Mirë se vjen ...!



Mirë se vjen ..., (U dërgua t'na mësonte, se vetëm me dituri e përparim njeriu mund të arrijë deri në gradat më të larta ...).

"Qoftë Salati Zotit mbi te pa pushuë, Lutna Zotit për partij me na pranuë, edhe qoftë mëshir mbi familjen e atij, Shpirt e pasuni për ta s'asht gja mjeshkri", Sheh Ahmed Shkodra. [1]

Po afrohet ajo ditë e madhe, kur sëbashku me rrezet ndriçuese të diellit, botën e përshkon edhe ndriçimi i Profetit tonë të dashur, Muhammedit (a.s.), pikërisht në ditën e 12-të të hënës së re të muajit Rebiul-Evvel.

Rebiul-Evvel (pranvera e parë) me të vërtetë që është një pranverë, ku jeta fillon të marrë ngjyrat më të bukura, ku flladi i këndshëm të merr me të mirë e ku ti ndjen se po rifillon ...

Mirë se vjen o pranverë e dashur e mirësive dhe e mëshirës! Pranverë e dhuratave të mëdha hyjnore dhe e bujarisë! O muaj i të përzgjedhurit Muhammed (a.s.)!

Shumë kohë më parë në ditët e para të një pranvere të begatë, u lind Profeti i fundit dhe vula e të dërguarve të Zotit, Muhammedi (a.s.). Sihariqi ishte i madh për njerëzimin, kur vetë ai, kohë më pas, do të pohonte se: "Unë jam mëshirë e dhuruar", [2] dhe se: "Jam dërguar mëshirë dhe s'jam dërguar dënim". [3]

Profeti ynë (a.s.) u dërgua me mëshirë, për t'na e mësuar mëshirën dhe për t'na e rrënjosur atë në krejt qënien tonë, pikërisht kur thoshte: "Kush nuk i mëshiron njerëzit, as All-llahu nuk e mëshiron", [4] si dhe: "Kush nuk mëshiron nuk mëshirohet dhe kush nuk fal nuk falet". [5]

U dërgua t'na mësonte etikën e të sjellurit me të tjerët, në bazë të besimit të sinqertë e njësues të Zotit, kur na thoshte: "Kush nuk falënderon njerëzit, nuk ka falenderuar as All-llahun". [6]

U dërgua t'na mësonte, se vetëm me dituri e përparim njeriu mund të arrijë deri në gradat më të larta të besimit dhe frikës ndaj Krijuesit të tij, sepse ai mësonte se: "Kërkimi i diturisë është detyrim për çdo musliman", [7] dhe se: "Kërkimi i diturisë është detyrim për çdo musliman dhe për kërkuesin e dijes kërkon falje çdo gjë, edhe balenat në det". [8]

Madje ai e krahasonte diturinë me një shoqërues besnik për besimtarin kur thoshte: "Mëso sepse dituria është miku i besimtarit", [9] dhe vazhdonte, duke i mësuar njerëzimit vlerën e diturisë në Islam dhe dobinë e saj për njeriun, si dhe vlerësimin e madh që i jep Krijuesi i gjithësisë, atij që angazhohet me dije të dobishme, duke thënë: "Me të vërtetë All-llahu, banorët e qiellit e të tokës edhe buburreca në vrimën e saj, edhe balena, luten për atë që u mëson njerëzve të mirën". [10]

Por ai ishte shumë i vendosur t'i mësonte njerëzve sinqeritetin në kërkimin e kësaj diturie dhe vendosmërinë në përhapjen e saj, duke i shërbyer vetes pikë së pari, e më pas të tjerëve, pasi thoshte: "Shembulli i atij që mëson diturinë dhe nuk ua mëson atë të tjerëve, është si shembulli i një personi që gropos thesarin, duke mos shpenzuar prej tij". [11]

Profeti ynë (a.s.) ishte shumë i kujdesshëm me njerëzit dhe u donte të mirën atyre pa përjashtim, sepse misioni i tij ishte mëshira dhe dashuria prandaj, shpeshherë u thoshte shokëve të tij: "Shembulli im dhe shembulli juaj është si puna e një personi që ka ndezur një zjarr, në të cilin fluturat dhe karkalecat vijnë e hidhen në të, ndërsa ai i largon me dorë që mos të bien në të. Edhe unë mundohem t' ju largoj nga zjarri e ju më ikni nga duart". [12]

Falënderimi i takon vetëm All-llahut Mëshirues, i cili na fisnikëroi duke na bërë pasues të Profetit Muhammed (a.s.), i cili mësonte se: "Çelësi i xhennetit është namazi dhe çelësi i namazit është pastërtia", [13] duke na edukuar me frymën e pastërtisë shpirtërore, nëpërmjet namazit dhe me atë fizike, nëpërmjet pastërtisë materiale. Ai, gjithashtu thoshte: "Sikur të mos e rëndoja umetin tim, do i urdhëroja të përdornin misvakun dhe të lyheshin me erëra të mira për çdo namaz". [14]

