muhamedi a.s. përkujtoi këtë ditë me agjërim dhe porositi besimtarët që të agjërojnë.
- Argumenti i tretë: Imam Sujutiu argumenton se Muhamedi a.s. kishte prerë kurban Akika për vetën e tij (për lindjen e tij) pas pejgamberllëkut, edhe pse gjyshi i tij kishte therrë për të në ditën e shtatë të lindjes së tij.
- Argumenti i katërt: Duke pasur parasysh se Mevludi në formën si organizohet sot ka filluar ne shekullin e shtatë h.. Pra, një zbatim mbi shtatë shekuj (e në të janë bashkuar tërë Ymmeti musliman me gjithë dijetarët e tyre) del qartë argumenti për lejimin e tij. Muhamedi a.s. ka thënë: "Ymmeti im nuk bashkohet (unifikohet) në çështje të humbura". Prandaj do të ishtë jo korrekte dhe jo islame dhe aq më pak jo racionale, që të akuzohen dijetarët e shtatë shekujve bashkë me popujt e tyre për veprime jo islame dhe veprime të ndaluara sipas dispozitave islame.
- Argumeni i pestë: Të gjithë muslimanët (gati), në krye të tyre dijetarët islam janë të mendimit se festimi i Mevludit është vepër e mirë. Muhamedi a.s. thotë: "Ajo që muslimanët e mendojnë për të mirë, tek Allahu është e mirë".
- Argumenti i gjashtë: Besimtarët për Mevludin gëzohen dhe shfaqin dashurinë për Muhamedin a.s. e në anën tjetër dashuria ndaj Muhamedit a.s. dhe gëzimi për Të është kusht i vlefshmërisë së imanit.
- Argumenti i shatë: Muhamedi a.s. e veçoi ditën e Hënë nga ditët e tjera ku ai kishte traditë të agjëronte këtë ditë. I pyetur për arsyen e agjërimit të kësaj dite, ai u përgjigj: "Kjo është dita kur unë linda, dhe dita kur u gradova si i dërguar". Dhe kjo duket mjaft argument i fortë dhe i qartë për festimin e ditës së lindjes së Tij.
- Argumenti i tetë: Dita e lindjes dhe dita e vdekjes përmendet edhe në Kur'an. Allahu në Kur'an në lidhje me pejgamberin Isa a.s. thotë: "Dhe Paqja për të, në ditën kur lindi dhe ditën kur do të vdesë". Gjithashtu përsëritjen e këtij teksti e bënë edhe vetë pejgamberi Isa a.s. duke thënë: "Dhe paqja për mua, në ditën kur linda dhe në ditën kur do të vdesë". Në këto dy ajete gjejmë argumente të forta mbi respektimin e ditës së lindjes dhe të vdekjes.
- Argumenti i nëntë: Këto tubime llogariten mexhlise të hajrit, të dhikrit, të përmendjes së Zotit, të salavateve mbi pejgamberin Muhamedin a.s., etj.. Kurse Muhamedi a.s. na ka pororsitur me hadith që të pushojmë në këto mexhlise kur gjendemi aty.
- Argumenti i dhjetë: Manifestimi i mevludit nëse nuk ka bazë në Kur'an e as në synet për ta kremtuar, ai nuk ka bazë as në Kur'an e as në synet se është i ndaluar. Përkundrazi shumica absolute e dijetarëve islam me gjithë popujt e tyre të të gjitha kohërave atë e kanë përkrahur, dhe kjo konsiderohet (Ixhmaë) konsensus i dijetarëve islam. Dhe konsensusi i dijetarëve është Burim i ligjit në legjislaturën Islame.
Tradita e mevludit tek shqiptarët
Shqiptarët Mevludin e kanë trashëguar nga Turqit, të cilët kremtimin e tij e kanë filluar në shekullin 15. Ndërsa tekstin e parë të Mevludit në gjuhën turke e shkroi Imami i Ullu Xhamisë në Bursë 'Sulejman Çelebiu' në vitin 1405, E që ishte bazë e shkrimeve të mevludeve në gjuhën shqipe.
