Katër medhhebet
Katër Imamët, janë drejtuesit e njerëzve në kohën e tyre dhe udhëzues për të tjerët më pas, në akiden (besimin) e tyre, akiden e "ehlis-sunneti vel-xhemaa"-s [1]. Ata ishin shembull i lartë në kohën e tyre dhe udhëzim për të tjerët më pas, në dije, kuptim, adhurim, devotshmëri, besnikëri, në frikën për Zotin (xh.sh.), në mënyrën e pendesës dhe sakrificat e shumta në këtë botë. U sprovuan nga udhëheqësit e kohëve të tyre, sepse i kundërshtuan ata për disa interesa të fesë dhe të kësaj bote dhe duruan për hir të Zotit (xh.sh.), në studimin e figurës së secilit, kjo gjë do të dalë e qartë.
1. Katër Imamët kanë qenë si një familje e vetme, duke rënë dakord në bazat (usul) dhe vendimet absolute (kat'ijjat) në argumente dhe vendime. Divergjencat ndërmjet tyre ishin të lidhura me mënyrën e të kuptuarit të çështjeve nga secili, veçanërisht në disa fakte, të nisur nga saktësia, mënyra e argumentimit me to, etj..
Ebu Hanife [2]: U lind në vitin 80 h.
Malik ibn Enes [3]: U lind në vitin 93 h.
Muhammed Idris Esh-Shafii [4]: U lind në vitin 150 h.
Ahmed ibni Hanbel [5]: U lind në vitin 164 h.
2. Secili Imam e ka vlerësuar vëllanë e tij Imam, që do thotë se ata janë respektuar dhe kanë qenë të kënaqur me njëri-tjetrin. Ndërsa divergjencat e tyre në çështje degëzore, janë të padëmshme, pasi kjo është natyrë e mendjes njerëzore dhe dukuri ekzistuese edhe te sahabët e mëdhenj, sikurse e dimë.
3. Thotë muhadithi indian Ed-Dehlevi: "Pasimi i këtyre katër medhhebeve të shkruara është pritur me miratim konsensual nga ymmeti deri në ditët e sotme. Kjo është tepër e dobishme sidomos në Indi, kur vullneti është ulur, shpirtrat janë mbushur me kapriço dhe çdokush po shikon vetëm mendimin e tij", ("El-insaf fi bejani esbabil-ikhtilaf", fq. 97).
4. Thotë Shejkh Ali el-Khafif: "Divergjencat në mes Imamëve të katër medhhebeve dhe pasuesve të tyre nuk kthehen në bazat e fesë, sepse është vërtetuar dhe sqaruar, se bazat e tyre janë një, por këto divergjenca kthehen tek kuptimi, peshorja dhe përcaktimi i këtyre bazave, sepse të gjithë ata punojnë me: Kur'an [6], Sunnet [7], Ixhma' [8], Kijas [9], Istihsan [10], Mesalih mursele [11], Istis'hab [12], sipas mënyrave që sqaruam më përpara ...", ("Esbabu ikhtilafil-fukaha", vëll. 2, fq. 282).
5. Thotë Shejkh Muhammed Ebu Zehra: "Divergjencat (e Imamëve të medhhebeve) nuk kanë të bëjnë me bazat, por lidhen thjeshtë me degët", ("Tarikhul-medhahib el-islamijje", fq. 85).
6. Thotë Shejkh Velijull-llah ed-Dehlevi, në librin e tij: "Akdul-xhejjid fi mesailil-ixhtihadi vet-teklid", kapitulli: (Vërtetimi i të kapurit me katër medhhebet): "Dije se të kapurit pas këtyre katër medhhebeve është një interes i madh, ndërsa një e keqe e madhe do të vijë nëse largohemi prej tyre", për disa arsye:
Së pari: Ymmeti ka rënë në konsensus për t'u mbështetur te të parët tanë në njohjen e Sheriatit. Vetë veprimi i këtij konsensusi tregon për të mirën e këtij veprimi, pasi Sheriati nuk njihet vetëm se me anë të kalimit nga dijetari tek nxënësi dhe me anë të nxjerrjes së mësimeve nga rregullat dhe argumentet e ndryshme. Vetë kalimi nuk mund të arrihet pa e marrë nga të parët që e kanë marrë me lidhje, ndërsa nxjerrja e mësimeve të reja, duhet të bazohet në njohjen e medhhebeve të të parëve, për të mos dale me ndonjë shprehje që prish më pas konsensusin ...
