Dërgoji salavate Pejgamberit a.s., e mos u bë koprrac
Falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut të Madhërishëm, salavatet dhe selamet qofshin mbi Muhamed Mustafanë, Familjen e tij të pastër, shokët e tij besnik dhe mbi të gjithë besimtarët që me kujdes dhe respekti i përcjellin normat e Kur'anit Fisnik dhe Sunnetit të pastër të Muhammedit s.a.v.s.!
Nuk ka aspak dilemë në faktin se nga krijesat më të dashura te Allahu i Madhërishëm është i Dërguari ynë Muhammedi s.a..v.s., të cilin Allahu i Madhërishëm e dërgoi dhe e gradoi me shpalljen e Tij si mëshirë për të gjitha botët, udhëzues dhe ndërmjetësues për të devotshmit. Allahu i Madhërishëm përmes librit të Vet - Kur'anit na ka urdhëruar që ti bindemi urdhrave të Tij dhe të jemi mirënjohës për këtë. Në mesin e udhëzimeve që na bënë Kur'ani Fisnik është edhe dërgimi i salavateve dhe selameve mbi të Dërguarin tonë, kurse shpërblimi i kësaj vepre është i shumëfishtë për ne.
Kur shfletojmë Kur'ain Fisnik, vërejmë se Allahu i Madhërishëm na e mëson edhe formën më të preferuar se si duhet respektuar të Dërguarin tonë dhe në mënyrë urdhëruese na drejtohet duke thënë: "Vërtet Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë lutuni për atë dhe përshëndeteni me "selam"!", (El-Ahzabë, 56).
Dijetarët muslimanë rreth shkoqitjes së këtij ajeti kanë dhënë mendime të shumta, kurse Ibn Kethiri në "Tefsirin" e tij shpjegon se përmes këtij ajeti Allahu i Madhërishëm e informon robin e Vet për pozitën e lartë që e ka i Dërguari i Tij tek Ai, dhe se tek ai dërgojnë salavate edhe krijesat e lartësuara siç janë engjëjt.
Nisur nga kjo, deri sa Allahu i Madhërishëm e lavdëroi dhe e bekoi Muhamedin s.a.v.s. dhe i urdhëroi edhe engjëjt që t'i dërgojnë salavate atij, atëherë edhe ju si njerëz, si besimtarë muslimanë jeni të urdhëruar që të dërgoni salavate mbi Muhammedin s.a.v.s.. Dërgimi i salavateve dhe selameve mbi Muhamedin s.a.v.s. është obligim i besimtarit musliman, pa kohë të caktuar, që a priori nënkupton se besimtari nuk duhet harruar këtë çështje as edhe për një çast të vetëm.
Dijetarët muslimanë duke shtjelluar çështjen e salavateve mbi të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.) janë të mendimit se shtimi i salavateve mbi të Dërguarin s.a.v.s. konsiderohet atëherë kur arrihet numri një mijë herë brenda ditës, kurse minimumi është treqind herë brenda ditës. Këtë e vërteton hadithi i transmetuar nga Enesi r.a. i cili thotë: "I Dërguari s.a.v.s. ka thënë: "Kush nga ju më dërgon mua njëmijë salavate brenda ditës, ai nuk do të vdesë për pa e parë vendin e tij në Xhennet"".
Nëse këto salavate i shikojmë nga aspekti i normës, vërejmë se janë të lehta në veprim, sepse nuk kushtëzohen me ndonjë kusht të veçantë, por janë të rënda në peshore dhe të vlefshme për mbushjen e kontos së çdo besimtari muslimanë. Andaj pavarësisht nga numri i madh i salavateve që i dërgojmë të dashurit tonë Muhamed Mustafasë s.a.v.s. në krahasim me atë që e meriton ai, me vlerën dhe pozitën e tij te Allahu i Madhërishëm - ato megjithatë janë pak.