Mevludi te shqiptarët ka filluar të njihet dhe të kremtohet nga shekulli 18. dhe është me ndikim dhe shtrirje sa asnjë manifestim tjetër fetar, dhe më i përhapur si në familje, xhami, vende publike dhe më gjerë. Është i pari që është kuptuar diçka nga feja islame në gjuhën shqipe në mungesë të literaturës tjetër fetare të shkruar. Kurse ndër hoxhallarët shqiptarë më të njohur që shkruan Mevlude ishin: Muhamed Çami, Ismail Floqini, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ali Ulqinaku, Tahir ef. Popva, Hasan Zuko Kamberi, etj.'. Deri sot janë shkruar rreth 30 tekste të mevludit në gjuhën shqipe. Mevludi i parë që u shkrua në gjuhën shqipe ishte ai i Hasan Zuko Kamberi në mesin e shekullit 18. Ndërsa Mevludi më i përhapur në trevat shqiptare është ai i Tahir ef. Popovës.
Dijetarët shqiptarë të fesë islame të të gjitha kohërave gjithashtu edhe institucionet fetare shqiptare gjithmonë e kanë përkrahur dhe e kanë praktikuar kremtimin dhe këndimin e Mevludit. Roli dhe ndikimi i Mevludit te Shqiptarët Sikur te shumë popuj të botës edhe te shqiptarët mevludi organizohej jo vetëm në muajin e mevludit rabiul ewwel, por edhe për raste gëzimi, lindje fëmije, syneti, hyrje në shtëpi të re, fejesa, martesa, bile edhe për ngushëllime në postmortum, etj..
Mevludi te shqiptarët bëhet kështu: 'Pas faljes së namazit fillohet me lexim nga Kur'ani, pastaj salavate mbi Pejgamberin Muhamedin a.s., pastaj këndimi i mevludit i shoqëruar me salavate, shpeshherë në mes lexohet përsëri pjesë nga Kur'ani, përfundimi me Kur'an, dhe në fund lutje'. Gjatë qëndrimit në këto mexhlise gjithmonë praktikohen këshilla dhe ligjerata fetare,diskutim rreth fesë, përgjigje të pyetjeve te besimtarëve, shtrohet ushqim për të pranishmit, etj..
Këndimi i mevludit luajti një rol shumë të rëndësishëm në veçanti në kohën e komunizmit, ku ishte ndoshta nga mundësitë e rralla që të takohet imami me xhematin e tij të të gjitha shtresave, sepse në familjet ku këndohej mevlud tubohen, hoxhallarë, xhemati, gra, fëmijë, të rinjë, intelektualë, politikanë, etj., ku këta ftoheshin në mevlud për afërsinë familjare që kishin me të zotin e shtëpisë që bënte mevludin. Kjo llogaritej, por edhe sot llogaritet metodë e thirrjes në islam, ku hoxha apo thirrësi në islam duhet ti shfrytëzon të gjitha mjetet e mundshme për të përhapur njohurit e fesë islame, sepse këtë e bënte edhe Muhamedi a.s. gjatë misionit të tij profetik.
Pra mevludi si dhe disa ceremoni të tjera, kanë qenë i vetmi kontakt për bisedë të lirë mes imamit dhe xhematit të tij. Mulla Jakup Asipi Allahu e mëshiroftë thoshte: 'Jam i gatshëm që ço rresht të mevludit t'ua argumentoj me ajet Kuranor ose me hadtih ose me thënie te sahabëve, etj.'. Nga gjithë sa u tha bazuar në argumente, konstatohet se manifestimi i mevludit nuk është i obliguar (farz), por është pjesë e traditës dhe kulturës tonë fetare (shpirtërore).
Është një mirësi (mustehab) që myslimanët, kudo që janë, dhe sidomos në trojet tona, të shënojnë ditëlindjen e Pejgamberit a.s., ngase praktika po tregon se, në mungesë të festimeve islame dhe nevojës së begatisë shpirtërore, myslimanët, veçanërisht rinia, po orientohet për kremtime festash krejtësisht të huaja si shën valentinin, shën gjergjin, hallowini (natën e shtrigave), etj., që nuk kanë asgjë të përbashkët me identitetin e tyre fetar. (Bazuar në librin, Mevludi tek shqiptarët, përmbledhje kumtesash nga sesioni shkencor, Prishtnë, 22 prill 2009).
Autor: Mr. Ragmi DESTANI