Shkatërrimi i Mekkes dhe Medines
1. Hyrje
"Çdo haxhi që viziton Mekken dhe Medinen do të vërejë se këto dy qytete nuk i ngjasojnë fotografive të vjetra që i ka parë nëpër sexhade të mureve të xhamisë së mahallës së tij apo në ndonjë shtëpi private. Këto dy qytete të shenjta kanë marrë pamjen e vendpunishteve të mëdha. Vetëvetiu punimet nuk kanë asgjë të keqe, sikur kjo të bëhej në mënyrë të planifikuar, sistematike, duke ruajtur vlerat fetare, kulturore dhe historike të këtyre dy qyteteve më të dashura për të gjithë muslimanët e botës. Mirëpo, gropimet e paplanifikuara mirë, rrokaqiejtë e ndërtuar rreth Qabes së madhërueshme tregojnë se trashëgimia islame në këtë vend është monopol i grupit të vogël të njerëzve, e jo i muslimanëve".
Ajo që këto dy qytete kanë përjetuar gjatë shekullit të fundit, nuk e kanë përjetuar gjatë tërë historisë prej as'habëve e këndej. Objektet e ndryshme të Pejgamberit a.s., por edhe të as'habëve na asocojnë në ngjarjet aq të mëdha, sa që janë të papërsëritshme. Të gjitha këto me shekuj janë kultivuar dhe me dashuri të pashoq janë ruajtur. Mirëpo, në emër të ruajtjes nga shirku (politeizmi), të gjitha këto janë shkatërruar. Mirëpo, për të diskutuar për këto probleme, për ta diskutuar statusin e këtyre qyteteve, duhet pasur parasysh disa faktorë, për të cilët në këtë tekst të shkurtër nuk mund të flasim hollësisht!
2. Mbi vehabizmin
Vehabizmi është lëvizje që u paraqit në shekullin XVIII në Arabi, në krye të së cilës ishte Muhammed ibn Abdulvehhabi nga një anë dhe familja e pasur Saude nga ana tjetër. Pretendimi i tyre ishte islami burimor dhe i vetmi i drejtë. Anatemizonte çdo gjë jashta tyre, e sidomos shkollën hanefito-maturidite dhe tesavufin etj..
M. ibn Abdulvehhabi kryesisht është mbështetur në medhhebin hanbelit, në Ibn Tejmijjen dhe Ibn Kajjim El-Xhevziun, që më vonë të ngritet në shkollë thuajse të veçantë. Pa dilemë, në fillim kjo lëvizje në mesin e besimtarëve është pritur me simpati. Në fillim posedonte disa tipare pozitive, sikur angazhimi kundër devijimeve, angazhimi kundër analfabetizmit, hapja e shkollave, por më pastaj kjo lëvizje u shndërrua në lëvizje për vetveten, në lëvizje të çoroditur dhe abuzive.
Pasuesit e kësaj rryme filluan ta quajnë veten selefijë, duke pretenduar se ndjekin mësim të drejtë. Janë të qarta motivet e bashkëpunimit ndërmjet ibn Abdulvehhabit dhe familjes Saud, i pari të përfitojë instrumentin shtet në dobi të shtrirjes së doktrinës vetjake, kurse të dytët nëpërmjet kësaj doktrine të kamuflojnë veprimet e tyre për dominim dhe pasurim.
Sot këtë rrymë e karakterizon stereotipiteti, tekstualiteti, mungesa e ndjenjës për tërësinë, mungesa e edukatës, skleroticiteti, ekskluziviteti e të tjera, e të gjitha këto në emër të islamit të pastër. Kudo që paraqiten pasuesit e kësaj rryme, aty ka probleme, ka mosrespekt të kulturës vendore. Sa problem këta i shkaktojnë sot botës muslimane është e dukshme dhe nuk do koment. Përfitohen pasues të rinjë me metoda të ndryshme: ata që nuk njohin islamin, ose ata që kanë bërë një jetë ekstreme joislame, ata që mendojnë të pasurohen etj..
