Dy çështje (mes'ele) në medhhebin Hanefij



Falënderimi i qoftë Allahut Zotit të botëve, salavati qoftë mbi të dërguarin e Allahut Muhammedin a.s., mbi sahabët e tij dhe të gjithë ata që pasojnë udhëzimin e tij.

Dëshiroj që lexuesve të ndershëm t'u paraqes dy dispozita islame ashtu siç janë vendosur në shkollën juridike hanefite.

Sipas përcaktimit të fikhut i përkasim kësaj shkolle juridike dhe ibadeti ynë që ia bëjmë Allahut xh.sh. themelohet në këtë medhheb, sepse këtë shpirtërisht e kemi trashëguar dhe e kemi marrë nga baballarët tonë, e ata prap nga ata të vetët dhe kështu rrënja kthehet deri te Osmanlinjtë, të cilët e kanë prurë Islamin në viset tona. Ajo që e dijmë është se të parët tonë mësimit të rregullave të fikhut iu kanë përveshur me respektin maksimal dhe gati me qëndrim të shenjtë ndaj tij.

Nuk ka mundur as të merret me mend që dikush në mënyrë skeptike të pyes apo të dyshojë në rregullësinë e dispozitave islame të rregulluara sipas medhhebit hanefij. Gjeneratat janë edukuar ashtu që t'i nderojnë dijetarët dhe vetëm me të mirë dhe me respekt t'i përmendin. Ajo që ka të bëjë me librat dhe shënimet, të cilat janë punuar nga kjo lëmi në gjuhën tonë është se aty vetëm është bërë renditja e dispozitave islame. Aspak nuk janë theksuar argumentet për ato dispozita nga Kur'ani apo edhe nga Sunneti. Kjo nuk do të thotë se dispozitave të sheriatit sipas medhhebit hanefij ju mungojnë argumentet, përkundrazi, medhhebi hanefij është më i pasuri për nga argumentet. Ajo që duhet të theksohet është se muxhtehidët për secilin mendim dhe qëndrim të sheriatit kanë patur argument nga Kur'ani dhe Hadithi.

Është shkuar sigurisht nga ajo se për masën nuk është e nevojshme të theksohet argumenti, por drejtpërdrejt të përmenden dispozitat (ahkam), ndërsa dijetarët janë ata që merren me argumente, i theksojnë ato dhe prej tyre nxjerrin dispozita. Kanë gëzuar autoritet të madh dhe njerëzit u kanë besuar. Mirëpo, tash situata mjaft ndryshon. Posaçërisht ndaj medhhebit hanefij, është rrënjosur mendimi se shumë pikëpamje të medhhebit hanefij nuk themelohen në Kur'an dhe Sunnet, madje konsiderohet se shpesh ato janë qëndrime dhe mendime të lira të Ebu Hanifes dhe dijetarëve të tjerë të këtij medhhebi. Sidomos pas shkuarjes së studentëve tonë për studime në botën islame, pas kthimit i sjellin ambientet nga midiset ku kanë qëndruar. Nuk kam për qëllim që me këtë punim modest ta mbroj dhe të theksoj përparësinë e medhhebit hanefij ndaj medhhebeve tjera e as të deklaroj se medhhebi hanefij është më i drejti. Këtë, jo në asnjë mënyrë! Secilin dijetar duhet respektuar, e sidomos ata që kanë arritur gradën e ixhtihadit dhe mund të nxjerrin dispozita drejtpërdrejt nga Kur'ani dhe Sunneti.

