Muhammedi a.s., frymëzues dhe ndërtues brezash



Një meditim rreth veprës: Shejh Vehbi Sulejman Gavoçi, "Muhammedi alejhisselam - Jeta dhe vepra", Logos-A, Shkup, 2011, fq. 360.

Moto: لَقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّهِ أُسْوَة حَسَنَةٌ - "Ju keni shembull të shkëlqyer në të Dërguarin e Allahut ...", (El-Ahzab, 21).


I. Vepra "Muhammedi a.s. - Jeta dhe vepra"

Duke lexuar Parathënien e veprës në fjalë në të cilën autori thotë: "Për ty Shkodër, për ty Shqipëri, për të mëdhenj e të vegjël, për femrat dhe meshkujt, për bijtë tuaj dhe bijat tuaja, që jetojnë në atë vend dhe jashtë atdheut, në të gjitha vendet e botës, të shkëputura prej jush, që jetojnë në strehë dhe koloni të ndryshme, për të gjithë ju, po e paraqes këtë punim", do të mësojmë çdo gjë për autorin dhe preokupimet e tij, edhe pse jashtë Shkodrës, jashtë Shqipërisë. Madje edhe sikur të shpërndaheshim në këtë çast pa e thënë asnjë fjalë më shumë, nuk do të mbeteshim të mangët për autorin dhe shpirtin e tij të përvuajtur për atdheun.

Vepra e Shejh Gavoçit "Muhammedi a.s." është ndër veprat bashkëkohore më të mira të shkruara në këtë lloj krijimtarie. Këtë e themi duke u bazuar në faktin se autori me mjeshtri të rrallë ka vjelë nektarin më të mirë nga literatura klasike, dhe me një gjuhë të ëmbël por të fuqishme do të përcjellë porositë e personalitetit më të madh të gjinisë njerëzore, Muhammedit a.s.




II. Disa përsiatje rreth përmbajtjes së veprës


1. Misioni pejgamberik

Nga leximi i tërësishëm i veprës mund të përmbledhim se nga koha kur u paraqit në Tokë, njeriu ka synuar të depërtojë në gjithësi dhe të zbulojë ligjet dhe fshehtësitë e saj. Dhe sa më shumë që njeriu mësonte dhe kuptonte, aq më tepër mahnitej nga madhështia e saj; vetja i dukej gjithnjë e më i dobët dhe gjithnjë e më pak gjente pretekst për të qenë mendjemadh. Pejgamberi Muhammed a.s. pikërisht i përngjan kësaj gjithësie.

Shkencëtarët e ndryshëm gjatë historisë kanë punuar në mënyrë të zellshme që të zbulojnë pikëpamje të ndryshme nga humaniteti i madh i Muhammedit a.s., duke tentuar ta kuptojnë sendërtimin e atributeve hyjnore në mendjen, karakterin dhe urtësinë e tij. Edhe pse ata arritën shkallë solide të diturisë, megjithatë shumë syresh iu ka shpëtuar pa i mësuar ndërsa para tyre është një rrugë ende e gjatë dhe, në fakt, e pafund.

Misioni pejgamberik është dhuratë që nuk mund të arrihet apo të fitohet, por Zoti, me urtësinë e Tij, ia dhuron pejgamberinë atij që është i gatshëm dhe i fuqishëm ta mbajë atë. Ai më së miri e di ku dhe kur do të jetë më i dobishëm dërgimi i pejgamberit. Muhammedi a.s. me të vërtetë ishte i gatshëm t'i përcillte porosinë pejgamberike tërë njerëzisë. Ai ishte i përgatitur ta bartte porosinë e fesë më të përsosur, të bëhej pejgamberi i fundit, dritë unikale e udhëzimit dhe mëshirë për shekuj.

Pagabueshmëria e pejgamberit në dorëzimin e porosisë dhe zbatimin e misionit të besuar hyjnor është çështje rreth së cilës shkencëtarët janë pajtuar qysh në fillim. Njëherë të zgjedhur në detyrën e pejgamberit, ata nuk kanë kurrfarë kompensimi sepse thirrja pejgamberike dhe zbatimi i detyrave të besuara nuk bartin me vete kurrfarë kompensimi të kësaj bote. Puna e tyre është pasojë e domosdoshme e shpalljes së këtillë hyjnore. Sikurse të gjithë njerëzit, edhe pejgamberët në çështje botërore mund të gabojnë, por virtyti i tyre i bën që Zoti t'ua tërheq vërejtjen, t'i qortojë dhe t'ua përmirësojë gabimin.