Ky hadith nuk nënkupton përkufizim të salavateve, porse tregon nivelin më të lartë të dashurisë së besimtarit musliman ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.), sepse edhe salavatet që janë më pak në numër do të arrijnë dhe për to besimtari pa dyshim ka për tu shpërblyer. I Dërguari s.a.v.s. në hadithin që e transmetuar Ebu Darda r.a. thotë: "Ai i cili prej jush kur zgjohet nga gjumi dhe kur shkon të flenë - më dërgon mua nga dhjetë salavate, do të përfshihet në ndërmjetësimin (shefaatin) tim në Ditën e Kijametit". [1]
I Dërguari s.a.v.s. në një hadith tjetër shprehet: "Kush më dërgon mua një salavat, engjëjt do vazhdimisht atij do ti dërgojnë mëshirë, pavarësisht nga ajo se ai i shton apo pakëson salevatet". [2]
Gjithashtu i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejre r.a. ka thënë: "Kush më dërgon mua një salvat, Allahu i Madhërishëm do ta mëshirojë atë dhjetë herë, nga ai do ti heq dhjetë gabime dhe do ta ngritë për dhjetë shkallë". [3]
Për vlerën dhe rëndësinë e salavateve na tregojnë shumë hadithe të të Dërguari s.a.v.s., e që ne në vazhdim do të përmendim vetë disa prej tyre. Transmetohet nga Abdurrahman b. Auvfi i cili ka thënë: "Shkova te i Dërguari s.a.v.s. të cilin e gjeta në sexhde, ai e zgjati sexhden e unë e prita. Kur u ngrit nga sexhdja tha: "Më erdhi Xhibrili dhe më tha: Kush të dërgon salavate ty, unë do ti dërgojë salavate atij, kush të dërgon selame ty, unë do ti dërgojë selame atij, e për këtë unë i bëra sexhde Allahut të Madhërishëm"". [4]
Shtimin e salavateve dhe selameve mbi të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.) dijetarët muslimanë e kanë konsideruar si simbolikë apo veçori të Ehli Sunetit nëpër shekuj. Për këtë dijetari i famshëm Zejnul Abidin thotë: "Karakteristikë e Ehli Sunetit është shtimi i salavateve dhe selameve mbi Muhamedin s.a.v.s.".
Ibni Mes'udi r.a. transmeton se i Dërguari s.a.v.s. ka thënë: "Njerëzit e parë që do të jenë rreth meje Ditën e Gjykimit, janë ata që më së shumti më dërgojnë salavate mua". [5]
Imam Muslimi në "Sahihun" e tij regjistron hadithin me transmetin nga Omeri r.a. i cili ka thënë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.) duke thënë: Nëse e dëgjoni myezinin duke e lexuar ezanin, edhe ju përsëritni atë që e thotë myezini, e pastaj më dërgoni salavate mua, sepse vërtetë ai i cili më dërgon salavate mua (më përshëndet) një herë, Allahu i Madhërishëm atij do t'i dërgojë dhjetë herë salavate. Pastaj pas kësaj kërkoni ndërmjetësimin tim sepse ndërmjetësimi është një pozitë në Xhennet, që i takon vetëm një robi nga robërit e Allahut, e shpresoj që ai të jem unë, prandaj kush kërkon ndërmjetësimin tim, atij i lejohet shefaati im". [6]
Në një hadith tjetër të transmetuar nga Abdullah b. Mes'udi, shënohet se i Dërguari s.a.v.s. thotë: "Vërtet Allahu i Madhërishëm ka përcaktuar engjëj shëtitës, të cilët i përcjellin selamet e Ummetit tim deri tek unë". [7]
Salavatet para lutjes (duasë)
Edhe pse salavatet nuk kanë kohë të caktuar, në disa raste jemi të urdhëruar që ti dërgojmë salavate të Dërguarit (s.a.v.s.) siç është rasti në momentet kur bëjmë lutje (dua). Ndoshta i motivuar nga vlera e salavateve Ibni Atai ka thënë: "Duaja, lutja ka rukne, krahë, shkaqe dhe kohë. Nëse plotësohen ruknet (prezantimi zemëror) e lutjes - ajo është e fortë, nëse plotësohen krahët (sinqeriteti) e lutjes, ajo fluturon dhe ngjitet në qiell, nëse plotëson kohët (të jetë zgjuar) ai fiton, e nëse plotëson shkaqet (salavatet) korr sukses".