Me këtë kontribut modest vetëm dëshiroj t'i theksoj të vërtetat mbi medhhebin hanefij, e ajo është se ai është i pranuar nga ummeti dhe se themeluesit e tij janë dijetarë që kanë qenë muxhtehidë. Dëshiroj që të ruhet besimi te pjesëtarët e medhhebit hanefij kundrejt dijetarëve të tyre. Me një rast kam qenë për vizitë në xhaminë e Zagrebit. Pasi që kishim ardhur nga largësia prej 400 km, ishim musafir (udhëtarë), e musafiri ka tretman të veçantë për sa i përket namazit dhe agjërimit. Ne i kemi shkurtuar namazet katër rekatëshe në dy rekate, kurse disa edhe i bashkonin drekën me ikindinë dhe akshamin me jacinë. Unë e kam falur akshamin në fillim të kohës së tij, ndërsa disa janë ngritur dhe pranë akshamit e kanë falur edhe jacinë. Mua një djalosh më pyeti: "A nuk do t'i bashkosh (xhem') edhe ti namazin e akshamit dhe të jacisë?". I thashë: "Kjo sipas medhhebit hanefij në këtë situatë nuk lejohet". Kurse ai në këtë ma ktheu: "Nëse jo sipas medhhebit hanefij, atëherë po sipas hadithit të pejgamberit të Zotit Muhammedit a.s.!". Nuk dëshirova të polemizoj. Mirëpo shihet qartë se në kokën e atij djaloshi është mbjellë se medhhebi hanefij është diç e ndryshme dhe e huaj nga Kur'ani dhe Sunneti! Sikur Ebu Hanife të kishte vënë sheriat të ri, ligj i cili nuk themelohet në Kur'an dhe Sunnet.

Lexues të dashur, në tekstin i cili pason ne po ju sjellim vetëm dy dispozita, dhe do t'i theksojmë argumentet në bazë të të cilave dijetarët e këtij medhhebi e kanë marrë qëndrimin e tillë. E i tillë është i tërë medhhebi hanefij. Secila dispozitë i ka argumentet e veta. Asnjë dispozitë nuk është thënë me hamendje, por bazohet në diçka. Pasi që gjatë namazit, i cili kryhet më së shpeshti, më së qarti vërehet dallueshmëria e medhhebeve, unë i kam zgjedhur dy pyetje (mes'ele) nga kjo lëmi që të vërtetojmë se si janë zgjidhur ato në medhhebin hanefij.


Leximi i Mukalidiut pas Imamit

Ekziston pajtueshmëri te dijetarët islamë, se imami në namazet e përbashkëta në farz e merr mbi vete vetëm kiraetin (leximin e Kur'anit). Ndërsa sa u përket farzeve tjera të namazit, secili muktedi është i obliguar vetë t'i kryej dhe për to mban përgjegjësi, qoftë edhe nëse atë namaz e kryen me xhemat (bashkërisht). Sa i përket vetë leximit të Kur'anit në namazin bashkërisht nga ana e muktediut ka divergjencë mendimesh mes dijetarëve islamë rreth kësaj çështjeje. Ne këtë çështje do ta trajtojmë si është zgjidhur në medhhebin hanefij, duke i theksuar argumentet në cilat mbështetet ky mendim. Diejtarët e medhhebit hanefij kanë thënë se leximi i Kur'anit në namazin bashkërisht (me xhemat) nga ana e muktediut bie, do të thotë ai nuk është i obliguar të lexojë asgjë. Nëse lexon pas imamit, kjo ashpër qortohet (mekruhi tahrimen). Serhesi ka thënë madje kjo e prish namazin. Këtë mendim e mbështet në mendimin e disa as'habëve si: Zejd ibn Thabit, sa'd ibn Ebi Vekkas etj.. Leximi i Kur'anit në namazin bashkërisht është detyrë e imamit. Ky mendim mbështetet në: 1. Kur'an, 2. Sunnet dhe 3. Kijas.


1. Kur'ani

- {وَ إِذَا قُرِئَ الْقُرْآنُ فَاسْتَمِعُوا لَهُ وَ أَنْصِتُوا لَعَلَّكُمْ تُرْحَمُونَ} - "Kur lexohet Kur'ani, ju dëgjonie atë (me vëmendje) dhe heshtni, në mënyrë që të fitoni mëshirë", (El-A'raf, 204).