Së dyti: Me qenë se nuk kanë mbetur vetëm se këto medhhebe, pasimi i tyre është ndjekje e pjesës më të madhe dhe dalja prej tyre, dalje nga rruga e pjesës më të madhe. Edhe vetë Pejgamberi (a.s.) ka urdhëruar për pasimin e pjesës më të madhe, duke thënë: "Ndiqni, pasoni dhe qëndroni me bashkimin" [13], etj., (Shkëputur nga libri: "El-muxhez fish-Sheriah", fq. 273). Ndër këto pika përmendet gjithashtu fjala e Imam Dehlevisë në spjegimin e "Muvetta"-së, gjatë fjalës së tij për katër imamët e medhhebeve, kur thotë: "Në përgjithësi, dija e atyre katër imamëve përfshin të gjithë botën", ("Sherhul-Muvetta", fq. 6).
7. Thotë Shejkh Dr. Abdul-Latif Farfur: "Ajo që më del më e saktë mua dhe verifikuesve nga pasimi dhe ndjekja e katër medhhebeve dhe çfarë përfshijnë ato, është se Ixhtihadi nuk është i ndaluar dhe se Taklidi është haram për muxhtehidin, sikurse është vaxhib [14] për avamët që nuk kanë plotësuar kushtet e ixhtihadit, edhe nëse janë të ditur në disa lloje diturish!". Dhe argumentet për këtë, janë si në vijim:
a). Thënia e All-llahut (xh.sh.): "... e nëse nuk dini këtë, atëherë pyetni njerëzit e dijshëm" [15],është i përgjithshëm (Am) për çdo të ngarkuar me obligimet islame (mukel-lef), kështu që ai duhet të jetë i përgjithshëm edhe në pyetjen rreth çdo të paditure.
b). Është konsensual fakti i ekzistencës së avamëve në kohën e sahabëve dhe tabiinëve, para daljes së kundërshtarëve, siç është konsensual fakti se këta avamë kërkonin fetva nga muxhtehidët, të cilët u përgjigjeshin për vendimet e ndryshme islame.
Madje dijetarët e tyre jepnin përgjigje edhe pa bërë shenjë për përmendjen e faktit, duke mos i ndaluar as ata vetë për një veprim të tillë. Kështu që ishte konsensus çështja e detyrimit të avamëve për të ndjekur muxhtehidët. Kështu vazhdoi kjo gjëndje në tre shekujt e parë, për mirësinë e të cilëve dëshmoi vetë Pejgamberi (a.s.).
c). Fakti se ixhtihadi është një dhunti që nuk u jepet vetëm se pak njerëzve, i afrohet logjikës, sepse nëse ngarkohen me të të gjithë njerëzit, atëherë ajo do të ishte një ngarkesë e padurueshme, gjë që është e ndaluar në ligjet islame dhe me logjikë.
Avamët janë të ngarkuar me vendimet islame dhe nëse ata e ngarkojnë veten për të arritur gradën e ixhtihadit, atëherë do ta fusin veten në vështirësi dhe siklet, e kjo pa dyshim do të sjellë vështirësi për ta dhe do t'u largojë vëmemendjen për t'u marrë me punët e tyre të kësaj bote, gjë që është e ndaluar!
All-llahu (xh.sh.), thotë: "dhe nuk ju obligoi në fé me ndonjë vështirësi" [16], (Shkëputur nga libri: "El vexhizu fistinbati usulil-ahkam", v. 2, fq. 574).
8. Thotë Dhehebiu, nxënës i Ibni Tejmijes, në shkrimet për Abdurr-Rrahman Euzai-në, All-llahu (xh.sh.) e mëshiroftë: "Pothuajse nuk mund ta gjejmë të vërtetën jashtë asaj që kanë rënë dakort katër imamët e ixhtihadit, edhe pse e pranojmë se konsensusi i tyre për ndonjë çështje, nuk është konsensus edhe për ymmetin. Por kemi frikë të themi me bindje, për një çështje rreth së cilës kanë rënë dakort, se vërteta është jashtë saj", (Shkëputur nga libri: "Sieru ealamin-nubela", v. 7, fq. 17), (I gjithë ky material, thotë në shkrimin e tij Shejkh Vehbiu, është marrë nga libri im "Muhaderatun fi tarikhil-fikhil-islami" - "Leksione në historinë e fikhut islam").