2. Misioni i pejgamberit Muhammed a.s.

Muhammedi a.s. qe urdhëruar ta dorëzojë porosinë hyjnore. Por, atij nuk i është thënë si ta bëjë këtë as si t'i mbrojë frytet e punës së tij. Sikurse çdo njeriu tjetër të arsyeshëm dhe të ndjeshëm, atij i është lënë t'i bënte punët e tij ashtu si i thoshte inteligjenca dhe urtësia e tij. Shpallja të cilën e pranonte ishte absolutisht e saktë dhe e qartë në aspekt të esencës, unitetit, atributeve dhe adhurimit të Zotit. Por, nuk ishte kështu me institucionet shoqërore të familjes, fshatit dhe qytetit, shtetit dhe lidhjeve të tij me institucionet pikërisht të përmendura dhe shtetet e tjera. Së këndejmi ka shumë hapësirë për hulumtimin e madhërisë së Pejgamberit para zgjedhjes së tij për pejgamber, sikurse edhe pas kësaj zgjedhjeje. Ai u bë i deleguar i Krijuesit të tij, i ftoi njerëzit tek Ai, i mbrojti ata.

Mirëpo, për personalitetin e Muhammedit a.s. dhe për raportin e tij me fenë është meritore të flitet në bazë të Kur'anit dhe të Sunnetit dhe në bazë të asaj që për atë e kanë thënë njerëzit në kohë të ndryshme dhe nga pikëpamje të ndryshme.

Një pyetje është interesante: A mund të flitet për pejgamberin Muhammed a.s. në mënyrë meritore sikurse për individin në fe, sikurse për personalitetin, i cili, që të besojë, nuk ka nevojë për shoqërinë e njerëzve, nuk ka nevojë për bashkësinë, sepse, i gjetur në shoqëri me Shpalljen, për Muhammedin a.s. çdo bashkësi tjetër ishte bërë e tepërt?

Kësaj pyetjeje nuk bën t'i përgjigjemi afirmativisht. Përkundrazi, Kur'ani flet për Muhammedin a.s. sikurse për njeriun e gjallë dhe për Pejgamberin e Zotit, i cili vepron brenda shumë rrafsheve ndërsjellësisht të lidhura. Feja dhe misioni i tij nuk i përkasin vetëm atij dhe Zotit, por çështja është që jetësimi i fesë së gjallë dhe praktikimi i emaneteve islame në shumë nivele: Për Muhammedin a.s. në Kur'an flitet si për njeriun që vepron në fe, në histori, në shoqëri, në familje, në bashkësi.

Pra, Pejgamberi a.s. nga shpella Hira, ku e mori Shpalljen e parë, kthehet në qytetin e Mekës, në mesin e njerëzve të gjallë, kthehet në shoqëri të gjallë njerëzore, e cila jeton me të gjitha problemet e veta.

Për shembull, ai ishte një kryetar familjeje i shkëlqyer dhe do të shërbejë shembull për të gjithë muslimanët; ai ishte një udhëheqës i shkëlqyer ushtarak, një mjeshtër i luftës, sepse me një grusht njerëzish që i bënin dritë përreth, ai pati shembur tërësisht fronet e mbretërve që i patën shpallur luftë botës dhe sa e sa sundimtarë i pati kthyer në skllevër.

Nga veprat e sires (jetëshkrimit) shohim se Muhammedi a.s. nuk ishte mistik, që nga vetmia e tij dhe shoqërimi me Fshehtësinë Hyjnore, do t'i kundronte njerëzit dhe qytetet, ndonëse në jetën e tij kishte shumë hollësi të cilat mistikët islamë i kanë marrë si par excellence mistike.

Muhammedi a.s. po ashtu nuk është as elitist, filozof (i historisë ose i shoqërisë), i cili, falë meditimeve, do të jepte sisteme të gatshme për shoqërinë njerëzore, ndonëse në jetën e tij vrojtojmë dhe lexojmë edhe një filozofi madhështore të Islamit.