Shejhët e tyre përdorin numër të caktuar frazash, duke komentuar jetën e Muhammedit a.s. dhe të shokëve të tij: kështu nuk ka vepruar Pejgamberi s.a.v.s., ky është hadith i dobët, ky veprim është bid'at (risi), kush e vepron një bid'at ai nuk është besimtar etj.. Kur dikush jashta tyre përmend ndonjë dijetar autoritativ, ata nxitojnë të porosisin atë njeri se muslimani i mirëfilltë duhet kthyer Kur'anit dhe Hadithit e jo dijetarëve, e kur u nevojitet atyre, me dëshirë të madhe citojnë autoritetet e tyre. Edhe Ebu Hanifen, El-Esh'ariun, El-Maturidiun e refuzojnë kategorikisht, madje Nasirudin Albani fikhun e Ebu Hanifes e krahason me Inxhilin.
3. Pamja e dikurshme e Mekes dhe Medines
Nga kohët e hershme e deri sot, muslimanët me kujdes e kanë ruajtur trashëgiminë e qyteteve të tyre të Mekkes dhe Medines. Me kujdes është ruajtur çdo gjurmë e jetës së Muhammedit a.s. në ato qytete, dhe të jetës së as'habëve të tij. Kujdes ka pasur edhe ndaj varrezave të Mekkes dhe Medines, në të cilat janë varrosur anëtarët e familjes së Muhammedit a.s., gratë e tij të ndershme, as'habët etj..
Një prej varrezave më të njohura në Medine është Xhennet'ul-Beki, kurse në Mekke Mua'al-la. Saktë dihej kush ku është varrosur. Veçantë janë ruajtur vendet ku Pejgamberi a.s. e patë bërë zakon të qëndrojë, shtëpia ku është lindur, shtëpia ku ishte vendosur pas ardhjes në Medine etj..
4. Historia e agonisë rrënuese dhe pamja e sotme e Mekkes dhe Medines
Zona e Hixhazit, zona bregdetare e Arabisë perëndimore në të cilën gjenden Mekka dhe Medina, gjatë gjithë historisë kanë pasur status të veçantë, pa marrë parasysh kush ka qenë sundues. Kjo gjendje vazhdoi deri me ardhjen e vehabinjve. Sidomos pas ardhjes së dytë, e cila ishte fatale.
Kah fundi i shekullit XVIII vehabinjtë disa herë tentuan ta marrin sundimin. Të gjitha tentimet ishin të përgjakshme. Qysh në vitin 1802 e pas hynë në Taif, pastaj Mekke dhe rrënuan tyrbet, përmendoret historike e madje edhe kupolën e vogël mbi burimin Zemzem. Disa vite më vonë hynë edhe në Medine. Sipas historianëve, asnjë xhami nuk mbeti si ishte me herët. Në çastin shpëtoi nga rrënimi varri i Muhammedit a.s.. Disa vite me rradhë kishte restriksione për haxhinjtë e vendeve tjera. Mbreti Saud urdhëroi: "Kush dëshiron ta kryejë haxhin duhet ta pranojë vehabizmin. Në të kundërtën do të trajtohet si jomusliman". Mbreti shkretëroi thesarin e xhamisë së Muhammedit a.s., në të cilën haxhinjtë me shekuj kanë sjellë dhurata të çmueshme. Pasuria është konsumuar për nevoja vetjake.
Me insistimin e halifit osman, sërish u rivendos rregulli në Mekke dhe Medine. Muhamed Ali pasha me ndihmën e fisnikëve të vendit e eliminoi pushtetin vehabist. Haxhinjtë mund të shkonin sikurse edhe më herët, trashëgimia islame filloi të rikonstruohet (1818, 1848 dhe 1860). Mirëpo, halifati osman qe dobësuar, fuqitë perëndimore suleshin në të gjitha anët dhe këtë situatë e shfrytëzuan vehabinjtë. Më 1924 pushtuan Mekken dhe shkretëruan çdo gjë. Thuajse askush nuk u kursye.
Guvernatori i Mekkes së atëhershme, Awn ibn Hashim shkruan: "Vështirë se ka pasur ndonjë dru, e që pranë tij nuk ka pasur një apo dy të vdekur". Në vitin tjetër, më 21 prill 1925, me themel rrënohet Xhennet'ul-beki', e pastaj edhe të tjerat. Vetëm varri i Muhammedit a.s. është kursyer. Por, xhamia e vetë Muhammedit a.s. qe bombarduar. Nën presionin e muslimanëve të botës, mbreti Ibn Saud premtoi se zonën e Hixhazit do të vë në administrim multinacional, por këtë premtim kurrë nuk e plotësoi.
