Puna e mirë pas Ramazanit



Zoti ynë thotë në Kur'anin famëlartë: "Me të vërtetë, ata që thanë Zoti ynë është Allahu dhe i qëndruan fort kësaj fjale, këtyre kur u vjen vdekja, Zoti zbret mbi ta melekë që u thonë as mos u frikësoni, as mos u trishtoni, as mos u merzisni, por përgëzohuni dhe gëzoni me Xhenetin që ua pati premtuar Allahu".

Nuk është gjithçka të arrish majën, por është gjithçka të ruash majën. Thonë që nuk është sukses i jashtëzakonshëm të arrish kulmin, por suksesi qëndron tek ata njerëz që mbajnë kulmin, e vazhdojnë suksesin. Nuk është habi që secili prej nesh ka përjetuar gjatë muajit të Ramazanit një ambient të jashtëzakonshëm shpirtëror, një atmosfer ku e ka ndjerë veten më afër Zotit, e ka ndjerë veten më afër shpirtit të tij. Ai që i ka përjetuar këto në Ramazan ka fituar, ka fituar mbi nefsin e tij, ka fituar mbi veset e tij, mbi pasoret e tij e të gjitha ja ka nënshtruar Allahut (xh.sh.) gjatë muajit të Ramazanit. Kjo nuk është habi e madhe, nuk është habi sepse kjo është specifikë e këtij muaji, është muaji i Allahut (xh.sh.), është muaji i ndryshimit, është muaji ku nefsi, ku shpirti janë afër zotit vetvetiu.

Por habia më e madhe është që pasi mbaron muaji i Ramazanit, t'i kthehemi vetes tonë ashtu siç kemi qenë, ndoshta edhe më keq. I kthehemi veseve tona, gabimeve tona, i kthehemi pasioneve tona sikur të mos kishim agjëruar një muaj të tërë, një muaj plot adhurim. A thua se dikujt prej nesh t'i ishte thënë në vesh, në fund të Ramazanit: "Tanii e tutje bëj çfarë të duash se t'i ka falur Zoti të gjitha gjynahet". E këtë askush s'e pretendon. Zoti jep një shembull të ngjashëm në Kuranin fisnik: "Mos u bëni si ajo gruaja që e shprish dhe e bën fije-fije atë që e ka tjerrë fort ...", (Nahl: 92). Kështu është shembulli i atyre njerëzve, që mbarojnë muajin e Ramazanit e pastaj i kthehen dhe një herë gabimeve të tyre.

Besimtari i vërtetë nuk është thjesht emocionalist, nuk është interesaxhi, nuk është prej atyre që thonë "Më është dhënë bileta për në Xhenet", nuk është nga ata njerëz që i numëron ditët e Ramazanit dhe namazet e Ramazanit dhe i shumezon me dhjetë apo me një numër tjetër dhe thotë se i ka kryer për një vit. Njerëz të tillë nuk janë besimtarë të vërtetë, sepse ata nuk e kaneë kuptuar esencën e këtij muaji, nuk e kanë kuptuar esencen e adhurimit të Zotit të gjithësisë.

Besimtari i vërtetë është ai që e përdor këtë muaj për njëmbëdhjetë muaj të tjerë. Është ai që nuk adhuron Zotin e Ramazanit, por adhuron Zotin e të gjitha muajve e të gjitha kohëve. Besimtari i vërtetë është ai që e kërkon të mirën kudo qoftë ajo, sado qoftë ajo dhe kurdo që t'i dalë përpara, thotë: "O Zot të falenderoj, që ma dhe mundësinë për të bërë një punë të mirë".

Besimtari i vërtet është ai që i ruhet të keqes sado e vogël qoftë ajo. Besimtari i vërtetë është ai i cili që i ka vënë veshin fjalës së Allahut (xh.sh.) "Unë s'i krijova xhindët dhe njerëzit përveçse për adhurim", dhe adhurimi është nga jeta deri në vdekje, është ai që ka dëgjuar mirë fjalën e Allahut "... Dhe adhuroje Zotin tënd, derisa të të vijë vdekja", është ai që ka nxjerrë mësim nga fjala e Muhamedit (a.s.), i cili tha: "Puna më e mir është ajo që vazhdon edhe sikur të jetë e pakët".