I lavdëruar qoftë Ai, i cili na nderoi me besimin tonë në Muhammedin (a.s.), i cili u kujdes për pastërinë e moralit tonë gjithashtu, sepse ai u thoshte bashkëkohësve të tij besimtarë, se: "Morali fisnik është prej punëve të xhennetit". [15]

I madhëruar qoftë All-llahu, i cili na mundësoi të ndjekim këtë Profet fisnik e njerëzor, të mëshirshëm ndaj njeriut e bujar me të, i cili na mësonte, se: "Nuk më ka besuar mua, kush fle i ngopur, ndërkohë që komshiu i tij është i uritur dhe ai e di", [16] duke na shtyrë të duam dhe të interesohemi për komshinjtë, duke forcuar në këtë mënyrë lidhjet shoqërore të bashkësisë njerëzore. Ai, na mësonte gjithashtu: "Kush e beson All-llahun dhe ditën e gjykimit le t'i bëjë mirë komshiut të tij dhe kush beson All-llahun dhe ditën e gjykimit le të nderojë mikun e tij dhe kush beson All-llahun dhe ditën e gjykimit le të flasi mirë ose të heshti", [17] duke na edukuar me një frymë besimi, kulture, qytetarie e diturie.

I njësuar në tokë e në qiell qoftë All-llahu i vetëm, i cili na ruajti dhe na ruan nga harami, kur na nderon me ndjekjen e mësimeve të Profetit tonë (a.s.), i cili mëson, se: "Kërkimi i hallallit është detyrim për çdo musliman". [18]

Atë e falënderojmë që na lartësoi, kur ndoqëm Profetin e Tij, Muhammedin (a.s.), i cili udhëzonte njerëzit, duke i thënë: "I lumi ai që ruan gjuhën (gojën) e tij, i mjafton shtëpia e tij dhe qan për gabimin e tij", [19] i cili forcoi lidhjet e besimtarëve e muslimanëve me njëri- tjetrin, kur u mësoi atyre, se: "Muslimani te muslimani ka gjashtë të drejta: Ta përshëndesë kur ta takojë, t'i përgjigjet kur ta thërrasë, kur të teshtitet t'i urojë shëndet, kur të sëmuret ta vizitojë, kur të vdesë t'i falë xhenazen dhe të dojë për të, atë që do për veten e tij". [20]

Ai na mësonte ta duam tjetrin, të mendojmë mirë për të dhe të ruajmë nderin e tij, si të ishte i yni, pasi thoshte: "Prej adhurimit të mirë është mendimi i mirë për tjetrin", [21] sikurse thoshte se: "Kush mbron nderin e vëllasë së tij, do e mbrojë All-llahu nga zjarri ditën e gjykimit", [22] sikurse na udhëzonte të jemi të dobishëm për të tjerët, kur thoshte: "Musliman është ai, që muslimanët janë të shpëtuar nga goja dhe dora e tij". [23]

Na mësonte të jemi të dobishëm në familje e shoqëri dhe të mundohemi të eliminojmë çdo të keqe prej tyre, me sa fuqi të kemi, pasi udhëzonte që: "Kush shikon prej jush një të keqe le ta ndryshojë me dorën e tij, e nëse nuk mundet le ta ndryshojë me gjuhën (gojën) e tij, e nëse nuk mundet le ta ndryshojë me zemrën e tij ...". [24]

Paqja dhe bekimi i All-llahut qofshin mbi këtë burrë që udhëzonte burrat të kujdesen për familjet e tyre dhe të shpenzojnë për të mirën e tyre, kur thoshte: "Shpenzimet e burrit për shtëpinë e tij, janë sadeka (lëmoshë)". [25]

Mëshira e Zotit Mëshirëbërës, qofshin mbi atë njeri të madh, Muhammedin (a.s.), i cili i bëri thirrje njerëzve që të jenë të sinqertë, besnikë e të drejtë në marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin, kur u thoshte: "Shenjat e hipokritit (munafikut), janë tri: Kur flet gënjen, kur premton se mban atë dhe kur i zihet besë tradhëton", [26] sikurse u mësonte atyre të ishin të ruajtur nga e keqja e vetes dhe i udhëzonte të ishin të turpshëm (sepse është transmetuar: "Njëra prej fjalëve të urta që kanë trashëguar njerëzit nga profetët e mëparshëm, është: Nëse nuk ke turp, bëj ç'të duash!", [27] e të kujdesshëm në veprimet e tyre, kur i mësonte, se: "Kush nuk ka turp prej njerëzve, nuk ka turp as prej Zotit". [28]

Paqja e Zotit qoftë mbi këtë njeri të urtë që na udhëzonte të jemi objektivë, realistë dhe të matur në jetë, kur thoshte: "Më i miri ndër ju është ai që nuk e lë botën e ardhshme për këtë botë, as botën e tij për botën e ardhshme dhe ai që nuk bëhet i bezdisshëm për njerëzit". [29]

Ai, na nxiste për mirësi, kur thoshte: "Mirësia është e madhe, të pakët janë vepruesit e saj", [30] sikurse porosiste: "Jepini njerëzve meritat e tyre". [31]

Atij i takojnë të gjitha salavatet dhe përshëndetjet e ngrohta.