Ai nuk është as revolucionar i cili me një goditje rrënon çdo gjë të vjetër, të trashëguar dhe shkatërron tërë të kaluarën, për favor të ndërtimit të së resë.

Përkundrazi, ai është i dërguar i Allahut, i cili e pranon Shpalljen në vazhdimësi në 23 vjet, që atë dhe parimet e saj i mbjellë dora-dorës te njeriu dhe në shoqërinë njerëzore. Gjatë tërë kësaj kohe edhe vetë Muhammedi a.s. është ai i cili i jetëson parimet e Shpalljes, i jetëson duke i mbjell në zemrën e tij, në veprën e tij dhe në mesin e njerëzve.

Nëpërmjet ajeteve të shumta kur'anore ne mund ta rindërtojmë këtë shumësi nivelesh të veprimit, të domethënieve dhe të rrezatimeve të personalitetit të Pejgamberit të Allahut - Muhammedit a.s. Para së gjithash, feja islame as për të nuk është profesion; për të Islami është feja e tij të cilën atij ia shpallë Allahu i dashur dhe në të cilën vetë Muhammedi a.s. beson. Ai vetë është, pra, pejgamber i Allahut, i të tjerëve, por edhe i vetvetes. Madje, së pari për vetveten.

Është karakteristike se Kur'ani në periudhën e hershme të Shpalljes së Kur'anit i jep zemër dhe e përkrah Muhammedin a.s.:

"... Ti nuk ke ditur ç'është libri as ç'është besimi, por ne e kemi bërë atë të ndritshëm me të cilin udhëzojmë ata robër tanë që dëshirojnë", (Esh-Shura, 52).

"Zoti yt nuk të ka lënë pas dore dhe nuk të ka urrejtur", (Ed-Duha, 3).

"A nuk ishe bonjak, e ai të ofroi strehim", (Ed-Duha, 6).

"Ke qenë edhe i varfër , e të bëri të pasur", (Ed-Duha, 8).

Në këtë periudhë të hershme të fesë dhe misionit të Muhammedit a.s. shpallja nganjëherë drejtpërdrejt i drejtohet intimisht:

"A e di ç'është ferri (Sekar)?", (El-Mudeththir, 27).

"Ç'është Çasti i fundit (Kariatu)?", (El-Kariatu, 2).

"... Çka është Dita e gjykimit", (El-Infitar, 17).

Këto pyetje të drejtpërdrejta nuk bëheshin vetëm për t'iu dhënë përgjigje Muhammedi a.s., por edhe që ai të hynte nëpërmjet tyre në fushën e besimit dhe të përgjegjësisë, përgjegjësisë personale, përballë asaj çka do të pasonte më vonë, së pari për të e më pastaj edhe për njerëzit tjerë.

Për shembull, shumë herë është dashur ta kalojë një pjesë të natës i zgjuar dhe ta shqiptojë Kur'anin qartë e me kujdes, (El-Muzemmil, 2-4), t'i pastrojë rrobat e tij (we thijabeke fetahhir), (El-Mudeththir, 4) dhe të tregohet i duruar në atë që kërkohet prej tij (we lirabbike fasbir), (El-Mudeththir, 7).

Biografët e Muhammedit a.s. pohojnë se vështirësitë personale të Muhammedit a.s. në këtë periudhë ishin shumë të rënda. Shpeshherë Muhammedi a.s. druante për suksesin e misionit. Nuk është i drejtë mendimi i disa literalistëve që pohojnë se Pejgamberi a.s. nuk ka ndier frikë. Një varg ajetesh kur'anore tregojnë se Muhammedi a.s., por edhe pejgamberët e tjerë më herët, kanë qenë njerëz dhe kanë ndier frikë dhe drojë. Situata në Taif, por edhe raste të tjera, pastaj martesa, fëmijët, dalja në treg të Mekës, vdekja, tregojnë se Muhammedi a.s. ishte njeri sikurse të gjithë njerëzit e tjerë, por edhe pejgamber.