Vëllezër! Puna më e mirë tek Zoti është të ecësh drejt Tij, qoftë edhe me një hap në ditë. Nuk është punë e mirë të bësh dhjetë hapa përpara e 5 mbrapa. Puna më e mirë është ta masësh veten çdo ditë në krahasim me të djeshmen dhe çdo të sotme ta krahasosh me të nesërmen. Ai që e ndjen se sikur po përparon qoftë edhe me milimetra, ai është më i mirë se ai që ka ndjerë se shpirti i tij është lidhur fort me Zotin në muajin e Ramazanit, por pas këtij muaji ai e ndjen veten bosh, ai e ndjen veten të dobët.

A e dini çdo të thotë të vazhdosh punën e mirë sado e vogël qoftë ajo? Do të thotë të fitosh dashurinë e Zotit. Eulijatë (të dashurit) e Zotit kanë një cilësi. Ata e vazhdojnë punën e mirë, nisin me farze pastaj me nafile me pune vullnetare, por nuk e ndalin asnjëherë punën. Do të vijë një ditë, që ata do të meritojnë dashurinë e Allahut (xh.sh.).

A ke dëshirë të fitosh dashurinë e Allahut? Bëj çdo ditë nga një punë të mirë. A e din ç'do të thotë ta vazhdosh punën e mirë sado e vogël qoftë ajo? Do të thotë që kjo punë e mirë të bëhet shkak për të falur gjynahet tuaja. Njeriu nuk e di, se cila punë është bërë shkak, që Zoti ta falë këtë rob. Profeti (a.s.) ka thënë: "Kush thotë për çdo ditë 100 herë 'Subhanallahi ve bi hamdihi', atij i falen gjynahet, edhe sikur të jenë sa shkuma e detit". Por vini re! Profeti (a.s.) thotë: "Për çdo ditë" dhe kjo nuk është e lehtë. Mund të të duket e lehtë të thuash 100 herë 'Subhanallahi ve bi hamdihi', po kush i qëndron kësaj, Zoti ia fal gjynahet edhe sikur të jenë sa shkuma e detit.

A e dini çdo të thotë ta vazhdosh punën e mirë e të mos e ndalësh asnjherë? Do të thotë të të shpëtojë Zoti, kur ta ndiesh veten keq, atëhere kur je në siklet. Kur Zoti sprovoi profetin e tij Junusin (a.s.) dhe e futi në barkun e balenës në thellësitë e detrave e oqeaneve, ai (Junusi) tha: "Nuk ka Zot tjetër përveç teje o Allah, i lartesuar qofsh, unë kam qenë prej të padrejtëve". Melekët thanë: "O Zot! Është një zë i dobët, ne e njohim, por vjen nga një vend i panohur". Zoti tha: "A nuk e dini se zëri i kujt ëshë ky? Ky është zëri i Junusit. Ai po sprovohet në barkun e balenës". Atëherë melekët thanë: "O Zot, a nuk po e shpëton një rob, që të ka përmend në ditë të mira dhe sot që është në ditë të keqe"? Allahu (xh.sh.) ua ktheu: "Po, do ta nxjerr. Pasha madhështinë Time, sikur ai të mos kishte qenë nga ata që kujtonin Zotin vazhdimisht, do të kishte qëndruar në barkun e asaj balene deri në ditën e Kijametit". Pra Junusin e nxorri nga barku i balenës vetëm fakti, se ai e përmendte shumë Zotin për çdo ditë.

Të jesh i vazhdueshëm në punë të mira çdo ditë, do të thotë që Allahu (xh.sh.) të ta mbylli jetën me të mira. Kush e ka njomur çdo ditë gjuhën e tij me fjalen La ilahe ilallah, Muhamedun rresulu llah, Zoti ia mundëson atij personi, që ta thotë këtë fjalë në momentet më të vështira. Kush e ka bërë një punë të mirë gjatë gjithë jetës, ajo bëhet shkak, që Zoti t'ia falë gjynahet atij. E lus Zotin të na mundësojë të bëjmë punë të mira, siç bëmë në Ramazan ta vazhdojmë pas Ramazanit. E lus Zotin, që çdo ditë e jona të më e mirë se e djeshmja, e nesërmja jonë më e mirë sesa e sotmja, ahireti ynë më i mirë se sa dynjaja.

