Manifestimi i mevludit (risi apo fakt)



Dëshiroj të theksoj faktin e rëndësishëm shkencor, thënë më saktësisht, të dëftoj në atë që refuzohet apo në atë që numrohet në risi (bid'at) në fe, duke menduar gjatë kësaj në hadithin në të cilin Muhammedi a.s. thotë: "Kush në këtë çështjen tonë vjen me diç të re, e që nuk është prej kësaj, refuzohet", dmth: kush vjen me diç të re në fe.

Në transmetimin e hadithit të dytë thuhet: "Kush vjen me diç të re në fenë tonë (fi dinina) që nuk është prej saj, refuzohet". Kjo është shpjegim për fjalët: "në këtë çështjen tonë" (fi emrina hadha), dmth: se me këtë synohet në dispozitat e fesë. E tërë ajo që futet e re në fenë tonë, e që nuk e ka lejuar All-llahu xh.sh. as Pejgamberi i Tij, nuk ka asgjë të përbashkët me fenë.

Kjo pajtohet me hadithin e Irbad ibn Sariut, nga Pejgamberi i All-llahut a.s.: "Kush do të jetojë pas meje do të presë mospajtime të mëdha. Ndaj mbahuni për sunnetin tim dhe sunnetin e halifëve pas meje, duke u mbajtur fortë. Ruajuni risive. Çdo risi është bid'at, kurse çdo bid'at është lajthitje".


Ndarja e veprave:

a). ibadat - ato që lidhen për vetë besimin, dhe
b). mu'amelat - ato që lidhen për raportet reciproker të njerëzve.


Ibadat:

Ajo që del nga suazat e dispozitave kur'anore dhe dispozitave të pejgamberit të Tij, kthehet te vetë iniciatori. Për më tepër, iniciatori i saj bën pjesë nën Fjalët e All-llahut të madhëruar: "A mos kanë ata ortakë (zota, idhuj) që u përcaktuan atyre fe, të cilën nuk e urdhëroi Allahu", (Esh-Shura, 21).

Domethënë, kush i afrohet All-llahut xh.sh. me veprën që All-llahu xh.sh. dhe Pejgamberi i Tij nuk e kanë bërë vepër të afrimit, se -ajo vepër- është jokorrekte dhe se kthehet tek iniciatori, si për shembull, kush i afrohet All-llahut xh.sh. me muzikë dhe me këtë të ngjashme. Po ashtu, ajo që është afrim dhe nënshtrim me ndonjë formë tjetër të ibadetit, që nuk ka bazament në islam, refuzohet.

Muhammedi a.s. ka parë njeriun se si qëndron në diell, ndaj e ka pyetur se përse e bënë këtë, në çka i është thënë se ai njeri është zotuar se do të qëndrojë në diell, se nuk do të ulet, se nuk do të bëjë hije mbi vete, se ashtu do të agjërojë. Muhammedi a.s. urdhëroi të ulet, që të mbrohet prej diellit dhe ta përfundojë agjërimin. Qëndrimi këmbë dhe ndejtja e tij në diell, nuk kanë qenë akte nënshtrimi All-llahut xh.sh. me të cilin kryhet zotimi.

Në transmetimin tjetër ceket se kjo ka qenë të premten gjatë kohës së hutbes së Muhammedit a.s., deri sa ka qenë në minber një njeri qe zotuar se nuk do të mbrohet prej diellit, deri sa Muhammedi a.s. ta mbajë hutben, duke dëftuar me këtë madhështinë ndaj hutbes së Muhammedit a.s.. Muhammedi a.s. këtë nuk e ka bërë formë të afrimit (kurb), ndonëse qëndrimi këmbë në disa situata është ibadet, sikur në namaz, në Arefat. Kjo argumenton se çdo afrim nuk është afrim në aspektin e përmendur.


Mu'amelat:

Ajo që ndërron pozicionin sheriatik, si për shembull, ndryshimi i dënimit për kurvëri me dënim me para, refuzohet. Në këtë udhëzon hadithi në të cilin Pejgamberi i All-llahut a.s., i ka theksuar njeriut i cili i ka thënë: "Djali im ka punuar si punëtor te një njeri, dhe ka bërë kurvëri me gruan e tij. E kam shpaguar me njëqind dhenë dhe një shërbëtor". Muhammedi a.s. ka thënë: "Njëqind dhenë dhe shërbëtori duhet të të kthehen, kurse djali yt duhet t'i pranojë njëqind goditje me kamxhik dhe të internohet një vit". Çdo gjë që i kundërvihet Sheriatit, kurse lidhet për çështjet e fesë, refuzohet.

Ajo që nuk lidhet për veprimet e fesë, për ibadetet, mu'amelatet, as nuk është bid'at as nuk është haram. Manifestimet ku nuk ka gjera haram nuk janë bid'at, sepse këto nuk janë ibadete dhe mu'amelate ku diçka i shtohet fesë, por janë vetëm dhikr, dhe asgjë më tepër, kurse "dhikri u sjell dobi besimtarëve".


Dispozita mbi manifestimin e mevludit

Pas sqarimit të bid'atit (risisë) dhe gjykimit mbi të, është e qartë se manifestimi i lindjes (mevludit) së Pejgamberit të All-llahut a.s. nuk hyn në bid'ate të fesë, sepse ai nuk është ibadet në kundërshti me ibadetet në islam. Kjo është përtëritja e kujtesës dhe përkujtimi i përbashkët mbi jetën e tij.