Imam El-Bejhekiu e thekson transmetimin nga Ibni Ahmedi: "Të gjithë janë të pajtimit se ky ajet ka të bëjë me namazin". Dhe thekson po ashtu transmetimin nga Muxhahidi se Muhammedi a.s. duke lexuar Kur'an në namaz, kishte dëgjuar një Ensarij të ri duke lexuar pas tij, atëherë ishte shpallur ajeti i sipërtheksuar. Pasi që ajeti është shpallur mbi namazin, sipas rregullit të njohur të fikhut, që përparësia i jipet përgjithësimit të tekstit e jo specificitetit të shkakut (sebebi nuzul) atëherë porositë e këtij rasti përcillen në të gjitha situatat tjera të ngjashme. Nga kjo është i qartë ndalimi i leximit të gjithçka nga Kur'ani pas imamit. Në ajet kërkohet nga besimtarët dëgjimi, e kjo ka të bëjë me ato namaze ku Kur'ani lexohet me zë (sabah, aksham dhe jaci), e urdhëri i dëgjimit - insat ka të bëjë edhe me namazet ku imami lexon Kur'an pa zë (dreka, ikindija). Pasi që këtu heshtja dhe dëgjimi janë të urdhëruara, do të thotë farz, atëherë lëshimi i tij, që me këtë rast do të manifestoheshin me lexim pas imamit, do të jetë mekruhi tehrimen (më afër haramit se sa lejimit).


2. Sunneti

Ebu Hanife transmeton nga Ibn Sheddadi e ky nga Xhabiri r.a. se i dërguar i Allahut Muhammedi a.s. ka thënë: "Kush falet pas imamit, leximi i imamit e zëvendëson leximin e tij". Hadithi është thënë në formë të përgjithshme, kështu që i përfshin të gjitha namazet edhe ditore edhe të natës. Këtë hadith e përforcon tjetri në të cilin theksohet se një njeri duke u falur pas pejgamberit Muhammed a.s. drekën ose ikindinë, kishte lexuar Kur'an. Sahabiu tjetër këtë ia kishte ndaluar. Kur e përfundojnë namazin ai njeriu e pyet: "A po duash të ma ndalosh leximin e Kur'anit pas të Dërguarit të Allahut?". Ai atëherë e kishte cituar hadithin e sipërtheksuar: "Kush falet pas imamit, leximi i imamit e zëvendëson leximin e tij".

Ky rast qartas dëshmon ndalimin e leximit të Kur'anit muktediut në namazin me xhemat, sepse përgjigjeja e të Dërguarit a.s. e ka konfirmuar qëndrimin e sahabiut i cili ia kishte ndaluar atij njeriu që të lexojë pas Resulullahut. Nëse kjo ka ndodhur në namazin ditor (drekë ose ikindi), ku imami lexon pa zë, atëherë ndalimi i leximit të Kur'anit në namazet ku imami lexon me zë, gjithsesi është i qartë. Për këtë hadith, muhaddithinët kanë thënë se është me sened të rregullt (sahih). E transmeton Ahmedi nga Xhabiri r.a. dhe ka thënë: "Senedi i këtij hadithi është i ngjitur (muttesil) kurse njerëzit në atë sened (zingjiri i transmetuesve) janë të besueshëm".

Gjithashtu edhe hadithi të cilin e transmeton Ebu Hurejre se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Imami është caktuar që të ndiqet, kur e shqipton tekbirin edhe ju përseritnie pas tij, kurse kur lexon Kur'an në namaz, ju heshtni". (Muslimi ka thënë se ky hadith është sahih). Po ashtu vërtetohet me hadithin të cilin e transmeton Umran ibn Husein se Pejgamberi a.s. e kishte falur namazin e drekës, kurse një njeri kishte lexuar pas tij disa pjesë nga Kur'ani. Kur e kanë kryer namazin ka pyetur: "Kush prej jush lexoi Kur'an?". Ai njeriu lajmërohet dhe thotë: "Unë", atëherë Muhammedi a.s. thotë: "Mendova se dikush donte të më përmirësojë në leximin e kësaj sureje!", (Buhariu dhe Muslimi).

Ky rast dëshmon pakënaqësinë e të Dërguarit të Allahut për lexim pas imamit, e cila gjë i pëngonte Muhammedit a.s.. Deri te dijetarët e shkollës hanefite kishin arritur edhe disa deklarata nga as'habët mbi ata që lexojnë pas imamit. Ali ibn Ebi Talibi ka thënë: "Nuk e ka mirë ai që lexon pas imamit". Ibn Mes'udi është pyetur për leximin pas imamit, ka thënë: "Hesht, sepse në namaz ka mjaft obligime, të mjafton imami". Seid ibn Ebi Vekkas ka thënë: "Do të dëshiroja që atij i cili lexon Kur'an pas imamit në namaz t'ia vë gacën në gojë".


