Mesele mbi JoMedhhebizmin-NeoSelefizmin 1



Pyetja:

Esselamu alejkum i nderuari hoxhë! Desha t'ju pyes: Janë disa njerëz që thonë: "ne jemi myslimanë por nuk i takojmë asnjë prej mez'hebeve".

Ju lutem më sqaroni një çikë këtë?


Përgjigjja:

Bismil-lahir-Rahmanir-Rahim!

I nderuar, fillimisht ju them se edhe unë nuk i kuptojë këta njerëz sepse as ata nuk e kuptojnë veten e tyre, por unë kam obligim që për ju të sqarojë një çështje të rëndësishme: Thënë shumë thjeshtë, Islam quhet feja e shpallur nga Allahu i Madhërishëm që i është predikuar Muhammedit s.a.v.s. përmes Shpalljes që është Kur'ani dhe Sunneti. Pra Kur'ani dhe Sunneti janë fundamentet kryesore prej ku ne përftojmë udhëzimin në jetën e kësaj bote, dhe prej aty përftohen edhe dispozitat e Sheriatit islam për veprat tona.

Shpjeguesi i parë që e ka komentuar Kur'anin si në aspektin teorik ashtu edhe praktik ka qenë vetë Pejgamberi s.a.v.s. përmes Sunnetit.

Mirëpo shpjegimi i Kur'anit nuk përfundon në kohë apo vend, andaj duke pasur parasysh këtë çështje, Pejgamberi s.a.v.s. këtë të drejtë, pra shpjegimin e Kur'anit ia besoi vetëm dijetarëve të mirëfilltë duke thënë: "Dijetarët janë trashëgimtarët e pejgamberëve". Trashëgimtarë të kujt, të pasurisë! Jo pra, trashëgimtarë për sqarimin e normave dhe dispozitave që burojnë dhe dalin nga Kur'ani dhe Sunneti.

Pastaj, dijetarët islamë duke ditur rolin, rëndësinë dhe përgjegjësinë e kësaj çështje si para njerëzve ashtu edhe para Allahut të Madhërishëm, bënë përpjekje që duke u mbështetur nga ajka e Kur'anit dhe Sunnetit, të përcaktojnë rregulla, kritere, filtra dhe disiplina shkencore për ata që dëshirojnë të merren me komentimin dhe shpjegimin e Kur'anit dhe të Sunnetit. Këto kritere nuk i plotëson çdo njeri i cili pretendon se është dijetar, apo çdo njeri që din shkrim-leximin, andaj përmes këtyre disiplinave shkencore ua morën të drejtën të paditurve të merren me këtë çështje me përgjegjësi të madhe.

Vëlla i nderuar! Në fushën e jurisprudencës islame për nxjerrjen e dispozitave përcaktuan kritere dhe metodologji të veçantë për përftimin e normave islame, e këto janë të përfshirë në shkolla juridike që ne i njohim si mez'hebe. Pra mez'hebi është shkollë e veçantë me kritere të veçanta për të ardhur deri te dispozita.

Tani me të drejtë shtrohet pyetja: Për çka i kanë venduar këto kritere? Për asgjë tjetër veçse për të shpjeguar ajetet e Kur'anit dhe hadithet e Pejgamberit s.a.v.s. Këta zotërinjtë që nuk dëshirojnë t'i njohin këto shkolla dhe këta dijetarë eminentë, dëshirojnë t'i tejkalojnë këto kritere dhe ta shpjegojnë Islamin, gjegjësisht Kur'anin dhe Sunnetin sipas kapacitetit të tyre, pa kritere, norma, dhe pa vizione të qarta, ndaj dhe thonë ne nuk njohim mez'hebe, se ne vetë kemi kapacitete t'i shpjegojmë ajetet dhe hadithet. Pra, këtyre u pengojnë filtrat që dijetarët islam i kanë përcaktuar, këta e duan një islam pa dijetarë, pa kritere e norma të caktuara, secili të mendoj sipas mendjes së tij.

Vëlla i nderuar më beso se po të mos kishin qenë këto kritere shkencore, po të mos kishin qenë këta dijetarë të mëdhenjë që i njeh mbarë bota islame për shekuj me radhë, në skenë do kishim shumë dijetarë dhe nuk do dihej se kush shpjegon e kush dëgjon, besa edhe vetë unë do isha një dijetar i madh, por ja që kam ngelë vetëm një nxënës i dobët në dituri. Mendoj se tani veçmë e keni të qartë se çka dëshirojnë ata.

Vallahu a'ëlem!



Shejh - Jusuf ZIMERI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...