Ulemaja është e pajtimit se manifestimi i mevludit nuk ka ekzistuar gjatë jetës së Muhammedit a.s., as gjatë kohës së as'habëve pas Tij. Manifestimi i tij paraqitet në shekullin e tretë sipas hixhretit. I pari që e ka ringjallë mevludin në Kairo ka qenë El-Muizz Lidinil-lah El-Fatimi në vitin 362 sipas hixhretit.

Disa ulema ndalojnë manifestimin e mevludit (lindjes së Muhammedit a.s.) duke argumentuar se nuk ka bazë as në Kur'an as në Sunnet, e as që është transmetuar nga ulemaja. Disa e shohin kështu se njeriu kur manifeston ditëlindjen nga pasuria e tij me familjen, miqtë e vet, ku, në tubim, nuk ofrohet asgjë më shumë se ushqim, dhe nuk bën mëkat, manifestimin e tillë disa e shohin si çështje të qortueshme (bid'at) për shkak se ajo është diç e re (muhdeth), diç që nuk ka bazë në Sheriat.

Natyrisht se çështja është ndryshe, nëse mevludi përcillet me gjerat që janë mëkat i qartë, kur sipas natyrës së problemit, nuk lejohet. Është qëndrim më dominues, dhe më korrekt, se manifestimi i ditëlindjes së Muhammedit a.s. është çështje e lavdueshme.

Përkrahësit e këtij qëndrimi u replikojnë atyre që e ndalojnë, se ndalesa (haram) nuk është e lidhur për vetë manifestimin atë ditë, për dëftimin e kujdesit ndaj tij, por për atë që lidhet për të. Sikur disa nga gjerat e qortueshme të ndodhin në xhami, gjatë kohës së namazit të xhumasë, do të ishte e shëmtuar, por nuk do të duhej për këtë shkak të qortohet vetë namazi i xhumasë, as të pengohet.

Ajo që përkrahim dhe e theksojmë si dominuese është se është i lejuar manifestimi i mevludit, me kusht që të jetë i pastërt prej gjerave haram, siç është përzierja e meshkujve dhe femrave e të ngjashme me këtë. Dëshmi për korrektësinë e manifestimit të mevludit është se është e lejueshme theksimi i ditëve të tilla me mënyrë të veçantë të falënderimit me të cilat All-llahu i Madhëruar i ka dhuruar robët e Tij.

Theksohet me transmetim autentik se Pejgamberi a.s. e ka bërë hixhretin në Medine ku i ta takuar Hebraikët duke agjëruar ashuren, ka pyetur: "Çfarë është kjo ditë që ju po e agjëroni". Ata u përgjigjen: "Kjo është ditë e madhe në të cilën Zoti e shpëtoi Musain dhe popullin e tij, kurse e fundosi faraonin dhe popullin e tij. Musai e ka agjëruar si falënderim, ndaj edhe ne e agjërojmë". Muhammedi a.s. ka thënë: "Ne kemi më shumë të drejtë dhe jemi më afër Musait nga ju" dhe e ka agjëruar, por edhe të tjerëve u ka urdhëruar ta afgjërojnë.

Ky është konfirmim i manifestimit të shpëtimit të Musait dhe shpëtimit të popullit të tij me agjërim në shenjë dëftimit të falënderimit ndaj All-llahut të Madhëruar, dhe falënderimit në begaditë dhe mirësitë e Tij. Kush e sheh lindjen e Muhammedit a.s. si begati e sheh këtë gjithësesi si një prej begative më të mëdha, për ç'arsye duhet shumëfishuar falënderimin Krijuesit Fisnik.

Në Sunnetin e ndershëm ceket se është e lavdueshme (mubah) të agjërohet e hëna, në bazë të fjalëve të Muhammedit a.s.: "Kjo është dita në të cilën jam lindur, në të cilën jam dërguar si pejgamber dhe në të cilën ka filluar të më zbresë shpallja".

Manifestimi i mevludit është i lejuar me kusht që aty mos të ketë diç që kundërshtohet me dispozitat e sheriatit si gjerat e qortuara (munkeratet) apo mëkatet e qarta.

E pohimi se këtë Muhammedi a.s. nuk e ka bërë nuk tregon në ndalesë (tahrim). Lëshimi (mospraktikimi) i disa gjerave nga ana e Muhammedit a.s. ndonjëherë kanë qenë çështje tradite, sikur mosngrënia e mishit të hardhucës ndonëse ajo lejohet. Mospraktikimi ndonjëherë ka qenë nga frika që kjo mos të bëhet çështje obligative e muslimanëve, sikur lëshimi i namazit të teravisë në xhemaat, kohë pas kohe.

Argument se lëshimi nuk do të thotë haram janë edhe fjalët e Kur'anit të ndershëm: "Atë që ua jep i Dërguari merrne, e çka ua ndalon lëshone ...", (el-Hashr, 8). All-llahu i madhëruar ka thënë: "... atë që ua ka ndaluar ..." (we ma nehakum), e nuk ka thënë: "Çka ua ka lënë" (we ma terkekum). All-llahu xh.sh. ka thënë: "Të gjitha këto që t'i rrëfyem ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që të forcojnë zemrën tënde ...", (Hud, 120).

Lajmet e pejgamberëve paraprakë në Kur'an kanë për qëllim përforcimin e zemrës së Pejgamberit të All-llahut a.s. dhe zemrave tona. Në tregimet e Muhammedit a.s. është ajo që e përudhë zemrën dhe e përforcon, si ceket në Kur'an.

Pra, mund të kuptohet se manifestimi i lindjes së Pejgamberit të All-llahut a.s. është diç që është e lejueshme në fe (xhaiz), e jo diç që është novotari në fe (bid'at).



Autor: Dr. Ahmed Omer Hashim
Përktheu: Nexhat Ibrahimi

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...