3. Kijasi - Analogjia

Hanefijtë kanë thënë se muktediu nuk duhet të lexojë pas imamit. Në analogji - kijas me atë i cili vonohet në namazin me xhemat, e nëse e arrin imamin para rënies në ruku, e ka arritur atë rekat. Në këtë rast shihet që kiraeti (leximi) nuk është i domosdoshëm. Ndërsa farzet tjera duhet t'i plotësojë vetë. Leximi (kiraet) i mesbukut bie prej tij, sepse nuk është i paraparë, e të marrurit në namaz me diç që nuk është e paraparë, do të thotë të bësh mekruh - vepër të qortuar. Mendojmë se pas theksimit të argumenteve, është e qartë se medhhebi hanefij nuk është i themeluar vetëm në fjalët e Ebu Hanifes, por secilës dispozitë, para se të thuhet qëndrimi për të, i paraprinë mbikqyrja studimore e Kur'anit dhe Sunnetit.


Namazi i Mysafirit

Shembulli i dytë të cilin dua ta ndriçoj është namazi i udhëtarit. Mendimi i shkollës juridike hanefite thotë se shkurtimi i namazit në rrugë është i domosdoshëm (vaxhib), të cilin nëse dikush nuk e respekton bën mëkat.

Ndërsa sa i përket bashkimit të namazeve (xhem'i) mendimi i këtij medhhebi është se ky bashkim lejohet vetëm në Arefat drekën dhe ikindinë në kohë të drekës dhe akshamin me jacinë në Muzdelife në kohë të jacisë dhe atë ekskluzivisht gjatë kohës së haxhxhit.

Ndërkaq, në situata të tjera kjo nuk lejohet. Në bazë të çkahit Ebu Hanife i ka shqiptuar këto qëndrime? Kjo do të jetë tema e ekspozeut tonë. Argumentet në obligueshmërinë (vaxhib) e shkurtimit të namazit të udhëtarit janë:

1. Ajeti kur'anor: - {وَ إِذَا ضَرَبْتُمْ فِي الْأَرْضِ فَلَيْسَ عَلَيْكُمْ جُناَحٌ أَنْ تَقْصُرُوا مِنَ الصَّلَوةِ إِنْ خِفْتُمْ أَنْ يَفْتِنَكُمُ الَّذِينَ كَفَرُوا إِنَّ الْكاَفِرِينَ كاَنُوا لَكُمْ عَدُواًّ مُبِيناً} -. "Kur të jeni në udhëtim e sipër, nuk është mëkat për ju të shkurtoni namazin, nëse frikoheni se jobesimtarët do të ju sjellin ndonjë të keqe. Jobesimtarët janë armiq juaj të hapët", (En-Nisa', 101).

1 - Praktika e Pejgamberit të Allahut është se në të gjitha udhëtimet e ka shkurtuar namazin. Nuk ka asnjë argument të saktë se Alejhiselami ndonjëherë në e ka plotësuar namazin katër rekatesh gjatë udhëtimit. Kurse vazhdimësia e Pejgamberit a.s. në të dëshmon se ajo është obligim. Po mos të ishte fjala për obligueshmëri të shkurtimit, Alejhisselami së paku ndonjë herë gjatë udhëtimit do ta kishte falur të plotë namazin (katër rekatesh). Gjithmonë e ka praktikuar që besimtarëve me shembull t'ua demonstrojë që diçka është obligim apo sunnet. Transmetohet hadithi nga Ibni Omeri i cili ka thënë: "Në shoqërimin tim me Muhammedin a.s. kamë vërejtur se gjatë rrugës asnjëherë nuk i ka falur më tepër se dy rekate, kështu kanë vepruar edhe Ebu Bekri, Omeri dhe Osmani r.a.", (Muttefekun alejhi -Buhariu dhe Muslimi).