Fadale b. Ubejdi tregon duke thënë: I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) e kishte dëgjuar një njeri duke iu lutur Allahut të Madhërishëm, por nuk kishte dërguar salavate, me ç'rast i Dërguari s.a.v.s. tha: "Ky njeri u ngut!", Pastaj e thirri dhe i tha: "Kur dikush nga ju të bëjë lutje, letë fillojë me falënderim dhe madhërim Allahun e Madhërishëm, pastaj le ti dërgojë salavate të Dërguarit, e pastaj le të lutet për çfarë të dëshirojë". [8]
Në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra r.a. i Dërguari s.a.v.s. thotë: "I nënçmuar është ai njeri tek i cili përmendem unë, kurse ai nuk më dërgon salavate". [9] Ndërsa në një transmetim tjetër Imam Ali b. Ebu Talibi r.a. përcjell se i Dërguari s.a.v.s. ka thënë: "Koprrac me kuptimin e plotë të fjalës është ai tek i cili përmendem unë, ndërsa ai nuk më dërgon salavate". [10]
Transmeton Evs b. Evsi se i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: "Vërtet nga ditët tuaja më të vlefshme është dita e xhuma, andaj këtë ditë shtoni salavatet mbi mua, sepse salavatet tuaja më paraqiten mua". [11]
Në koleksionin e Ibni Maxhes dhe Tirmidhiut gjejmë edhe hadithin e transmetuar nga Fatimeja r.a., e bija e të Dërguarit s.a.v.s. se në një rast i Dërguari s.a.v.s. i kishte thënë: "Kur të hysh në xhami thuaj: Bismil-lahir-Rrahmanir-Rahim, selamet mbi të dërguarin e Allahut s.a.v.s.: Allahum-me sal-li ala Muhamedin ve ala ali Muhamed, na falë neve o Zoti ynë dhe na i lehtëso neve dyert e mëshirës Tënde, e kur të dalësh nga xhamia thuaj të njëjtën me përjashtim të shtosh edhe: "O Zoti ynë na lehtëso neve dyert e vlerave Tuaja""! [12]
Transmtohet nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari s.a.v.s. ka thënë: "Çdo njëri që ka ndenjur në një mexhlis, e pastaj janë shpërndarë para se të përmendin Allahun e Madhërishëm dhe para se t'i dërgojnë salavate të Dërguarit (s.a.v.s.) - çështja e tyre ngelë në dëshirën e Allahut të Madhërishëm, nëse do i ndëshkon e nëse do i falë ata". [13]
Për në fund pra ta themi nga thellësia e shpirtit salavatin: All-llahumme sal-li ala Muhammedin ve ala ali Muhammedin kema sal-lejte ala Ibrahime ve ala ali Ibrahime inneke hamidun mexhid. All-llahume barik ala Muhammedin ve ala ali Muhammedin kema barekte ala Ibrahime ve ala ali Ibrahime inneke hamidun mexhid. Rabbena atina fi ed-dunja heseneten ve fil ahireti haseneten ve kina adhaben-nari.
Autor: Jusuf ZIMERI
_________________________
[1] - Taberaniu.
[2] - Ibni Maxhe, Ahmedi.
[3] - Ebu Davudi.
[4] - Ahmedi dhe Hakimi.
[5] - Termidhiu.
[6] - Muslimi.
[7] - Nisaiju.
[8] - Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.
[9] - Termidhiu.
[10] - Nisaiju, Tirmidhiu.
[11] - Ebu Davudi.
[12] - Ibni maxhe, Tirmidhiu.
[13] - Tirmidhiu dhe Ebu Davudi.