Analet e Muhammedit a.s. dëshmojnë se është gabim të flasësh për personalitetin e Muhammedit a.s. me hiperbollizim dhe hipostazim. Është gabim që të flasësh për Muhammedin a.s. si për një person mistik, me fuqi të mbinatyrshme dhe të çuditshme. Fakti se Muhammedi a.s., sipas një kronisti pedant, kishte 9 shpata, tri shtiza, tri harqe, shtatë mburoja, tre mbrojtës e të tjera, flet se ai vetë kishte ndërmarrë të gjitha masat njerëzore për t'u mbrojtur. Mrekullia e tij e vetme e përhershme ishte Shpallja e Kur'anit.

Literatura mitike dhe legjendare mbi Muhammedin a.s., të cilën e lexojmë në vepra të ndryshme, nuk i kontribuon personalitetit të vërtetë të Muhammedit a.s.. Po t'i posedonte ato fuqi të mbinatyrshme, ai do t'i shmangej lëndimeve në Mekë, Taif, Uhud, sëmundjes nga mishi i helmuar e të tjera.

Muhammedi a.s. dallon prej njerëzve vetëm në pranimin e shpalljes dhe në komunikimin e saj. Dallon që ka kontaktuar drejtpërdrejt me Xhibrilin. Dallon sepse morali i tij ishte vetë Kur'ani. Gabimi qëndron në faktin që disa dijetarë muslimanë kanë dashur ta shohin personalitetin e Muhammedit a.s. me çdo kusht si të mbinatyrshëm, personalitet të "kristianizuar". Muhammedi a.s. nuk është "Fjala e Zotit" sikurse thuhet për Isain a.s., (En-Nisa, 171). As transmetues i thjeshtë, të cilit nuk i intereson se ç'po ndodh rreth tij. Vetë jeta e tij është një formë e Kur'anit, e Kur'anit të aplikuar.

Është e domosdoshme të thuhet se Muhammedi a.s. është pejgamber, "ardhja e të cilit është lajmëruar si sihariq nga kulla e pejgamberisë së të gjithë pejgamberëve të ardhur para tij". Muhammedi a.s. njëson në tërësi shumicën e traditës së pejgamberëve të kaluar. Ai agjëron agjërimet e tyre të obligueshme dhe të paobligueshme, bën hixhretin, sepse për suksesin e fesë së tyre, këtë e bënë edhe Ibrahimi, Musai dhe shumë të dërguar të Zotit.

Muhammedi a.s. ishte personifikim i tri synimeve zanafillore, të cilat i njohim nëpërmjet Musait, Isait dhe vetë Muhammedit a.s. Deri sa judaizmi në mesin e këtyre tri religjioneve paraqiste "tendencën e majtë", Zotin e drejtësisë dhe Shpëtimtarin e botës së dukshme, kurse kristianizmi "tendencën e djathtë" dhe Zotin e dashurisë, simbiozën e tyre të fatshme do ta bëjë Islami me Muhammedin a.s., duke u bërë religjion i botës dhe i shpirtit.

Kur'ani i pranon, në parim, të gjitha këto ngjashmëri me vetë aktin e urdhëresës që Muhammedi a.s. me pjesëtarët e vet të kthehet një kohë në namaz drejt Jerusalemit. Të kuptohet ky akt si duhet domethënë të bëhemi të vetëdijshëm se Jerusalemi me Tempullin e vet është trashëgimtar i madh i monoteizmit dhe se urdhëresën e të kthyerit në namaz drejt Mekës Islami nuk e ka futur deri sa nuk ua ka bërë paraprakisht, me respekt të madh, me dije muslimanëve se Ibrahimi, Musai, Isai dhe pejgamberë të tjerë prej Zotit kanë sjellë të vërtetën e njëjtë, unike në boshtin e saj dhe të amshueshme.

Ajeti kur'anor "Ty nuk do të thuhet asgjë që nuk u është thënë pejgamberëve përpara teje" (Fussilet, 43), duhet komentuar edhe në mënyrë që të gjithë të dërguarve të Zotit, marrë së bashku, Allahu ua komunikoi atë që Muhammedit a.s. të vetëm ia komunikoi në tërësi. Për këtë arsye ai është i zgjedhur, sepse këta pejgamberë e paralajmërojnë atë, kurse ai e konfirmon, e vulos dhe e përmbaron misionin e tyre.