Ai i jepte shpresë e kurajo muslimanëve për të ecur përpara në jetë, pa marrë parasysh të mirat e të këqiat me të cilat mund të ndeshen në të, kur thoshte: "Habitem me muslimanin: Kur e kaplon ndonjë e keqe duron, ndërsa kur e kaplon ndonjë e mirë e falënderon All-llahun. Muslimani shpërblehet për çdo gjë, deri edhe për kafshatën që e ngre deri në gojën e tij". [32]

Ty të takon çdo dashuri, respekt e bindje, pas Krijuesit të Madhëruar, o dërguar i Tij!

Mësimet e tua janë të shumta, janë si një det mirësie, në të cilin kushdo që hyn, do të dalë i ndriçuar dhe i paqtë. A mjaftojnë fjalët e këtij varfanjaku, për të treguar madhështinë tënde? Absolutisht jo, por të folurit për zotërinë tënde e pasuron të varfërin dhe e nxit atë të japë nga kjo pasuri e vyer ...

Ditë e madhe është ajo, në të cilën ti erdhe, o i dashur i All-llahut ...

Ditë e madhe është për ata që dinë të vlerësojnë dhuntitë hyjnore ... Për ata që vuajnë nga dashuria hyjnore...Për ata që digjen nga flakët e dashurisë hyjnore ... Për ata që Bajram shpirtëror kanë ditë të mëdha si kjo, në të cilën ti u linde, o ndriçues i botës me dritën e Krijuesit të saj.

Prandaj: "Mirë se të vish përherë në zemrat dhe mendjet tona, pasi fron për dashurinë tënde i bëjmë"!



Autor: Imam Muhamed SYTARI



_________________________

[1] - Sheh Ahmed Shkodra, "Meuludi Sherifë", fq. 3. (Botimi origjinal).
[2] - Transmetuar nga Hakimi, nga Ebu Hurejra (r.a.).
[3] - Transmetuar nga Bukhariu në "Et-Tarikh" nga Ebu Hurejra (r.a.).
[4] - Transmetuar nga Bukhariu, Muslimi, Ahmedi dhe Tirmidhiu, nga Xheriri (r.a.).
[5] - Transmetuar nga Ahmedi, nga Xheriri (r.a.).
[6] - Transmetuar nga Tirmidhiu, nga Ebu Hurejra (r.a.).
[7] - Transmetuar nga Tabaraniu dhe Bejhekiu, nga Ebu Saidi (r.a.).
[8] - Transmetuar nga Ibni Abdil-Berr, nga Enesi (r.a.).
[9] - Transmetuar nga El-Hekim, nga Ibni Abasi (r.a.).
[10] - Transmetuar nga Tirmidhiu, nga Ebu Umame (r.a.).
[11] - Transmetuar nga Tabaraniu, nga Ebu Hurejra (r.a.).
[12] - Transmetuar nga Ahmedi dhe Muslimi, nga Xhabiri (r.a.).
[13] - Transmetuar nga Ahmedi dhe Bejhekiu, nga Xhabiri (r.a.).
[14] - Transmetuar nga Said ibni Mensur, nga Mekhuli (mursel).
[15] - Transmetuar nga Tabaraniu, nga Enesi (r.a.).
[16] - Transmetuar nga Bezzari dhe Tabaraniu, nga Enesi (r.a.).
[17] - Transmetuar nga Bukhariu & Muslimi, Ahmedi, Nesaiu dhe Ibni Maxhe, nga Ebu Hurejra (r.a.).
[18] - Transmetuar nga Dejlemiu, nga Enesi (r.a.).
[19] - Transmetuar nga Tabaraniu dhe Ebu Nuajmi, nga Thoubani (r.a.).
[20] - Transmetuar nga Ahmedi, Tirmidhiu dhe Ibni Maxhe, nga Aliu (r.a.).
[21] - Transmetuar nga Ebu Davudi dhe Hakimi, nga Ebu Hurejra (r.a.).
[22] - Transmetuar nga Ahmedi dhe Tirmidhiu, nga Ebu Derda' (r.a.).
[23] - Transmetuar nga Muslimi, nga Xhabiri (r.a.).
[24] - Transmetuar nga Ahmedi, Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibni Maxhe, nga Ebu Saidi (r.a.).
[25] - Transmetuar nga Bukhariu dhe Tirmidhiu, nga Ibni Mes'udi (r.a.).
[26] - Transmetuar nga Bukhari & Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesaiu, nga Ebu Hurejra (r.a.).
[27] - Transmetuar nga Bukhariu nga Ebu Mes'ud Ukbe ibn Amr (r.a.).
[28] - Transmetuar nga Tabaraniu, nga Enesi (r.a.).
[29] - Transmetuar nga Khatibi, nga Enesi (r.a.).
[30] - Transmetuar nga Khatibi, nga Ibni Amr (r.a.).
[31] - Transmetuar nga Muslimi dhe Ebu Davudi, nga Aishja (r.a.).
[32] - Transmetuar nga Tajalisi dhe Bejhakiu, nga Sa'di (r.a.).

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...