Nga monografia e thirrësit islam: Muhamed Sytari,
"Vehbi Sulejman Gavoçi - dijetar nga dijetarët e ymmetit", Prishtinë 2005.
_________________________
[1] - Kush janë "Ehlus-sunneti vel-xhemaa"?, Ehlus-sunneti vel xhemaa, janë ata që ndjekin me rigorozitet rrugën e Profetit (a.s.), në të cilën ecën edhe sahabët para fillimit të bidateve (risive në fe), si I'tizali "Mu'tezile", Shiizmi "Shia", Rafidizmi "Rafida", etj..
Dy prijësit e "Ehlus-sunneti vel-xhemaa"-s. Njëri Hanefi: që është Imam Ebu Mensur Muhammed ibn Muhammed ibn Mahmud el-Maturidi, autor i shumë veprave, prej tyre: "Te'vilatul Kur'anil-kerim", "Et-teuhid", "El-mekalat", etj.. Vdiq, në vitin 333 h. Tjetri Shafii: që është Imam i mutekeliminëve (atyre që janë marrë me shkencën e njësimit-teuhid), Ebul-Hasan Ali ibn Ismail el-Esh'ari, që lindi në vitin 260 h. dhe vdiq në 330 h. Në fillim ndoqi Imamin e Mu'tezilive, El Xhubbaij dhe vazhdoi në këtë rrugë për 40 vite me radhë, por kur ndërroi medhhebin e tij nga I'tizali në Sunneh, u mor së bashku me nxënësit e tij, me kundërshtimin dhe hedhjen poshtë të mendimeve mu'tezilite dhe forcimin e asaj që ka ardhur në Sunneh (traditën profetike). Në këtë rrugë vazhdoi edhe masa, duke u quajtur "Ehlus-sunneti vel-xhemaa".
Thotë el-Kadi Kemalud-din Ahmed el-Bejdavi, nga gjykatësit e shekullit 11-të h.: "Kur përmendet "Ehlus-sunneti vel xhemaa", kemi parasysh Esh'aritë dhe Maturiditë".
Dhe thotë Ibn Subki, në "Sherhu akideti Ibnil-Haxhib": "Dije se të gjithë "Ehlus-sunneti vel xhemaa", kanë rënë dakord për një besim të vetëm, në atë që lejohet (xhaiz) dhe atë që është e pamundur (mustehil), edhe nëse ndryshojnë në rrugët dhe parimet që të çojnë aty", (Shih: Shejkh Vehbi S. Gavoçi, "Mesail fi limit-teuhid", fq.13).
[2] - Thotë Imam Shafiiu: "Njerëzit janë të varfër në fikh për Ebu Hanifen", Shih: Muhammed Ali el-Kutub, "El-fukahaul-erba", fq. 13.
[3] - Thotë Imam Shafiiu: "Kur të përmendet hadithi, Maliku është ylli që shpon errësirën me dritë". Po aty: fq. 63.
[4] - Thotë Imam Ahmedi: "Kushdo që mban në dorë bojë apo letër, i është borxhli Shafiiut". Po aty. fq. 103.
[5] - Thotë Shafiiu: "Dola nga Bagdadi dhe nuk lashë në të njeri më të ditur, më fakih e më të devotshëm, se Ahmed ibni Hanbelin". Po aty, fq. 151.
[6] - Kur'an: Në gjuhën arabe është paskajore, sinonime e leximit. Thotë Zoti (xh.sh.): "Sepse Ne e kemi për detyrë tubimin dhe leximin e tij. E kur ta lexojmë atë ty, ti përcille me të dëgjuar leximin e tij" - (El-Kijame: 17-18), më vonë u kalua nga ky kuptim paskajor dhe u vendos emër i fjalës mrekulli, të zbritur Muhammedit (a.s.), ndërsa në terminologjinë islame quhet: "Fjala e All-llahut (xh.sh.) që i zbriti Muhammedit (a.s.) në gjuhën arabe, mrekulli me suren më të shkurtër në të, e shkruar në Mus'haf, e transmetuar me lidhje absolute (tevatur), me leximin e së cilës adhurohet All-llahu (xh.sh.), e filluar me suren "El-Fatiha" dhe e mbaruar me suren (En-Nas)", (Shih: Prof. Dr. Vehbe Zuhejli, "Usulul-fikh", fq.22).