2 - Hadithi të cilin e transmeton Aisheja r.a., gruaja e Pejgamberit a.s.: "Namazi në fillim është urdhëruar nga dy rekate, e pastaj u urdhëruan namazet katër rekateshe, kurse namazi i udhëtarit u la sikurse namazi në formën fillestare", (Ahmedi dhe Buhariu - ekziston pajtueshmëri mbi saktësinë e këtij hadithi).

3 - Transmetimi nga Ibni Omeri, i cili ka thënë: "Namazi i udhëtarit është dy rekate, namazi i bajramit është dy rekate, namazi i bajramit të ramazanit është dy rekate, namazi i xhumasë dy rekate, pa shkurtesë, kjo është shqiptuar nga gjuha e Muhammedit a.s.", (Ahmedi, Nesaiu dhe Ibni Maxhe).

4 - Transmetohet se Ibni Omeri ka thënë: "Kur na ka ardhur Pejgamberi a.s. vërtet kemi qenë në lajthitje dhe ai na ka mësuar. Ndër të tjera, na ka mësuar edhe atë se Allahu i madhërishëm na ka urdhëruar të falim namaz, kur jemi në rrugë nga dy rekate", (En-Nesai).


Ndalimin e bashkimit të namazeve medhhebi hanefij e mbështet në argumentet vijuese:

1 - Hadithet me të cilat janë të vërtetuara kohët e namazit janë me transmetime mutevatir. Ndërrimi i kohës së një namazi mund të bëhet vetëm nëse kjo dëshmohet me hadith me transmetim të rangut të njëjtë - mutevatir.

2 - Ebu Davudi transmeton hadithin në të cilin Ibn Omeri r.a. njofton se Muhammedi a.s. asnjëherë në rrugë nuk e ka bashkuar akshamin me jacinë përveç njëherë. Gjithashtu transmetimi i Ibni Mes'udit r.a. i cili ka thënë: "Pasha Allahun, Muhammedi a.s. asnjëherë nuk e ka falur namazin jashtë kohës së tij përveç dy namazeve që i ka bashkuar në Arefat (drekën me ikindinë dhe akshamin me jacinë në Muzdelife gjatë kohës së kryerjes së haxhit)", (Buhariu dhe Muslimi).

Këto janë argumentet mbi të cilat Ebu Hanife e themelon qëndrimin e tij mbi çështjet e përmendura. Kjo nuk do të thotë se dijetarët e medhhebeve të tjera nuk disponojnë me argumente ku i themelojnë qëndrimet e tyre të cilat janë të ndryshme nga ato të Ebu Hanifes. Ata që dëshirojnë të merren me këtë problematikë mund të kthehen në vepra kapitale, në të cilat flitet mbi këto tema. Është me rëndësi të përmendet se secili muxhtehid meriton shpërblim nga Allahu xh.sh. për mundin e studimit të tij, qoftë edhe nëse ka shprehur qëndrim që nuk është i drejtë ka një shpërblim, e nëse ka studim të drejtë i ka dy shpërblime. Kurse neve Allahu xh.sh. na ka urdhëruar t'i pyesim dijetarët mbi gjërat që nuk i dijmë:

- {... فَاسْأَلُوا أَهْلَ الذِّكْرِ إِنْ كُنْتُمْ لاَ تَعْلَمُونَ} - "... pyetni pra dijetarët, nëse ju nuk dini", (En-Nahl, 43).
- {ياَ أَيُّهاَ الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا اللهَ وَ أَطِيعُوا الرَّسُولَ وَ أُوليِ الأَمْرِ مِنْكُمْ ...} - "O ju që besuat, bindjuni Allahut, respektoni të dërguarin dhe përgjegjësit nga ju ..." (En-Nisa, 59.)

Nëse iu kthehemi këtyre rekomandimeve të Zotit, shpresojmë se në mes të muslimanëve do të kthehet harmonia dhe pajtimi dhe nuk do të ketë shumë divergjenca dhe ndarje. Sepse deri te divergjencat, ndarja dhe coptimi vjen kur me fe dhe me çështjet fetare fillojnë të merren ata që për të nuk janë të aftë. Te ne ka patur dukuri, ende aktuale në disa vende, kur disa që patën filluar ta lexojnë përkthimin e Kur'anit dhe përkthimin përmbledhjeve të "Buhariut" dhe "Rijadu-s-salihin", menduan se i kishin përvetësuar të gjitha shkencat islame dhe paraqiten si muxhtehidë. Allahu ua faltë nëse këtë e kanë bërë nga mosdija.

