Mesele mbi Mevludin 3



Pyetja:

Ndonëse jemi në vigjilje të ditëlindjes së Muhammedit, a.s., desha të pyes profesorin se cila është dobia e manifestimit të kësaj date, dhe çfarë do të ishte e udhës, respektivisht, cilat veprime ai nuk i sheh si të mira në mesin atyre veprimeve që po praktikohen tek ne me rastin e këtij manifestimit, gjegjësisht mevludit?

Ju faleminderit!


Përgjigjja:

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

Falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut xh.sh., që e mësoi njeriun për gjërat që nuk i diti, salavatet dhe selamet mbi të dashurin tonë Muhamd Mustafanë s.a.v.s., mbi familjen e tij dhe mbarë myslimanët që me kujdes dhe respekt i zbatojnë normat e Kur'anit dhe të sunetit.

Me qenë se jemi në vigjilje të datëlindjes së Pejgamberit s.a.v.s respektivisht 12 Rebiul ev-vel 1430 (08.03.2009.) kisha shprehur dëshirë që manifestimi i kësaj date të rëndësishme jo vetëm për myslimanët por për të gjitha botrat sepse dërgata e tij siç na mëson Kur'ani famëlartë ishte mëshirë jo vetëm për myslimanët, por për të gjitha botrat, të mos kalojë thjeshtë vetëm si manifestim apo ngjarje historike, por më shumë na duhet të koncentrohemi në përfitimin nga mësimet, porositë dhe mesazhet që dalin nga kjo ngjarje. Manifestimi i kësaj ngjarje detyrimisht duhet të regjistrohet në analet e historisë së myslimanëve, dhe kjo ngjarje të na shërbejë si kthesë vendimtare në rrugën e devotshmërisë islame. Le të na shërbejë si pikënisje prej ku ne duhet të fillojmë zbatimin e plotë të normave kur'anore dhe të sunetit të Pejgamberit s.a.v.s., nëse eventualisht na ka munguar diçka, pra le të na shërbejë si një datë që ne bëjmë një kontrollim të vetes sonë dhe vendosim që të emigrojmë nga veprimet imituese në ato të pëlqyera islamikisht.

Në trevat tona në mënyrë tradicionale lindja e Pejgamberit s.a.v.s manifestohet përmes tubimeve që ne i quajmë Mevlude. Në ato tubime qofshin nëpër xhami, shtëpi apo vende tjera publike, lexohen pjesë të poezive që përshkruajnë biografinë e Pejgamberit s.a.v.s., lexohen ilahi dhe kaside, lexohet Kur'an, salevate dhe mbahen ligjërata rreth jetës së Pejgamberit s.a.v.s. dhe porosive islame. Jo vetëm që mendoj, por jam shumë i bindur se të gjitha këto veprime, jo që vetëm janë të lejuara islamikisht, porse janë edhe urdhëra islame që të praktikohen.

Ekzistojnë edhe zëra që mevludin, respektivisht manifestimin e lindjes së Pejgamberit s.a.v.s. e konsiderojnë si risi "bidat" dhe në bazë të kësaj japin dispozitën se manifestimi i lindjes së Pejgamberit s.a.v.s. është veprim i ndaluar (Haram). Mirëpo nëse vetëm ky fakt se Mevludi është risi (bidat) do të mjaftonte që të gjykojmë me haram, atëherë vetëm në mënyrë taksative po parashtroj disa dilema, falja e namazit të teravive me xhemat qenka haram, e drejta e trashëgimisë së gjyshes 1/6 qenka haram, shkrimi dhe regjistrimi i haditheve nëpër libra dhe koleksione qenka haram, e veçanërisht kur dimë se ka pas urdhër nga Pejgamberi s.a.v.s. që hadithet të mos shkruhen, mësimi nëpër shkolla dhe banka shkollore qenka haram, interpretimi i mësimeve islame përmes mjeteve bashkëkohore si mediumet elektronike qenka haram e shumë e shumë gjëra tjera!!! Nga kjo nënkuptohet se, thjesht vlerësimi se mevludi është bidat nuk është argument për ndalimin e tij. Pra, përcaktimi i kësaj dispozite për Mevludin, respektivisht manifestimin e datëlindjes së Pejgamberit s.a.v.s. është i pa saktë dhe i pa bazë në fondamentet e jurisprudencës islame. Mendoj se për këtë kanë dhënë sqarime të shumta dijetarët Islam nëpër shekuj, e kemi sqarime edhe në literaturën islame në gjuhën shqipe. [1] Megjithatë kësaj radhe nuk do të lëshohem në këto çështje, por vetëm tju përkujtoj në një hadith të pejgamberit s.a.v.s.. Të gjithë e dimë se Pejgamberi a.s. ka pasur princip që të agjërojë ditën e hënë dhe të enjten, e në një rast kur është pyetur për shkakun e agjërimit të ditës së hënë ka thënë: "... Këtë ditë kam lindur ..."

Allahu e din më së miri!



Shejh - Jusuf ZIMERI



_________________________

[1] - Lexo veprën Mevludi, historiku dhe dispozita e tij, nga autori Mr. Taxhedin Bislimi.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...