Në vitin 1926 muslimanët përgjatë botës organizojnë protesta. Muslimanët e Indisë shkruajnë edhe rezolutë ku shprehin indinjatë të thellë për veprimet dinastisë saudite. Protesta kishte në Irak, Iran, Turqi, Egjipt, Indonezi. Mirëpo, situata nuk ndërroi deri sot. Edhe ato monumente që kanë mbetur janë duke u prishur nga dhëmbi i kohës. Kodrina në Uhudë (ku qenë vendosur shigjetarët) thuajse më nuk duket, Hendeku rreth Medines, ku ka gropuar edhe vetë Muhammedi a.s. është mbuluar dhe janë ndërtuar ndërtesa moderne.
Varrezat Xhennetu'l-Beki' sot. Varrezat ku janë varrosur rreth 7000 as'habë, i biri i Pejgamberit a.s., Ibrahimi, nipi i tij Hasani, shumë anëtarë të ehli bejtit dhe të tjerë.
Në vazhdim do t'i përmendim edhe disa monumente që janë rrënuar deri sot:
- El-Mu'al-la - varreza të Mekkes - të rrënuara me tokë,
- Varri (kaburi) i hazreti Haves në Xhidde,
- Varri i babës së Pejgamberit a.s. në Medine,
- Shtëpia e hidhërimit (bejtul-ahzan) e hazreti Fatimes në Medinë,
- Xhamia e Selman Farisiut në Medinë,
- Xhamia Redxh'atu'sh-shems në Medinë,
- Shtëpia e Pejgamberit alejhisselam në Medinë në të cilën ka jetuar pas hixhretit,
- Kompleksi (mahalla) e familjes Benu Hashim në Medinë, familjes së Pejgamberit a.s.,
- Shtëpia e hazreti Aliut r.a. në të cilën janë lindur nipat e Muhammedit a.s., Hasani dhe Husejni r.anhum,
- Shtëpia e hazreti Hamzës dhe varrezat e luftëtarëve të Uhudit.
4. Përfundim
Askush nuk pohon se nuk është mëkat i rëndë adhurimi i të vdekurve. Por, askush nuk mund të pohojë se rrënimi i varrezave dhe monumenteve historike islame do ta pengojë devijimin nga feja.
Po ashtu, sot duhet aktualizuar statusin e qyteteve të Mekkes dhe Medines. Kjo nuk është ide e re. Këto dy qytete duhet të kenë tretman të veçantë, autonomi të veçantë. Mekka dhe Medina nuk mund t'i përkasin një familjeje në Arabi. Këto dy qytete janë të të gjithë muslimanëve, sepse për të kanë luftuar të gjithë muslimanët e botës, madje më shumë se vetë banorët e këtyre qyteteve. Nuk mund të pranohet ideologjia e një grupi njerësish në kurriz të miliona haxhinjësh nga bota.
Nëse vehabinjtë janë pjesë e ehlisunnetit, atëherë pse ata nuk e praktikojnë parimin e shurës, konsultimit. Nëse edhe do ta pranonim parullën imperialiste se "jahkum'ul-arebe'l-arebu" - "Mbi arabët duhet të sundojnë arabët", të cilën anglezët e proklamuan rreth shekullit XX me qëllim të largimit të halifatit islam osman nga Arabia, që këta të sundojnë më lehtë mbi familjen Saud dhe mbi vehabinjtë, sërish vehabinjtë do të ishin pakicë edhe brenda Arabisë saudite kundrejt shumicës arabe në botë.
Qabja, Mekka dhe Medina duhet të fitojnë status të ri. Këto vende nuk bën të jenë as vehabite, as sunite, as shiite, as arabe as joarabe ..., por muslimane dhe të muslimanëve.
Autor: N. IBRAHIMI
_________________________
1). www.sunnah.org/fiqh/domes_on_graves.htm
2). www.znaci.com/printart515.html
3). www.ezsoftech.com/islamic/baqi.asp
4). www.coej.org/islamic_resources/yawm_e_gham.htm