Hapi tjetër ishte t'i vizitojnë imamët dhe ua shtronin gati të njëjtat pyetje duke i testuar kështu cili imam di më shumë, e pastaj krejt këtë e kanë krahasuar me "diturinë e tyre" të përvetësuar nga ato (pak) vepra që i kanë lexuar. Edhe pse e dijmë se në edukatën (bontonin) islam bën pjesë ajo se nuk duhet të bëjmë pyetje për ato gjëra që i dijmë nga dëshira vetëm për të verifikuar diturinë e dikujt.

Kështu u patën formuar grupe të ndryshme dhe u qenë shkaktuar çrregullime të mëdha për unitetin e muslimanëve. Shumica prej tyre as që kanë dëgjuar për shkencën e quajtur "usuli fikh", e lere më të kenë lexuar diç për të. Kurse pa atë shkencë nuk i lejohet askujt të mundohet të interpretojë dhe të nxjerrë dispozita islame. Le të jetë kjo një përpjekje modeste për vendosjen e gjërave në vendin e vet. Trashëgimia e madhe e fikhut nuk guxon të lëhet pas dore.

Roli i muxhtehidëve, e veçmas i themeluesve të medhhebeve të fikhut ka qenë t'ua përpunojnë dhe thjeshtojnë dispozitat besimtarëve dhe kjo në një masë të madhe është bërë. Pa këtë angazhim muslimanët e sotit në bazë të burimeve të Islamit nuk do të mundnin të vendosnin dispozita prej fillimit. Me gjithë vërejtjen se dyert e ixhtihadit janë të hapura, por ato vetëm për muxhtehidë. Ata që e arrijnë gradën e ixhtihadit drejtpërdrejt nga Kur'ani dhe Sunneti mund të nxjerrin dispozita si dhe të gjejnë zgjidhje për situatat e reja.

Ekzistimi i medhhebit në këtë kuptim është begati për ummetin, e kursesi shkak për ndarje e copëtim. Medhhebet kanë ekzistuar edhe në kohën e Umevijëve, Abasijëve dhe Osmanlinjve, andaj prezenca e tyre nuk e ka dobësuar forcën e shtetit islam. Ndërkaq sot, kur nuk ka shtet islam, nuk ka respekt të medhhebit, ekzistojnë mijëra mendime, ekziston kritika dhe gjykimi i themeluesve të medhhebeve.

Secili e ka interpretimin e vet! Sipas neve njëri prej potezave për shpëtim nga anarkia në aspektin fetar të cilën aktualisht muslimanët janë duke e përjetuar është kthimi i respektit të medhhebeve dhe t'u lehet vetëm muxhtehidëve marrja me çështjet e fesë, sidomos ato çështje të cilat muxhtehidët e mëparshëm nuk i kanë zgjidhur për arsye se ato nuk kanë ekzistuar në kohën e tyre.

Pastaj të mos harxhohet energjia për studim dhe shqyrtim të atyre mes'eleve- çështjeve të fikhut, të cilat janë zgjidhur para më tepër se një mijë vjet. Në këtë kuptim e përmbajmë vështrimin kritik të dijetarëve tonë të njohur ndaj institucioneve arsimore islame të botës së sotme, të cilat në të shumtën e rasteve u japin mundësi studentëve që të njoftohen vetëm me çështje jo të rëndësishme të fikhut. P.sh. është i shpesht rasti kur studentët doktorojnë nga temat e fikhut të hajzit dhe nifasit apo në hulumtimin e senedit nga lëmia e hadithit. Më në fund ka ardhur momenti që t'i hyhet Islamit si një tërësi.



Shkëputur nga libri: "Medh'hebet në islam - novatori apo domosdoshmëri"
Boton: KBI-Prizren 2000, Verzioni elektronik
Autor: Fikret Arnaut - Përktheu: Miftar Ajdini

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...