[7] - Sunnet: Në gjuhën arabe është tradita dhe rruga e zakonshme, ndërsa në terminologjinë islame quhet: "Çdo gjë që ka kryer Pejgamberi (a.s.), qoftë thënie, veprim apo miratim", (Shih: Prof. Dr. Vehbe Zuhejli, "Usulul-fikh", fq. 32).
[8] - Ixhma': Në gjuhën arabe do të thotë inisiativë dhe konsensus, ndërsa në terminologjinë islame quhet: "Konsensusi i muxhtehidëve, të ymmetit të Muhammedit (a.s.), në një kohë prej kohërave, për një vendim fetar", (Shih: Prof. Dr. Vehbe Zuhejli, "Usulul-fikh", fq. 43).
[9] - Kijas: Në gjuhën arabe do të thotë përcaktim ose të maturit, ndërsa në terminologjinë islame quhet: "Ngjitja e një çështjeje pa vendim të shkruar, me një çështje tjetër me vendim të shkruar, për shkak të bashkimit të tyre në shkakun e vendimit", (Shih: Prof. Dr. Vehbe Zuhejli, "Usulul-fikh", fq. 53).
[10] - Istihsan: Në gjuhën arabe quhet konsiderimi i një gjëje të mirë, ndërsa në terminologjinë islame quhet: "Preferimi i një analogjie të fshehtë mbi një analogji të qartë, me argument. Ose Përjashtimi i një vendimi pjesor nga një rregull absolut a një rregulle të përgjithshme, duke u bazuar në një argument të veçantë që e përmban këtë veprim", (Shih: Prof. Dr. Vehbe Zuhejli, "Usulul-fikh", fq. 81).
[11] - Mesalih mursele: Në gjuhën arabe quhet vepra e dobishme, ndërsa në terminologjinë islame quhet: "Përshkrimi që korespondon me sjelljet e Sheriatit dhe objektivat e tij, por që nuk dëshmon asnjë argument nga Sheriati për vlefshmërinë apo mënjanimin e tij. Duke u lidhur vendimi me të arrihet në përfitimin e një dobie ose largimin e një fatkeqësie nga njerëzit", (Shih: Prof. Dr. Vehbe Zuhejli, "Usulul-fikh", fq. 87).
[12] - Istis'hab: Në gjuhën arabe quhet kërkimi i shoqërimit, ndërsa në terminologjinë islame quhet: "Vendimi për vërtetimin e një gjëje ose mohimin e saj, bazuar në vërtetësinë e saj ose jo në të kaluarën, për mos ekzistencë argumenti që vërteton ndryshimin e këtij fakti", (Shih: Prof. Dr. Vehbe Zuhejli, "Usulul-fikh", fq. 107).
[13] - Transmetuar nga Tirmidhiu, i saktë, (Shënim i autorit të fjalëve të lartpërmendura, Shejkh Velijull-llah ed-Dehlevi).
[14] - Vaxhib: Quhet ajo gjë që Zoti (xh.sh.) e ka kërkuar nga i obliguari me detyrimet islame ta bëjë në mënyrë të prerë, duke u shoqëruar kjo kërkesë me ç'ka e argumenton obligueshmërinë e saj.
Vendimi për vaxhibin: Duhet të bëhet, me ç'rast vepruesi i tij shpërblehet, abuzuesi me të ndëshkohet (bën gjynah), ndërsa mohuesi i tij del nga feja, nëse obligueshmëria e tij vjen nëpërmjet një argumenti absolut, (Shih: Prof. Dr. Vehbe Zuhejli, "Usulul-fikh", fq.118, Tripoli, botimi i dytë, 1998).
[15] - El-Enbija: 7.
[16] - El-Haxhxh: 78.