Nëntori i çlirimit të besimit
Çdo i pafajshëm që është burgosur, pret me padurim kur do të lirohet dhe kur do t'i jepet e drejta e mohuar. Gjatë regjimit të diktaturës komuniste në vendin tonë, për një periudhë mbi 20-vjeçare, nuk u burgosën vetëm të pafajshmit për arsye ideologjike, por edhe gjithë popullatës iu ndalua e drejta e besimit në Zot, si dhe e drejta e praktikimit të riteve të besimit përkatës. Nëntorët për shqiptarët dhe për kombin shqiptar gjithmonë kanë rezultuar përcaktues në fatin dhe në rrjedhën e tyre. Nëntori i vitit 1912 solli pavarësinë dhe çlirimin e vendit, ndërsa një tjetër nëntor që do të mbahet mend në historinë e Shqipërisë, është ai i vitit 1990, ku me plot gojën mund ta quajmë "Nëntori i çlirimit të besimit".
Durimi kishte kaluar kufijtë dhe kështu nuk mund të vazhdohej më. Besimtarët shqiptarë, të etur për besim, si dhe për t'iu afruar Zotit nëpërmjet lutjeve, kërkonin dikë që t'i udhëhiqte në këtë drejtim, t'u jepte një dorë që të ndienin pak siguri. Pishtarët ndriçues, udhërrëfyesit e drejtë, ata që ishin të gatshëm për të rrezikuar jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre, si e si të ringjallej fryma e besimit, nuk munguan. Morën riskun përsipër dhe guxuan të përballen me regjimin që u vodhi në mënyrë të padrejtë shumë vite jetë nga jeta e tyre, një regjim i cili tashmë ishte në grahmat e fundit.
Ndryshe nga heronjtë, të cilët marrin këtë status pas sakrifikimit të jetës së tyre për një kauzë kombëtare dhe jo vetëm, në nëntorin e 1990 u shfaq një hero i gjallë, i cili ishte i gatshëm të bëhej kurban, më qëllimin e vetëm që besimi në Zotin e Madhërishëm të rikthehej në jetë nga gjendja e komës në të cilën kishte rënë për dekada me radhë. E ky ishte plaku i urtë dhe i mençur Hafiz Sabri Koçi, i cili së bashku me bashkëpunëtorë të ngushtë të tij dhe besimtarë të përbetuar, pasi përgatitën terrenin dhe iu mbështetën Zotit të Lartësuar, iu drejtuan Xhamisë së Plumbit në Shkodër, pikërisht më 16 nëntor 1990 - ditë e xhuma - për të falur së bashku xhumanë e parë, e cila do të mbetet e paharruar dhe do të gdhendet në historinë e rrugëtimit të besimit islam në trojet shqiptare. Hapja e Xhamisë së Plumbit ishte shkëndija e parë që dha sinjalin fatlum, se Islami, jo vetëm që nuk ishte harruar, por vazhdonte të ishte i gjallë e i freskët në zemrat e shqiptarëve.
Edhe pse misionarët dhe iniciatorët e këtij hapi iu dorëzuan Allahut për gjithçka që do të ndodhte, prapëseprapë i shqetësonte fakti nëse do të kishin mbështetje nga masa e gjerë e popullsisë. Por pjesëmarrja masive në këtë xhuma të parë i dha zemër dhe ia përforcoi edhe më shumë idenë se besimi dhe lidhja me Krijuesin nuk ishte shkëputur nga mesi i shqiptarëve, edhe pse objektet e kultit u rrënuan apo u tjetërsuan. Ky besim i patundur në Zot, pasi kishte heshtur për vite me radhë, kishte ardhur koha që të fliste, madje me të madhe dhe të dëshmonte ekzistencën e tij.
Në këtë xhuma të parë nuk morën pjesë 10, 100 apo 1000 vetë, por mbi 50.000 vetë, të ardhur jo vetëm nga qyteti i Shkodrës, por nga e mbarë Shqipëria. Ashtu siç ka emrin kjo xhami, Xhamia e Plumbit, ashtu edhe pjesëmarrësit në atë ditë të veçantë ishin të gatshëm që të mirëprisnin plumba, nëse do t'u drejtoheshin, si e si që rruga e drejtë dhe udhëzimi hyjnor, si dhe udha islame në trojet shqiptare të përhapej dhe zgjerohej.
Ishte Shkodra nga ku shpërtheu shkëndija e parë e cila zgjoi besimin ndër shqiptarë; ishte Shkodra nga ku lindën dhe u brumosën fetarë e atdhetarë të shquar të kombit; ishte Shkodra nga ku rifilloi të kumbojë ezani i munguar i xhamive, i cili ftonte njerëzit për namaz e adhurime; ishte Shkodra nga ku u ça tuneli i errësirës dhe nga ku iu dha fund një nate të stërgjatë dhe nga ku agoi një ditë e re plot shpresë për liri, një ditë e shumëpritur nga çdo plak e i ri, një ditë, pritja e së cilës u duk sikur zgjat në përjetësi. Ashtu siç pas natës vjen agimi, edhe pas robërisë vjen lirimi. Ashtu siç hapen fletët dhe gonxhet e trëndafilit, ashtu filluan të zgjoheshin ndjenjat e besimit në të vetmin Zot në mesin e shqiptarëve në nëntorin e 1990 e në vijim. Ashtu siç pas një dimri të acartë dhe të gjatë kur vjen pranvera me freskinë dhe kaltërsinë e saj, i tillë ishte rikthimi i Islamit dhe çdo feje tjetër ndër shqiptarë.