Zoti ynë ka një ligj. Ky ligj nuk ndyshon as për besimtarët e as për jobesimtarët. Ky ligj thotë se Zoti nuk ka për ta ndryshuar gjendjen e një populli, derisa ata vetë ta vendosin ta ndryshojnë gjendjen e tyre. Ne e duam ndryshimin. Ne na plas zemra për të parë një ditë me të hajrit, një ditë më të bardhë për këtë fe dhe kjo është prej besimit. Por ndryshimi nuk vjen për një ditë, as për një muaj, as nuk vjen për një vit. Ndryshimi është kur ti punon çdo ditë, lodhesh çdo ditë, i afrohesh Allahut (xh.sh.), qoftë edhe me hapa të vegjël. Këta janë njerëzit, që Zoti i përdor për ndryshim.

Lexoni jetën e shembullit tonë Muhamedin (a.s.) dhe keni për ta parë se për 23 vjet me rradhë nuk diti të thotë "Sot e kam pushim". Çdo ditë lodhej, çdo ditë mundohej. Ai ishte profeti i Zotit. Ai luftonte natën dhe ditën. Ai mbante gurë e dhê bashkë me shokët e tij dhe thoshte: "Edhe unë kam nevojë për sevapet e Allahut (xh.sh.)".

Lexoni per jetën e shokëve të tij e do të shikoni, se që ne momentin që kuptuan të vërtetën, i përveshën krahët dhe punuan për ta përhapur të vërtetën. Allahu (xh.sh.) i përdori këta njerëz për të bërë ndryshimin e madh, për t'i udhëzuar njerëzt drejt dritës së Islamit. Këta njerëz ndoshta nuk ditën shumë, ndoshta nuk ditën se ç'ka përtej kufive të tyre, por ata ishin të sifurt, se e mira do mund, djersë e përpjekje.

Shikoni historinë tonë. Do të gjeni se pas çdo lavdie ka një burrë të madh, ka një besimtar të fortë. Më bëri përshtypje kur lexova për çlirimin e Kostandinopojës, Stambollit te sotëm. Pasi e çliruan Stambollin, komandantët u mblodhën bashkë dhe thanë: "Na takon t'i falim 2 rekate në shenjë falenderimi ndaj Allhaut (xh.sh.)". Historia tregon, se ka qenë me të vërtetë ndër betejat më të vështira, por komandanti i përgjithshëm, Muhamed El-Fatih, tha: "Imami që do na prijë duhet të plotësojë një kusht: që në momentin që është ndërgjegjësuar për vërtetësinë e Islamit, ta ketë falur gjithmonë namazin e sabahut në xhemat. Ai të prijë imam". Pritën, por askush nuk doli, sepse asnjeri nuk e kishte plotësuar këtë kusht, as komandantët as vezirët. Atëherë kur vendi ngeli bosh, ai doli përpara, i fali 2 rekate e pasi mbaroi namazin, tha: "Pasha Zotin, asnjëherë s'më ka shkuar në mendje, se kam për ta treguar këtë sekret, por u detyrova ta bëj këtë, thjesht sepse pashë që xhemati ngeli pa imam. Këtë punë (faljen e namazit të sabahut me xhemet) e kisha lënë sekret mes meje dhe Allahut (xh.sh.), por deshi Zoti që ta nxjerr sot". Këta janë njerëzit e mëdhenj, janë njerëz që kanë patur lidhje me Allahun (xh.sh.). Ata kanë insistuar në punën e mirë dhe asnjëherë nuk janë larguar prej të mirës. Këta janë njerëzit, me të cilët Zoti i dha triumf kësaj feje.

E lus Zotin që të na bëjë njerëz, të cilët kanë sekrete ndërmjet tyre dhe Allahut (xh.sh.). E lus Zotin që të na bëjë prej këtyre njerëzve, që çdo ditë bëjnë nga një punë të mirë. E lusim Zotin e gjithësisë të na bëjë në ndryshojmë vetet tona e të na përdorë si ndryshim. E lus Allahun (xh.sh.) të na ketë pranuar muajin e Ramazanit. O Zot na prano adhurimet tona dhe agjërimin e këtij muaji. E lusim Zotin (xh.sh.) të na e bëjë të sotmen tonë më të mirë se të djeshmen tonë, të nesërmen tonë më të mirë se të sotmen tonë, ahiretin tonë më të mirë se sa dynjanë tonë. E lus Zotin të na mëshirojë sa jemi mbi shpinën e kësaj toke, kur të jemi në barkun e kësaj toke e në ditën kur do të dalim përpara Allahut (xh.sh.).



Autor: Ferid PIKU

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...