Muhammedi a.s. është pejgamberi i vetëm i dërguar prej Zotit, të cilin e ka paralajmëruar çdo pejgamber i mëhershëm. Edhe libri i shenjtë Indus Bhavishya Purana pohon: "Do të paraqitet mësuesi shpirtëror, me shokët e tij, dhe do të quhet I Lavdëruari (Ahmed, Paraklete)".

Në librin e shenjtë të fesë së vjetër persiane, Dasatir, shkruan: "Kur Persianët të bien poshtë në moral, do të lindet një njeri në Arabi pasuesit e të cilit do ta rrëzojnë fronin dhe fenë e tyre, kurse pushtetarët krenarë do të ngadhënjehen. Shtëpia e cila ka qenë e ndërtuar dhe në të cilën shumë idhuj janë vendosur, do të pastrohen nga ata dhe njerëzit asaj do t'i drejtohen gjatë kohës së lutjes. Pasuesit e saj do t'i nënshtrojnë qytetet e Persisë dhe përreth saj. Njerëzit do të përzihen ndërmjet tyre. Njerëzit e ndershëm të Persisë dhe të tjerët do t'u bashkohen pasuesve të tyre".

Në Bibël, librin hebraik dhe kristian, në Ligjin e Përsëritur shkruan: "Do të ngre një pejgamber në mesin e vëllezërve të tyre, sikurse ti. Do t'i vë fjalët e Mia në gojën e tij, që t'ua thotë të gjitha që ia urdhëroj. E nëse askush nuk i dëgjon fjalët e Mia që Pejgamberi do t'i thotë në emrin Tim, ai do të përgjigjet para meje", (18, 18).

Edhe Isai a.s. e paralajmëron dhe garanton ardhjen e Muhammedit a.s. si fund të hierohistorisë, ose si fund të pejgamberisë dhe dërgueshmërisë: "Kam edhe shumë të tjera për t'ju thënë, por tani s'mund t'i kuptoni. E kur të vijë ai - Shpirti i së Vërtetës - Ai do t'ju udhëzojë ta njihni tërë të vërtetën", (Gjoni, 16, 12, 13).

Isai a.s., në Ungjill, pohoi: "Unë po shkoj që të vijë i zoti i kohës", (Gjoni, 16, 8).


Në fund

Në themel të kulturës dhe qytetërimit të botës islame është mendim unikal në mesin e dijetarëve muslimanë mbi ndikimin madhështor me të cilin rrezaton paraqitja e Muhammedit a.s.. Ai është lajmëtari i Allahut, lajmëtari i fesë së Allahut, të cilin mund ta marrim si shembull sepse në personalitetin e tij ka personifikuar jetën e shumë pejgamberëve dhe njerëzve të mirë. Mund ta marrim shembull si baba, bashkëshort, mik, komandant, imam, luftëtar të fesë, të jetës dhe të nderit, mbrojtës i të dobtëve dhe mbrojtës së botës shtazore dhe bimore, të dukshme dhe të padukshme.

Muhammedi a.s. nuk e themeloi në Medinë shtetin, por Ummetin - Bashkësinë, shumë më të madhe e më të rëndësishëm se shteti. Sepse, ... Ummeti nuk zhduk nacionalen, por e liron njeriun nga robërimi i nacionales. Ummeti nuk i toleron bashkësitë e tjera fetare, por i pranon ato. Islami i ka borxh institucionit të ummetit, kurse ummeti ia ka borxh institucioneve të Islamit planetaritetin dhe universalitetin e tij.


Krejt në fund

Vepra "Muhammedi a.s." është një arritje e suksesshme shkencore, është një vepër që nderon autorin, por edhe Shkodrën, Shqipërinë dhe vetë shkencën që nuk është pronë e askujt. Vepra është një kontribut në njohjen e Islamit nga një njeri yni që kapërcej kufijtë gjeografikë dhe u bë për të gjithë, pa dallim gjuhe e ngjyre.

Vlerën e veprës e shton edhe përgatitja e mirë teknike, që është meritë e padiskutueshme e botuesit Logos-A. Ju faleminderit Logos-A që me veprat tuaja bëhen shkak që ne të takohemi dhe të njihemi më mirë mes veti.

Ju faleminderit edhe juve të nderuar për durimin që patët.

Mbeçi në paqen dhe mëshirën e Krijuesit të madhërishëm.



Autor: Nexhat IBRAHIMI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...