Sërish erdhi nëntori… edhe ky nëntor është i veçantë, pasi shënon plot 25 vjet rrugëtim drejt Zotit, drejt vetes dhe drejt njëri-tjetrit. Gjatë këtyre viteve u rindërtuan dhe u risollën në jetë qindra shtëpi të Zotit, që u rrënuan dhe shkatërruan nga njerëz pa shpirt. Këto qindra xhami që u meremetuan, rikonstruktuan apo ndërtuan nga e para, rilidhën tokën me qiellin, njeriun me Krijuesin e vet, përçuan lutjet e robërve drejt Mbretit të tyre dhe sollën nga lart mëshirën e Mëshirëmadhit dhe begatitë e Tija të panumërta.
Minaret që u shembën u ringritën sërish, madje jo vetëm ato, por edhe shumë e shumë të tjera. Ëmbëlsia e këndimit të ezanit që buron prej tyre tashmë pushton çdo skaj të Shqipërisë. Ato i thërrasin njerëzit drejt një ushqimi, që ka më shumë vlerë sesa ushqimi trupor, ushqim që mbush boshllëqet e shpirtit dhe mban zemrën gjallë.
Nëse para 25 vitesh dolën në skenë qindra besimtarë, tashmë numri i tyre është shumëfishuar, saqë hapësirat e xhamive nuk janë të mjaftueshme. Edhe trotuaret dhe oborret përreth xhamive janë tej mase të mbushura për çdo të xhuma. Edhe sheshet më të mëdha të qyteteve nuk mjaftojnë dhe kjo dëshmohet çdo bajram. Njerëzit u lodhën nga gënjeshtrat, mashtrimet dhe iluzionet dhe u rrekën drejt të vërtetës, e cila i solli në Islam, aty ku e ndiejnë veten të vlerësuar dhe të barabartë.
Kushdo që është munduar ta shuajë dritën e Allahut, nuk ia ka dalë dot, pasi vetë Zoti e plotëson dhe e çon deri në fund dritën e Tij, edhe nëse këtë e urrejnë mohuesit dhe mosbesuesit. Edhe në Shqipërinë tonë, shumë u munduan ta shuajnë këtë dritë, të largojnë çdo llambë dhe kandil të kësaj drite nga familjet shqiptare, por nuk ia dolën dot, pasi dielli i besimit dhe hëna e udhëzimit që mbretëronin në zemrën dhe shpirtin e të devotshmëve, nuk mund të mbuloheshin me shoshë, dhe ishin shumë më të fortë se çdo tentativë e keqbërësve. Ai (Allahu) që ngjall të vdekurin dhe përtërin tokën mbasi të jetë bërë shkrumb e hi, ishte Ai që rindezi fitilat e vetëdijes dhe të identitetit fetar dhe kombëtar te çdo shqiptar. Ashtu siç i dha fitore i Madhi Zot Musait a.s. ndaj Faraonit dhe mizorive të tij, ashtu e shpëtoi dhe popullin shqiptar prej prangave dhe padrejtësive të diktaturës komuniste dhe shpurës së saj.
U mbushën plot 25 vjet që shqiptarët agjërojnë të lirë, pa pasur frikë nëse i zbulon apo nëse i dënon dikush. U mbushën plot 25 vjet që shtëpitë e Allahut (xhamitë) hapin dyert e tyre dhe mirëpresin besimtarë. U mbushën plot 25 vjet, që shqiptarët deklarojnë lirisht dhe të pakushtëzuar përkatësinë e tyre fetare, pa e pasur frikën dhe shqetësimin nëse burgosen, diskriminohen apo internohen. U mbushën plot 25 vjet që shqiptarët myslimanë e të krishterë jetojnë si vëllezër nën një flamur dhe në një vatan. Tashmë që u mbush plot një çerek-shekull, i drejtohemi me falënderime të përzemërta Allahut të Lartësuar për këtë fitore madhështore, si dhe lutemi për të gjithë ata që kontribuuan me veten e tyre, familjet dhe pasuritë e tyre për rimëkëmbjen e lirisë së besimit. Përveç dy bajrameve dhe xhumasë, që konsiderohen si festa zyrtare të besimtarëve myslimanë, festë mund të konsiderohet edhe triumfi i lirisë mbi robërinë, kështu që le të urojmë njëri-tjetrin me urimin: Gëzuar 25-vjetorin e pavarësisë së besimit!
Autor: Qani SULKU
_________________________
(Revista Drita Islame - Nëntor 2015)